Lefter Zhidru që u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në Elbasan ishte njohës i mirë i armëve dhe municioneve. Gazeta “Fjala” mëson se i moshuari ka qenë punonjës në fabrikën e demontimit të armëve në uzinën e Mjekësit, në Elbasan. Zhidru, qëlloi disa herë me kallashnikov drejt forcave speciale, ku 8 plumba kapën mbrojtësen metalike kolektive. “Fjala” mëson se 71-vjeçari, veprimet e tij ndaj policisë i ka kryer në kohën kur bënte negociata me blutë. Sasia e tritolit e lidhur me një bombol gazi, nëse do të shpërthente, mund të rrezikonte seriozisht jetën e të paktën gjashtë efektivëve të RENEA-s që ishin në rreze të afërt.
Nga Elvis Myrta
Si specialist i armatimit, i profilizuar në fushën e eksplozivëve, 71-vjeçari që u eliminua nga forcat elitë të Policisë së Shtetit, mund të kishte sjellë tragjedinë në apartamentin ku banonte. Fatkeqësisht, Lefter Zhidru u eliminua nga reparti special RENEA, edhe mes shumë dilemash për t’i dhënë edhe një mundësi tjetër, ndonëse negociatat, duke përfshirë edhe familjarët zgjatën plot pesë orë. Gjithçka u zbulua më pas në apartamentin e tij i përngjante një “depoje” të vogël armatimi, ku mbi të gjitha vetëm një buton në shkrepjen e kapsollës detonatore mund të sillte një shpërthim katastrofik, pasi ishte gatitur një bombë e fuqishme artizanale.
I moshuari që mbajti nën terror për më shumë se 5 orë banorët e lagjes “11 Nëntori” të Elbasanit, ishte njohës i mirë i armëve. Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj në Policinë e Shtetit, ka mësuar se prej disa vitesh i moshuari ka punuar si specialist armësh dhe municionesh në uzinën e Mjekësit, në Elbasan, uzinë e cila shërben për demontimin e armëve dhe municioneve. Eksperiencën e fituar gjatë viteve që Zhidru ka punuar në këtë uzinë, ai e përdori dje gjatë përplasjes me armë me policinë, ku rezistoi për gati 5 orë, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë, por edhe të qytetarëve që banonin në këtë zonë. Rezistenca e 71-vjeçarit ndaj strukturave të policisë përfundoi rreth orës 18:00 të së enjtes, pasi ai u qëllua me një plumb në kokë nga efektivët e RENEA-s. Ai u eliminua nga rreth 40 metra distancë nga banesa prej njërit prej tre snaiperistëve me armën gjermane tip “Sako”, të cilët kishin zënë pozicione të ndryshme përballë apartamentit të tij, ku kishin edhe fushëpamje.
Burime nga policia bëjnë me dije për gazetën “Fjala” se finalizimi i operacionit për ekzekutimin e 71-vjeçarit, zgjati rreth 1 minutë e 30 sekonda. Pas 5 orë negociatash në mesditë specialistët e Repartit të Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, morën urdhër nga eprorët e tyre për të hyrë në banesën e të moshuarit, me qëllim neutralizimin e tij. Por, Zhidru, e kuptoi që efektivët po tentonin të futeshin brenda, e për këtë arsye qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të derës, prapa së cilës ndodheshin forcat speciale. Mburoja metalike i shpëtoi efektivët e RENEA-s, nga plumbat e kallashnikovit me të cilin Zhidru hapi zjarr në drejtim të tyre, në momentin që ata ndërhynë për të kryer netrualizimin e tij.
