Zgjedhjet/Lëvizjet politike të opozitës në dy fronte

Këshilli Politik mbylli edhe një takim tjetër pa rezultat. Opozita po kërkon të ruajë Kodin Zgjedhor në fuqi, pa pranuar ndryshimet kushtetuese. Mekanizmi për të marrë arbitrim nga ODIHR-i u refuzua nga PS-ja. Basha mbledh aleatët, diskutohet strategjia për të mbajtur koalicionin e gjerë parazgjedhor.

Nga Blerina Gjoka

Opozita dhe mazhoranca nuk kanë arritur t’i afrojnë qëndrimet e tyre politike, kur kanë mbetur vetëm 8 ditë afat për të zgjidhur çështjen e gjuhës ligjore me të cilën do të implementohen në Kodin Zgjedhor ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut. Këshilli Politik edhe një herë përfundoi pa sukses, ndërsa opozita e bllokoi një proces diskutimi mbi formulimin e neneve të Kodit Zgjedhor me një kërkesë për OSBE/ODIHR-in, ku i kërkohej asistencë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për ndryshimin e rregullave para zgjedhjeve që në vetvete janë kërkesë për një opinion lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.

Me këtë lëvizje opozita po tenton të bllokojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që imponohen nga këto ndryshime dhe të ruajë rregullat aktuale të lojës, për të cilat është rënë dakord në marrëveshjen e 5 qershorit. Ajo shpreson se një opinion ekspertësh që do të vinte nga zyra e ODIHR-it do t’i rrëzonte pretendimet e mazhorancës për ndryshimin e këtyre rregullave dhe konkretisht, formulës së koalicioneve parazgjedhore, pak muaj para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, sa më shumë ngushtohet afati ligjor për realizimin këtyre ndryshimeve, opozita pret të futet në skenë sërish trojka e ambasadorëve, të cilët kanë kërkuar që çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor të bëhet vetëm me konsesus. Deri më tani ka pasur vizita të shumta të diplomatëve perëndimorë në selinë blu, por akoma nuk ka një qasje publike të tyre për debatin në Këshillin Politik.

Strategjia bllokuese e opozitës

Opozita e Bashkuar, PD e LSI, ishte kundër ndryshimeve kushtetuese të bëra në korrik në Kuvend vetëm me votat e PS-së dhe deputetëve të opozitës së re parlamentare. Këto ndryshime preknin në disa pika të rëndësishme Kodin Zgjedhor të sapomiratuar me marrëveshje mes palëve. Por, ndërsa ndryshimet kushtetuese janë një fakt tashmë, opozita po tenton t’i bllokojë ato në Këshillin Politik, që të mos bëhen të vlefshme në Kodin Zgjedhor, të paktën për zgjedhjet e ardhshme. Ajo paraqiti në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE/ODIHR-it mbi disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord.

Deri tani PS-ja ka refuzuar t’i bashkohet kërkesës, duke përdorur “sovranitetin” si argument kundër përfshirjes së OSBE/ODIHR-it, një arbitrim i tillë është parashikuar në marrëveshjen e mëparshme politike mes tyre. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për: A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve? A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it. A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?

A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR-it ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve? Në kushtet e mosdakordësisë, cila është zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhje demokratike? Por mazhoranca e cilësoi këtë si një “letër të njëanshme e retorikë politike”. Përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri, kërkoi nga opozita e bashkuar të sjellë një draftpropozim konkret, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i drejtohen OSBE/ODIHR-it. “Tek ODIHR drejtohemi për mosmarrëveshjet për draftet, jo mosmarrëveshjet teorike. Sipas 14 janarit, ODIHR-it i kërkohet opinion për çështje të administrimit zgjedhor”, tha ai.

