Raporti sekret/Zonat në Tiranë ku shpërndahet kokaina, heroina dhe hashashi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Si dhe ku shitet e blihet droga në kryeqytet. Zonat, lagjet, blloqet e banimit ku tregtohen kokaina, heroina, hashashi si të ishin mall tregu ilegal. Gazeta “Fjala” publikon një raport të detajuar. Ish-Blloku, Lapraka, ish-Parku i Autobusëve, Kombinati, Qyteti Studenti, Sauku, “Ali Demi” dhe Yzberishti, aty ku tregtohet “malli” dhe “bari”. Sa kushtojnë me shumicë dhe pakicë? Për ç’arsye, edhe pse policia ka ndërhyrë disa herë, ende këto zona janë problematike? Faktorët që ndikojnë.

Pothuajse çdo ditë në komunikatat zyrtare të policisë të zë syri lajme për persona që kapen në flagrancë me sasi të konsiderueshme apo me doza të vogla droge. Por, nuk kanë munguar as rastet kur policia ka finalizuar me sukses operacione policore, duke goditur grupe shpërndajnë kanabis, heroinë dhe kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Hashashi është lënda narkotike më e përdorur nga të rinjtë në kryeqytet.

Por, sipas specialistëve të narko-trafikut në polici, së fundmi janë shtuar edhe përdoruesit e kokainës dhe ata të heroinës. Gazeta “Fjala”, në numrin e sotëm, sjell një hartë në të cilën duken qartë zonat ku shiten apo përdoren më së shumti lëndët narkotike. Sipas të dhënave që “Fjala ka siguruar nga burimet e saj në Policinë e Shtetit, vendin e parë të shpërndarjes së drogës e mban zona e ish-Bllokut.

Kjo zonë mban rekord për shitjen e kokainës, e cila shitet kryesisht nëpër lokalet e natës, por pa përjashtuar as zonat e tjera në kryeqytet. Ndonëse policia prej kohësh ka si synim parandalimin e mbjelljes, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, sërish të dhënat në kryeqytet tregojnë se në zona të caktuara lëndët narkotike vijojnë të shiten, në shumë raste nga grupe kriminale, por edhe nga individë të caktuar.

Pas ish-Bllokut, një tjetër zonë e nxehtë është edhe ajo e Laprakës, ku sipas informacioneve të siguruara nga blutë, përveç personave të veçantë në shpërndarjen e drogës në këtë zonë mendohet se veprojnë të paktën 3 grupe kriminale. Pas nuk ngelet as zona e ish-Parkut të Autobusëve, e cila është një zonë që njihet për këtë fenomen, ku nuk kanë qenë të pakta as rastet kur persona të ndryshëm janë arrestuar në flagrancë duke shpërndarë drogë. Bazuar në burimet e policisë, një tjetër zonë e nxehtë është edhe ajo e Kombinatit, ku përdoruesit janë të shumtë, pjesa më e madhe të rinj.

Shitje lëndësh narkotike bëhet edhe në Qytetin Studenti, aty ku ka dhe shumë të rinj. Gjithashtu, edhe Kinostudioja mbetet një problem për policinë, ndërsa shitje ka edhe në Yzberisht, ku grupe të vogla personash merren me shitjen e lëndës narkotike të jashtëligjshme. Gjithashtu, edhe në zonën pranë fushave të “Ali Demit” janë raportuar disa raste të shitjes së drogës.

Arrestimet në dy muajt e fundit nga ana e policisë tregojnë se jo në pak raste në pranga kanë përfunduar shpërndarësit e drogave të rënda dhe të forta në zonat e lartpërmendura. Vetëm për dy muajt gusht-shtator, policia e kryeqytetit ka arritur të vërë në pranga 33 persona, të cilët janë kapur me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Referuar burimeve zyrtare, gjatë kësaj periudhe 6 nga këta persona janë arrestuar për kokainë, 8 për shitje dhe shpërndarje heroine.

