Raporti i FMN-së: Ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një deklaratë përmbyllëse të ekipit të Misionit të Monitorimit pas programit për shpërndarje të menjëhershme.

Sipas raportit të FMN-së, parashikohet që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit të banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit. Më tej ekspertët e FMN-së shtojnë se inflacioni parashikohet të vijojë të jetë i ulët.

Gjithashtu FMN-ja ka bërë të ditur se ekonomia pritet të tkurret me 7,5% ketë vit, nga -5% që ishte pritshmëria në prill. Fondi ka bërë thirrje për rritjen e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal, si dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi pritet rritje e kredive me probleme.

Pikat kryesore

Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë. Falë menaxhimit të përshtatshëm të politikave dhe kushteve financiare lehtësuese në botë, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i Shqipërisë është ruajtur. Kapaciteti i Shqipërisë për t’i kthyer huanë Fondit është gjerësisht i përshtatshëm, por risqet janë rritur, për shkak të krizave.

Krahas një pandemie botërore më të rëndë, risqet kryesore vijnë nga deficitet dhe borxhi i rritur publik, dobësitë në financat publike dhe nga një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme. Menaxhimi i këtyre risqeve mes pasigurive të mëdha do të kërkojë mbështetjen e vazhdueshme për ekonominë, duke rikrijuar gradualisht hapësirën për manovrim të politikave, ndërkohë që rimëkëmbja të hedhë rrënjë, si edhe mbikëqyrje më të afërt të sektorit financiar.

  • Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga këto kriza është e përligjur, por duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, si dhe të jetë objekt i transparencës dhe i llogaridhënies. Duhen krijuar hapësira për të mbështetur aktivitetet thelbësore dhe për të mbrojtur grupet më të cenuara, duke përfshirë edhe kufizimin e shpenzimeve joprioritare dhe përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve.
  • Kur pasojat e krizave të zbuten, që të rikrijohen hapësira manovrimi për politikën buxhetore, do të ketë rëndësi kritike rifillimi i një konsolidimi modest fiskal, duke filluar nga viti 2021, që duhet të forcohet më tej, mbështetur në një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat.
  • Autoritetet duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat tatimore nëpërmjet ngritjes së një sistemi më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent tatimor, i cili nxit rritjen ekonomike. Rritja e të ardhurave fiskale ka rëndësi kritike për të mbështetur nevojat më të larta për shpenzime të njerëzve dhe të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të kufizohen dhe menaxhohen risqet e rritura fiskale dhe të fuqizohet menaxhimi i burimeve publike, sidomos i investimeve publike, në mënyrë që të përftohet më shumë vlerë prej parave të shpenzuara.
  • Kërkohet punë shumë e madhe për të ruajtur stabilitetin financiar, duke mbështetur ndërkohë huamarrësit e goditur nga krizat.
  • Ka nevojë për të përgatitur masa rezervë, në rast të një pandemie më të rëndë.

Financat publike – baraspeshim mes mbështetjes për ekonominë dhe adresimit të hendeqeve në zhvillim, me nevojën për të rikrijuar hapësirë për manovrim me politika buxhetore dhe për të ulur borxhin. Rritja e konsiderueshme e deficitit fiskal në vitin 2020, për të zbutur ndikimin e krizave, është e përligjur.

Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Deficiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 për qind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 për qind të PBB-së, deri në fund të vitit 2020. Mbështetja financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FMN-së, si dhe emetimi i eurobondit në qershor, do të ndihmojë në mbulimin e nevojave për financim.

Parashikojmë që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit pas tërmetit. Inflacioni parashikohet të vijojë të jetë i ulët dhe ne e përkrahim qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur një politikë lehtësuese monetare dhe regjim të lirë të kursit të këmbimit. Mbështetja për ekonominë duhet të vijojë në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit.

Progres i mëtejshëm në fushën e rikrijimit të hapësirës për manovrim me politikën buxhetore nëpërmjet uljes së deficitit fiskal duhet të trupëzohet në një program buxhetor afatmesëm të besueshëm. Gjatë vitit 2021, autoritetet duhet të kufizojnë shpenzimet joprioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cenuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si rezervë, pasi risqet ndaj aktivitetit anojnë kryesisht nga ana rënëse.

Vijimi i rindërtimit pas tërmetit duhet të bazohet në një kuadër solid institucional me transparencë dhe llogaridhënie. E mirëpresim ndryshimin e bërë kohët e fundit në rregullin fiskal për të pasur një bilanc primar të paktën zero, duke filluar nga viti 2023 dhe vërejmë se ky kusht duhet parë si dysheme dhe jo si objektiv.

Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, dhe subjekt i transparencës dhe llogaridhënies, me masa adekuate kontrolli të menaxhimit të financave publike (MFP). Anashkalimi i nevojshëm i procedurave të MFP-së gjatë situatës së jashtëzakonshme, duhet vënë sa më shpejt brenda rregullave dhe fondet e rindërtimit të tërmetit duhet t’u nënshtrohen masave adekuate kontrolluese të MFP-së, përfshirë planifikimin nëpërmjet procesit buxhetor.

