Listat dhe koalicionet/Mosmarrëveshjet pozitë-opozitë, “trojka e ambasadorëve” gati të ndërhyjë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që prekin listat e kandidatëve dhe koalicionet parazgjedhore janë përfshirë në agjendën e Kuvendit në datën 1 tetor. Ky hap i mazhorancës hidhet pa pritur konsensusin në Këshillin Politik me opozitën jashtë parlamentit. Këto zhvillime pritet të aktivizojnë këtë javë edhe një herë arbitrimin ndërkombëtar, pasi konsensusi është kusht i BE-së dhe SHBA-së për reformën zgjedhore, çka u realizua me marrëveshjen e 5 qershorit.

Nga Blerina Gjoka

Politika shqiptare po përjeton një “de javu”, me kthimin në pikën zero të konsensusit, vetëm pak muaj pas një marrëveshjeje historike për reformën zgjedhore. Marrëveshja e arritur më 5 qershor nga Këshilli Politik nën arbitrimin e fortë të një trojke ambasadorësh të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë, është vënë në dyshim me hapat që mazhoranca po hedh në drejtim të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, që ishte produkti final i kësaj marrëveshjeje. Pavarësisht negociatave që po zhvillohen në tryezën e Këshillit Politik për të gjetur dakordësinë për këto ndryshime që prekin thelbin e rregullave të lojës para zgjedhjeve, siç janë koalicionet dhe listat e kandidatëve, mazhoranca ka bërë një hap konkret drejt finalizimit të tyre në mënyrë të njëanshme.

Konferenca e kryetarëve ka vendosur dje që të fusë në agjendën e punës së Kuvendit diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve në reformën zgjedhore që prekin pikërisht këto dy çështje të nxehta të debatit. Ndryshimet janë të imponuara nga një tjetër vendim i mazhorancës për të votuar ndryshimin e Kushtetutës, vetëm një javë pas miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit. Opozita e cila ndodhet jashtë Kuvendit prej gati dy vjetësh i kundërshtoi ato, duke i cilësuar si një tentativë për të bllokuar daljen e saj në koalicion të përbashkët, para zgjedhjeve të 25 prillit. Në këtë situatë, kur kanë mbetur dhe pak ditë deri në votimin në Kuvend, caktuar më 1 tetor, pritet që të rihyjnë në skenë ambasadorët të cilët kanë arbitruar marrëveshjen e mëparshme.

Këtë lëvizje e paralajmëroi nga Shkodra ambasadori britanik, Duncan Norman, i cili tha se duke parë mosmarrëveshjet mes palëve dhe mungesën e konsensusit mund të riaktivizohet arbitrimi ndërkombëtar. Një reformë zgjedhore me konsensus ishte kushti i parë i BE-së për çeljen e negociatave dhe Këshilli Politik u ngrit më 14 janar në funksion të zbatimit të këtij kushti.

Vendimi i mazhorancës

Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e cila ka vendosur që draftet për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore të shqyrtohen nga komisioni i ligjeve dhe në seancën e datës 1 tetor të futen në rend dite për t’u votuar. Në përfundim të mbledhjes Ruçi nënvizoi se miratimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale në kuadrin e reformës zgjedhore do të përbëjë një përparësi të punës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë javëve të ardhshme. Këtë qëndrim të mazhorancës e kishte paralajmëruar përfaqësuesi i saj në KP, Damian Gjiknuri, i cili tha të martën se opozita ka një javë kohë për të sjellë propozimet e veta konkrete për këto dy çështje, ose do të vijohet me miratimin e tyre sipas draftpropozimit të PS-së.

Opozita, nga ana e saj, kërkon që të përfshijë në diskutime ekspertët e OSBE/ODIHR-it, duke pretenduar që ndryshimet kushtetuese nuk mund të jenë të zbatueshme në këto zgjedhje dhe se nuk mund të ndryshohen rregullat në mes të lojës. Gjithashtu, opozita beson se këto ndryshime janë një shkelje me të dyja këmbët e marrëveshjes së mëparshme politike, e cila është përshëndetur nga BE-ja si një arritje e madhe në funksion të çeljes së negociatave. Por mazhoranca mbetet e vendosur. Deputeti i i saj, Alket Hyseni, u shpreh dje se Kuvendi do të vijojë me miratimin e ndryshimeve në kod. “Propozimet tona janë konkrete, është shkruar e zeza mbi të bardhë.

Opozita të vijë dhe të bëjë propozimet e saj. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Ne po aplikojmë sisteme të qëndrueshme demokratike. Nuk mund të sjellim sistemin që i vjen për shtat PD-së, apo një tjetër që i intereson PS-së. Nëse shohim interesat e ngushta, ne nuk do të shkojmë drejt asaj që shqiptarët duan”,- tha ai.

