Politikanë, zyrtarë të lartë, por edhe njerëz të drejtësisë që janë akuzuar për korrupsion apo shpërdorim detyre, në shumicën e rasteve i kanë shpëtuar burgut, ngaqë dënimet e dhëna ndaj tyre janë konvertuar me “shërbim prove”. Por, kush janë njerëzit e pushtetshëm të dënuar me “shërbim prove”, ku e kanë kryer ata shërbimin ndaj komunitetit, kush i ka kontrolluar dhe a e kanë kryer sipas ligjit edhe këtë dënim të butë? Njerëzit e pushtetshëm, një ligj që hyri në fuqi në vitin 2014, si masë e ulët dënimi, kryesisht për të miturit, e kthyen në shërbim të vetes.
Nga Elvis Myrta
Shërbimi i provës, ndonëse një formë dënimi alternative për të lehtësuar ngarkesën e burgjeve, ka rezultuar si një mundësi shpëtimi për shumë zyrtarë të lartë, duke nisur që nga ministrat, kryebashkiakët, gjyqtarët e deri te zyrtarët e lartë të administratës publike. Kjo formë dënimi ka nxjerrë “pa u lagur”, emra të njohur të politikës dhe drejtësisë, apo edhe funksionarë të lartë, të cilët, edhe pse janë vënën nën akuzë për korrupsion apo shpërdorim të detyrës me pasoja të rënda, nuk kanë bërë asnjë ditë burg. Për këtë arsye, për shumë dënime që janë dhënë me shërbim prove, kanë lindur dyshime se nga ana e gjykatave këto vendime janë zbatuar si një rrugë formalisht ligjore që emrat e njohur të vënë nën akuzë t’i shpëtojnë burgut.
Vitet e fundit shumë njerëz me pozitë janë dënuar nga gjykatat me burg, por dënimi u është konvertuar me shërbim prove. Për shumë nga këta persona nuk dihet se si i kanë shërbyer komunitetit me punë publike, por i sigurt është fakti që këto vendime u kthyen në shërbime të vlefshme që këtyre njerëzve t’u hiqeshin prangat nga duart. Dënimi një javë më parë i tre gjyqtarëve të Apelit të Durrësit, dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por i konvertuar në shërbim prove, praktikisht në liri, është i fundit në radhën e gjatë të atyre që kanë pasur fatin ta zëvendësojnë qelinë e burgut me punën në shërbim të komunitetit. Vendime të tilla ka pasur edhe për personazhe të njohura të polikës, ku nga më të bujshmit është dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit edhe pse u ngritën akuza për grup të sturkturuar kriminal, e trafik droge, një vit më parë ai u dënua vetëm me 3,5 vite burg me shërbim prove, vendim i cili u rrëzua nga apeli i GJKKO-së dhe çështja u kthye në Shkallën e Parë për rigjykim. Po në të njëjtën mënyrë, burgut i shpëtoi edhe ish-deputeti Mark Frroku, por edhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, dhe ai i Vlorës, Shpëtim Gjika.
Gjithashtu, edhe emra të njohur të drejtësisë janë pjesë e listës, që edhe pse “janë kapur mat”, duke kryer vepra penale, i kanë shpëtuar burgut, pasi janë dënuar vetëm me shërbim prove nga kolegët e tyre. Rasti më i spikatur është ai i ish-gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë Admir Thanza dhe Majlinda Andrea, njëri për dekriminalizimin e tjetra e akuzuar për korrupsion. Por, përveç politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë dënimin me shërbim prove e kanë marrë edhe emra të njohur të financës, siç ishte rasti i inspektores së përgjithshme në Bankën e Shqipërisë, Elivar Golemi. Kjo e fundit, por jo vetëm, ka bërë të ditur se do ta vijojë betejën me drejtësinë për pafajësi.
Gazeta “Fjala”, në numrin e sotëm, do të radhisë të gjithë personat me pozitë, të cilët edhe pse janë akuzuar për vepra të rënda penale, nuk kanë bërë asnjë ditë burg, duke u ardhur në ndihmë i famshmi “shërbim prove”. Në fakt, shërbimi i provës si “masë dënimi” nënkupton punë në komunitet, duke përfshirë “pastrim-gjelbërimin”, nëpër institucione sociale etj. Në fakt, askush nuk ka parë asnjë ish-gjyqtar, ish-prokuror, apo ish-drejtor të nivelit të lartë duke pastruar nëpër qytet… Përtej këtij fakti, “shërbimi i provës” si nocion juridik është një masë dënimi që aplikohet për vepra të lehta penale, të cilat janë në kufijtë e masës administrative dhe përfshijnë kryesisht të mitur, ose persona të cilët kryejnë akte dhune në komunitet, por jo në kapërcimin e kufijve të dëmtimit të individëve të tjerë, që mund t’i shkaktonin paaftësi për punë më shumë se nëntë ditë. Por edhe këtë ligj, të hartuar për minorenët dhe trazovaçët e lagjeve, politika dhe njerëzit e drejtësisë e kthyen në favor të vetes.
