Nga Roland Qafoku
Deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia, njëkohësisht edhe anëtar i komisionit parlamentar të sigurisë, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon situatën politike në vend dhe, veçanërisht, merr në analizë rendin dhe sigurinë. Deklarata e fortë e Qefalisë se brenda strukturave të OFL-së ka elementë që bashkëpunojnë me krimin kundrejt ryshfetit…
Ka një rritje të kriminalitetit në vend….
Ka një sërë faktorësh për rritjen e kriminalitetit në vend. E rëndësishme është nëse qëndron apo jo vullneti për t’i luftuar dhe për të hetuar e për t’i çuar përpara drejtësisë. Zbulimi i elementëve kriminalë nuk mjafton vetëm në punën e policisë deri në zbulimin dhe dërgimin e tyre prapa hekurave. Është një proces i gjatë i cili vazhdon deri në marrjen në maksimum të dënimit. Kemi shumë raste njerëzish me dënime të rënda dhe u është hapur porta e burgut. Janë një sërë faktorësh zinxhir.
-Edhe këtu po lirohen disa.
Absolutisht. Por nuk është mazhoranca, kryeministri, kryeprokurorë apo kryegjyqtarë. Nuk e liron qeveria të burgosurin. Ka gjyqtarë të cilët vetingu i ka flakur, i ka hedhur në rrugë.
-Edhe qeveria më e dobët në botë nuk lejon gjëra të tilla.
Po sistemi i drejtësisë nuk varet nga qeveria. Nuk vendos kryeministri dhe ministri i Drejtësisë që kanë juridiksion për të monitoruar burgjet, mbahen apo lirohen nga burgu. Nëse ka një vendim gjykate, duhet liruar dhe kemi shumë veta të cilët janë liruar. Të mos përmendim emra, që ta ulim nivelin e bisedës, të cilët janë liruar padrejtësisht. Kjo është një luftë e përhershme. E rëndësishme është që të mos ketë segmente të qeverisë, mos ketë segmente nga policia, të cilët u japin suport dhe mbështetje këtyre elementëve kriminalë.
-Në tetë vite janë ndërruar tre ministra të Brendshëm. Kë vlerësoni më shumë?
Nuk mund t’i marrësh në mënyrë nominale për të përcaktuar se cili ka qenë më i suksesshëm. Sepse shikohen në kontekst të kohës në të cilën kanë drejtuar. Nëse marrim zotin Tahiri, për të cilin kam vlerësime maksimale për punën që ka bërë, sepse mori një polici të shkërmoqur, një polici të politizuar.
Vullneti politik i kësaj mazhorance në kohën që ka drejtuar zoti Tahiri ka qenë një gjë e jashtëzakonshme. Një përmbysje reale. Kishim punonjës policie që lëviznin me thes me patate dhe me kallashnikov me biçikletë. Nuk kishte një personalitet, një dinjitet, i cili të kishte edhe uniformën, edhe gradën, dhe detyrën. Tahiri është duke u përballur si askush tjetër me drejtësinë. Si asnjë ministër tjetër dha dorëheqjen, u largua nga Parlamenti, dhe po ballafaqohet.
Për aq kohë sa qëndroi Tahiri, ka bërë një punë të mrekullueshme. Zoti Xhafaj punoi në një kohë tjetër, pati dhe ai goxha suksese për sa i përket skedimit të grupeve kriminale, pavarësisht kohës relativisht të shkurtër. Për të ardhur të zoti Lleshaj i cili ka treguar një mënyrë disi më ndryshe. Nuk ka pasur ngarkesa politike, nuk ka qenë drejtpërdrejt përfaqësues politik, pavarësisht se drejton një institucion politik, sepse qe vullneti i kryeministrit për ta vënë në krye të Ministrisë, por po bën një punë të jashtëzakonshme për t’u distancuar nga pjesa e policisë, për ta lënë policinë të punojë. – Dje isha jashtë Tirane me disa miq të mitë.
Po diskutonim me disa që nuk ishin votues të Partisë Socialiste. Dhe po më thoshte: “Policia nuk përgjigjet.” I thashë unë: “Si nuk përgjigjet? Do të bëjmë një provë?” Marr telefonin, i bie 129 dhe vetë isha në mëdyshje. Thashë këtu në Skrapar s’do të përgjigjet policia. Megjithatë, i rashë 129, më thanë “Përshëndetje, policia e rendit në Poliçan” . Të mora, – i thashë, – se ishim me disa miq dhe më thanë që nuk përgjigjet policia. Nuk e dinte ai që numri im do t’i merrte. Dua të them që policia është shumë më ndryshe.
-Zoti Qefalia, cili është komenti juaj lidhur me kultivimin e kanabisit?