Rikthimi i trojkës

Megjithëse deri më tani ka pasur një heshtje nga ambasada amerikane në Tiranë dhe ajo e Bashkimit Evropian, ambasadori britanik, Duncan Norman, ka qenë i pari që ka paralajmëruar një rol të ri të ambasadorëve për zgjidhjen e konfliktit politik të shtatorit. Gjatë një vizite në Shkodër, të martën në darkë, Norman tha se marrëveshja e 5 qershorit nuk duhet të ndryshojë dhe se çdo vazhdimësi e saj duhet të bëhet në mënyrë transparente që të kishte konsensus politik. Ai theksoi që, nëse do të ekzistonte vullneti politik, atëherë zgjedhjet do të ishin të lira në vend.

Ambasadori tha se do të vazhdojnë bashkëpunimet për të pasur një monitorim më të mirë të zgjedhjeve të ardhshme në vend. “Reforma elektorale është një temë shumë e nxehtë në Shqipëri dhe është diçka që Britania e Madhe e sheh me shumë rëndësi që të implementohet. Unë nuk kam një ide të qartë se cila do të ishte mënyra e duhur për t’u implementuar. Çdo vend ka mënyrën e vet dhe çdo sistem mund të bëhet funksional, nëse vullneti elektoral është aty. Ne ishim mbështetës të rëndësishëm të reformës së 5 qershorit, një marrëveshje që u firmos nga të gjitha palët, dhe unë mendoj se ajo marrëveshje nuk duhet të ndryshojë.

Dhe nëse do të kishte vazhdimësi të reformës, do të duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që të kishim konsensus politik. Është detyrë e Këshillit Politik për të gjetur një konsensus dhe unë shpresoj që kjo gjë të bëhet e mundur, por në rast se kjo gjë nuk do të jetë e mundur, do të duhet të gjendet një mënyrë arbitrare mes palëve për të arritur një konsensus.” – theksoi ai. Ai bëri të qartë se ndërkombëtarët janë duke vëzhguar procesin e diskutimeve për zgjedhjet dhe theksoi “do të vazhdojmë bashkëpunimet me palët ndërkombëtare, për të pasur një monitorim më të mirë të zgjedhjeve”. Në lidhje me ngërçin politik ai tha se Këshilli duhet të vazhdojë punën e vet dhe, nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë do të veprohet në mënyrë arbitrare. “Ashtu siç e përmenda pak më parë, duhet që Këshilli Politik të vazhdojë punën e vet dhe nëse kjo gjë nuk është e mundur, do të veprohet në mënyrë arbitrare, por, për mendimin tim, nuk jemi akoma në këtë pikë”, tha ai.

Lexo edhe :  Ja 6 provat që “groposin” Sali Berishën në SPAK

Ambasadori Norman ishte i përfshirë në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit. Ai bashkë me mabsadoren amerikane, Yuri Kim, dhe atë të BE-së, Lugi Soreca, negocionuan për disa ditë rresht me anëtarët e tryezës politike të partive, për të konkluduar më në fund në një marrëveshje politike për reformën zgjedhore. Në momentin që trojka do të rikthehet në skenë për t’i ulur përsëri palët për gjetjen e një zgjidhje ligjore me konsensus për listat dhe koalicionet, Norman do të jetë pjesë e saj. Por, me sa duket, trojka e ambasadorëve nuk do të aktivizohet pa mbërritur një përgjigje e ekspertëve të OSBE-së për këtë çështje. Pas një kërkese të njëanshme që opozita i bëri zyrë së posaçme të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR-i, pritet të ketë një qëndrim mbi ligjshmërinë e ndryshimit të koalicioneve vetëm pak muaj para zgjedhjeve.

Paralajmërimi i SHBA-së dhe BE-së

Më 29 korrik, vetëm një ditë para se Kuvendi të votonte ndryshimet kushtetuese në mënyrë të njëanshme, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, bëri një paralajmërim të fortë për krerët e politikës në vend. Ajo pranoi se Kuvendi është legjitim dhe mund të bënte votime pa konsensus politik, por kërkoi që çdo ndryshim në marrëeshjen e 5 qershorit të bëhet me konsensus politik. Ajo bëri të ditur se kishte marrë premtimin e liderëve për këtë dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të vëzhgonte me kujdes, nëse ata do ta mbanin fjalën. “Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre.

Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar.” – deklaroi Kim. Të njëjtën kërkesë kishte dhe përfaqësuesi i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Ai theksoi se ‘reforma zgjedhore është një kusht kyç për të filluar negociatat e anëtarësimit dhe se pa këtë Shqipëria nuk mund të fillojë konferencën e parë ndërqeveritare’. Lidhur me ndryshimet kushtetuese Soreca i cilësoi si propozime shtesë që nuk janë pjesë të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it, të cilat kërkohen nga Këshilli Evropian.

