Adrian Civici posaçërisht për “Fjala/Si t’i “lexojmë” vlerësimet e BERZH-it dhe të Bankës Botërore për ecurinë ekonomike?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici 

 Më shumë sesa përfshirja në “luftën e shifrave” apo pozicionimet radikale në llogoret politike për thellësinë e recesionit në vitin 2020, apo rritjen ekonomike në 2021, “leximi” i vlerësimeve dhe parashikimeve të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, si FMN-ja, BERZH-i apo Banka Botërore duhet bërë me lentet e analizave të specializuara dhe rekomandimeve thelbësore të tyre për marrjen e masave dhe hartimin e politikave sa më efikase e koherente në funksion të përballimit të pasojave të rënda, të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe krizës shumëdimensionale të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. 

Parashikimet dhe vlerësimet e ndryshme për gjendjen dhe perspektivën afatshkurtër dhe afatmesme të ekonomisë shqiptare, të bëra nga qeveria dhe institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, janë të ndryshme, aq sa shpesh të krijohet përshtypja e një “loje kungulleshkash” me shifrat, sidomos me ato që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike. Çdo ditë “bombardohemi me parashikime e vlerësime” për rënien dhe recesionin ekonomik të vitit 2020 dhe rritjen ekonomike të mundshme në vitin e ardhshëm 2021.

Qeveria parashikon një rënie ekonomike prej – 5-6%, Banka e Shqipërisë -7,6%, Banka Botërore -8,4%, BERZH-i -9%; ndërkohë që për vitin 2021 rritja ekonomike parashikohet: qeveria 6-7%, BERZH-i 4,5%, Banka Botërore 5 -5.5% etj. Por, e përkthyer në shifra konkrete, çdo 1% rritje apo rënie e PBB-së është e barabartë me rreth 150 milionë euro më pak apo më shumë si vlerë e re e krijuar apo e munguar në ekonominë shqiptare. Një diferencë prej 4% (-5% apo -9%) është e barabartë me 600 milionë euro, shifër që ndikon ndjeshëm në buxhetin publik, nivelin e borxhit, punësimin, të ardhurat dhe fuqinë blerëse, investimet publike, qëndrueshmërinë makroekonomike etj.

 Për këtë arsye, këto vlerësime e parashikime duhen analizuar me kujdes, për të kuptuar shkaqet thelbësore reale të evidentimit të tyre, duhen “përkthyer” si duhet, në mënyrë që konkluzionet dhe elementet kryesore të analizës së tyre të kuptohen drejt dhe më pas të korrigjohen, duke u kthyer në instrumente zhvillimi të qëndrueshëm për të ardhmen. Çdo gjykim “gjaknxehtë”, “gjakftohtë”, “nihilist” apo thjesht “politik” i tyre nuk shërben si “një analizë efikase nga rezultatet e së cilës do të vlerësohet objektivisht gjendja e ekonomisë, si dhe do të përcaktohen kurat dhe ilaçet përkatëse”. 

Në këtë këndvështrim, duhen parë e “përkthyer” dhe vlerësimet e fundit të BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe të Bankës Botërore për pritshmëritë për ecurinë ekonomike të Shqipërisë dhe parashikimet për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm. Me çfarë “lentesh zmadhuese” e shohin dhe e vlerësojnë BERZH-i dhe BB-ja ekonominë, kur parashikojnë një rënie ekonomike prej -8.4 apo -9% për 2020?, dhe një ulje drastike të parashikimit për 2021: vetëm 4,5% apo 5,5%, ndërkohë që pesë muaj më parë, në maj 2020, BERZH-i parashikonte një rritje prej 12% në vitin 2021?

Një ulje kjo shumë më e madhe se parashikimi për shumë vende të tjera të rajonit apo edhe më gjerë. Ku konsiston “radiografia” e BERZH-it dhe BB-së? Përse një recesion -8,4 apo -9%? Faktori i parë: ekonomia shqiptare mori dy goditje shumë të rënda, të njëpasnjëshme, – tërmeti i 26 nëntorit i 2019 dhe pandemia e COVID-19, veçanërisht periudha mars-qershor 2020.

Ndikimet më të mëdha negative erdhën nga sektori i turizmit, i cili ka punuar me më pak se gjysmën e kapaciteteve të tij – ndikim negativ që u ndie pothuajse në të gjitha vendet e botës që e kanë turizmin sektor të rëndësishëm të ekonomisë, aq më tepër në vendet tipike “turistike” të rajonit tonë, si Greqia, Turqia, Mali i Zi, Kroacia, Italia, Malta, Maqedonia e Veriut etj. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit (UNOBT), “Rajoni Azi-Paqësor ka humbur 60 për qind të turistëve… Evropa ka humbur 58 për qind të turistëve… Lindja e Mesme humbi 51 për qind, ndërsa Amerika dhe Afrika humbën nga 47 për qind të turistëve të tyre…”.

