Kosova është alarmuar mëngjesin e sotëm pasi dyshohet se një bombë është vendosur në Agjencinë e Inteligjencës në Kosovë. Mediat kosovare shkruajnë se Agjencia e Inteligjencës së Kosovës është rrethuar me shirita të verdhë pasi një automjet i parkuar afër institucionit dyshohet se ka lëndë plasëse.
Në vendngjarje ndodhet policia e cila po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa gjithashtu siç shihet nga pamjet e publikuara nga ‘Gazeta Express’, një efektiv me një qen ndodhet pranë automjetit për verifikim të lëndës plasëse.
Gjithashtu, të njëjtat media shkruajnë se në polici, është shoqëruar një person, pronari i mjetit të braktisur që kishte lënë me dyert e hapura pranë AKI-së. Në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe zjarrfikësit.
“Sot, 09 tetor 2020, rreth orës 06:15, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën Prishtinë drejtimi i Fushë Kosovës, gjendet një person i dyshuar me një veturë. Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme në vendin e ngjarjes, ku personin e dyshuar e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor. Në vendin e ngjarjes janë dalë edhe njësitet kompetente policore të cilat janë duke kryer veprimet e mëtejme policore. Rruga në drejtim të Fushë Kosovës është bllokuar, përderisa të përfundojë kryerja e vendshiqimit të vendit të ngjarjes,”– ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Re.Gu/Fjala.al