Njëzetepesë shqiptarë janë riatdhesuar mesditën e kësaj të marte nga Franca. Policia e Shtetit njofton se shqiptaret e riatdhesuar kishin kërkuar azil në Francë.
Para periudhës së pandemisë së koronavirusit Covid-19, thuajse çdo muaj kishim riatdhesime të shqiptarëve nga vende të BE-së ku ata kishin kërkuar azil.
Kujtojmë se në periudhën e pandemisë riatdhesimet u ndërprenë. Por sipas policisë shqiptare, operacione të tilla riatdhesimi do të vijojnë edhe gjatë muajve në vijim.
Mësohet se riatdhesimet bëhen në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet përkatëse të BE-së, me të cilët janë bashkërenduar veprimet. Çdo grup të riatdhesuarish shoqërohet me një eskortë të Policisë shqiptare.
Në njoftimin e shpërndarë për median, Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.
Ndërkohë, Policia Kufitare ka shtuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, për dokumentacionin dhe plotësimin e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe ka forcuar kontrollet në kufirin e gjelbër.
la.mi/Fjala.al