Vendet ku shpërndahen lëndët narkotike

Të gjitha rastet e kapura me drogë nga 6 komisariatet e Tiranës duhet t’i referohen Sektorit të Antidrogës, për t’u vlerësuar si raste dhe për t’u ndjekur më pas nga agjentët për të zbuluar lidhjet e personave të ndaluar me të tjerët. Burime pranë Policisë Tiranë thonë se vendet ku tregtohet më së shumti kokaina janë klubet e natës të tipit të tallavave.

Në këto ambiente kokaina shërbehet si të jetë në menynë e lokalit, ku vetë pronari siguron lëndën narkotike, pjatën, por edhe ambientin ku mund të konsumohet ajo. Sektori i Antidrogës ka kryer disa operacione në këto biznese, duke vënë në pranga edhe pronarët e bizneseve, të cilët lejonin konsumimin e kokainës. Treg të gjerë në kryeqytet gjen edhe heroina, ku vetëm gjatë dy muajve të fundit në tri operacione policia vuri në pranga 8 persona, si dhe sekuestroi në kohë të ndryshme rreth 4 kg heroinë, si dhe një sasi të konsiderueshme metadoni. Sipas ekepertëve, përdoruesit e saj u përkasin dy skajeve.

Atë e përdorin ata që kanë nivel të lartë ekonomik, por edhe ata që janë në vështirësi dhe ngushëllohen nga turbullira e drogës. Një treg i fuqishëm i shpërndarjes së heroinës ka qenë në zonën e Alliasit, ku në muajin gusht në saje të një operacioni të mirorganizuar, policia vuri në pranga 4 persona dhe shpalli në kërkim një tjetër. Prioritet për Policinë e Tiranës është edhe patrullimi në shkolla, kryesisht në gjimnaze, pasi kjo grupmoshë shfaq rrezikshmëri për t’u kthyer në përdoruese të lëndëve narkotike, kryesisht të hashashit.

Më shumë problematike shfaqen gjimnazet që janë larg qendrës së qytetit, apo ato që kanë afër ndonjë lulishte apo park, pasi këto vende janë të preferuara për konsumatorët e kanabisit, për shkak se në këto zona nuk ka një patrullim të shpeshtë të policisë. Për këtë shkak, në vitin 2014 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë vendosi që çdo gjimnaz i kryeqytetit të mbikëqyret nga 2 punonjës policie. Por me gjithë pasat e marra, sërish nuk është parandaluar shpërndarja e drogës në gjimnaze.

Kjo grupmoshë jo vetëm që ka predispozitë të lartë për t’u kthyer në përdorues, por edhe në shpërndarës. Referuar burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se shpërndarësit e kanabisit janë kryesisht të moshave nga 17-25 vjeç, të cilët kanë probleme ekonomike dhe sociale në familjet e tyre.

Çmimi i hashashit, i ulët

Gazeta “Fjala”, në numrin e sotëm, ka publikuar edhe çmimet e lëndëve narkotike, çmime të cilat kanë rënë ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë. Kjo për shkak se grupet kriminale që operojnë në vendin tonë janë fuqizuar së tepërmi, ku përveç se e kultivojnë vetë bimën e kanabisit, ata janë bërë dorë e parë edhe për drogat e forta.

Lexo edhe :  Basha pret Ali Ahmetin: Koordinimi i faktorit shqiptar, jetik për stabilitetin

Mësohet se në këto vitet e fundit çmimi i hashashit ka rënë ndjeshëm, kjo për shkak se ne jemi bërë një vend prodhues i bimës narkotike. Me çmim pakice, një qese hashash shitet nga shpërndarësi vetëm për 500 lekë të rinj, sasi e cila nxjerr vetëm dy cigare hashash. Por, ndryshime ka pësuar edhe tregu i shitjes së lëndës narkotike me shumicë, ku droga sigurohet në Shqipëri dhe shitet jashtë.

Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka nga specialistët e Antidrogës në polici, mësohet se me shumicë çmimi i kanabisit shkon nga 800 deri në 1000 euro.