Është e rëndësishme të sigurohen procedurat e duhura të prokurimit, monitorim adekuat dhe raportim në kohën e duhur, mbikëqyrje adekuate dhe auditime të pavarura të mëpasshme. Përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e kuadrit ligjor të parandalimit të pastrimit të parave dhe lufta kundër financimit të terrorizmit duhet të vijojnë. Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore, si edhe me risqet e lidhura me pastrimin e parave dhe me qeverisjen.

Theksojmë rëndësinë e përfundimit, miratimit dhe fillimit të zbatimit të një strategjie solide afatmesme për të ardhurat në vitin 2021, pas konsultimeve të nevojshme publike. Një nivel i lartë të ardhurash tatimore është thelbësor për mbështetjen e investimeve shumë të nevojshme në kapitalin fizik dhe atë njerëzor, duke ulur ndërkohë deficitet fiskale dhe raportin e lartë të borxhit publik.

Lexo edhe :  Blerina Gjylameti humbi për 100 vota: "Dua pamjet filmike nga KQZ"

Sistemi tatimor i Shqipërisë është kompleks dhe i fragmentuar dhe ndryshimet e shpeshta ad hoc e kanë cenuar stabilitetin dhe transparencën. Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin. Përgatitja në proces e një strategjie afatmesme për të ardhurat, ofron një mundësi të mirëpritur për të shqyrtuar dhe riprojektuar në mënyrë të gjithanshme sistemin tatimor dhe duhet të vijojë pa vonesa të mëtejshme.

Ka një nevojë urgjente për të fuqizuar menaxhimin e investimeve publike dhe cilësinë e shpenzimeve. Projektet duhen përzgjedhur nga një listë projektesh të gatshme, e cila ka kaluar nëpër një proces rigoroz përgatitjeje, vlerësimi dhe prioritizimi, që duhet të kontribuojnë mjaftueshëm në një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse.

Ritheksojmë thirrjen që kemi bërë për një proces të unifikuar për përgatitjen, prioritizimin dhe vlerësimin e të gjitha projekteve të investimeve publike, përfshirë edhe partneritetet publike-private (PPP). Përdorimi i PPP-ve me propozim të pakërkuar duhet të vazhdojë të parandalohet. Risqet fiskale po rriten dhe duhen monitoruar e menaxhuar me kujdes.

Nevojiten përpjekje të forta për të vlerësuar dhe menaxhuar me rigorozitet jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë në buxhet, por edhe detyrimet e kushtëzuara që lindin nga PPP-të. Ligji për PPP-të me të drejtë ka fuqizuar rolin e filtrit që luan Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), e cila duhet t’i rrisë kapacitetet për ta përmbushur këtë detyrë të rëndësishme. MFE-ja duhet të monitorojë nga afër, të raportojë dhe buxhetojë në mënyrë transparente për dy skemat e fundit të dorëzanisë shtetërore.

Duhet të vijojë puna për përmirësimin e ecurisë së sektorit shtetëror të energjisë elektrike dhe të ndërmarrjeve të tjera shtetërore (NSH-ve). Mbetemi të shqetësuar që Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) do të sjellë risqe të reja fiskale, kur të fillojë nga puna.

Autoritetet duhet të shmangin krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura të shpenzimeve buxhetore dhe në rimbursimin e TVSH-së dhe t’i qëndrojë planit për shlyerjen e stokut ekzistues. Këto detyrime të prapambetura, jo vetëm që cenojnë klimën e biznesit dhe besimin te qeveria, por dëmtojnë edhe flukset monetare të bizneseve, në një kohë kur tashmë janë nën trysni për shkak të krizave.

Ne e mirëpresim progresin e bërë deri tani për shlyerjen e stokut të detyrimeve të prapambetura të TVSH-së. Një zgjidhje përfundimtare e detyrimeve të prapambetura të TVSH-së kërkon parashikime realiste të të ardhurave, shkëputjen e rimbursimit të TVSH-së nga arkëtimi dhe fuqizimin e masave kontrolluese buxhetore. Po të kemi parasysh nivelin e rritur të borxhit dhe nevojat e larta bruto për financim, duhen rritur përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin e likuiditetit dhe të borxhit.

Duhet të ruhet stabiliteti financiar, duke mbështetur ndërkohë huamarrësit e goditur nga krizat. Sistemi bankar ka vijuar të jetë deri tani i qëndrueshëm dhe likuid, por ka xhepa cenueshmërie dhe aftësia e tij rezistuese do të vihet në provë nga krizat. Në veçanti, niveli relativisht i lartë i kredive me probleme ka mundësi të rritet, për shkak të ndikimit që ka pandemia te huamarrësit.

Po të kemi parasysh se goditjet janë veçanërisht të forta dhe ndikimi i tyre i plotë mund të duket në bilancet e bankave vetëm pas disa kohësh, rritja e pikave të cenueshme në banka mund të mos diktohet në kohën e duhur, nëse nuk mbahen nën monitorim dhe menaxhohen me kujdes nga Banka e Shqipërisë.