Duhet ta pranojmë që ka një tendencë për ta zgjeruar. Para dy vjetësh pati një shpartallim total të të gjithë individëve kriminalë të cilët vazhdonin ta kultivonin kanabisin. Janë shumë faktorë që ndikojnë në periudha fushatash dhe në prag të fushatave elektorale, pasi elementët kriminalë fillojnë edhe zgjohen, fillojnë marrin suport, pse jo dhe premtime elektorale.
Por një farë këmbënguljeje duhet edhe nga ana e Policisë së Shtetit, por jo vetëm, edhe pushteti vendor, dhe organet e tjera, ka pasur një luftë frontale. Në fakt, nuk është një luftë që përfundon menjëherë. Kjo që nuk është se ndodh vetëm në Shqipëri. Është një luftë e pandërprerë. Janë shumë faktorë që duhen diskutuar. Nëse qeveria hesht dhe mbyll sytë, atëherë ka përgjegjësi qeveria.
-Zoti Qefalia, si është të jesh polic sot?
Një polic sot nuk është gjithçka për të thënë se punonjësi i policisë ka arritur maksimumin dhe është i mirëtrajnuar, i mirëveshur, i mirëpërgatitur, janë një sërë faktorësh që, për hir të së vërtetës, ka ende shumë punë për të bërë, për të pasur një polic profesionist, që të jetë në krah dinjitoz të një polici të vendeve të BE-së.
Kjo është një periudhë tranzicioni ku policia po bën një rigjenerim total të të gjitha strukturave. Me këtë nuk dua të them që të flaken në rrugë punonjës policie profesionistë, të cilët e njohin elementin kriminal, të cilët kanë statistika. Jemi në vitet 2020 dhe policia ka ende shumë për të bërë, për t’u rigjeneruar. Janë konkurse shumë mbreslënëse. Punonjësi i policisë sot nuk është më ai i rëndomti.
-A të kanë kërkuar të hysh mik zoti Qefalia, për të marrë konkursin?
Absolutisht po. Më pyeste njëri një ditë çfarë do të bësh për djalin tim, i ka kapur të gjitha normat, por është 1,69 i gjatë. Po nuk e zgjas dot unë atë. Nuk kam ç’ti bëj unë atij. Por është vërtet e pamundur për të ndërhyrë. Nuk arrin dot të çash.
-Zoti Qefalia, si mund ta quajmë në betejën e qeverisjes së PS-së me atë që quhet operacioni OFL. Cilat janë rezultatet?
Këtu unë ndaj edhe disa kritika nga disa individë të Policisë së Shtetit ku, sipas disa informacioneve, nuk e bëjnë punën në mënyrë korrekte. Disa individë të veçuar, për të cilët di dhe raste që janë ndëshkuar nuk e kryejnë në mënyrë optimale detyrën. Pasi mënyra që po zhvillohet kjo luftë ndaj këtyre elementëve nuk është diçka e cila zë fill vetëm me skedimin e tyre dhe me pasuritë.
Ka pasur raste edhe dekonspirimesh, por ka pasur raste edhe individë të veçantë të cilët kanë abuzuar në emër të detyrës. Duke thënë një individ i cili nuk figuron fare të jetë i listuar në radhën e ish- të dënuarve, kanë vajtur individë të veçantë dhe e kanë dekonspiruar apo kanë hyrë në marrëdhënie me ta. Natyrisht, është bërë veprim i paligjshëm. Unë di që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka qenë efikas, i ka bërë shembull dhe i ka larguar nga strukturat e policisë.
Unë kam raste të cilat di që disa individë janë ndëshkuar dhe janë larguar nga policia. Këtu iu tërheq vëmendjen atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët duhet të jenë shumë korrektë në respektimin e masave rigoroze për ta zbatuar siç është shkruar në ligj pikë për pikë. Nuk është ideja që këtu përfundon gjithçka. Hyjnë në lojë organet e SPAK-ut, organet e drejtësisë. Është një gjë e cila është shumë transparente.
-Si ndiheni kur shikoni varfëri?
Absolutisht është keqardhje. Nuk mund të pretendosh që luksi është kudo. Ka ende individë që janë pa punë. Ka familje fëmijët e të cilave janë në emigrim. Ne e shikojmë të mënyra se si shpërndahen këto grantet nga bashkia për shtëpitë e dëmtuara.
-Nëse Rama largohet nga drejtimi i PS-së, mendoni se Veliaj është pasardhësi i tij në PS?
Partia Socialiste ka një histori shumë pozitive në mënyrën se si janë qasur liderët në këtë parti. Janë strukturat e partisë që do të vendosin se kush do të jetë lideri i PS-së. Do të jetë një garë e hapur. Nëse është më i suksesshëm, mund të jetë, por nuk është se është i garantuar. Në PS ka një proces dialektik, një proces zhvillimor.
-Sa ekziston mundësia që PS-ja të bëjë koalicion me PD-në?
Zero. Sepse ne nuk do të presim koalicionet. Ne do t’i fitojmë të vetëm zgjedhjet. Do të na votojnë qytetarët, çfarë të themi ne.
Jo.Be/Fjala.al