Saimir Tahiri
Në 19 shtator të vitit 2019, në një seancë maratonë, ish-Gjykata për Krime të Rënda e dënoi me 5 vite burg për shpërdorim detyre, ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky vendim u konvertua me gjykim të shkurtuar në 3,4 vite shërbim prove. Prokuroria e Krimeve të Rënda, nga ana tjetër, kërkoi 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Pas këtij vendimi, si Tahiri, ashtu edhe prokuroria nuk e pranuan dënimin me 3,4 vite shërbim prove dhe dhe e apeluan në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Më 20 qershor të këtij viti apeli i GJKKO-së, e rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer çështjen për rigjykim, me argumentin se në Shkallën e Parë, ishin bërë gabime procedurale.
Shpëtim Gjika
Më 27 korrik të vitit 2017 Gjykata e Vlorës dënoi me 2 vite burg ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjikën, për akuzën e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Vendimi u konvertua me 2 vite shërbim prove, me argumentin se i dënuari është me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Gjithashtu, për ish-kreun e Bashkisë Vlorë, gjykata vendosi edhe ndalimin për 3 vite të ushtrimit të funksioneve publike.
Ish kryebashkiaku i Kavajës
Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i akuzuar për për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, më 13 korrik të vitit 2018 u dënua nga Gjykata e Tiranës me 5 muaj burg, dënim i cili u konvertua me 60 orë punë në komunitet. Gjatë procesit në ngarkim të tij Roshi nuk kundërshtoi asnjë fakt të prokurorisë. Sipas institucionit të akuzës, Roshi, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, duke fshehur një dënim penal që kishte marrë në Itali për përdhunim, si dhe përdorimin e disa emrave të rremë.
Elivar Golemi
Më 4 prill të vitit 2017 Gjykata e Tiranës dënoi me 2 vite burg ish-inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga banka prej një punonjësi të saj, ngjarje e ndodhur në korrik të 2014-s. Nga ana tjetër, treshja gjykuese, e kryesuar nga Vjollca Spahiu, urdhëroi që e pandehura të mos shkojë prapa hekurave, pasi masën e dënimit me burgim e konvertoi në 2 vite shërbim prove. Në të njëjtën kohë gjykata vendosi edhe 2 vite përjashtim nga çdo funksion publik për Golemin. Sipas prokurorisë, Golemi akuzohet se nuk ka monitoruar si duhet lëvizjet në arkën e bankës, kur janë marrë 713 milionë lekë nga punonjësi Ardian Bitraj, i cili është dënuar më herët nga gjykata e Tiranës me 13 vite e 4 muaj burg. Kujtojmë se për këtë skandal u ndalua dhe u gjykua edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, por ai u shpall i pafajshëm.
Mark Frroku
Më 4 korrik të vitit 2018 Gjykata e Tiranës, dënoi me 8 muaj burg ish-deputetin Mark Frroku, për akuzën e “kallëzimit të rremë”, për atentatin e sajuar ndaj Tom Doshit, dënim i cili u konvertua në shërbim prove. Ish-deputeti Mark Frroku Frroku, së bashku me Tom Doshin dhe Durim Bamin u akuzuan se sajuan kallëzimin që presidenti i Republikës, Ilir Meta, kishte paguar gjysmë milioni euro për të vrarë deputetin Doshi dhe, po ashtu ish-deputetin e opozitës, Mhill Fufi.
Njerëzit e drejtësisë që u dënuan me shërbim prove
Problemet në sistemin e drejtësisë shqiptare janë të shumta, por një ndër më kryesoret është ai i korrupsionit, i cili ka përfshirë pothuajse të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Korrupsioni në gjykatat shqiptare vazhdon të mbetet problem kryesor, pasi në sistemin e drejtësisë shqiptare shumica e gjyqtarëve rezultojnë se janë të korruptuar dhe pa integritet. Edhe pse në disa raste njerëzit e drejtësisë janë kapur në flagrancë, ku ka pasur prova të pakundërshtueshme dhe të dokumentuara për veprat penale që ata kanë kryer, ata i kanë shpëtuar burgut duke u dënuar vetëm me shërbim prove nga kolegët e tyre.
Tre gjyqtarët e Apelit Durrës
Rreth një javë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi lënien në fuqi të vendimit të datës 29 tetor 2019 të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për shpalljen fajtor dhe dënimin e tre gjyqtarëve të Apelit Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri e Petrit Çeno, si dhe të biznesmenit Namik Sadik, të akuzuar për korrupsion. Por, ndryshe nga Shkalla e Parë që i dënoi tre gjyqtarët me nga 2 vjet burg secilin dhe biznesmenin Sadik me një vit heqje lirie, Gjykata e Posaçme e Apelit, me shumicë votash, vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg për të katër të pandehurit, duke i vendosur në afat prove, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale.