“Ne kemi parë që sipas orientimeve të OSBE-së dhe Komisionit të Venecies, këto ndryshime për sistemin zgjedhor kërkojnë të bëhen konsultimet e duhura. Ndërsa ne e njohim plotësisht rolin e Parlamentit në miratimin e elementeve shtesë të reformës zgjedhore në lidhje me sistemin zgjedhor, ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë diskutimet, dialogun, me të njëjtën frymë bashkëpunuese dhe me të njëjtin mekanizëm gjithëpërfshirës që u tregua gjatë miratimit të marrëveshjes së datës 5 qershor për reformën zgjedhore. Gjithëpërfshirja është element kyc kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me zgjedhjet’, theksoi ambasadori i BE-së më 29 korrik, një ditë para se Kuvendi të ndryshonte Kushtetutën me votën e PS-së dhe disa deputetëve të opozitës parlamentare. Dy muaj më pas, kur Këshilli Politik po dështon që të përkthejë në konsensus këto ndryshime kushtetuese, Kim dhe Soreca akoma nuk janë shprehur, por pritet që ata të ndërmarrin përsëri një mision arbitrimi mes palëve, për gjetjen e këtij konsensusi. Kjo lëvizje do të ndikohet shumë nga përgjigjja teknike që do të kthejë zyra e ODIHR-it, e vënë në lëvizje nga opozita.

Detaje me shifra

14 janar 2020

Me nxitjen e Bashkimit Evropian u arrit një marrëveshje politike me synimin e zhbllokimit të ngërҫit qeveri-opozitë në kryerjen e reformës zgjedhore. Marrëveshja politike përfshiu 4 palë: PS-në qeverisëse, opozitën jashtë Parlamentit, të përfaqësuar nga PD-ja dhe LSI-ja, si edhe opozitën e re parlamentare. Në bazë të këtij dokumenti u ngrit Këshilli Politik.

5 qershor 2020

Pas disa orësh negociata në ambasadën amerikane u arrit një marrëveshje për reformën zgjedhore, e firmosur nga katër anëtarët e Këshillit Politik. Ky pakt politik përmbante 12 pika, ku përfshihen dakordësitë për identifikimin biometrik dhe administratën zgjedhore dhe që mbi bazë të marrëveshjes do të ndryshohej Kodi Zgjedhor.

23 korrik 2020

Kuvendi miratoi me 99 vota pro marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Kjo marrëveshje u përfshi në rend dite nga konferenca e kryetarëve pas një pakti të ri që kryeministri Edi Rama arriti me opozitën parlamentare, për të ndërmarrë ndryshime në Kushtetutë, të cilat, sipas opozitës shkelnin pikërisht atë marrëveshje të miratuar në Kuvend.

30 korrik 2020

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 106 vota pro ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën listave të hapura të kandidatëve dhe riorganizimit të koalicioneve partiake parazgjedhore. Ky votim u bë, edhe pse opozita jashtë Kuvendit i kundërshtoi fort ato dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë i bënë thirrje mazhorancës që të tërhiqet.

1 tetor 2020

Konferenca e kryetarëve ka futur në agjendën e punës së Kuvendit që në seancë plenare të votohen draftet ligjore të mazhorancës për listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore. Këto drafte nuk kanë marrë konsesusin e opozitës në Këshillin Politik, e cila i ka kundërshtuar dhe ka kërkuar ekspertizën e ODIHR-it. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

KQZ thirrje qeverisë: Zgjasni vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit për diasporën

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka deklaruar se do t’i kërkohet qeverisë të zgjasë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit...

Një tjetër histori suksesi nga shërbimi i neurokirurgjisë në QSUNT (VIDEO)

Një ndërhyrje e rëndësishme është realizuar nga Shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUNT, nëpërmjet pajisjeve të teknologjisë së avancuar. Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin...

VIDEO/ Zjarr në një kompleks banimi te “Komuna e Parisit”, shkrumbohet apartamenti

Një apartament banimi te “Komuna e Parisit” është përfshirë nga flakët. Zjarri ka rënë te kompleksi “Kika 2”. Në pamje duken shtëllungat e tymit që...

Vota e diasporës/ 10,497 regjistrime të refuzuara

10,497 regjistrime janë refuzuar deri më tani të shqiptarëve të diasporës. Regjistrimet e refuzuara 3887 në Itali, 2357 Greqi, 1276 Gjermani, 356 SHBA, 251 Angli. Celibashi: Shkaku...

Zotohet Trump/ Do zbardhim vrasjen e John Kennedy dhe Martin Luther King!

Donald Trump pritet të nënshkruajë deri në 200 urdhra ekzekutivë në ditën e tij të parë si presidenti i 47-të i SHBA. Duke folur...

Lajme të tjera

Web TV