Covid-19/ Periudha vjeshtë-dimër, masat që pritet të merren për përballimin e infektimeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari 

Teksa ulja e temperaturave është shoqëruar me rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19 dhe shtim të thirrjeve në Urgjencën Kombëtare, nga persona të cilët dyshojnë se janë të infektuar me virus, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tregon masat e ndërmarra për përballimin e situatës. Manastirliu shprehet se një ndër hapat e marrë është dyfishimi i ekipeve mjekësore të urgjencës për trajtimin e të infektuarve në banesë.  

Urgjenca Kombëtare  po përballet me një fluks të konsiderueshëm, për shkak të pandemisë COVID-19 gjatë ditëve të fundit.  Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa shprehet se po vihet re një rritje e numrit të thirrjeve nga qytetarët të cilët dyshojnë se janë të prekur me koronavirus.

Gjatë takimit me ekipet e reja të urgjencës, në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Manastirliu theksoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1700 thirrje dhe janë kryer 45 misione në banesë, nga të cilat 22 janë dërguar në spital dhe 23 janë trajtuar në banesë. Mësohet se prej fillimit të epidemisë deri më sot, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka pritur 571990 thirrje dhe ka kryer mbi 103117 misione.

Ministrja bën me dije se janë 5693 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2 që kanë marrë trajtim nga Urgjenca Kombëtare nga të cilët 2895 në banesë dhe 2798 janë transferuar në spital.  Në këtë situatë ku ndodhet aktualisht vendi, për shkak të përhapjes së virusit dhe uljes së temperaturave, sipas Manastirliut, është e rëndësishme të dyfishohen ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare, për t’u përballuar edhe me një sfidë tjetër, që është sfida e trajtimit në banesë sipas protokolleve të reja.

Lidhur me rritjen e thirrjeve e cila është shoqëruar ditët e fundit me rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se po vijojnë trajnimet për ekipet mjekësore në të gjitha nivelet, për t’iu përgjigjur situatës. Brataj shpjegoi se në momentin që pacienti përkeqësohet ose ka marrë një kurë të përcaktuar nga specialisti, mund të bëhen trajtime në banesë. “Po vijojmë me trajnimet jo vetëm të ekipeve të reja, por të të gjithë stafit mjekësor, duke filluar nga mjekët e familjes.

Ndërkohë, në bashkëpunim me mjekun e familjes dhe linjën 08004040 që bën lidhjen e menjëhershme me mjekun e familjes, do të integrojmë shërbimin në banesë. Në momentin që pacienti përkeqësohet, ose në momentin që pacienti ka marrë një kurim të përcaktuar nga specialisti, mund të bëhen trajtime në banesë. Prej 3 vitesh ne kemi setin e plotë të urgjencës dhe i kemi të gjitha pajisjet.

Kemi porositur të gjitha medikamentet në bazë të protokollit për sa i përket trajtimit edhe të formës së mesme nga ekipet tona”, tha dr. Skënder Brataj. Duke u shprehur se Urgjenca Kombëtare ka përballuar një fluks të konsiderueshëm, Manastirliu siguroi mbështetjen për ekipet e urgjencës mjekësore. Periudha vjeshtë-dimër, sipas ministres, nuk do të jetë e lehtë, për këtë arsye gjatë kësaj periudhe janë shtuar rreth 45 personel që i janë bashkuar ekipit të Urgjencës Komëtare.

“Pa dyshim, vjeshtë-dimri nuk do të jetë i lehtë, por jemi përgatitur brenda mundësive tona, jo vetëm me kapacitetet që disponojmë, por edhe me stafin e shtuar, ku edhe gjatë periudhës së epidemisë janë 45 personel që i janë bashkuar ekipit të Urgjencës Kombëtare.

Po ashtu, edhe mbështetja logjistike nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë. Edhe 36 autoambulanca të reja do t’i shtohen Urgjencës Kombëtare brenda vitit, për të garantuar një shërbim më të mirë, më të shpejtë për qytetarët, sidomos në situatën e epidemisë”, tha Manastirliu, teksa theksoi se zbatimi i rregullave dhe mbajtja e maskës me detyrim për çdo qytetar, është një ndër mënyrat që do të ndihmojnë në uljen e përhapjes së infeksionit.

Përdorimi i maskave 

Ndërsa nesër pritet të hyjë në fuqi vendimi për mbajtjen e maskave në çdo ambient, Silva Bino, përgjegjësja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, shprehet se ky vendim është më se i drejtë dhe vjen në kohën e duhur. Kjo pasi, sipas Binos, kemi shumë fakte që tregojnë se sa i rëndësishëm është përdorimi i maskës në mjedise mbyllura dhe të hapura, për parandalimin e përhapjes së Covid-it.