Një prioritet afatshkurtër për Bankën e Shqipërisë është monitorimi nga afër dhe orientimi i ristrukturimit të portofoleve të kredive të bankave. Mbështetim ristrukturimin e kujdesshëm të kredive nga bankat, aty ku është i nevojshëm, për të mbështetur huamarrësit që kanë marrë goditje.

Është e nevojshme të sigurohet kujdesi dhe njëtrajtshmëria e praktikave të ristrukturimit që ndjekin bankat. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për t’i lehtësuar përkohësisht rregullat për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive, mund të vonojë kohën kur ndikimi i goditjeve në cilësinë e aktiveve dhe pozicionin e kapitalit mund të vlerësohet me saktësi. Ne theksojmë rëndësinë e ruajtjes së rregullave për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive, në mënyrë që humbjet e mundshme të bankave të vlerësohen sa më saktë që është e mundur.

Mbështesim vendimin për të pezulluar shpërndarjen e dividendëve deri në fund të vitit 2020 dhe rekomandojmë të mbahet në zbatim deri sa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë dhe të vlerësohet pozicioni i kapitalit të bankave, në bazë të rregulloreve vendase, por edhe në bazë të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF-9), për të mundësuar kështu amortizimin e humbjeve të ardhura nga krizat.

Bazuar në mbikëqyrjen sipas riskut, Banka e Shqipërisë duhet të monitorojë nga afër pozicionin e kapitalit të bankave të cenueshme. Aty ku ka mungesa, një plan i besueshëm për rimëkëmbjen e kapitalit duhet të miratohet, ndërsa përkohësisht kapitali mund të lejohet të bjerë nën kufijtë rregullatorë.

Autoritetet duhet të përgatiten për një rritje të mundshme të kredive me probleme dhe të vijojnë të përmirësojnë kuadrin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Duhen rritur përpjekjet: i) për të vënë në funksionim dhe zbatuar me shpejtësi dhe besueshmëri kuadrin e paaftësisë paguese dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme; ii) për të zbatuar kuadrin rregullator për ristrukturimin jashtëgjyqësor të kredive; dhe iii) për të pasur progres në reformën e përmbarimit.

Me rëndësi do të ishin edhe përmirësimet e procesit gjyqësor. Nevojitet vijimi i punës për të harmonizuar kuadrin rregullator të Shqipërisë me standardet ndërkombëtare. Procesi i zbatimit duhet të vijojë, pavarësisht se bankave mund t’i jepet një periudhë mjaftueshëm e gjatë e zbatimit me faza, për të shmangur prociklizimin dhe pengesat e punës gjatë pandemisë. Rekomandojmë ndjekjen nga afër të risqeve që vijnë nga huadhënia mes palëve të lidhura, huadhënia ndërkufitare dhe ekspozimet e mëdha.

Risku i një pandemie më të rëndë – gatishmëri për t’u përshtatur dhe për të ruajtur stabilitetin

Kjo pasiguri e paprecedentë e pandemisë nënvizon rëndësinë që ka planifikimi i rezervave. Në rastin e një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të marrin masa të reja për të siguruar ofrimin adekuat të kujdesit shëndetësor dhe për të mbrojtur grupet më në nevojë, duke identifikuar mundësitë për rishpërndarje të buxhetit dhe financime shtesë, si dhe për të mbajtur likuid tregun e brendshëm financiar. Autoritetet duhet të qëndrojnë në gatishmëri për të marrë këto masa, si edhe masa të tjera që mund të jenë të nevojshme, duke ruajtur ndërkohë stabilitetin makroekonomik dhe financiar./Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Titulli kampion i takon Napolit të Contes, Inter bën detyrën ndaj Comos

Napoli fiton zyrtarisht titullin në Serie A. Napoletanët “kurorëzohen” si kampion në Itali, pas triumfit 2-0 ndaj Cagliarit, në...

Gjykata rrëzon Trump për çështjen e Universitetit të Harvardit

Një gjykatë federale në SHBA ka pezulluar përkohësisht vendimin e administratës Trump për t’i ndaluar Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë. Vendimi erdhi disa...

“E pabesueshme!” Një anije mallrash përfundon në kopshtin e një burri norvegjez

Një burrë norvegjez ka folur për momentin “e pabesueshë,” kur u zgjua për të zbuluar se një anije kontejnerësh 135 metra e gjatë ishte...

Një grua sulmoi me thikë 12 persona, gjermanët shohin tmerr me sy

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Gjermani. Sipas mediave të huaja, mësohet se në stacionin e trenit në Hamburg një grua...

Ancelotti prek në zemër tifozët madrilenë: Pas Realit, nuk kam më…

Kundër Real Sociedad në “Bernabeu”, Carlo Ancelotti do drejtojë të shtunën për herë të fundit nga stoli Real Madridin. Trajneri 65-vjeçar doli para mediave...

Lajme të tjera

Web TV