Kujtimet e një diplomatititalian për oborrin e Mbretërisë Shqiptare. Njerëzit e afërt që ndikonin në jetën e Ahmet Zogut
Kujtimet e një diplomati italian për oborrin e mbretit shqiptar të viteve ’30, Ahmet Zogut, janë përmbledhur në një libër të botuar prej tij, të titulluar “Valixhja diplomatike”. Autori i këtij libri ka qenë diplomati italian, Pietro Kuaroni, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri në fundin e viteve ‘20 e fillim të viteve ’30, si dhe diplomat në vende të tjera.
Shënime, mbresa e kujtime janë përshkruar nga diplomati italian, veçanërisht në faqet ku flet për Shqipërinë, oborri i Ahmet Zogut dhe vetë mbreti, ministrat dhe figurat kryesore të oborrit, patriotët shqiptarë e marrëdhëniet italo-shqiptare të asaj periudhe, përbëjnë pjesën më të madhe e më interesante të këtij libri. Kuaroni në mbresat e tij ka përshkruar se si funksiononte rrethi i afërt i mbretit Zog.
Motrat e tij, që kërkonin të bënin një jetë mondane, por që kishin edhe shumë privime: dora e hekurt e nënës mbretëreshë. Dyshimet për vrasjen e Ceno bej Kryeziut dhe roli që luante Lalë Krosi. Por shumë kapitujt të tij ia ka kushtuar edhe Shqipërisë, figurave si, Iliaz bej Vrioni, Shefqet Vërlaci, tre vëllezërve Libohova etj.
Fillimi i miqësisë me Italinë
I dërguari i Italisë në Shqipërinë e vitit 1928 kujton se një nga fitoret e tij diplomatike ishte drejtimi i vështrimit të vendit të vogël nga shteti me të cilin e ndanin vetëm ujërat e detit Adriatik. “Me emrin Ahmet bej Zogolli, Zogu kishte zënë për një kohë mjaft të gjatë postin e ministrit të Brendshëm, duke manifestuar cilësi që të lejonin shumë mirë të parashihej e ardhmja.
Një nga revolucionet e zakonshme e detyroi atë të emigronte në Jugosllavi dhe, si erdhi që andej i rregulloi punët me ne. Të binte dakord me ne, duke mënjanuar kështu një veprim të hapët tonin kundër tij e regjimit të tij, qe pak a shumë e lehtë. Mbetej, ndërkaq, problem shumë i mprehtë të hiqte qafe miqtë e tij të mëparshëm, anglezët dhe jugosllavët. Për anglezët u zotuam ne.
Ishte koha e flirtit italo-britanik, nën mbrojtjen e ser A. Çemberlenit dhe qe mjaft e lehtë për ne të neutralizonim iniciativat e ndryshme “private” me origjinë angleze që synonin të vinin dorë mbi Shqipërinë: me Anglo-Persianen ne arritëm më në fund në një formulë pajtimi, duke i dhënë secilës palë gjysmën e terreneve naftëmbajtëse më premtuese”, shkruan Pietro Kuaroni në kujtimet e tij.
Jugosllavia, armikja kryesore
“Por Jugosllavia nga ana e saj nuk e linte veten ta eliminonin kaq lehtë: dhe këtu pikërisht kunati i Zogut, Kryeziu, i hapte me të vërtetë shumë punë. Kufijtë e 1913-s kishin lënë në territorin e Serbisë së atëhershme minoritete të rëndësishme shqiptare, të grupuara në krahinën e Kosovës.
Statistikat etnike të ish-Perandorisë Otomane kanë qenë përherë të ndryshueshme, sipas rrethanave: kishin arritur bile të shkonin gjer atje, sa të pohonin që shqiptarët ishin më shumë jashtë, sesa brenda kufijve, sido që të jetë, ata ishin shumë. Kryezinjtë, familje e vjetër feudale me influencë në Kosovës, mund të ngrinin lehtë kontingjente të forta luftëtarësh: pjesa shqiptare në ekspeditën e Zogut përbëhej në pjesën më të madhe nga njerëzit e Kryeziut.
Kjo gjendje paraqiste shumë leverdi për jugosllavët, kur ata donin të shkaktonin turbullira në Shqipëri: shërbeheshin nga shqiptarët, të rekrutuar në territorin e tyre. Me t’u futur në Shqipëri, a mund t’u kërkoje atyre pasaportën dhe certifikatën e lindjes? Pra, për Zogun, që kishte ndërmarrë politikën e “shkëputjes” nga Jugosllavia, ky kunat përbënte një pengesë serioze, pa llogaritur që ai nuk ishte njeri që ngurronte përpara plumbit të revolverit. Çështja shtrohej kujt do t’i ndodhte të parit: Zogu e rrëmbeu palmën. Kjo përvojë e kaluar, pra, ishte një pengesë për perspektivat martesore të motrave të tij: disa fejesa tanimë ishin prishur”, kujton diplomati italian Pietro Kuaroni, mbresa të cilat ai i ka hedhur deri në detaje në librin e tij, “Valixhja Diplomatike”.