Sipas burimeve zyrtare, 8 plumba kapën mburojën, pas së cilës ishin 4 efektivë të repartit special. Ky duket se ishte edhe momenti i vendimit të vështirë për të dhënë urdhrin që personi i armatosur të qëllohej për t’u eleminuar. Pas ekzekutimit të të moshurit, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën kallëpe tritoli, të vendosura në të gjithë shtëpinë. Mendohet se 71-vjeçari i e kishte përgatitur këtë ekploziv për ta hedhur kundër policisë, gjë e cila, nëse do ta bënte, do të sillte dëme katastrofike jo vetëm për banorët e pallatit ku jetonte ai, por edhe të pallateve përreth tij. Sipas burimeve policore, frika se ai mund të kryente shpërthimin bëri që RENEA ta zgjaste disa orë operacionin për neutralizimin e tij, kjo pasi kallëpet e tritolit që ai kishte në banesë ishin lidhur me bombola gazi dhe një sistem elektrik që mund të shpërthente në çdo moment.
Në situatë gati të pamundur ndërhyrjeje, pasi sikurse mësohet nga burime të gazetës, i moshuari kishte netralizuar edhe gazin lotsjellës të hedhur në banesë, duke përdorur një peshqir të lagur. Gjithashtu, efektivët e RENEA-s, nga vëzhgimi që i bënin në distance, konstatuan se edhe gjatë kohës që fliste me negociatorët ai diçka po përgatiste, ku dalluan edhe kallëpe tritoli në duart e tij. Pak para se të ndërhyhej nga ana e RENEA-s, përdorën edhe metodën e parafundit duke qëlluar edhe ata me shpresën se mund të dorëzohej. Plumbat shpërthyen nga të dyja palët, por ai u qëllua vetëm nga një i vetëm, me snaiper. Edhe dje në lagjen “11 Nëntori”, kishte forca të shumta policie. Mësohet se blutë e Elbasanit, nën drejtimin e prokurorisë së këtij qyteti, po hetojnë për të zbuluar edhe se ku i kishte siguruar viktima kallashnikovin, pistoletën, municionet dhe lëndën eksplozive, të cilën e kishte bërë gati për ta hedhur.
Si nisi shkëmbimi i zjarrit mes të moshuarit dhe policisë
Mesditën e së enjtes një konflikt në familje ngriti në këmbë të gjithë Policinë e Shtetit. 71-vjeçari Lefter Zhidru, pas një debati me bashkëshorten e tij, rrëmbeu armën duke tentuar të vriste bashkëshorten e tij. Kjo e fundit, pasi kuptoi qëllimin e burrit, mori vajzën e saj 14-vjeçare dhe u largua me shpejtësi nga banesa. 71-vjeçari ndoqi gruan dhe vajzën e tij. Ai doli nga pallati dhe hapi zjarr drejt tyre në një kohë kur zona ishte e populluar edhe me qytetarë të tjerë. Ka qenë bashkëshortja ajo që ka njoftuar policinë pas sherrit me 71-vjeçarin. Gruaja ka arritur të dalë pa u lënduar nga banesa, ndërsa pas denoncimit ndërhyri policia e Elbasanit. Por, i moshuari qëlloi drejt këtyre të fundit nga dritarja e banesës, ndërsa plumbat plagosën dy të rinj, kalimtarë të rastit, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Gruaja e viktimës, në kohën kur bashkëshorti i saj po “luftonte” me policinë, u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe për të mësuar mbi situatën psikologjike të burrit të saj.
Fillimisht ajo ka qenë në gjendje të rënduar, por më pas ka pohuar se bashkëshorti pretendonte se e tradhtonte dhe dyshohet se për këtë ka nisur edhe konfikti mes tyre. Bashkëshortja e 71-vjeçarit, Floresha Zhidru, do të hetohet për moskallëzim krimi, pasi nuk tregoi se ai ishte i armatosur me armë dhe municione, si dhe po hetohet pas dyshimeve, nëse ajo ka qenë më parë në dijeni të arsenalit që zotëronte i shoqi. Zyrtarisht nga policia konfirmohet se ndaj gruas së 71-vjeçarit nuk ka pasur urdhër mbrojtjeje. Mëngjesin e djeshëm, Floresha Zhidru shkoi në banesën ku jetonte me 71-vjeçarin dhe vajzën e saj të mitur, për të marrë disa sende të saj personale. Ajo përveç se u ka kërkuar llogari policëve për vrasjen e burrit të saj, ka qenë e ashpër edhe ndaj medias. Floresha Zhidru, i ka akuzuar gazetarët se ata kanë ndikuar në vendimin e policisë për vrasjen e bashkëshortit të saj. Lefter Zhidru, është burri i dytë që i është vrarë nga policia. 56-vjeçaren nga Peqini duket se e ka ndjekur sërish fati i trishtë.