Në Shqipëri goditja u amortizua relativisht nga numri i lartë i shqiptarëve të Kosovës që vazhduan të vijnë masivisht në Shqipëri, pavarësisht rrezikut të koronavirusit, si dhe nga rritja e turizmit të brendshëm, kryesisht si pasojë e mbylljes së kufijve dhe pamundësisë së lëvizjes jashtë vendit. Fakti që turizmi në Shqipëri e ka mbi 90% të aktivitetit të tij të shtrirë në muajt qershor-shtator, duke qenë një turizëm kryesisht veror e bregdetar, ndërkohë që sektori i turizmit kontribuon me rreth 1,8 miliardë euro/vit në PBB, ose rreth 20-22% e tij, është një nga faktorët kryesorë që BERZH-i dhe BB-ja kanë marrë në konsideratë në parashikimin pesimist për një recesion prej -8.4 deri –9% për vitin 2020.

Ndikimi tjetër negativ erdhi nga “goditja e rëndë që morën bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit”. Bizneset e vogla rezultuan me shkallë të ulët rezistence dhe të pambrojtura nga efektet e krizës: rënia e konsumit, ulje e xhiros, akses i kufizuar në financime, rënie e ndjeshme e fuqisë blerëse të klientëve, nevoja të paplotësuara për likuiditet për pagat dhe detyrimet ndaj furnitorëve, akses i limituar në fondin e garancisë sovrane, model biznesi i papërshtatshëm, nivel i ulët konkurrueshmërie, shkallë e lartë informaliteti, nivel i ulët produktiviteti dhe formimi profesional, gjendje e paqëndrueshme financiare, pamundësi pagesash detyrimesh gjatë këtyre muajve të vështirë etj.

Situata paraqitet e vështirë dhe për tremujorin e tretë të 2020-ës. Sipas revistës Monitor dhe listës së përditësuar të Tatimeve, në 4 muajt e fundit, rreth 2800 biznese kanë kaluar në status pasiv, duke evidentuar si shkaqe kryesore të mbylljes së aktivitetit të tyre: rënien e xhiros dhe fuqisë blerëse nga COVID-19, taksat vendore, gjobat, anulimin e shumë kontratave, pamundësinë financiare për të paguar qiranë dhe taksat, largimi në emigracion, për shkak të mungesës të punës, mbarimin e ndihmës në kuadër të paketave financiare 1 dhe 2 etj. “….Më të prekur nga kriza e COVID-19 rezultojnë të vetëpunësuarit, në rrobaqepësi, berberët, lavazhe, bilardo, pasticeri, por edhe ata në shërbime, si kafene, restorante, agjenci turistike dhe udhëtimi, shërbimi taksi, transporti i udhëtarëve dhe mallrave.

Lexo edhe :  Me fëmijën e sëmurë në automjet, qytetarja përplaset me protestuesit: Lironi rrugën

Sipas BERZH-it, protokollet e rrepta sanitare antiCovid që pritet të vazhdojnë edhe në muajt në vazhdim, bllokimi i lëvizjes normale të njerëzve, vështirësitë me natyrë tregtare e kontraktore, sidomos me vende partnere të rëndësishme tregtare, si Italia, Greqia, Turqia, Kina etj, frenimi apo dhe ristrukturimi i konsumit të shumë familjeve shqiptare, në përputhje me situatat e reja, ulja e të ardhurave për mjaft familje, frika e një rikthimi apo vale të dytë të pandemisë, paqartësitë dhe debatet politike në lidhje me paketën ndihmëse pro-biznes, apo planin e rimëkëmbjes, konfliktualiteti i lartë politik etj., edhe për muajt në vazhdim, duket se do të mbeten faktorë frenues për ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe sektorët e prekur më rëndë në veçanti. Për BERZH-in dhe BB-në, këta mbeten faktori i dytë i rëndësishëm në goditjen që pësoi e vazhdon të pësojë ekonomia shqiptare.

Aq më tepër që të vetëpunësuarit dhe biznesi i vogël përbën mbi 90% të aktivitetit dhe punësimit në ekonominë shqiptare. Në kushtet e një situate të paqartë dhe plot rreziqe, të lidhura veçanërisht me ecurinë e pandemisë së COVID-19 në muajt në vazhdim, paqartësive të lidhura me ecurinë e ekonomive të vendeve kryesore partnere në tregti dhe kontrata bashkëpunimi, si Italia apo Greqia (në periudhën e mbylljes më të rreptë (mars-maj 2020) eksportet e mallrave drejt Italisë ranë mbi 40%, në krahasim me vitin e shkuar. Në përgjithësi eksporti i mallrave në shtatë muajt e parë të 2020 ishte 17% më pak se vitin e shkuar), si dhe situatës së rënduar politike e konfliktuale në Shqipëri, e cila e ndihmon pak ose aspak hartimin e politikave efikase të ndihmës ndaj bizneseve të vogla dhe ristrukturimin e ekonomisë shqiptare, edhe parashikimet për rritjen ekonomike në vitin e ardhshëm nuk janë aspak optimiste.