Me anë të një njoftimi zyrtar, Gjykata e Posaçme e Apelit bëri me dije se për tre gjyqtarët Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për një afat prove 4-vjeçar, ndërsa biznesmeni Namik Sadik është vendosur në provë për një afat 2-vjeçar. Trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit që dha vendimin përbëhej nga gjyqtarja Nertina Kosova, kryesuese, dhe gjyqtarët Saida Dollani e Sokol Binaj anëtarë. Në pakicë lidhur me pjesën e vendimit për pezullimin e dënimit me burgim, ka dalë gjyqtarja Saida Dollani. Në procesin e zhvilluar në Apel, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-u, u përfaqësua nga prokurori Altin Dumani.
Tre gjyqtarët u akuzuan dhe u gjykuan për akuzën e korrupsionit. Sipas institucionit të akuzës, në tetor të vitit 2014 ata kanë ndërmarrë një udhëtim në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe, sipas prokurorisë, udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madridit dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. Ndërkohë, që në kohën kur ata kanë udhëtuar me biznesmenin kanë qenë gjyqtar në një proces administrativ që Sadik ka pasur me ortakun e tij.
Admir Tanza
Më 31 maj të vitit të kaluar Gjykata e Tiranës dënoi ish-gjyqtarin e gjykatës së Lartë, Admir Thanza, për mosdeklarimin në formularët e dekriminalizimit të një dënimi që ai ka kryer në vitin 1999, në Itali. Për këtë togat e zeza të kryeqytetit e dënuan me 9 muaj burg kolegun e tyre, dënim i cili u konvertua me 18 muaj shërbim prove. Thanza, i cili e bëri vetë mbrojtjen, nuk e pranoi në asnjë moment se ka shkelur ligjin, duke mos deklaruar dënimin, pasi ai asnjëherë nuk është dënuar.
Për sa i përket rastit të vitit 1999, ai shpjegoi përpara gjykatës se kishte marrë përsipër fajin e nipit të tij të mitur për vjedhjen në një qendër tregtare në Pizë të Italisë, por me një marrëveshje me institucionet italiane të ligjit. Sipas Thanzës, vendimi me marrëveshje për dënimin 40 ditë burgim dhe 100 mijë lireta gjobë, nuk është dënim penal dhe se nuk e ka pasur detyrim deklarimin në formularët e dekriminalizimit.
Majlinda Andrea
Gjykata e Lartë vendosi të dënojë me 4 vite burg ish-anëtaren e saj, Majlinda Andrea. Në vendimin e shpallur në qershor të 2018-s, Gjykata e Lartë deklaroi se Andrea është fajtore për veprën penale të korrupsionit pasiv, por vendosi njëherazi ta pezullojë dënimin me burg, duke e kaluar atë në shërbim prove. Ish-gjyqtarja u dënua gjithashtu me heqjen e së drejtës për të ushtruar detyrën si gjyqtare për 5 vjet. Gjykata provoi se Andrea ishte përfshirë në një aferë korruptive për kthimin e një prone në Butrint, një zonë e rëndësishme arkeologjike dhe turistike, e mbrojtur nga UNESKO, kundrejt një shume prej 50 mijë eurosh. Por ish-gjykatësja e ka konsideruar veten të pafajshme.
Gjyqtari Shyqyri Çobo
Më 10 janar të vitit 2017 ish-gjyqtari i Beratit, Shyqyri Çobo, i akuzuar për korrupsion, është dënuar nga Gjykata e për Krimet e Rënda me 20 muaj shërbim prove. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dënimin me 3 vite burg për Çobon, kërkesë e cila u pranua nga togat e zeza, por ndaj ish-gjyqtarit është pranuar gjykim i shkurtuar, çka do të thotë se dënimi është ulur me një të tretën.
Megjithatë, dënimi i Çobos do të konvertohej në 20 muaj shërbim prove, nisur nga mosha e tij e madhe. Po kështu, ish-gjyqtari nuk do të mbajë funksione publike për të paktën 5 vjet. Gjykata ka vendosur ta pezullojë dënimin, duke e vazhduar pjesën e mbetur në shërbim prove. Gjyqtari u kallëzua nga një grua nga Berati, palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Ky i fundit ka qenë prezent në sallën e gjyqit në momentin që është lexuar vendimi dhe i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke u shprehur se do t’i shkojë deri në fund kërkesës për pafajësi. Ai u tha ish-kolegëve se bisedat me kallëzuesen, ishin në vazhdën e provokimeve të saj dhe se nuk kishte qëllim përfitimin prej saj, por vetëm ta ndihmonte. Shyqyri Çobo u kallëzua në policinë e Beratit nga shtetasja me inicialet I. T., në vitin 2015, ndërsa pas shumë muaj hetimesh ai u mor i pandehur, me akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarit të drejtësisë. /Ra.My.Fjala.al/