 Droga e “VIP-ave”, nuk ndryshon prej vitesh

Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të siguruara nga Policia e Shtetit, ka mësuar se kokaina vazhdon të shitet me të njëjtin çmim si një vit më parë. Edhe pse “pluhuri i bardhë” mbetet droga më e shtrenjtë në treg, përdoruesit e saj janë të shumtë. Nga informacionet e siguruara, mësohet se ky biznes ecën në zonën e ish-Bllokut, ku nuk kanë munguar rastet kur janë goditur disa shpërndarës të kokainës që e kryejnë aktivitetin e jashtëligjshëm në bare dhe lokale të kësaj zone.

Gjithashtu, nuk kanë munguar rastet kur janë arrestuar pronarë lokalesh në ish-Bllok, pasi janë akuzuar për përshtatje të ambienteve për pirjen e drogës, si dhe shitje narkotikësh. Në tregun e pakicës, çmimi i një grami kokaine varion sipas cilësisë, nga 80-120 euro, ndërsa me shumicë grupet kriminale 1 kg kokainë e shesin 30-40 mijë euro. Kjo drogë është më e kërkuara në treg. Ajo cilësohet si droga e “VIP-ave”, apo edhe personave të tjerë me status.

Heroina, droga më pak e preferuar

As çmimi i heroinës nuk ka ndryshuar, pasi, edhe më parë, edhe sot, shitet me të njëjtin çmim. Kështu, me pakicë 1 gram heroinë vazhdon të jetë 15-20 mijë lekë të vjetër, ndërsa, një kilogram heroinë shitet 20 mijë euro. Bazuar në statistika, numri i përdoruesve të heroinës është më i vogël krahasuar me ata të hashashit dhe kokainës. Për këtë arsye, edhe të arrestuarit për shpërndarjen dhe përdorimin e kësaj lënde narkotike janë të paktë, pasi edhe varësia ndaj saj është më e madhe.

 

Hashashi prodhim vendas, kokaina nga Amerika Latine

Grupet kriminale vitet e fundit janë fuqizuar së tepërmi. Ato nuk janë më dorë e tretë në trafikun e lëndëve narkotike. Sipas informacioneve, grupet kriminale shqiptare janë prodhuesit kryesorë të hashashit në Evropë, sidomos pas vitit 2016. Nga informacionet jozyrtare, gazeta “Fjala” ka mësuar se blutë e kryeqytetit dyshojnë se hashashi që tregtohet në Tiranë është prodhim vendas.

Kryesisht mendohet se lënda narkotike vjen nga malësia e Krujës, e Tepelenës, e Dukagjinit, por së fundmi edhe nga malësia e Tiranës, ku gjatë këtyre 2 viteve në malësinë e kryeqytetit policia ka kapur disa parcela me hashash, më konkretisht në zonën e Zall-Bastarit dhe në Shëngjergj. Ndërsa për sa i përket kokainës, ajo sigurohet nga Ekuadori. Operacioni i disa javëve më parë, ku u shkatërrua një organizatë kriminale, tregon që grupet shqiptare tashmë kanë ndërmjetësit e tyre për ta marrë kokainën drejtpërdrejt nga kartelet e drogës të Amerikës Latine.

Kokaina futet në Shqipëri përmes pikës kufitare me Malin e Zi, nga porti i Durrësit apo edhe nga Turqia. Linja që ndjek kokaina për të ardhur deri në vendin tonë është: Ekuador (vendet e Amerikës Latine) – Evropë e më pas Shqipëri. Ndërsa heroina vijon të trafikohet nga Afganistani dhe, përmes Greqisë apo Maqedonisë, futet në vendin tonë.