Paketat e deritashme “konsistojnë kryesisht në rritjen e shpenzimeve qeveritare, garanci sovrane dhe pagesa sociale. Këto masa janë të nevojshme për të parandaluar efektet e menjëhershme negative të krizës, por masat afatgjata do të jenë thelbësore për tejkalimin e saj”.

Sipas BERZH-it, “Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor predominohen nga një numër i madh biznesesh të vogla, të cilat janë më pak konkurruese se bizneset e mëdha… Përmirësimi i qasjes në financime për bizneset e vogla dhe të mesme si dhe konsulenca në hartimin e strategjive, marketingut, operacioneve, menaxhimit të cilësisë, eficencës së energjisë apo menaxhimit financiar janë elemente kyçe që mund t’i ndihmojnë me rritje dhe eficencë më të lartë. Kjo është gjithashtu në thelb të asaj që BERZH-i bën përmes instrumenteve të ndarjes së riskut me bankat tregtare për të çliruar kredidhënien për bizneset e vogla dhe të mesme dhe përmes programit për këshillim të bizneseve të vogla”.

Parashikimi për vitin e ardhshëm është kryesisht i ndikuar nga ndryshimi i pritshmërive për kohën e rimëkëmbjes nga pandemia dhe treguesit e rinj ekonomikë që sugjerojnë një rritje më të ngadaltë. Së treti, “Kriza si një oportunitet për hartimin e zbatimin e politikave të rëndësishme strukturore” që do ta përmirësonin ndjeshëm modelin ekonomik të Shqipërisë për vitet në vazhdim.

BERZH-i dhe Banka Botërore sugjerojnë adaptimin e një këndvështrimi dhe veprimi optimist afatgjatë të politikave të zhvillimit ekonomik, mbështetur në “reforma të rëndësishme strukturore”, të cilat duhet të synojnë “rritjen e konvergjencës së ekonomisë shqiptare me ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në një perspektivë jo të largët me ekonomitë e vendeve të BE-së”, “rritjen e shpejtë të nivelit të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së disa prej sektorëve jetikë të ekonomisë shqiptare”, “rritjen e prodhimeve, shërbimeve dhe eksporteve për ta ristrukturuar ekonominë shqiptare drejt prodhimit dhe eksporteve më shumë sesa kundrejt importeve dhe konsumit”, “uljen drastike të informalitetit”, “përmirësime themelore të klimës së biznesit dhe krijimin e një mjedisi biznesi më tërheqës për investitorët, veçanërisht IHD”, “thjeshtimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit dhe procedurave të taksave” pasi veçanërisht në këtë aspekt Shqipëria ka ndërmarrë e vazhdon të ndërmarrë një seri masash e politikash të paqëndrueshme, kaotike, afatshkurtra, populiste e elektorale, “modernizimin e ekonomisë me fokus kryesor teknologjitë e reja dhe inovacionin, start up dhe inteligjencën artificiale”, “politika të dedikuara për rritjen cilësore të aftësive dhe kompetencave të kapitalit njerëzor” pasi në këtë aspekt, Shqipëria po krijon një handikap shumë të madh në raport me vendet e rajonit dhe ato të zhvilluarat, “politika strukturore për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe kufizimin e riskut fiskal që lidhen me programet e partneritetit publik-privat”, “politika specifike për përmirësimin e kapaciteteve zbatuese të administratës publike në kuadër të shfrytëzimit maksimal të burimeve të disponueshme, si dhe zvogëlimin e hendekut midis angazhimit të fondeve buxhetore dhe materializimit të projekteve” etj./Jo.Be/Fjala.al

 

 

 

 

Të fundit

Efektet anësore në organizëm nëse konsumoni çdo ditë ëmbëlsira

Ëmbëlsirat kanë një efekt ngushëllues dhe plotësues për shumë njerëz që kur janë të stresuar duan të hanë patjetër...

Përplasi për vdekje këmbësorin, arrestohet 40-vjeçari në Dibër

Policia e Dibrës ka bërë të ditur arrestimin e shtetasit G.Gj., 40 vjeç, drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen...

Nikoll Lesi: SPAK ka nën hetim dy oligarkë dhe një pronar mediash

Nikoll Lesi shkruan në gazetën e tij se SPAK shumë shpejt do të arrestojë një ish-deputet të fuqishëm, ndërkohë që ka nën hetim dhe...

Shqipëria hap ambasada të reja në 2025-ën, ministri i Jashtëm zbulon 4 shtetet…

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zhvilluar një komunikim me gazetarët ditën e sotme, teksa ka zbuluar se vitin e ardhshëm Shqipëria do të...

Pse nuk duhet t’i qëroni frutat dhe perimet

Sipas hulumtimit të publikuar në revistën “Advances in Nutrition”, kur hiqen lëkurat  frutave dhe perimeve, një përqindje shumë e konsiderueshme e lëndëve ushqyese që...

Lajme të tjera

Web TV