Arben Rakipi: Korrupsioni në politikën shqiptare është pjesë e programit politik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, bën një analizë të ecurisë së reformës në drejtësi.

Në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU”, Rakipi tregohet optimist dhe e cilëson pozitive atë që është bërë deri tani duke e quajtur si çështjen më të rëndësishme ndarjen e drejtësisë nga politika. Pikërisht për këtë, ai ka bërë një deklaratë, duke e goditur rëndë politikën. “Korrupsioni në politikë është pjesë e programit politik”, u shpreh ai. Gjatë emisionit, Rakipi veçoi tre nga kundërshtarët më të fortë të reformës në drejtësi: politikën, juristët brenda sistemit dhe grupet që shkelin ligjin dhe influencojnë nga jashtë. Gjithashtu, ish-prokurori i përgjithshëm foli edhe për ndryshimet në Kodin Penal. Arsyet përse nuk janë arrestuar politikanët e korruptuar, ecurinë e procesit të vetingut, si dhe ndryshimet që priten të ndodhin në Shkollën e Magjistraturës, Rakipi i shpjegoi në “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU”.

A duhet të jemi të kënaqur me reformën në drejtësi?

Efekti i saj është element thelbësor i reformës. Çdo reformë në letër nuk mund të konceptohet që të qëndrojë atje. Parë në tërësinë e saj, në të gjitha shyllat kryesore, siç është qeverisja e gjyqësorit, apo ligjet procedurale dhe organike të saj, plus vetingu nga krahu tjetër, do të thotë tri shtylla themelore. Unë do ta konsideroja një veprimtari të suksesshme, një nismë po të tillë, por që ka dhe ajo problemet e veta brenda saj, për shembull mënyra e interpretimit të ligjit nga persona të tjerë. Ndoshta tendenca jonë, që në çdo aktivitet që ka diferencë, por jo ndërmjet asaj që ligji përmban me mënyrën se si aplikohet, kultura e përgjithshme e atyre që aplikojnë ligjin, aftësia dhe eksperienca e atyre që aplikojnë ligjin dhe, për më tepër,m përçimi joadekuat i frymës së ligjit me atë që zbatohet në praktikë. Hartimi i ligjeve ka qenë një sukses thelbësor në fatin e drejtësisë. Ajo që ka rëndësi të madhe në këtë proces është qeverisja e gjyqësorit. Qeverisja e gjyqësorit ka rëndësi të posaçme, jo vetëm për shkak të praktikës së mbrapshtë që ne kemi pasur, por edhe për shkak të tendencës që qeverisja e gjyqësorit ta unifikojë qëndrimin në tërësi.

Ju thatë që reforma ka kundërshtarë. Kush e kundërshton atë?

Për mua janë tri grupe kundërshtarësh. Grupi i parë është ai që ka pushtetin, e ndien jo fort komode që të mos e ketë më. Flas gjithmonë për pushtetin në letër. E dyta, janë sistemi brenda vetë. Sistemi brenda vetë, në masë jo të vogël, ka qenë reagues. Mbase për qeverisjen e gjyqësorit nuk kanë qenë të shprehur, mbase jo kundër, por shumë prej tyre kanë qenë kundër me procesin e vetingut. Grupi i tretë mund të jetë grupi që influencon nga jashtë dhe në një mënyrë ose një tjetër mund të ndikohet nga drejtësia e re. Nuk mund të them biznesmenë, se nuk dua të vë shenjën e barazimit ndërmjet biznesmenit dhe atij që ka frikë nga drejtësia, ngaqë është konceptualisht dhe parimisht e gabuar, por them për të gjithë shkelësit e ligjit, të cilët mund të parashikojnë që një sistem drejtësie me tendencë për të shkuar drejt pavarësisë, mund të ishte i dëmshëm për interesat e tyre, qofshin këto edhe pasuria.

A mendoni ju se politika do ta lërë të qetë drejtësinë?

Sjellja e politikës ndaj drejtësisë është e njëjtë. Dikush mund ta bëjë në mënyrë elegante, dikush e bën në mënyrë të dhunshme. Ajo që më pyet, varet nga drejtësia. U bë vite e vite që sistemi i drejtësisë në Shqipëri, pavarësisht influencave të forta që ka pasur dhe mungesës së kushteve për t’u vetëzhvilluar sistemi i drejtësisë, ka qenë një sistem shumë larg për ta konsideruar pushtet të pavarur. Pushteti i pavarur ka qenë një deklarim kushtetues jothelbësor. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri asnjëherë nuk është mbledhur për të qarë realisht hallet e vërteta të sistemit. Nëse do të vazhdojë të jetë kjo gjendja, fati i drejtësisë do të varet nga ky moment. Drejtësia jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën, është sistem elitar. Ndikimi që ka për shkak të ligjit, duhet të jetë një ndikim i gjithë trupës karshi ambientit, qoftë edhe politik. Nëse nuk reagon, nuk bën gjë, nëse imponohet të heshtë, atëherë fati i drejtësisë do të jetë ai që kemi shijuar deri tani.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri i ka lejuar vetes nga pikëpamja profesionale të mbajë qëndrime të ndryshme për çështje të njëjta. Dhe, për rrjedhojë, është vetëdeklaruar si i shthurur. Kjo ka influencuar pastaj edhe në qëndrime të ndryshme të gjykatave të ndryshme.

