103 viktima prej COVID-19 gjatë muajit shtator, 24 raste fataliteti më pak se në muajin gusht. Me këto shifra u përmbyll muaji që lamë pas, të cilat rezultojnë të jenë më të ulëta se ato të një muaji më parë. Në një analizë për situatën e koronavirusit për muajin shtator në Shqipëri, vihet re se ka një trend në rritje për sa i përket numrit të personave të infektuar, por agresiviteti i virusit duket se po pëson rënie.
Nga Ina Allkanjari
Pandemia COVID-19 vijon të qarkullojë në vend, duke u shoqëruar me shifra të larta infektimesh, si dhe me fatalitete. Në një analizë rreth rasteve të reja, humbjeve të jetës, si dhe testimeve gjatë gjithë muajit që lamë pas, vihet re një trend në rritje i numrit të të infektuarve, e shoqëruar me rënie të fataliteteve. Gjatë muajit shtator 103 qytetarë kanë ndërruar jetë për shkak të virusit COVID-19. Kryeqyteti është shoqëruar me raste më të larta të humbjeve të jetës prej virusit, që prej fillimit të pandemisë. Më 31 gusht Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se numri i fataliteteve në total që prej fillimit të pandemisë kapte shifrën 284, ndërsa në ditët në vijim, konkretisht në mbyllje të muajit shtator më datë 30, numri i viktimave shkoi në 387. Ajo çfarë vihet re është se në krahasim me muajin gusht, në muajin shtator numri i fataliteteve është në rënie.
Kjo pasi piku i jetëve të humbura është shënuar në muajin gusht, ku 127 pacientë ndërruan jetë nga Covid-i në 31 ditët e gushtit, thuajse sa gjysma e viktimave që ishin shënuar që nga nisja e pandemisë, 284 fatalitete. Mosha mesatare e viktimave gjatë muajit gusht është 67 vjeç. Sipas ekspertëve, ulja e numrit të fataliteteve prej COVID-19 vjen si pasojë e rënies së virulencës së virusit. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se në javët në vijim do të kemi një rritje të numrave të të infektuarve, por agresiviteti i virusit ka rënë. Brataj shprehet se në javët në vijim, gjatë muajit tetor, do të ketë një rritje fiziologjike, kjo për shkak të uljes së temperaturave dhe masave të ndërmarrja, si hapja e shkollave, të cilat do të shoqërohen me shtim të rasteve. Kreu i Urgjencës thekson se virusi ka pësuar disa mutacione, që mund të kenë qenë pozitive për ne, jo në përhapjen e infeksionit, por në shenjat klinike. Sipas Bratajt, kjo tregon se edhe pse shifrat janë të larta, të sëmurët janë më pak. Ndërkohë në muajin që lamë pas, nga 103 qytetarë të cilët nuk e fituan betejën me koronavirusin, pothuajse gjysma e fataliteteve, konkretisht 51 prej tyre i përfshin qarku i Tiranës. Ndërkohë nga 387 vdekje në total në 6 muaj epidemi, 184 i përkasin kryeqytetit. Në Tiranë, zonat e mbipolluara, janë vatrat më të nxehta Covid, si Astiri, ish-Blloku, Komuna e Parisit, Lapraka, Kinostudioja, Fresku, Kombinati e Paskuqani. Mbas Tiranës qarqet më të prekura nga koronavirusi janë Durrësi dhe Shkodra.
Numri i infektimeve
Në muajin shtator, fillimi i shkollës dhe rikthimi i nxënësve të sistemit parauniversitar në banka pritej të shoqërohej me rritje të numrit të personave të infektuar me virus. Gjatë këtij muaji Ministria e Shëndetësisë raportoi 4136 raste të reja pozitive, një shifër e përafërt me një muaj më parë. Por ekspertë të shumtë ngrejnë shqetësimin se rihapja e shkollave, si dhe frekuentimi i ambienteve të mbyllura të bareve dhe restoranteve, si dhe ulja e temperaturave gjatë vjeshtës, do të shoqërohet me rritje të numrit të të infektuarve dhe këto shifra, të cilat pritet të jenë të larta, do të reflektohen gjatë javës së dytë të muajit tetor. Shqetësues mbetet fakti se virusi paraqet një trend në rritje në përhapje, nëse bëhet një krahasim mes 4 muajve të parë, që nga muaji mars kur u evidentua rasti i parë me COVID-19 në Shqipëri deri në muajin qershor, në krahasim me tremujorin e fundit korrik-shtator.