Argëtimet në oborrin e mbretit
Ambasadori i Italisë së atyre viteve në Shqipëri në kujtimet e tij veçon se oborri i mbretit të Shqipërisë nuk mbetej pas as në fushën e argëtimeve, megjithëse kjo, sipas tij, nuk kishte ndonjë gjë të madhe. “Pak ushtrime me kuaj: mjeshtri i tyre ishte një oficer italian, kapiten Fragi, organizator i gardës kalorsiake.
Një spektakël i vërtetë: Fragi në krye, në largësi të respektueshme, prapa varg njëra pas tjetrës, princeshat, një sinfoni e gjelbër. Çizme me lëkurë të gjelbër, shumë të errët, kostume prej një stofi të gjelbër paksa në të çelët, kaska koloniale, të pajisura me vel të hollë, të gjelbër, në shijen më të mirë të shekullit XIX. Pak automobilizëm. Një italian, Liberti, administronte një koncesion të vogël bujqësor në rrugën midis Durrësit e Tiranës.
Si një gjenovez i mirë, ai kishte gjetur një mjet të shkëlqyer për të shtuar të ardhurat e ndërmarrjes së vet, të administruar shumë mirë. Një nga traktorët e tij rrinte pandërprerje në afërsi të një farë kthese më shumë se të ngushtë për të ndërhyrë çdo herë kur njëra nga princeshat e hidhte veturën e saj në hendek: kurse ato e shpërblenin bujarisht me monedha ari. Në raste të rralla, ato dilnin gjatë ceremonive zyrtare me kostume kombëtare shqiptare që u rrinin për mrekulli. Por vëllai i tyre i inkurajonte shumë pak këto dukuri. Atij i pëlqente të përsëriste që Mali i Zi qe shkatërruar nga Vejusha Gazmore”.
Lalë Krosi, besnik i mbretit Zog
Një kapitull të veçantë diplomati italian, Pietro Kuaroni i lë njërit prej njerëzve më të besuar të mbretit, Ahmet Zogu: “Personazhi më piktoresk i familjes ishte një personazh mjaft i çuditshëm, që përgjigjej me emrin e Abdurrahmanit, thënë zyrtarisht Mati, për shkak të vendlindjes së tij, kurse përgjithësisht Krosi, domethënë i Zgjebosuri. Titulli i tij zyrtar: kumbar i mbretit. Për sa i përket asaj se ç’do të thotë kjo, këtë akoma nuk e di.
Ishte fjala, dukej, për një lloj intendenti të shtëpisë Zogolli, që gjatë periudhës të vështirë të vejnisë kishte ndihmuar besnikërisht nënën mbretëreshë në administrimin e pasurisë së fisit. Ai tregonte ndaj mbretit një besnikëri jashtë çdo prove: asnjë dyshim për këtë. Mjaftonte ta shihje si sillej përqark tij, sikur do ta “përpinte me sy”, të mbushur tej e tej njëherësh me dashuri dhe admirim: ai kishte gjestet prekëse të një qeni të vjetër, rënë në dashuri.
Gjatë ceremonive zyrtare, duke treguar përbuzjen më të madhe ndaj rregullave të etikës, ai manovronte në mënyrë të atillë, sa të ndodhej përherë dy hapa nga mbreti i vet. Veshja e tij, në tërësi – mjaft korrekte, kishte, megjithatë, tipare më shumë se të çuditshme: brezi i mesit e fshihte prezencën e të paktën dy pistoletave, kurse preferenca e tij shkonte, në mënyrë të padiskutueshme, te kalibrat më të fortë.
Trupmadh, masiv, kafkën si prej letër qelqi, një çehre të çuditshme, goja e gjerë me buzë mishtore mbi një nofull katrore, sytë të vegjël, të çelët, përherë pak si të mjegulluar, por që ndiznin kohë më kohë rrufenë e një dashakeqësie shumë të thellë. Thoshin se dikur kishte qenë i orientuar më shumë drejt Jugosllavisë, prandaj e konsideroj si një nga fitoret e mia diplomatike faktin që e lidha haptas me kampin italian.
Ndieja shumë simpati për të: personazhi me argëtonte. Përveç shqipes nuk dinte veçse dy fjalë turqisht, afërsisht sa ç’dija unë, vetëm se dhjetë fjalët e mia nuk ishin ato të tijat, prandaj kjo gjë nuk na ndihmonte fare dhe duhej të kërkonim vazhdimisht ndihmën e një përkthyesi. Bisedat me të nuk ishin aspak të shpejta për t’u dhënë udhë punëve: si oriental i mirë, ai kishte zakon t’i zinte gjërat nga shumë larg dhe ta stoliste tërë bisedën me parabola dhe anekdota. Sidoqoftë, me t’i shteruar hyrjet paraprake, ne arrinim te fakti dhe pastaj diskutimi zhvillohej mjaft shpejt”.
Toleranca ndaj të keqes së madhe
Pietro Kuaroni në kujtimet e tij thotë se mbajtja afër e Lalë Krosit ishte një nga gabimet e mbretit Zog: “Ka mundësi që pasuria që ai kishte grumbulluar të ishte shumë më e paktë në krahasim me çfarë i atribuonte thashethemnaja publike; por është fakt që atë e urrenin, të rinjtë sidomos, në veçanti ata që ishin edukuar në Evropë dhe që ëndërronin si patriotë të mirë për një Shqipëri të organizuar pak më mirë, më të ndryshme.