Lexo edhe :  Aksident i 6-fishtë në kufirin Shqipëri-Kosovë

Gjiknuri: Nëse opozita s’bëhet pjesë, do t’i bëjmë vetë ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, këmbënguli në qëndrimin e kësaj partie për të vijuar me procedurën parlamentare të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, edhe pa dakordësinë e opozitës. Ai tha pas mbledhjes që, nëse opozita s’bëhet pjesë e propozimeve, atëherë ndryshimet kushtetuese do të vijojnë të reflektohen në Kodin Zgjedhor edhe pa të. Ndërkohë Gjiknuri nuk pranoi të firmoste një letër të sjellë nga opozita që i drejtohej ODIHR-it për një opinion mbi këto ndryshime. Gjiknuri thotë se Kuvendi nuk ka për të lënë vakum kushtetues, dhe opozita s’mund ta mbajë peng reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Nga dje, sipas tij, janë dhe 8 ditë kohë për ta përmbyllur procesin dhe “në rast se opozita zgjedh rrugën e saj, atëherë Kuvendi gjithsesi ka detyrimin për të zbatuar ndryshimin e Kushtetutës.”- paralajmëroi socialisti Gjiknuri.

”Natyrshëm që nuk do lëmë vakum kushtetues. Nëse ata s’duan të bëhen pjesë, apo të prononcohen, do të vijojmë. Këshilli Politik është krijuar për shkak të dëshirës së mirë të mazhorancës me një palë që bëri vetëvrasje politike. Ne përtej rekomandimeve të ODIHR-it, plotësuam kërkesat. PD-ja ka shprehur kundërshtitë për Kushtetutën. Pse bëjnë sikur u zgjuan dje? Kushtetuta ka ndryshuar, Kuvendi ka për detyrë ta zbatojë.” – tha ai. Më tej Gjiknuri e cilësoi Këshillin Politik, një mekanizëm të ngritur në 14 janar si marrëveshje politike mes dy palëve në funksion të plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave, një “organ konsultativ”. Sipas tij, si i tillë ai s’mund të mbajë peng vendimmarrësin, ndërsa theksoi se “PS-ja i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit” të arritur nga ky këshill.

Bylykbashi: PS-ja kërkon t’i ndryshojë rregullat, kur loja ka nisur

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në tryezën e Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi, thotë se Partia Socialiste kërkon t’i ndryshojë rregullat, kur loja ka nisur. Ai pranoi se PD e LSI kërkojnë ruajtjen e koalicioneve siç janë sot dhe shtoi se PS-ja refuzon që t’i drejtohen OSBE-së për ta zgjidhur këtë ngërç. “Ne kërkojmë ruajtjen e koalicioneve siç janë sot dhe PS-ja kërkon që t’i ndryshojë rregullat, kur loja ka filluar. Këtë shkresë e kemi shkruar me bashkëpunimin e ndërkombëtarëve. Opozita i ka qëndruar marrëveshjes së 14 janarit, kemi kërkuar konsensusin dhe ai u gjet në 30 qershor mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit. Sot PS-ja sërish refuzoi që t’i drejtohemi OSBE-së dhe Gjiknuri bojkotoi Këshillin, edhe pse ishin të gatshëm të vazhdonim punën.

Presim që PS-ja të reflektojë”, tha Bylykbashi. Sipas demokratit, kjo që po bën mazhoranca është një kalim i “vizave të kuqe të OSBE-ODIHR-it”, pasi, sipas këtij organizmi ndërkombëtar që monitoron proceset zgjedhore, nuk mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor jo më pak se një vit para procesit zgjedhor. “Prishja e funksionimit të mekanizmit bën nul mënyrën se si funksionin Këshilli Politik. Ky Këshill s’mund të jetë noter i interesave të mazhorancës. Për ne ajo që është rënë dakord me 5 qershor dhe konkretizuar në korrik qëndron dhe s’ka pse ndryshon. Opozita ka për bazë Kodin aktual Zgjedhor për çështjen e koalicioneve. Mazhoranca duhet t’i japë llogari faktorit ndërkombëtar, OSBE-ODIHR-it.”- theksoi në përfundim të mbledhjes, Bylykbashi. /Ra.My.Fjala.al/