Teodor Laço/Shkrimtari që na dhuroi “Lëndinën e lotëve”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një portret i mbështetur nga intervistat e kohës dhe rrëfimet personale të mjeshtrit të letrave

Nga Leonard Veizi

Po, ai ishte i veçantë dhe nuk ka rëndësi opinioni i dikujt tjetri, i cili nuk ka të njëjtin vlerësim. Madje, kjo do ta bënte edhe më interesante performancën. Por ai ishte vërtet i veçantë, i hapur, i drejtpërdrejtë, liberal si temperament dhe vlerësues gjithashtu. Pa dyshim, ai nuk dinte si shtyhej koha me tavëll a lojë letrash, derisa të vinte dita e tërheqjes së pensionit nga sporteli. Ishte shkrimtar, dhe si i tillë, i duhet të krijonte diçka të re, në vazhdimësi.

U lind në Dardhë të Korçës, në 27 shtator 1936. Quhej Teodor Laço. Me një diplomë nga “Bujqësori” në vitin 1958 punoi si agronom e zv.kryeagronom në seksionin e bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv, Korçë. Por ky ishte vetëm një segment jete. Për më tej do ta udhëhiqnin letrat. Mes viteve ‘70-‘74 kaloi në sektorin e letërsisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk besoj se ka njeri që nuk ia ka dëgjuar emrin, t’i ketë lexuar një libër a të ketë parë një film me skenar të tij.

Në të gjallë të tij mund ta konsideroja si mik të vjetër. Intervistën e parë ia kisha bërë kur ishte ministër Kulture, të fundit kur folëm për revoltën e vitit 1990 në Kinostudio, gjë që i solli jo pak kokëçarje Komitetit Qendror e të dërguarit të tij, Foto Çamit. Në atë kohë Laçoja drejtonte sektorin e filmit artistik. Ishin ditë të nxehta kur ai, i thirrur nga instinkti i lirisë e la mënjanë penën, për t’iu përkushtuar një veprimtarie më madhore. Fjala e shkruar dhe e imazhit në film e kishte humbur fuqinë. Duhej veprimi konkret, përndryshe…

Po ta lëmë mënjanë këtë çështje, e kemi trajtuar gjerë e gjatë. Gjendet pa vështirësi në internet, në gjithfarë portalesh.

Teodor Laço, apo më shkurt Todi, siç e thërrasin shokët e gjimnazit, kishte dëshirë t’i priste miqtë në një kafe të këndshme te rruga “Don Bosko”. Aty ndihej krejt i shpenguar, si në shtëpinë e tij. Bashkëshortja Miriam, një nga emblemat e teatrit të Korçës, por dhe e kinemasë shqiptare, i qëndronte pranë. Diku në të hyrë të asaj rruge që dikur na çonte te uzina “Partizani”, ata kishin dhe apartamentin e tyre. Megjithatë, kryeqyteti nuk ishte dashuria më e madhe e Teodorit. Ai ishte mësuar ta ndante jetën e tij mes Tiranës dhe Dardhës. Verën e nxehtë e kalonte në male, dimrit zbriste në qytetin e zhurmshëm, por me klimën e zbutur mesdhetare.

Në fushën e letërsisë do të bëhej i njohur për publikun që me romanin e tij të parë “Tokë e ashpër”, botuar në vitin 1970. Më pas do të vazhdonin “Portat e dashurisë”, “Korbat mbi mermer”, “Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë” etj. Të shumta do të ishin pjesët që ai do të shkruante për kinemanë e teatrin bashkë, ku mund të përmendim skenarët e filmave, “Streha e re”, “Përballimi”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time” etj., ndërsa në teatër kujtojmë komedinë “Shi në plazh” apo dramën “Kambanat e muzgut”.