Edhe ju e konfirmoni se sistemi i drejtësisë ka qenë i shthurur?

I shthurur në kuptimin e të mosqenit unik. I parcelizuar për mënyrën se si ka dhënë vendime të ndryshme për çështje të njëjta. Shpeshherë gjyqtarët nuk kanë respektuar me dashje qëndrime të drejta të kolegëve të tyre për çështje të caktuara. Fjala shthurje jo në kuptimin moral të saj.

Si ka mundësi që nuk arrestohet asnjë politikan i korruptuar?

Kjo është një çështje që do kohë për t’u biseduar. Ambienti dhe zakoni që krijohet në këtë strukturë të posaçme ka rrënjë të thella që vijnë nga kohë të shkuara dhe ambientimi me atë situatë është një çështje që ndikon tek të gjithë. Mungesa e shembullit të mirë nga drejtuesi ose shembulli i keq nga drejtuesi, është një kambanë shumë e fortë për atë që punon në bazë. Për ta mbyllur, mund të shtoj edhe disa fakte të vërteta, reale që janë gjetur gjatë praktikës jo të vogël. Mënyra se si është bërë karriera, se si janë përmbushur nevojat e individëve, shpeshherë ka bërë që individët e papërfshirë në atë mënyrën e parë kanë qenë të shokuar dhe e kanë kuptuar plotësisht faktin që fati i tyre nuk varet më nga profesioni, por nga kontakti dhe precedenti sipas mënyrës që ai ishte në dijeni. Ka një kompleks gjërash të cilat e bëjnë të pamundur besimin që sistemi do të reagojë. Po t’i shtosh atë që thashë në fillim, influencën e madhe të politikës, shtypjen, sulmet e përditshme që ajo i drejton sistemit, kupton se është relativisht e pamundur të gjesh elementë të cilët mund të kenë iniciativa të pavarura për të arritur një rezultat pozitiv.

Lexo edhe :  Vota e Diasporës/Topalli tregon 3 hapat që duhet të ndjekin emigrantët për tu regjistruar

Nëse një student ka bërë Magjistraturën jashtë, a mund ta vazhdojë atë edhe këtu?

Ky është kriteri që besoj se do të përfshihet në një iniciativë ligjore që ministri i Drejtësisë ka ndërmarrë këto ditë. Duke bërë të mundur që studentët shqiptarë që kanë mbaruar një shkollë të barazvlefshme me Magjistraturën, do të jenë në gjendje për të aplikuar në sistem, pa e kaluar Magjistaturën. Është shumë serioze kjo iniciativë.

Ka studentë që kanë mbaruar jashtë?

Ka, mund të kenë qenë në tërësinë e tyre 3-4 vetë.

Nga 267 prokurorë dhe gjykatës që i janë nënshtruar procesit të vetingut, 50% e tyre nuk e kanë kaluar atë. Çfarë domethënie ka për ju?

-Statistika është shkencë ekzakte dhe nuk të lë të dalësh në konkluzione të gabuara, por në këtë rast them se duhet marrë në koordinim me këtë që sapo thashë. 50% është një shifër e lartë dhe të mendosh që sistemi është asnjanës. Shifra do të konsiderohej skandaloze meqë bëhet fjalë për sistemin që duhet të sigurojë dhe japë drejtësi. Praktika në tërësi e këtyre proceseve mund të të japë raste dhe argumente ku vendimi mund të ishte marrë më ndryshe. Mund dhe duhet të kishin zbutur një pasaktësi të karakterit ekonomik. Por kjo është çështje e atij sistemi dhe mua nuk më lejohet të ndërhyj. Ashtu siç e kam kuptuar unë procesin, kur e dizenjuam, e kam kuptuar pak më ndryshe. Unë do të vlerësoja cilësinë e punës së kandidatit në çështje konkrete dhe përmes çështjeve të arrija të zbuloja pse kandidati ka gabuar. Sepse kjo do të ishte identifikimi i shkaqeve të gabimit, shërben edhe si ilaç për sistemin.

Ka emra konkretë për të cilët juve ju ka ardhur keq që janë larguar nga sistemi?

Unë kam boll emra, por s’e di a më lejohet t’i përmend. Ka në prokurori disa persona që të paktën unë në atë kohë i kam konsideruar si bashkëpunëtorë të afërt. Marr shembull Arqile Koçën, ka qenë një nga prokurorët dinjitozë të asaj periudhe. Nuk e di ç’ka ndodhur me të në këto vite që unë jam larguar e deri më sot, por nëse është ai Arqile që ka qenë, do të habitesha që të ketë pësuar një fat të tillë.

