Flet Bardhyl Demiraj, djali i akademikut /Shaban Demiraj, pedagogu “i rreptë” me studentët, por jo i padrejtë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Akademia e Shkencave në një konferencë shkencore “in honorem”. Vepra e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve

Nga Leonard Veizi

Në yllësinë e gjuhëtarëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar akademik Shaban Demiraj ka një pozicion kyç e të pazëvendësueshëm. Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe mendimi i kryetarit aktual të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit, me të cilin ai vlerësoi homologun e tij të dikurshëm, me mandat të përfunduar 23 vite më parë…

…Akademia e Shkencave zhvilloi një konferencë shkencore kushtuar veprës së Shaban Demirajt. Kjo përkonte dhe me vitin e 100-të të lindjes së akademikut. Konferenca u zhvillua në mjediset e jashtme të Akademisë së Shkencave, në gjelbërim e ajër të pastër, duke ruajtur atë që në terminologjinë e sotme covid-iane cilësohet si “distancim social”. Punimet u mbështetën nën okelion: “Konferencë shkencore in honorem. Vepra e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve”. Të pranishëm në këtë konferencë ishin studiues nga fusha e gjuhësisë, por dhe më gjerë, si dhe familiarët e profesor Demirajt. Punimet e Konferencës i drejtoi akademik Vasil Tole, ndërsa i pari që mori fjalën ishte kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

Gramatika historike

Natyrisht, Shaban Demiraj është i pari gjuhëtar shqiptar që hartoi një gramatikë historike të gjuhës shqipe, universitare dhe akademike. Ky ishte një nga elementet që u cek më së shumti gjatë kësaj konference. “Gramatika historike e gjuhës shqipe” sipas referuesve, përbën pa dyshim një kryevepër të autorit e të gjuhësisë shqiptare, si dhe një nga trashëgimitë më të rëndësishme të albanologjisë sonë.

Opusi i gjerë enciklopedik shkencor i Shaban Demirajt vuri themelet e forta në shkencën albanologjike, duke lënë pas vete dhjetëra tituj e qindra artikuj nga fusha e gjuhësisë, të cilët nga studiuesit e kësaj fushe janë cilësuar si të paarritshme deri më sot. “Përgjatë një shekulli e më shumë ishin albanologët e huaj që formonin dijetarë shqiptarë në gjuhësi, që nga Mirash Ivanaj deri tek Eqrem Çabej. Ndërsa me shembullin e profesor Shaban Demirajt, shkolla shqiptare e albanologjisë, për herë të parë drejtoi e udhëhoqi albanologë të huaj të suksesshëm, si gjuhëtari danez Gunar Svane, anëtar nderi i Akademisë sonë, që realizoi tejshkrimin e veprave të Pjetër Budit nën drejtimin e këshillimin shkencor të profesorit tonë të nderuar”, do të thoshte mes të tjerash në fjalën e tij Skënder Gjinushi.

Bardhyl Demiraj

Ai ishte serioz dhe hijerëndë dhe ndoshta një pamje e tillë e tillë të krijonte përshtupjen e një njeriu të rreptë. Kush e ka njohur Shaban Demirajn e, sidomos, studentët që e kishin padagog në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ia njohnin fare mirë përkushtimin në trasmetimin e lëndës dhe kërkesën e lartë që kishte ndaj studentëve në provimin e lëndës së tij, para se të hidhte firmën në librezën e notave. Dhe ishte pikërisht kjo që i bënte ata më të përgjegjshëm për të punuar thellësisht me materialin e sugjeruar e për të qenë përballë prfesorit kërkues të çliruar nga pesha e justifikimit sipërfaqësor.

Bardhyl Demiraj, djali i akademikut të njohur, dhe vetë gjithashtu po aq i njohur, i cili prej vitesh është pedagog në universitetin “Ludwig Maximilians” të Mynihut, ishte i pranishëm në këtë konferencë. Por si ka qenë për të, të ishte djali i një personaliteti që ka dhënë kaq shumë për albanologjinë shqiptare. Bardhyl Demiraj qesh teksa i duhet të reflektojë një çast për të dhënë një përgjigje mediatike.

“Shumëkush mund të thoshte se është privilegj të jesh biri i një personaliteti i cili ka bërë emër në një fushë të caktuar. Është më tepër sesa një privilegj, meqenëse unë kam qenë pjesë e atyre brezave që janë formuar, tek ai dhe e shihja me një tjetër perspektivë. “I rreptë”, meret shpesh për bazë kjo fjalë. Është një përqasje sipas krahasimeve me situatat e sotme në studimet universitare, ku nuk mund të them se është lëshuar dora, por është bërë pak më lirshëm. Ndërkohë që Shaban Demiraj, ashtu siç e njohim ne si pedagog, kërkonte nga ata studentë që jepnin lëndën e tij provim, ta kishin përtypur dhe përpunuar siç duhet pikërisht atë lëndë.