Lexo edhe :  Zgjdhjet e 2025, ja kur nis procesi i regjistrimit të emigrantëve për të votuar më 11 Maj

“Mendoj që vendimi vjen në kohën e duhur, pasi sot kemi shumë më tepër fakte dhe të dhëna nga bota, por edhe nga eksperienca jonë, që tregojnë për rëndësinë e përdorimit të maskës në mjedise mbyllura dhe të hapura në drejtim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Mbajtja e maskës nuk përjashton distancimin fizik, por vërehet se distancimi fizik nuk ruhet përherë, njerëzit takohen, qëndrojnë shpesh afër, pa e kuptuar dhe ruajtur atë”, shkruan Bino, e cila më tej thekson se njerëzit flasin me njëri-tjetrin në rrugë, në zyra, apo jashtë shtëpisë, dhe kështu mund të ndodhë transmetimi.

Duke qenë se maska tashmë do të përdoret pothuajse gjatë gjithë ditës, Bino thekson se duhet të përdoren maskat kirurgjikale, por edhe maskat mbrojtëse prej tekstili, të cilat duhet të kenë dy ose më shumë shtresa, pasi, sipas saj, lejojnë frymëmarrjen dhe nuk kanë kosto, meqë mund të lahen dhe të ripërdoren.

“Natyrisht, fëmijët nën një moshë të caktuar, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë të vendosin apo heqin maskën, apo persona që kryejnë aktivitet fizik, nuk mund ta mbajnë gjatë aktivitetit fizik, për shembull vrapimit apo kur i japin biçikletës apo gjatë futbollit, si dhe të tjera. Po ashtu, kur hamë dhe pimë nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet”, deklaron Bino.

Situata epidemiologjike 

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1055 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 182 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se rastet pozitive janë identifikuar me shifra të larta në kryeqytet, për t’u ndjekur më pas nga Shkodra, Korça dhe Lushnja. Konkretisht, rastet pozitive janë konfirmuar: 61 në Tiranë, 19 në Shkodër, 12 në Korçë, 9 në Lushnjë, nga 7 raste në Fier, Berat, nga 6 raste në Durrës, Elbasan, Pogradec, nga 5 raste në Lezhë, Mallakastër, Gjirokastër, Përrenjas, nga 4 raste në Tropojë, Kuçovë, nga 3 raste në Sarandë, Dibër, nga 2 raste në Kukës, Kavajë, Vlorë, Rrogozhinë, Librazhd, nga 1 rast në Krujë, Fushë-Arrëz, Roskovec, Bulqizë, Skrapar.

Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 244 pacientë, 13 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një 64-vjeçar nga Elbasani, një 66-vjeçare nga Kurbini, një 73-vjeçare nga Korça, një 81-vjeçar nga Shijaku dhe një 75-vjeçar nga Tirana. Fatmirësisht janë shëruar 90 qytetarë, duke e çuar në 9675 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Prej fillimit të pandemisë janë kryer në total 100953 testime nga këto kanë rezultuar 15752 raste pozitive me COVID-19. Aktualisht, janë 5648 raste aktive dhe kryeqyteti vijon të paraqesë raste më të larta infektimi, ku rezultojnë 2869 raste aktive me virus, për t’u ndjekur nga Durrësi me 590 raste aktive. Ministria e Shëndetësisë u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të higjienës, distancimit dhe vendosjes së maskës.

 

COVID-19 – Statistika (13 tetor 2020) 

 

Raste të reja ditore ​​                 182

Të shëruar në 24 orë​​               90

Humbje jete në 24 orë​​             5

Testime ditore​​​                         1055

Testime totale ​​                       100953

Raste pozitive ​​                        15752

Raste të shëruara                     ​9675

Raste aktive ​​                           5648

Humbje jete ​​                           429

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: 

 

Tiranë​       2869

Durrës       590

Shkodër     426

Korçë  ​      304

Fier ​           284

Lezhë         276

Elbasan      238

Vlorë          ​203

Kukës        159

Berat ​         153

Dibër​          80

Gjirokastër  66

Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Anulimi i gjobave/ PS miraton ligjin, rrëzohet amendamenti i PD

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e vona të mbrëmjes se kaluar ligjin për faljen e gjobave të...

Arrestohen Dy Persona në Tiranë për Mashtrim prej 11 Milionë Eurosh

Prokuroria e Tiranës Arreston Dy Persona për Mashtrim prej 11 Milionë Eurosh Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka...

Alo, ChatGPT? Inteligjenca Artificiale përfshin WhatsApp

Falë një përditësimi të ri, përdoruesit e WhatsApp tani mund të flasin në celular me ChatGPT dhe të shkëmbejnë mesazhe me të. OpenAI ka njoftuar...

Çfarë ndodhi? Pirro fshin nga YouTube këngën me 6 milion shikime të Parashqevi Simakut

Kënga “E duam lumturinë” e Parashqevi Simakut ka ekzistuar në kanalin “YouTube” prej më shumë se 9 vitesh, e ngarkuar në një kanal jozyrtar,...

Berisha zbulon se si Trump do t’i heqë “non-gratën”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se te administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, do të lobojë për të...

Lajme të tjera

Web TV