 

Çmimet e drogave

1 qese hashash = 2 cigare 5000 lekë të vjetër

1 kg hashash – 800-1000 euro

1 gram kokainë – 80 -120 mijë lekë të vjetër (varet nga cilësia)

1 kg kokainë – 30-40 mijë euro

1 dozë heroinë – 15-20 mijë lekë të vjetër

1 kg heroinë – 20 mijë euro

 

Zonat ku shpërndahet drogë

1-         Ish-Bllok

2-         Laprakë

3-         Ish-Parku i Autobusëve

4-         Kombinat

5-         Qyteti Studenti

6-         Kinostudio

7-         Yzberisht

8-         Ali Demi

 

ISH-BLLOKU

Vendin e parë të shitjes së lëndëve narkotike e mban zona e ish-Bllokut. Në këtë zonë nuk kanë munguar edhe rastet kur shpërndarës të “pluhurit të bardhë”, kanë rënë në prangat e policisë.

LAPRAKA

Sipas burimeve policore, një nga zonat më problematike është edhe zona e Laprakës. Prej informacioneve të sigururara nga blutë e kryeqytetit, mendohet se në këtë zonë veprojnë të paktën 3 grupe që merren me shitjen e hashashit.

ISH-PARKU I AUTOBUSËVE

Për shitjen e drogës nuk ngelet pas edhe zona e ish-Parkut të Autobusëve, e cila njihet për këtë fenomen. Në këtë zonë policia ka ndërmarrë disa herë operacione, duke vënë në pranga shpërndarës të vegjël, por edhe trafikantë droge.

KOMBINATI

Një treg i fuqishëm i shpërndarjes së heroinës ka qenë në zonën e Kombinatit. Sektori i Antidrogës ka ndërmarrë disa operacione në këtë zonë, duke vënë në pranga shpërndarësit, por nuk kanë munguar rastet kur janë ndaluar edhe përdoruesit.

QYTETI STUDENTI

Shumë shpërndarës droge e kanë fokusuar “biznesin” e tyre në zonën e Qytetit Studenti, për shkak se në këtë zonë ka mjaft të rinj dhe përdoruesit janë më të shumtë. Policia ka arrestuar dhjetëra shpërndarës në këtë zonë.

YZBERISHTI

Zona “VIP” për shitjen e kanabisit janë kryesisht zonat periferike të Tiranës, ku vendin e parë e mban Yzberishti, ku të rinj të moshave të ndryshme, jo vetëm që e shesin lëndën narkotike, por edhe e konsumojnë atë.

KINOSTUDIOJA

Po kështu edhe zona e Kinostudios, ka grupe të vogla personash që merren me lëndën e jashtëligjshme. Edhe pse rastet nuk janë të shumta, kjo është një zonë mjaft problematike, pasi në këtu operojnë disa grupe kriminale.

ALI DEMI

Një tjetër zonë problematike e shpërndarjes së lëndëve narkotike është edhe zona e “Ali Demit”. Sipas informacioneve nga policia, në këtë zonë shpërndarësit e drogës pikën kryesore e kanë pranë “fushave”.

 

Të fundit

Njihuni me njeriun që mati botën

Në një periudhë kur Evropa kishte hyrë në errësirën e Mesjetës, bota islame kalonte një epokë të artë zbulimesh...

Eurodeputeti slloven nominon Elon Musk për Çmimin Nobel për Paqe

Miliarderi dhe sipërmarrësi i njohur Elon Musk është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për kontributin në avancimin e lirisë së fjalës, një vlerë...

Reshjet e dendura të shiut, mungesë energjie në disa njësi administrative në Gjirokastër

Reshjet e shiut të shoqëruara me shkarkime atmosferike kanë prekur sot Qarkun Gjirokastër, me intensitet deri në mesatar. Sipas informacioneve nga Prefekti i Qarkut...

Hirra, kura më e mirë për problemet e mëlçisë dhe pastrimin e gjakut

Hirra e qumështit dhe e kosit është një nga produktet më mirëbërëse dhe funksionon shumë mirë si kurë natyrale për shëndetin. Hirra është e...

Qeveria e Spanjës arrin marrëveshjejen me sindikatat/Rritje e re me 4.4% e pagës minimale

Qeveria e Spanjës njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me sindikatat, për një rritje të re të pagës minimale me 4.4%. Punëdhënësit janë kundër vendimit. Pothuajse...

Lajme të tjera

Web TV