Konkrtisht, muaji qershor u përmbyll me 2535 raste pozitive me virus në vend, një shifër e cila në tre muajt pasardhës u 6-fishua, kjo pasi më 30 shtator numri i rasteve pozitive kapi shifrën 13649. Kjo rritje e rasteve pozitive vjen edhe si pasojë e rritjes së numrit të testimeve, kjo pasi deri më 30 qershor Ministria e Shëndetësisë raporton 27034 testime në total, për t’u shoqëruar me 88040 testime në total në 30 shtator. Pra, 61006 testime gjatë muajve korrik-shtator, ndërsa prej muajit mars deri në fund të qershorit u kryen në total 27034 testime. Pra vihet re një diferencë, me një trefishim të rritjes së testimeve.
Për sa u përket rasteve pozitive, kryeqyteti vijon të mbizotërojë, duke paraqitur shifra të larta, krahasuar me qytetet e tjera në vend. Gjithashtu, po të krahasojmë numrin e rasteve aktive, vihet re se muaji shtator u përmbyll me 5415 raste, ndryshe nga muaji gusht, i cili rezultoi me 1 mijë raste më pak, pra 4015 raste aktive.
Situata në Shqipëri
Në vendin tonë që prej fillimit të pandemisë COVID-19 deri më 05 tetor 2020, sipas Open Data, numri total i testimeve është 93021, pra rreth 3 % e popullsisë. Ndërkohë numri i të infektuarve rezulton të jetë14410 qytetarë, rreth 16% e totalit të rasteve të testuara. Ndërsa vihet re se mosha mesatare e të infektuarve është 46,8 vjeç, e shoqëruar me moshën mesatare të pacientëve të spitalizuar, e cila rezulton të jetë 61 vjeç. 85% e rasteve është mbi 50 vjeç, ku 53% e rasteve janë meshkuj, ndërsa 47% femra. Sipas të dhënave të Open Data, prej fillimit të pandemisë deri më sot, personi më i ri i infektuar është 2-muajsh, ndërsa më i moshuari është 92 vjeç. Ndërkohë kryeqyteti mban rekord për sa u përket shifrave të infektimit. Rezultojnë 6473 raste të shënuara në Tiranë për t’u shoqëruar nga Durrësi me 902 raste, Shkodra me 804 raste, Elbasani me 570 raste, Korça me 473 raste, Fieri me 443 etj.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë javës së 40-të të pandemisë, javës që lamë pas, epidemia është paraqitur me një trend të lehtë të pozitivitetit, krahasuar me javën e 39, me një mesatare ditore prej 145,5 raste. Ndërsa incidenca javore është 35,6 raste/ 1 milion banorë.
Të gjitha strukturat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor dhe strukturat lëvizëse për gjurmimin epidemiologjik mësohet të jenë në terren për evidentimin e rasteve në kohë dhe për detektimin e vatrave epidemiologjike familjare apo të strukturave të tjera publike ose jopublike.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 912 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 144 qytetarë të prekur nga virusi Sars-Cov2. Ndërkohë bëhet me dije se janë shëruar 150 qytetarë, duke e çuar në 8825 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 72 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 8 në Lushnjë, 7 në Fier, nga 6 raste në Korçë, Vlorë, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Kavajë, Divjakë, nga 3 raste në Pogradec, Përrenjas, nga 2 raste në Krujë, Tropojë, Berat, Belsh, nga 1 rast në Kurbin, Has, Bulqizë, Gramsh, Patos.
Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 214 pacientë, 19 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një mjek 72-vjeçar nga Skrapari, një 62-vjeçar nga Fieri dhe 2 qytetarë nga Tirana: një 78-vjeçar dhe një 79-vjeçare, me sëmundje bashkëshoqëruese.
Tabelë
COVID-19 – Statistika (30 shtator 2020) – (31 gusht 2020)
Testime totale 88040 – 62837
Raste pozitive 13649 -9513
Raste të shëruara 7847 -5214
Raste aktive 5415 -4015
Humbje jete 387 -284
COVID-19 – Statistika (5 tetor 2020)
Raste të reja ditore 144
Të shëruar në 24 orë 150
Humbje jete në 24 orë 4
Testime ditore 912
Testime totale 93021
Raste pozitive 14,410
Raste të shëruara 8,825
Raste aktive 5,185
Humbje jete 400 /Ra.My.Fjala.al/