Më pati treguar se në mesin e viteve ‘70 raportet e shkrimtarëve me regjimin ishin fort delikate. Shkrimtari ishte gjithmonë njeriu i survejuar, për shkak të letërsisë që bënte dhe pikëpamjeve që mund të shprehte. “Në atë kohë mund të shkoje si ‘qeni në vreshtë’ për një gabim fëmijëror, ose një tekë të shkrimtarit. Për shembull: në vitin 1972 disa letrarë të rinj tiranas, mes të cilëve ata që u bënë shkrimtarë ishin Roland Gjoza dhe Bedri Myftari, dilnin nga kodrat e Liqenit Artificial, shkëmbenin dhe lexonin krijimtarinë e njëri-tjetrit, madje jepnin dhe çmimin ‘Nobel’. Vetëm një gjë e tillë bëri që ata të kapen dhe të dënohen të gjithë. Kjo diktaturë te shkrimtari ndikonte që të krijonte dhe autocensurën”.

Më gërryente kureshtja të dija se si vepronin shkrimtarët në një regjim të ashpër për të ruajtur veprat e tyre të mirëfillta. Teodori më sqaronte se në të gjithë krijimtarinë e tyre shumica e shkrimtarëve shqiptarë vërtiteshin në një lloj dualizmi. “Kanë botuar vepra politikisht në shërbim të asaj kohe dhe vepra, të cilat i kanë shpëtuar realizmit socialist, që në rastin më të mirë mund të quhen vepra realiste dhe me sens kritik për realitetin e asaj kohe. Këtu e kam fjalën për prozën, sepse poezia është një kapitull më vete, që dhe mëkatet i ka më të mëdha. Mund të them se ka pasur mjaft shkrimtarë që i kanë shërbyer sistemit, madje me bindje. Por kishte dhe shumë të tjerë, të cilët në subkoshiencën e tyre ndienin se liria mungonte dhe që shoqëria, e cila po ndërtohej në Shqipëri ishte e padrejtë. Megjithatë, duke parë që ishte e vështirë të luftohej drejtpërdrejt, bënin kompromise”.

Kompromise!? Epo, natyrisht, – thosha me vete, – edhe sot bëhen kompromise. Madje, shumë. Kompromise të cilit lloj? – e pyeta me kast. “Bënin vepra që priteshin të përgjoheshin e të goditeshin, por realizonin dhe vepra, të cilat i përmbushnin të pesë kushtet themelore të realizmit socialist. Një gjë të tillë e ka shpjeguar dhe Ismail Kadareja, kur thotë që në këtë mënyrë shkrimtari bën kompromis me vetveten. Pra bëheshin vepra që shërbenin si pasaportë për të botuar dhe vepra të çliruara”.

Në nënndërgjegjen e tij prej shkrimtari, çdo gjë ishte e dyzuar dhe e dyshimtë – pa dyshim që ka qenë. E kundërta as që do të kishte kuptim. Prandaj, atje ku askush nuk mund të hynte veç qenies së tij të padukshme, nuk kishte manuale rregullash dhe në trafikun marramendës, ku gjithçka përplasej me dëshirë, lindin ide të reja. Ai nuk ngurronte të hidhte synopsusin e porsalindur me laps plumbi mbi një fragment letre, ku një djall e di pse në faqet ballore me germa të ngjeshura kompjuteri me siguri ishte shkruar fjalimi politik i vlefshëm për seancën e radhës së Parlamentit, a një notë verbale për Ministrinë e Jashtme. Por kjo duket se nuk kishte fare rëndësi. Ajo që ishte bërë nuk mund të zhbëhej dhe, sigurisht, ajo që ishte zhbërë nuk mund të ngrihej më. Në raportin pa balancë, ku gjithçka dukej se merr trajtën e një pragmatizmi pozitiv, ajo që mund të fitosh pa frikë është… vetvetja.