Ajo ishte martuar me shkuesi me Lefterin, pasi bashkëshorti i parë u ekzekutua nga policia në kufi, kur tentonte të kalonte në Greqi me këmbë. Me burrin e parë, Floresha, kishte një djalë 24-vjeçar, të cilin nuk e ka parë më që pas vdekjes së burrit, pasi ai është rritur nga prindërit e të ndjerit. Pas tragjedisë së parë ajo u rikthye në vendlindje dhe familja e martoi me Lefterin. Bashkë ata ikën në Sarandë, vendlindja e të moshuarit, e pasi lindën vajzën, që sot është 14-vjeçe, u kthyen në Elbasan, ku jetonin në një shtëpi me qira në katin e dytë të pallatit ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Dëshmitë e fqinjëve
Fqinjët e përshkruajnë ngjarjen si terror, ku për orë të tëra ishin pushtuar nga ndjenja e frikës. Ata tregojnë se familja Zhidru ka pasur gjithmonë probleme. Ndërsa për viktimën thonë se ai konfliktohej edhe me fqinjët, të cilët e kishin denoncuar edhe në polici. Ankesat e banorëve kishin shkuar me anë te letrave deri te drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Sipas tyre, i ekzekutuari nga RENEA, përveç se ushtronte dhunë në familje, ishte agresiv edhe me fqinjët, të cilët kanë pasur probleme të shumta me të. Njëri nga fqinjët tha për mediat se ngjarja e së enjtes pritej të ndodhte, pasi uniformat blu e kishin neglizhuar 71-vjeçarin, duke mos marrë për bazë denoncimet e banorëve të pallatit dhe të lagjes. “Ka qenë e paramenduar që ai do të bënte një veprim dhe e paralajmëruar te policia. Policia ka qenë në dijeni, edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pasur informacion për këtë person.
Ka qenë shumë problematik, ka pasur shumë probleme të mëdha, si familjare me bashkëshorten, si me ne që banojmë këtu”, është shprehur njëri nga fqinjët. Më tej ai ka shtuar se kjo situatë ka që prej vitit 2014, kur Zhidru ka ardhur të jetojë në këtë lagje, ai konfliktohej dhe dhunonte sistematikisht bashkëshorten e tij, por kishte probleme dhe me banorët, ku disa ditë më parë është konfliktuar me një të afërmen time. Pavarësisht këtyre problemeve, policia nuk ka marrë asnjëherë masa. “Ky konflikt ka nisur që në vitin 2014. Me saktësi, 1 herë, 2 herë në muaj këtu ka pasur ulërima të tmerrshme. Të gjithë banorët e këtij pallati janë ankuar për këtë person, e kam me deklarata policie, dhe nuk janë marrë masa, kjo do të ishte parandaluar, ose do të ishte bërë katastrofë”, shtoi ai.
Lidhur me denoncimin e qytetarit, përsa i përket e-mailit dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, mbrëmjen e djeshme blutë reagun zyrtarisht duke u shprehur, se më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it policiaeshtetit@asp.gov.al, është dërguar e-mail nga një zonjë, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me 71-vjeccarin e ekzekutuar nga policia. Sipas policisë, me urdhër të drejtorit Ardi Veliu, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse, ttë cilat kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës. Pas verifikimeve në komisariat janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.
