Nga Aleksandër Cangonja
Gazeta prestigjioze Italiane “La Stampa” si sot para 106 vitesh do bënte një shkrim special për një informacion të ardhur nga Durrësi. Bëhet fjalë për periudhën e mbas largimit të princ Vidit nga Shqiperia si dhe futjen në kaos të vendit tonë, ndërkohë që në Durrës ishte ngritur një senat pleqësi apo qeveri e cila administronte një pjesë të vogël të Shqipërisë, si Durrësin, Tiranën Elbasanin etj. Një pjesë të këtij senati arriti në konkluzion që kurorën e princit të Shqipërisë tja jepnin të birit të sulltanit të shfronësuar Abdyl Hamitit princ Mehmed Burhaneddinit, por kjo gjë edhe pse në perfundim të kësaj cështje vetë princi nuk pranoi ofertën për të marrë kurorën pati kundërshtime nga vetë aktorët politikë të kohës. Nga një anë myftiu i Tiranes Musa Qazimi dhe një hoxhë nga Elbasani i quajtur Haxhi Aliu ishin idhtarët e kësaj ideje nga krahu tjeter Esat Pashe Toptani i cili tashmë kishte arritur në Diber dhe u prit nga përkrahësit e tij të shumtë u mbështet nga shumica e krerëve të zonave të Dibrës dhe Matit, ai paralajmëroi senatin e Durrësit për mos ta bërë një gjë të tillë duke i kërcënuar ata se do marshonte drejt Durrësit me 12 000 burra ku në krye të tyre ishte ai vetë. Por jo i gjithë senati ishte dakort për vendimin që kurores e Shqiperisë ti kalonte Mehmed Burhaneddinit, këtë gjë e vërtetojmë nga arkivi i ministrisë së jashtme Italiane ku në një telegram të dërguar nga i deleguari për komisionin e kontrollit në Shqipëri Galli ministrit të jashtëm të Italisë markezit San Giuliano me datë 26 shtator 1914, ku e paralajmeron se një pjesë e senatit ka vendosur për dërguar një delegacion me përfaqësuesë në Stamboll për ti ofruar kurorën e Shqiperise princ Burhameddinit, por ai i shkruan gjithashtu që Mustafa Beu(Ndroqi) i cili mbante postin e kryetarit të senantit i lutet këtij të fundit (Gallit) që ti pengojë ata të dy me të gjitha mënyrat për ti mos lejuar që të shkojnë në Stamboll ose në rastin tjeter mos ti lejonte të ktheheshin në Shqipëri, të pakten deri në momentin kur Esad Pasha nuk kishte ardhur akoma në Durrës për të rivendosur autoritetin e tij.
Senati i Shqipërisë proklamon si Princ të birin e Abdul Hamidit
Kërcënon i Esad Pasha.
Shkrim special I “Stampës”
Bari, datë 27 në darkë.
“Korrieri nga Pulja mer lajmin nga Durrësi:
Senati Shqiptar në mbledhjen e mbajtur dje dhe sot, ku shumica e madhe e saj proklamoi princin e ri të Shqipërisë Buran Eddin (Mehmed Burhaneddinit), të birin e ish sulltan Abdul Hamidit. Për këtë qëllim kanë ngritur një komision me në krye Haxhi Aliun nga Elbasani dhe Musa Efendiu, myfti të Tiranës, i cili do të shkojnë për disa ditë në Stamboll për ti bërë ofertë kurorën e Shqipërisë princit dhe për të hyrë në negociata me qeverinë Turke e cila, sic kuptojmë nuk ka ndenjur pasive në levizjen kryengritëse.
Ndërkohë jepet lajmi se Esad Pasha ka arritur në Dibër ku shumë trupa që i kanë qëndruar besnik janë duke e pritur. U zhvillua një takim midis përfaqësuesve të të gjithë fshatrave të rajonit të Dibrës dhe Matit, në të cilin u vendos që të mbështesë kandidaturën e Esad Pashes dhe meqenëse shumë vende të tilla si Elbasani dhe Tirana, me nxitjen e udhëheqësve të tyre midis të cilëve gjithashtu klerike myslimanë dhe agjentët Austriakë kishin vendosur të kundërshtojnë me forcë kthimin e Esadit në shqipëri, kështu që të gjithë qytetarët e rretheve të Matit dhe të Dribrës u ofruan të shoqërojnë Esad pashanë në Durrës, duke qenë pjesë e marshimit. Pas këtij manifestimi spontan dhe të madh, Esad Pasha dërgoi në Durrës emisarin e tij për të paralajmëruar se ai pret nga Dibra thirrjen nga ky senat(qeveri) dhe nëse kjo qeveri nuk ka ndërmend të bëjë detyrën e saj, ai është i gatshëm të marshojë për në Durrës në krye të 12000 burrave.”
Reference:
Arkivi i gazetes “La Stampa”.
Arkivi i ministrise së punëve të jashtme të Italisë, “I documenti diplomatici Italiani” seria e peste : 1914-1918, vol i pare (1 gusht – 16 tetor 1914).