Të ndërgjegjshëm për këtë trafik influencash politike dhe ekonomike, ata e konsideronin Krosin, si një lloj Rasputini të Shqipërisë. Për hir të së vërtetës, unë mendoj që, gjithë duke e adhuruar mbretin dhe duke pandehur se po i shërbente atij besnikërisht, sipas mënyrës së vet, ai ishte në numrin e atyre që i shkaktonin atij të keqen më të madhe.
Zogu ishte shumë i izoluar; kishte pak njerëz të sigurt mbi të cilët mund të shpresonte në një çast të vështirë. I bindur në besnikërinë jashtë çdo prove të Abdurrahmanit, ai, me sa duket, e kishte çmuar që ia vlente më mirë të mbyllte një sy. Ndoshta, i rrethuar siç ishte nga një mur i padepërtueshëm – mallkimi i njerëzve që janë në pushtet – shkonte me mendimin që këto praktika katandiseshin në pako gjë, kohë më kohë”.
Nëna mbretëreshë, gruaja e hekurt dhe princeshat
Nga impresionet e tij të veçanta për oborrin e mbretit Zog, diplomati italian Pietro Kuaroni veçon nënën mbretëreshë. Madje, ai e tregon atë si një grua tepër të zonjën dhe që ishte fort e lidhur me të birin, Ahmetin: “Familja qeverisej nga nëna mbretëreshë, një zonjë grua me të cilën nuk mund të bëhej shaka. Mbetur e ve, me të birin ende fëmijë, ajo e kishte udhëhequr fisin me zotësi e vendosmëri: mirëpo, të mbash në dorë një tribu shqiptare nuk është ndonjë gjë e vogël”.
Pietro Kuaroni kujton se nëna mbretëreshë ishte: “Trupvogël, pak si shulake: një fytyrë e gjerë me mollëza të dala, me pjesë të sheshta a la mongole; sy të vegjël, të gjallë e shumë të zinj, pak të çarë nga lart. Flokët e saj të thinjur ia shtrëngonin kokën e ngushtë e të gjatë, lidhur në qafë me një nyje të madhe, si ato që përdornin gjyshet tona. E gjallë, inteligjente, autoritare. Por, sa keq, ajo nuk fliste veçse shqipen dhe çdo bisedë me të kërkonte një përkthyes, gjë që i pengonte takimet direkte.
Përgjigjet e saj ishin, megjithatë, përherë të shpejta e të sakta. Kur Grandi shkoi në Shqipëri për vizitë zyrtare, programi parashikonte edhe një vizitë nënës mbretëreshë. Ajo i mbajti atij një fjalim fort kompetent, sa të thoshe se ia kishte përgatitur që më parë ndonjë këshilltar. Mirëpo më pas, duke vënë në dukje një pasazh nga përgjigjja e Grandit, ajo u lëshua në një tiradë të dytë, kryevepër e vërtetë, pa asnjë fjalë të tepërt ose të mangët. Në mos u gabofsha, ajo ishte një Toptanase, nga familja e madhe feudale e krahinës së Tiranës; ajo kishte predikuar me bindje, pa pushim, domosdoshmërinë e një politike mirëkuptimi me ne.
Ajo e adhuronte të birin, me të cilin ishte e lidhur, besoj, si asnjë tjetër në botë. Në të gjitha rrethanat, vetëm në shtëpi të saj, nën sytë e saj, i përgatitnin ushqimet e mbretit. Pallati i saj ishte i ndarë nga pallati mbretëror nga një kopsht i vogël publik: kohë më kohë mund të shihje të dilte që andej një shërbëtor me livre, me doreza të bardha dhe shoqëruar nga dy ushtarë të gardës bajonetëmbërthyer, që mbante denjësisht, mbuluar me një napë të bardhë të thjeshtë, drekën e sovranit”.
Nuk e di ç’ka ndodhur më vonë, por në 1928 dhe gjatë viteve të qëndrimit tim në Shqipëri, fati i të pesë motrave të Zogut nuk ishte aspak për t’u pasur zili. Nuk mund të thuhet me ndërgjegje të pastër se ato ishin veçanërisht të bukura: por, do të kishin qenë të tilla… Po të kishin mbetur motra të beut të Matit, ato do të kishin pasur një jetë pak a shumë të qetë, por tradicionale, gra shqiptare.
Ngjitja e familjes e përjashtonte për tri motrat më të vogla mundësinë normale për një martesë shqiptare. Përvoja e dy motrave të mëdha, për më tepër nuk ofronte asgjë inkurajuese: ato ishin të veja dhe njerëzit thoshin, jo pa këmbëngulje, se në vdekjen, të paktën të njërit nga të dy burrat e ndjerë, vëllai i tyre nuk ishte i huaj. Këto janë çështje që nuk mund të gjykohen sipas kritereve tona./Jo.Be/Fjala.al