Në mesin e viteve ‘50 Brigitte Bardot u ngjit në majat e suksesit. Ajo ishte krahas Marilyn Monroe-së një seks-simbol i kinemasë
Për një kohë të gjatë ajo ishte krahas Marilyn Monroe-së një seks-simbol i kinemasë. Në mesin e viteve 50-të me filmin “…përgjithmonë të josh femra.” Brigitte Bardot u ngjit në majat e suksesit. Regjisor atëherë ishte ish-bashkëshorti i saj, Roger Vadim. Ky film përcaktoi edhe imazhin e saj si aktore. Bardot u bë ikona e sensualitetit dhe tabuthyesja e kinemasë botërore.
Brigitte Bardot ka lindur më 28 shtator, 1934, në Paris, Francë. Babai i saj kishte një diplomë inxhinieri, por ka punuar me babain e tij në biznesin e familjes. Nëna e saj ishte 14 vjet më e re se babai i Brigitte-s. Ata u martuan në vitin 1933 dhe vetëm një vit më pas lindi Brigitte. Nëna e Brigitte-s e inkurajoi vajzën e saj për t’u marrë me muzikë dhe valle, ku Brigitte ishte shumë e aftë.
Në moshën 15-vjeçare Bardot u bë top-modele, shumë shpejt ajo u bë një nga më të kërkuarat e Francës. Parizienia e lindur vinte nga një familje katolike konservatore. Pikërisht për këtë arsye përpjekjet e saj për të ekspozuar trupin mund të shihen si një provokim personal. Jo të gjithë e vlerësuan për këtë hap.
Me aferat e saj, martesat dhe lidhjet jashtëmartesore, Brigitte Bardot tërhoqi vëmendjen gati po aq sa edhe me filmat që luante. Në vitin 1958 ajo u shfaq papritur me të dashurin e ri, këngëtarin Sascha Diestel, në një kohë që sapo ishte divorcuar nga bashkëshorti i parë. Tri martesa ka shkurorëzuar Bardot, që ishte në fokusin e mediave bulevardeske, duke u bërë gruaja më e fotografuar në botë.
Brigitte Bardot ka luajtur në 40 filma. Magjia e saj u jepte profilin e duhur filmave, megjithatë shumica e tyre janë harruar. Nga pikëpamja e vlerave aktoreske, shumë pak filma kanë mbetur në mendje. P.sh., bashkëpunimi me Jean-Luc Godards në filmin “Përçmimi”, një prodhim i vitit 1963, me Jack Palance-in.
Krahas Godard, ishte Louis Malle, një regjisor tjetër me shumë rëndësi për karrierën e Bardot-së. Me të ajo bëri tre filma. Në vitin 1965 luajti në filmin-komedi “Viva Maria”. Jeanne Moreau ishte aktorja tjetër po aq sensuale. Të dyja divat i entuziazmuan spektatorët në komedinë plot aludime “Viva Maria”.
Por pas fasadës së ndritshme, në jetën private të Brigitte Bardot-së luheshin drama të rënda. Tentativa për vetëvrasje dhe neuroza psikike, aborte dhe sëmundje – të gjitha këto e kanë shoqëruar Bardot-në në karrierën e saj. Lindja e djalit në vitin 1960 ishte një lumturi që zgjati shumë pak, më pas ajo e la të atin e fëmijës, aktorin Jacques Charrier, dhe filloi një lidhje tjetër me kolegun e tij, Sami Frey.
Shumë spektakolare për opinionin publik ishte lidhja e saj me trashëgimtarin e një familjeje industrialiste gjermane, Gunter Sachs. Të dy u njohën në vitin 1966, në verë Sachs hodhi qindra trëndafila nga një helikopter mbi vilën e aktores në St. Tropez. Pak më vonë ata u martuan. Edhe kjo martësë nuk zgjati shumë – divorci erdhi në vitin 1969, por marrëdhënia kishte përfunduar që më parë.
Brigitte Bardot nuk mrekullonte vetëm publikun e kinemasë. Edhe intelektualët filluan të merreshin me fenoneminn Bardot në vitet ‘50. Simone de Beauvoir, filozofja e famshme në vitin 1959 shkruan në esenë e saj të famshme “Brigitte Bardot dhe sindromi i Lolitës”: Ajo ha kur është e uritur, dhe bën dashuri me të njëjtën thjeshtësi joceremoniale.”
Edhe pse Bardot-ja mbeti një yll, ajo nuk luajti më filma që mbeten në kujtesë nga viti 1967. Në kinema nuk po krijoheshin më radhë të gjata për aktoren. Edhe një përpjekje në vitin 1971, në një film me Claudia Cardinale-n mbeti një produkt i kohës; aktore të njohura, të shtrenjta dhe nga ana artistike pak të motivuara. Pas kësaj e famshmja “BB” bëri vetëm dy filma.
Pa mbushur 40 vjeç, aktorja u tërhoq nga bota e filmit. Në vilën “La Madrague”, asokohe fshati francez St. Tropez në Côte d’Azur, Brigitte Bardot iu kushtua pasionit të saj; angazhimit për kafshët e kërcënuara dhe të lënduara. Ajo u bë një nga mbrojtëset më të njohura në botë për kafshët, dashurinë për to ajo e kishte zbuluar që në vitet e rinisë.
Sa e suksesshme ishte në vitet e karrierës BB, po aq larg i mbajti kamerat pas përfundimit të saj. Bardot-ja u tërhoq në jetën private, angazhohej për kafshët dhe ekstremistët e djathtë në Francë. Që nga vitet ‘90, BB mbante lidhje me Front National, ka folur hapur kundër homoseksualëve, dhe paralajmëronte për shtimin e numrit të të huajve në Francë.
Sot Brigitte Bardot është një personalitet mjaft i kontestuar. Dhjetë vite rresht ajo ishte një nga aktoret më të njohura dhe të suksesshme të kinemasë botërore. Jeta e saj private sundonte titujt kryesorë. Artistë si Andy Warhol e pikturuan aktoren. Dashuria e saj për kafshët ka merituar respekt. Por angazhimi i saj për ekstremistët e djathtë ka shkaktuar debate të mëdha në Francë.
Por me gjithë kritikat për qëndrimet e saj politike – Brigitte Bardot është një ikonë kulturore e shekullit të 20-të. Shumë pak aktorë si ajo mishëruan një epokë të kinemasë. Jo thjesht qenia e saj kotradiktore e bën Bardot-në aq të mrekullueshme – figura e saj mes kultit të seksit dhe pavarësisë femërore, vulosi imazhin e ri të femrës për disa dhjetëvjeçarë./Bl.Ba/Fjala.al