Janë zbuluar detaje të reja lidhur me zhdukjen e tre personave në Malësinë e Madhe.
Vilson Çutaj,Klement Pepaj dhe Danjel Pepaj kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre që në datën 3 tetor ndërkohë që ka qënë vëllai i Vilson Çutaj që ka bërë denoncimin për zhdukjen e tyre.
Dyshimet e para të Policisë së Shkodrës lidhen me konfliktet që këta tre persona mund të kenë patur për kultivimin e kanabisit.
Policia dyshon se Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj mund të jenë vrarë nga Danjel Pepaj i cili më pas mund të ketë kaluar kufirin drejt Malit të Zi.
Tre të zhdukurit mësohet të kenë lidhje familjare me njëri tjetrin.
Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj të cilët dyshohen si të vrarë, janë kushërinj më njëri-tjetrin ndërkohë që Danjel Pepaj i dyshuar si autori i vrasjes së tyre është kushëri me Klement Pepaj.
Debatet mes tyre kanë nisur 2 ditë më parë ku mësohet të jenë konfliktuar dhe akuzuar mes njëri-tjerit për vjedhjen e parcelave më kanabis.
Klement Pepaj 21 vjeç dhe Vilson Çutaj 37 vjeç kanë marrë peng 2 ditë më parë Danjel Pepajn 25 vjeç dhe e kanë çuar në fshatin Bajzë duke e mbajtur për disa orë ku dyshohet se mund edhe ta kenë rrahur.
Burimi i këtij konflikti i cili çoi më pas në zhdukjen e tyre ka qënë kultivimi i disa parcelave me kanabis në fshatin Vuç Shkurtaj të Malësisë së Madhe.
Herën e fundit këta persona janë parë të takohen të tre në një prej lokaleve të fshatit Vrith ku janë parë të debatojnë më njëri-tjetrin.
Deri vonë pas debatit në lokal, vendndodhja e celularëve ka treguar se njëri nga të dyshuarit si i vrarë ndodhej në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe dhe tjetri në fshatin Razëm. Më pas edhe vendnodhja përmes GPS të celularëve nuk ka funksionuar më.
Në zhdukjen dhe vrasjen e tyre dyshohet të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e ngjarjes por trupat e dy të dyshuarve si të vrarë nuk janë gjetur ende.
Vëllai i Vilson Çutaj ka deklaruar për policinë se debati mes tyre ka lindur për një femër, por ky version nuk është i besueshëm nga autoritetet.
Janë marrë në pyetje edhe të afërm të tjerë dhe banorë të zonës por kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për këtë ngjarje. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. /Ra.My.Fjala.al/