Lexo edhe :  Këngëtari Devis Xherahu përkujton Jorgo Papingjin: E kisha si baba pasi…

E pyeta se cila ishte krijimtaria e tij e kompromisit dhe ajo e çliruara? Isha i drejtpërdrejtë. Pyetjes nuk kishte nga t’i shpëtonte. Por Teodor Laçoja nuk ishte nga ata që përdorte truke të shpejta për t’ia hedhur. Njihej si liberal dhe aspak tendencioz. Më tha se në vitin 1971 botoi romanin “Tokë e ashpër”, i cili kishte si subjekt formimin e një kooperative bujqësore në zonat malore. “Ky është një roman që nuk ka lajthitje për kohën, – bëri një parantezë e më pas vazhdoi: – Por në vitin 1973 botoj vëllimin me tregime ‘Ajri i ftohtë i mesnatës’, ku një pjesë e tregimeve lirike kishin sens kritik. U cilësua si libër i gabuar dhe u hoq nga qarkullimi. U tha se në të nxihej realiteti. Një shkrim për këtë novelë u botua në gazetën ‘Drita’ në formë redaksionale me titull ‘Nuk ka për të ndodhur kështu’, ku mund të them se në fakt ishte një pretencë. Një vit më pas, në vitin 1974 doli novela ‘Ditë dhe net që mund të vijnë’. Ky libër u botua në fillim të vitit 1974 dhe fillimisht nuk solli asnjë shqetësim. Por në tetor të po atij viti, kur doli grupi ‘puçist’ në ushtri, kundër librit dhe meje u dërguan shumë letra në Komitetin Qendror nga disa shkrimtarë ushtarakë. Ky libër u akuzua se i bënte jehonë ‘Teorisë së rrëshqitjes’, për të cilën u dënua grupi i ushtarakëve të lartë, sepse bënte fjalë për një stërvitje ku trupat tërhiqeshin dhe sulmonin për të rimarrë sërish pozicionet. Libri jo vetëm që u hoq nga qarkullimi, por edhe unë e pagova duke qëndruar 7 vjet larg Tiranës”.

Ishin vitet kur mezi futeshe në Tiranë, të të hiqnin prej saj ishte pa diskutim një lloj internimi. Ku të degëdisën? – e pyeta me një sens humori. “Lidhja e Shkrimtarëve më dërgoi si mësues në Libofshë. Por më pas më tërhoqën në Fier. Në atë kohë në Fier ishte emëruar sekretar i parë i rrethit Pipi Mitrojorgji. Duke dashur t’i japë një hov jetës artistike në qytet, ai na mblodhi të gjithëve dhe bëri një bërthamë shumë të mirë. Dhe vërtet që jeta artistike në Fier pati një hop cilësor. Aty nuk isha vetëm unë, por edhe Neritan Ceka e Myzafer Korkuti, arkeologë; Vilson Kilica, piktor; Paskal Milo e Myslym Islami, historianë; Pëllumb Kulla, skenarist e Fatos Sela, aktor. Të gjithë të ardhur nga Tirana”.

Epo, rroftë Tirana… I mblidhte të gjithë, i shpërndante gjithashtu.

Përpara se të ndahej nga jeta ai botoi një tjetër vëllim me tregime kuptimplota, dhe pena e tij e mbushur me bojë e me majë metalike krejt të re, dukej se nuk kishte ndër mend të reshtte asnjë çast. Teodor Laço, shkrimtar e skenarist filmi, e për më tepër politikan jetëgjatë e diplomat me karrierë të shkurtuar, vazhdonte rrëfimin e tij pa asnjë çast të dyshimtë, në duhet të fliste për krijimtarinë letrare apo aktivitetin politik, për të dyja bashkë, apo për asnjërën prej tyre. E nëse ka pasur vërtet një dyshim të tillë, ai duhet të ketë zgjatur vetëm një sekondë ose më pak se aq, ndërsa kompromisi duket se nuk ishte aspak i vështirë: të flasë për gjithçka, pa kompleksin se diku, një gjë krejt e papritur e dashakeqe do të mund t’ia prishë imazhin e lartuar.

