Nga Ina Allkanjari
Ndërsa data 30 shtator pritet të jetë afati i fundit i pagesës së tarifës së studimeve për studentët e ciklit master të vitit akademik 2019-2020, studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës kanë firmosur një peticion për përgjysmimin e tarifave. 123 studentë të cilët nënshkruan peticionin, i dërguan kërkesë Ministrisë së Arsimit për ulje të pagesës së masterit, për shkak të situatës së krijuar në vend prej pandemisë. Studentja Esmeralda Dida: Studentët e ciklit “master” e kanë frekuentuar fakultetin vetëm dy muaj gjatë vitit akademik 2019-2020.
123 studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës kanë iniciuar një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit, nëpërmjet të cilit kërkojnë përgjysmimin e tarifave të studimeve të ciklit të dytë “master” për vitin akademik 2019-2020. Studentët shprehen se tërmeti i vitit të kaluar dhe situata e krijuar nga pandemia u bë shkak për ndërprerjen e procesit mësimor për një periudhë disamujore. Ata theksojnë se gjatë këtyre muajve kanë marrë një minimum shërbimesh nga universiteti, për shkak të zhvillimit të mësimit kryesisht on line.
Në kërkesën drejtuar ministres së Arsimit, Evis Kushi, dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, studentët shprehen se kriza ekonomike që ka shkaktuar gjendja e pandemisë COVID-19 ka prekur drejtpërdrejtë familjet e studentëve, ndaj kërkojnë përgjysmimin e tarifave të studimit. “Këshilli i Ministrave ka miratuar kufirin maksimal të tarifave vjetore të shkollimit për programet e studimit të ciklit të parë në universitetet publike, të cilat variojnë nga 20000 deri 45000 lekë.
Ndërsa, për tarifat e studimit të ciklit të dytë, ligji nuk parashikon asnjë kufi. Sipas një studimi të kryer nga Qëndresa Qytetare, tarifat e studimit të ciklit të dytë variojnë nga 60000 – 233000 lekë”, thuhet në kërkesë, teksa theksohet se shuma të tilla, të konsiderueshme, i vendosin studentët dhe familjet e tyre në vështirësi të mëdha ekonomike për përballimin e tyre.
Më tej studentët parashtrojnë se në auditimin e kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në datën 20.12.2018 mbi “Cilësinë dhe tarifimin e shërbimeve studentore pranë IAL-ve publike” konstatohej se tarifat e shkollimit janë të vendosura jo mbi bazën e analizës së kostove dhe kushteve social-ekonomike të vendit. Për këtë arsye, KLSH-ja rekomandonte që tarifat të jenë një reflektim i kostove, por edhe i kushteve social-ekonomike të Shqipërisë. “Në rastin konkret, tarifat e studimit duhet të jenë reflektim i faktit se gjatë këtyre muajve, studentët, veçanërisht studentët e ciklit të dytë, kanë marrë një nivel minimal shërbimesh.
Nga ana tjetër, tarifat duhet të marrin në konsideratë edhe faktin se prej disa muajsh, familjet shqiptare po përballen me një krizë të shumanshme”, thuhet në kërkesën e studentëve drejtuar Ministrisë së Arsimit. Studentët janë në pritje të një përgjigjeje nga institucionet përkatëse, për t’iu mundësuar një zgjidhje brenda datës 30 shtator, e cila është afati i fundit për kryrjen e pagesës për këtë vit akademik. Kujtojmë se pak ditë më parë studentët e Fakultetit Ekonomik në Tiranë protestuan për të njëjtën çështje, duke kërkuar përgjysmim të tarifave të studimit.
Studentët
Esmeralda Dida, studente e ciklit “master” në Fakultetin e Drejtësisë në UT, në një prononcim për gazetën “Fjala”, shprehet se pandemia ka pasur një impakt jo vetëm shëndetësor, por edhe financiar për të gjithë shoqërinë shqiptare, duke prekur edhe të ardhurat e familjeve të studentëve.
Ndaj, sipas studentes, duhet të kthehet vëmendja nga arsimi dhe të përgjysmohen tarifat e studimit. “Shkurtimi i vendeve të punës pa diskutim që ka prekur të ardhurat e familjeve tona, për pasojë, edhe mbulimi i shpenzimeve të tilla, si tarifat e studimit janë një barrë e papërballueshme, prandaj edhe e konsideroj të domodsoshëm përgjysmimin e tarifës së studimit për vitin akademik 2019-2020”, tha studentja e masterit.