Lexo edhe :  Protesta e thirrur nga Partia Demokratike, "blindohet" kryeministria

Ishte vështirësia e lëndës ndoshta që ka bërë të ishte “i rreptë”, ndërkohë që ai është përpjekur gjithmonë që atë vështirësi ta përcillte në mënyrë të tillë që të mos ndihej aq shumë. Dhe më shumë se sa njeri i rreptë unë dëgjoj nga të tjerë, qoftë të njohur, qoftë të panjohur, që ka qenë njeri shumë i komunikueshëm, sidomos me studentët, pra me brezin e ri. E kam përjetuar vetë kur ishte në moshë të thyer dhe e shoqëroja për shëtitje dhe e takonin njerëz nga më të ndryshmit e që të gjithë i kujtonin se “ke qenë pedagogu im” apo “ke qenë profesori im”, por asnjëherë nuk ka qëlluar që dikush t’i ketë thënë “ke qenë vërtet shumë i rreptë, por jo i padrejtë”, shprehet Bardhyl Demiraj për gazetën “Fjala”.

In honorem

Konferenca shkencore “in honorem” rreth veprës së Shaban Demirajt u përshëndetet nga prof. dr. Roland Zisi, rektor i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Më pas do të vazhdonin kumtesat e prof. dr. Bardhyl Demiraj: “Mundësi potenciale ribotimi të prurjeve të Shaban Demirajt në albanologji”, prof. dr. Enver Hysa: “Shaban Demiraj për zhvillimet në gjuhën shqipe në periudhën bashkëkohore”. akad. korresp. Bardh Rugova: “Fonologjia historike e shqipes sipas Shaban Demirajt. Prof. dr. Anila Omari: “Vendi i ndihmesave të Shaban Demirajt në traditën e filologjisë tekstore shqiptare”. Prof. dr. Seit Mansaku: “Etnogjeneza e shqiptarëve në dritën e kërkimeve gjuhësore të akad. Shaban Demiraj”. Akad. Ethem Likaj: “Gramatika historike e shqipes, fushë themelore në punën shkencore të profesor Shaban Demirajt”. Akad. Rexhep Ismajli, përshëndeti në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e njëkohësisht, mbajti kumtesën: Historia e gjuhës shqipe dhe zhvillimet ballkanistike në studimet e Shaban Demirajt”. Akad. Ethem Likaj; “Vepra e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve”.

Jetëshkrim i shkurtër

Ai do të mbetet në historinë e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe të Universitetit të Tiranës si drejtues që u shqua për punë të pakursyer dhe të një cilësie të lartë. Prof. Demiraj është i njohur në botën shkencore ballkanike dhe evropiane me kumtimet e tij në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare e me artikuj.

Shaban Demiraj u lind në Vlorë, më 1 janar 1920. Ishte gjuhëtar, albanolog dhe akademik i njohur shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë viteve 1993 – 1997. Kreu Medresenë në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetvete rekord të këndshëm.

Është njëri prej pedagogëve që ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të qenësishëm lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë etj. Ai drejtoi me aftësi shkencore dhe administrative për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989). I përgatitur shkencërisht, me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, gjithherë i njerëzishëm. Kohëzgjatja në këtë funksion flet vetë. Në vitet 1962-1966 ka qenë zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

U nda nga jeta në 30 gusht 2014, në Tiranë. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Dëbora mbulon Shkodrën, disa fshatra pa energji elektrike

Në qarkun e Shkodrës kanë nisur reshjet e dëborës. Edhe pse reshjet e dëborës kanë qenë të dendura, qarkullimi...

“Politikat e qeverisë kanë dështuar”, Meta: Shqipëria ka nevojë për ndryshim urgjent

Në një postim të tij në Facebook, ish-presidenti Ilir Meta ka shprehur kritikën e tij për modelin aktual të ekonomisë shqiptare, duke e konsideruar...

“Prisnim për tu bërë tre”, Rozana Radi përlot banoret me letrën dedikuar bashkëshortit

Në prag të Shën Valentinit, banorët i kanë dedikuar nga një letër personit të zemrës. Letra e Rozana Radi për bashkëshortin e saj, e ndjerë...

Letra e vitit 1704 që parashikon se kur do të përfundojë bota

Isaac Newton, një shkencëtar i famshëm i njohur për formulimin e ligjeve të lëvizjes dhe gravitetit, parashikoi se bota siç e njohim do të përfundojë...

Apple dhe Google rikthejnë TikTok, amerikanët mund ta shkarkojnë sërish aplikacionin

“Google Play” ka njoftuar se ka rikthyer TikTok në ‘dyqanin’ e tij të aplikacioneve në SHBA të enjten, pas premtimeve nga Presidenti Donald Trump...

Lajme të tjera

Web TV