Manovrat politike janë të palejueshme, përndryshe do të jenë argument i besueshëm që je i pabesueshëm, për shkak të politizimit të qenies. Manovrimi nëpërmjet politikës për të shkuar diku, teknikisht është rruga e vetme, për shkak se politika do të votojë nesër, pasnesër një ndryshim të mundshëm ligjor, por për nga pikëpamja e hierarkisë që vendoset në këtë aleancë, jam shumë i sigurt që ata janë nën influencën e politikës, ndërkohë që është politika që po u bën një favor atyre e, për rrjedhojë, borxhi që u krijohet atyre është i madh, një borxh i cili do të shlyhet nesër.

Besoni që institucionet e reja do të arrijnë atë pritshmëri që ka opinioni publik?

Duhet kohë. Grupi i prokurorëve që është atje ka kulturën e punës që e dallon njërin nga tjetri. Dikush ka shumë eksperincë, dikush ka pak eksperiencë, dikush ka punuar në drejtim, dikush nuk ka punuar fare. Po t’i shtosh kësaj ligjet e reja që janë futur, bën një kompleksitet gjërash atje brenda që ajo që të vjen në mend është se duhet pak kohë për t’u ambientuar me të rejat. Kur them që duhet kohë, këtë kam parasysh, plus influencave të zakonshme.

Kjo vlen edhe për SPAK-un?

Jo. Çështja e kohës vlen vetëm në një aspekt, sepse ata janë duke bërë të njëjtën punë. Ata ishin prokurorë, vazhdojnë të jenë prokurorë, kishin ndihmë nga policia, kanë ndihmë nga policia, nuk kanë asnjë argument.

A jeni optimistë që ata do të arrijnë rezultate?

Çështja e kohës te këta vlen vetëm për faktin e vetësugjestionimit, të vetëvlerësimit, që të kalojnë shkallë pas shkalle deri atje ku duhet.

Do të kenë rezultate?

Unë them se po. Punët e mëdha bëhen nga njerëz të mëdhenj. Njerëzit e zakonshëm nuk bëjnë punë të mëdha.

A kemi te SPAK-u të tillë njerëz?

Mund të ketë dy prej tyre që i njoh, mund të jenë të tillë.

Cila është përmbysja thelbësore e Kodit Penal?

Ka shumë gjëra të ndryshme. Sistemi i dënimeve në tërësinë e tij fillon e lehtësohet. Dënimi penal nuk është mjeti i domosdoshëm për të ndryshuar rrjedhën e kriminalitetit në vend. Janë shtuar dënime plotësuese për çdo vepër. Viktima të ketë rol parësor në proces. Në Kodin Penal kemi gjetur mundësinë për ta futur mendimin e viktimës si një nga elementet nëse çështja duhet të vazhdojë apo jo. Është një rregullim shumë i hollësishëm i personave juridikë, i kompanive, i subjekteve tregtare. Kemi bërë një grup jo të vogël normash që rregullojnë këtë çështje. Pastaj janë çështjet që lidhen me dënimin në tërësi. Çështja e dënimit ka pasur kundërshti të madhe prej vitesh.

Unë e di që ju keni dashur ta ndaloni korrupsionin në politikë, por nuk ju lejuan.

Korrupsioni në politikë është vijë politike. Është sjellje politike, nuk është sjellje kriminale. Është program politik. Është shumë e vështirë për ta luftuar.

A ka ndryshuar brezi i ri i politikanëve?

Nuk i vëzhgoj, nuk më interesojnë. Me zotin Nano, i cili ka qenë kryeministër në kohën kur unë isha prokuror i përgjithshëm, kam ngelur shumë i kënaqur nga marrëdhënia institucionale. Ka ditur ç’është ligji, ç’është prokuroria, dhe ka pasur respekt pa fund për pavarësinë, edhe timen. Nuk ka pasur asnjëherë tendencë për të ndërhyrë për çështje dhe, për rrjedhojë, merr për mua, pikët maksimale si statist.  /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Shqiptarët heqin dorë nga makinat e vjetra, rritet përdorimi i modeleve të reja

Shqiptarët po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për rinovimin e flotës së automjeteve, duke hequr dorë nga makinat...

Gripi dhe ftohja: Cilat janë ngjashmëritë dhe ndryshimet?

Kur fillon të të dhemb fyti, hunda fillon të të rrjedhë dhe kthimi në shtrat duket më joshëse se kurrë, atëherë mund të kesh…...

“Fto në podcast motrat Hoxha”, Arbana Osmani i përgjigjet ndjekëses

Moderatorja e njohur Arbana Osmani i është përgjigjur një komentuesi në Instagram i cili i sugjeroi të ftojë në podcast producentet e “Top Channel”,...

Mërtiri: Berisha nuk e ka luftën me Ramën, por me Altin Dumanin

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi i Prokurorisë së Posaçme, 5 vjet më parë. Sjellja e politikës ndaj SPAK është bërë edhe më...

Cila është dita juaj me fat sipas shenjës së horoskopit?

Për shumicën e njerëzve dita më e mirë është e premtja dhe arsyeja është sepse fundjava fillon menjëherë pas. Megjithatë, astrologjia mund të shpjegojë...

Lajme të tjera

Web TV