Banorët letër bashkisë: Familja Zhidru, problem për komunitetin
Banorët e lagjes “11 Nëntori” i kanë dërguar disa herë letra policisë së Elbasanit dhe bashkisë për të marrë masa dhe larguar familjen nga ky pallat. Gazeta “Fjala” disponon disa kopje të këtyre letrave, ku vihet re se policia e Elbasanit ishte në dijeni që ky person ishte problematik dhe i rrezikshëm për shoqërinë. Në një letër që i është dërguar të plotfuqishmit të lagjes “11 Nëntori”, ata kërkojnë të merren masa për sistemimin e familjes Zhidru diku tjetër. “Për arsye se që kur ka ardhur, e deri në ditët e sotme kjo familje përbën shqetësim për banorët e pallatit, për arsye se Lefter Zhidru është i dhunshëm me familjarët e tij dhe fqinjët. Disa herë ai ka kërcënuar me mjete të forta e të ftohta ndaj banorëve të pallatit.
Nuk është i aftë për jetën në komunitetin tonë. Fëmijët ndihen të stresuar kur ngjiten për në shtëpitë e tyre, dhe nuk kemi mundësi tjetër veç t’ju lajmërojmë për të marrë shpejt masa, para se të ndodhë një debat i madh”, shkruajnë në një letër drejtuar Bashkisë së Elbasanit, banorët e pallatit ku jetonte 71-vjeçari. Më tej ata shtojnë se bashkëshortja e Zhidrut ka qëndruar indiferente ndaj kësaj situate e për këtë kanë kërkuar që familja të largohet nga ambientet ku jeton me qira, për shqetësimet që i ka shkaktuar komunitetit të pallatit. Madje, ata thonë se sherri është bërë dhe në sy të grupit të gatshëm. “Janë kërcënim i rrezikshëm për banorët. Çifti ka krijuar shumë probleme e konflikte me banorët e pallatit, me fyerje dhe ofendime, edhe në prezencë të grupit të gatshëm disa herë. Janë trembur fëmijët, të moshuarit, të rriturit, nga presioni që personat në fjalë ushtrojnë prej shumë vitesh. Që kur familja erdhi në këtë apartament, pallati nuk ka më qetësi. Kërkojmë zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, sepse është problem shumë madhor për të gjithë komunitetin”, thuhet më tej në letër.
Detaje rreth ngjarjes së rëndë
-Përplasja mes të moshuarit dhe policisë nisi rreth orës 13:20 të së enjtes;
-Nga të shtënat u plagosën dy kalimtarë të rastit;
-Të gjitha lëvizjet i moshuari i ka kryer kur komunikonte me negociatorin;
-Në momentin kur RENEA hyri në banesë, Zhidru hapi zjarr;
-8 plumba kapën mburojën metalike kolektive;
– Lefter Zhidru u ekzekutua me një plumb në kokë;
-Arma snaiper gjerman tip “Sako”|
-Pranë trupit të viktimës u gjet një armë zjarri AK47;
-Një pistoletë;
-Një sasi e konsiderueshme municioni luftarak;
-Disa kallëpe me lëndë plasëse, TNT, të montuara gati për shpërthim;
-Fitil i hollë zjarrpërcjellës;
-Viktima ishte specialist armësh, kishte punuar në uzinën e demontimit të armëve, në Mjekës.
1-Lefter Zhidru, 71 vjeç
2-Konfliktohet me bashkëshorten
3-Qëllon me armë dhe plagos dy të rinj
4-Sulmon me armë policinë
5-Pesë orë negociata për dorëzim
6-Ekzekutohet pasi zbulohet eksplozivi
SKICA
1-ora 13:20 hap zjarr ndaj banorëve
2- në vend ngjarje shkon policia
3- mbërrin RENEA, nisin negociatat
4-Përgatit bombat
5- RENEA hyn në banesë, shkëmbim zjarri me të moshuarin
6 Neutralizohet me 1 plumb në ballë /Ra.My.Fjala.al/