Nga Klea Neli
Një grua pak e kërrusur, me flokë jo shumë të gjatë dhe me rrudhat që tregojnë vuajtjet e saj, është e para që hap derën e jashtme të selisë së Partisë Demokratike. Sapo hyn në katin e dytë të kësaj godine, të pret pikërisht ajo. Me një buzëqeshje të ëmbël të fton të futesh brenda për çfarëdo lloj arsyeje. Është pikërisht ajo, e cila, që prej vitit 1991, me shumë përkushtim i ka shërbyer Partisë Demokratike.
Plot gëzim më priti që në hyrje dhe u ngjitëm për në kuzhinën e saj, e cila ishte si një zyrë për të. Teksa po na përgatiste nga një çaj të ngrohtë, me shumë dashuri brenda, na tregoi se atje ka gjetur një shtëpi të dytë, nga ngrohtësia që ata i kanë dhënë. Dhe me sytë që i qeshnin e teksa përziente sheqerin në çaj u shpreh se është shumë e lumtur që vazhdon të jetë pjesë e tyre dhe do të vazhdojë të jetë atje, deri sa ajo të ketë mundësi ta mbajë atë punë.
Donika Xhaferri është bërë një person shumë i besuar në Partinë Demokratike. Teksa e ndesh nëpër korridoret e selisë, duke ndihmuar këdo që mundet me çdo gjë që i nevojitet, i sheh në duar edhe një tufë me çelësa. Janë çelësat që hapin të gjitha zyrat e politikanëve, madje edhe të z. Lulzim Basha. E ndërsa po flisnim pikërisht për këtë, sytë i ndrinin dhe lumturia e saj ishte e pamasë, kishte punuar shumë vite, pikërisht për të arritur këtë besim te shefat e saj. Ajo u shpreh se për të ishte një privilegj i veçantë dhe kjo gjë tregon të gjithë punën dhe përkushtimin që ajo ka pasur në punë.
“Nona e Partisë”- kështu më thërrasin, – tha dhe qeshi.
Të gjithëve u ka dhënë shumë dashuri dhe buzëqeshje e disave u thërret “Shpirti i nonës”, kjo ka qenë edhe arsyeja pse e thërrasin ashtu.
E jo vetëm kaq, por “Nona” është kthyer edhe një person shumë të dashur, sa çdo datëlindje të saj nuk e harronin, por çdo vit e presin me surpriza nga më të bukurat. Edhe pse një grua e moshuar, mund të quhet përsëri kishte shumë gjallëri edhe në të folurit e saj dhe shakatë që ajo bënte.
“Edi Paloka është i vetmi që nuk më thërret nona”, – tha dhe qeshi me të madhe. – “Por nuk ka problem, më pëlqën që më thërret në emër, e kuptoj që është ai”.
E teksa e pyeta se kë do të veçonte nga të gjithë, iu desh të mendohej pak gjatë. Dhe në fund zgjodhi kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën.
“Është i veçantë”, – tha – “dhe ka një zemër të madhe për të gjithë.”
Nona nuk mund të qëndronte dot pa lëvizur me ne, sigurisht nga korridori u dëgjua një zë që thirri “Nonaaa, të lutem, na sill pak ujë”. Ajo buzëqeshi dhe u kthye nga unë “E dëgjon, me mua e ka”. U çua dhe shkoi menjëherë pa përtesë për t’iu gjendur pranë në nevojat që çdokush atje ka. E pasi mbaroi u kthye përsëri te ne, në kuzhinën e saj të vogël, për të vazhduar bashkëbisedimin, po këtë herë në profilin e saj familjar.
E nëse do ta dëgjonim teksa fliste për familjen e saj, do të shihnim sytë e saj me lot dhe me një zë që i dridhej, duke thënë se vjen nga një familje e internuar për 25 vjet. Donika ka qenë e detyruar të punojë në Fabrikën e Bukës që në moshën 13-vjeçare. Nëna e saj, Teuta Kazazi, tregoi se ka qenë mjeke në maternitet, po për shkak të familjes ka qenë e detyruar të bëjë 8 vite në burg. Kështu Donika do të kthehej në një nënë të dytë për familjen e saj. E teksa foli për vëllain e vogël, të cilin e ëma ia kishte lënë 1 vit, loti i rrodhi në faqe e buza që i dridhej tha “Mua më ka njohur si nënën e tij, dhe unë e kam pikë të dobët”.
Kurse vëllai i saj i madh ka qenë artist i merituar. Në vitin 1992 Sali Berisha dhe Bujar Nishani e kanë vlerësuar me medalje. Me sytë e përlotur shpreh se ka kaluar një dhimbje të madhe në ato vite, pasi burrit të saj llogaritar, përsëri për shkak të burgosjes të së ëmës, iu desh të bënte punë të rëndomta.
Edhe pas kaq shumë vuajtjesh, Donika ka qëndruar e fortë dhe sot ajo e përcillte më së miri atë forcë dhe besim që kishte në vetvete.
E më pas kur iu desh të fliste për familjen e re që kishte krijuar me bashkëshortin e saj, Arbenin, prej 35 vitesh, fshiu lotët dhe buzëqeshja iu rikthye në fytyrë. “Jam shumë e lumtur”, – ishin fjalët e para që tha pa u menduar dy herë.
“Nona” ka dy djem, Rigersin dhe Blendin. Madje, ishte bërë dhe “nonë” prej vërteti, do të thotë gjyshe. Ajo kishte një nip që quhej Rio nga djali i saj i madh. Rigersi. Ai kishte studiuar për pikturë dhe skenografi. Kurse djali i saj i vogël vazhdonte studimet në vitin e tretë për juridik.
Me buzëqeshjen e saj dhe me një fytyrë që i ndriçonte, duke dhuruar vetëm dashuri, nona kërkonte të shprehte lumturinë për çdo gjë që kishte arritur deri më sot.
“Çdo punë këtu e bëj me shumë kënaqësi”, – tha. Sepse vetë puna i jepte asaj kënaqësi, prandaj vazhdonte të ishte pjesë e selisë blu prej 30 vitesh. Sigurisht, Donika nuk mund të rrinte edhe pa na përcjellë deri te shkallët. Duke na buzëqeshur na shoqëroi me sy deri sa u larguam.
Edhe Berisha ka ikur nga drejtimi i Partisë Demokratike, por “Nona e PD-së”është aty që nga viti 1991./Jo.Be/Fjala.al