Flasin ekskluzivisht për gazetën “Fjala” trajneri Egbo bashkë me futbollistët Idriz Batha dhe Erion Hoxhallari
Tirana është skuadra e vetme shqiptare e mbetur në Ligën e Evropës dhe bardheblutë do të përballen në “play-off” me Jang Bojs të Bernës. Duke folur posaçërisht për “Fjala”, trajneri Egbo dhe futbollistët Batha e Hoxhallari janë shprehur optimistë për një paraqitje të mirë ndaj zviceranëve. Vetëm pak orë i ndajnë bardheblutë nga përballja e “play-off”-it të Ligës së Evropës me Jang Bojs të Bernës dhe atmosfera në kampin bardheblu është pozitive.
“Ne do të presim deri në çastet e fundit për të parë gjendjen e lojtarëve tanë, sidomos të atyre që kanë pasur një dëmtim, – ka deklaruar trajner Emanuiel Egbo, duke folur pak para nisjes për në Zvicër. – Prandaj do të presim deri në çastet e fundit, për të vemdosur se cili do të jetë formacioni ynë. Por, pak a shumë, ekipi është gati, sidomos ata që kanë luajtur që në ndeshjen e parë në Ligën e Kampioneve janë gati, përveç ndonjë lojtari që ka pasur ndonjë shqetësim të vogël.”
“Por besoj se të gjithë janë gati, edhe pse kemi pasur edhe lojtarë që na janë bashkuar rishtas, por me ta do të veprojmë në varësi të rrethanave”, – shtoi ai. Ndërsa për futbollistin Erion Hoxhallari, kjo do të jetë një sfidë pa dyshim e vështirë, por, sipas tij, Tirana është gati. “Ne do të japim maksimumin, pasi kështu ishte edhe rasti kur u përballëm me Dinamon e Tblisit, por edhe më pas me Cërvena Zvezdën, ku kemi treguar se mund të përballemi si të barabartë me këdo”, – thotë ai.
Kurse për kapitenin Idriz Batha, Tirana e ka përgatitur këtë takim si të gjitha ndeshjet që ka zhvilluar deri më tani në dy veprimtaritë ndërkombëtare. “Mendoj se jemi në rrugën e duhur për këtë përballje, sado që dihen vështirësitë, por, sidoqoftë, ne do të bëjmë maksimumin tonë dhe do të japim gjithçka.” Duke folur posaçërisht për “Fjalën”, si trajneri, ashtu edhe kapiteni, por edhe mbrojtësi i majtë, kanë mendime të ndryshme për sa i përket mosnisjes së kampionatit për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste.
“Mendoj që, po ta shohësh në kuadër të pjesëmarrjes në Kupat e Evropës na ka dëmtuar shumë, por, për sa i përket kampionatit, mund të na ketë ndihmuar në fakt, sepse kemi pasur shumë lojtarë të rinj, që kanë ardhur me vonesë, kështu që nuk janë përshtatur ende me pjesën tjetër të ekipit, që e kanë nisur që në fillim stërvitje, – thotë nigeriani i stolit bardheblu. – Prandaj, mosnisja mund të thuhet se na ka ndihmuar në këtë drejtim.”
“Kështu, mund të themi se edhe na ka dëmtuar, edhe nuk na ka dëmtuar nisja me vonesë e kampionatit”, – ka përfunduar Egboja. Por ndryshe mendon kapiteni bardheblu, i cili, madje, mendon se, jo vetëm Tirana, por të gjitha ekipet e Superiores janë dëmtuar nga ky bojkot. “Dihet që ndeshjet e kampionatit janë ato që e fusin ekipin në ritmin e garës, – thotë ai. – Shpresoj të gjendet një zgjidhje dhe të jemi edhe ne në rrugën tonë, të vazhdojmë përpara dhe të jemi në formën më të mirë të gjithë si futbollistë.”
Mendimin e Bathës e ndan edhe Hoxhallari, që thotë: “Mendoj se nuk na ka ndihmuar edhe aq shtyrja e kampionatit, sepse po të kishte nisur kampionati, do të kishim luajtur ndeshje dhe do të ishim futur akoma më në ritëm si ekip. Por besoj që na kanë ndihmuar edhe këto ndeshjet miqësore, sepse kemi bërë ndeshje miqësore me ekipe të Kategorisë Superiore dhe është njëlloj si të luanim ndeshje zyrtare.” Po sa e njeh Tirana kundërshtarin e radhës?
“Ne i kemi parë disa ndeshje të tyre, i kemi studiuar dhe kemi bërë analizat tona, dhe besoj se do të kemi krijuar tashmë një ide për ta si ekip”, – thotë trajneri Egbo. “Sigurisht që do të jetë e vështirë, pasi është ekipi “kampion” i Zvicrës dhe e dimë se çfarë niveli ka kampionati zviceran, – thotë Hoxhallari. – Por ne e kemi studiuar në çdo detaj, i dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta të kundërshtarit dhe besoj se do të arrijmë t’i godasim pikërisht në pikat e dobëta.”
Kurse Batha mendon se Tirana nuk e njeh edhe aq mirë kundërshtarin. “Me aq sa kemi parë në TV apo në videoanalizat që kemi bërë, Jang Bojs dihet që janë një kundërshtar me potencial të madh, një kundërshtar i vështirë, por, përderisa nuk jemi përballur ende me të, nuk mund të flasim me siguri për forcën e tyre”, – thotë ai. Epidemia e virusit korona ka ndryshuar edhe formatin e këtij sezoni të Ligës së Evropës, me një takim të vetëm, çka për bardheblutë ndihmon skuadrat më pak të favorizuara.
“Deri diku po, – pohon Egboja, – sepse na jep besim në vetvete për atë sfidë të vetme, pavarësisht se do të luhet jashtë fushës sonë, por, prapëseprapë pa tifozë. Në letra janë ekip më i fortë dhe mendoj se presioni do të jetë më i madh mbi ta sesa mbi ne, prandaj do të shkojmë me qetësi në këtë ndeshje, duke synuar të japim maksimumin, siç bëmë ndaj Dinamos së Tbilisit apo edhe ndaj Cërvena Zvezdës së Beogradit.”
Për 24-vjeçarin Hoxhallari, aspekti mendor është shumë i rëndësishëm. “Po, ne, së pari, nuk duhet të futemi në fushë sikur jemi një skuadër shumë e vogël dhe sikur ata janë një ekip shumë favorit, – thotë mbrojtësi i majtë. – E pamë edhe ndaj Cërvena Zvezdës, kur mediat e bënin skuadrën serbe si një ekip shumë të madh dhe thoshin se nuk dihej a do ta përballojë apo jo Tirana atë kundërshtar. Por fusha e lojës tregoi të kundërtën, pasi ne e dominuam ndeshjen dhe vetëm fati na ndëshkoi.”
Megjithatë, si trajneri, ashtu edhe dy futbollistët e Tiranës, besojnë te një paraqitje dinjitoze me helvetët. Takimi Jang Bojs-Tirana luhet të enjten, në Bernë të Zvicrës, duke nisur nga ora 20:30 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. /Ra.My.Fjala.al/