Si do ta rregullonit biografinë me pushtetin? Ha, ha, ha… mund të qeshte pak. Të thoshte se biografia tanimë ishte e prishur. Ai ishte në frontin e kundërt me pushtetin, në një luftë për jetë a vdekje… Por jo. Ka një kompromis gjithsesi, me të tjerët apo thjesht me veten. Teodor Laço nuk i bëri bisht pyetjes: “Pas këtyre dy librave, që për të thënë të vërtetën prisja të përfundoja edhe në burg, po në fund të vitit 1975 u botua romani ‘Përballimi’. Ajo u pëlqye si vepër, e cila figurën e sekretarit të parë të një rrethi e nxirrte njerëzore dhe jo skematike, siç kishte ndodhur deri në atë kohë. Kështu që u zbut masa e dënimit. Ndërsa në vitin 1978 u botua romani ‘Lëndina e lotëve’. Kjo është dhe vepra më e mirë e imja e para viteve ‘90, e cila ishte gjithashtu dhe krejtësisht e papolitizuar. Në vitin 1982 u ktheva nga Fieri dhe fillova punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku merresha me talentet e reja”.

Në vitin 1986 Teodor Laço do të merrte postin e përgjegjësit të filmit artistik pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku do të punonte deri në vitin 1990. Në periudhën 1991-1992 do të emërohej edhe drejtor i saj.

Si u mendova pak, sepse pyetja më dukej provokative, fola: Keni menduar ndonjëherë që për koniunkturë duhet të militonit në radhët e Partisë së Punës? Teodor Laço e priti pyetjen qetësisht. As që i shkoi në mendje të triblonte për të marrë ndonjë pikë të pavlerë. “Nëse do të më ofrohej një gjë e tillë, me siguri do ta bëja, – u përgjigj, – por unë kam pasur babain emigrant ekonomik në Amerikë dhe, gjithsesi, nuk shihesha si pjesë e kontingjentit të partisë. Gjithashtu, një i afërmi im ishte në burg politik, çka e bënte dhe më të vështirë situatën”.

Në fushën politike Teodor Laçon u lidh që me fillimet e demokracisë. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate, duke qenë edhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994. Do të bëhej deputet në zgjedhjet e para të lira në vend. Prej vitit 1994 deri në 1997 do të mbante postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vitin 1995 krijoi një parti të re “Bashkimi Social Demokrat”. Për dy vjet shërbeu në Moskë si ambasador fuqiplotë. Ndërsa për veprat e tij letrare, Teodor Laço është nderuar me 3 çmime të Republikës dhe çmimin “Migjeni” gjithashtu. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Shembja e urës në Baltimore/ Gjenden dy trupa të pajetë në një kamion të zhytur në ujë

Trupat e dy personave të pajetë janë nxjerrë nga një kamion i kuq, i cili ra në ujë ku...

Kauza reale e opozitës është ‘përfillja’ e Berishës

Nga Mero Baze Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, ishte në Tiranë dhe nuk pati asnjë dilemë për vlerësimet pozitive ndaj qeverisë sa...

Simptomat alarmante të Ishemisë, hapat si ta parandaloni

Mosha bashkë me genet janë një faktor vendimtar në goditjen e ishemisë. Ndonëse këto faktorë janë të pandryshueshëm, njeriu mund të ndërmarrë disa masa për...

Kërcënon Putin: Do t’i godasim avionët F-16 nëse përdoren nga vendet e treta

Rusia nuk ka plane për asnjë vend të NATO-s dhe nuk do të sulmojë Poloninë, shtetet baltike apo Republikën Çeke, por nëse Perëndimi furnizon...

“I shtyrë deri në kufi”: ishulli i vogël grek në pamjet e kontrabandistëve të njerëzve

Frika për një rrugë të re migrimi rritet pasi më shumë se 800 njerëz zbarkojnë në Gavdos, popullsi më pak se 70, brenda pak...

Lajme të tjera

Web TV