Më tej Dida ngre shqetësimin se krahas krizës ekonomike, të shkaktuar nga COVID-19, viti akademik për studentët e masterit filloi në gjysmën e nëntorit dhe vetëm pak ditë më pas, për shkak të tërmetit, mësimi u ndërpre për dy javë. Sipas studentes, pas kësaj ndërprerjeje filluan pushimet e fundvitit, dhe studentët u kthyen në auditorë në javën e dytë të janarit. “Pas mungesës së gjatë në auditorë, në mars, filloi gjendja e pandemisë dhe në kuadër të masave parandaluese mësimi u ndërpre sërish.
Pra, praktikisht, studentët e masterit kanë bërë vetëm dy muaj mësim janar-shkurt, dhe nuk mund të paguajnë të njëjtën tarifë sikurse kanë bërë rregullisht. Për studentët e vitit të parë master mësimi u zhvillua on line, por shërbimet e marra nga studentët gjatë kësaj kohe kanë qenë fare minimale. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për studentët e ciklit të parë. Për më tëpër që kostot e zhvillimit të mësimit on line nuk mendoj të jenë më të larta krahasuar me kostot e mësimdhënies në auditorë, kështu që është joproporcionale dhe e padrejtë për ne studentët të paguajmë tarifën e plotë për këtë vit akademik”, u shpreh Esmeralda Dida, studente e ciklit “master” në Fakultetin e Drejtësisë.
Një tjetër student i ciklit “master” në Fakultetin e Drejtësisë, Elvis Gjini, shprehet se shumë prej familjeve shqiptare e kanë të vështirë t’i përballojnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre në kushte normale, ndaj, sipas tij, situata e krijuar në vend prej pandmisë dhe shifrat e rritura të papunësisë, e kanë bërë të pamundur përballimin e shkollimit të fëmijëve në këtë periudhë për shumë familje. “Shumica e studentëve dhe familjet e tyre mezi ia dalin të përballojnë kostot e studimeve të fëmijëve në kohë normale, aq më tepër në kohën e pandemisë, kur vendet e punës u mbyllën apo u reduktuan në masë, çka solli papunësi te prindërit apo edhe të vetë studentët e punësuar.
Vështirësitë dhe pamundësia ekonomike duhet të ishin marrë parasysh nga Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Tiranës. Prandaj, ne sot kemi kërkuar qoftë nga Ministria, Universiteti dhe Fakulteti që të marrin masat e nevojshme për të realizuar këtë kërkesë të drejtë të studentëve”, shprehet Elvis Gjini, student i ciklit “master” në Fakultetin e Drejtësisë.
Përfaqësuesi i studentëve në këtë kauzë, juristi Marash Logu, shprehet për gazetën “Fjala” se studentët e Fakultetit të Drejtësisë kanë iniciuar këtë peticion për përgjysmimin e tarifave dhe, sipas tij, kjo kërkesë do të shoqërohet me protesta, nëse nuk jepet një zgjidhje. Në Fakultetin e Drejtësisë studentët paguajnë një tarifë prej 75000 mijë lekësh për master-in shkencor dhe 60000 mijë lekë për master-in profesional, ndërkohë studentët e bachelor-it kanë pasur reduktim të pagesës.
Për sa u përket studentëve të masterit, Logu shprehet se nuk është bërë asnjë reduktim, ndaj paraqitën një kërkesë për përgjysmim të tarifave. “Në vitin 2019, Universiteti i Tiranës shpenzoi 660 mijë euro për roja private, karburant, dieta, udhëtime, telefon, orendi zyre. Nga kjo shumë 471 mijë euro janë shpenzuar për siguri, çka do të thotë se 7 godina të universitetit që ruhen me nga një roje private me pagë 250 mijë lekë të vjetër në muaj kanë një kosto shumë të lartë.
Sikur këto shpenzime absurde dhe të paarsyeshme të reduktoheshin, kërkesa e drejtë e studentëve do të mund të realizohej”, shprehet përfaqësuesi i studentëve Marash Logu. Më tej ai shprehet se pas dërgimit të kërkesës do të jenë në pritje të një përgjgjeje, pasi ky vendim do të jetë i vlefshëm edhe për vitin tjetër akademik ngaqë, sipas tij, situata rrezikon të përsëritet./Jo.Be/Fjala.al