Ngritja e BKH-së/ Mbyllet faza e dytë, 90% e aplikantëve e kalojnë testin logjik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Elvis Myrta 

424 kandidatë që garuan për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhanë dje provimin me shkrim. Ky test në total kishte 30 pyetje, ku shumica e pretendetëve që aspirojnë për t’u bërë hetues, u përgjigjën saktë duke marrë pikët maksimale. Për kalimin e kësaj faze çdo kandidati i nevojiteshin së paku 12 pikë. 

Byroja Kombëtare e Hetimit, institucioni që pritet të godasë dhe të vërë përpara drejtësisë zyrtarët e lartë të korruptuar, dhe kokat e krimit të organizuar në Shqipëri, pasditen e djeshme mbylli fazën e dytë për rekrutimin e 60 hetuesve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturës “FBI-ja shqiptare”.

424 aplikantët që kaluan fazën e parë, zhvilluan dje testet e arsyetimit logjik. Provimin me shkrim e kaluan 403 kandidatë, ndërsa 21 prej tyre nuk mundën t’i merrnin pikët minimale për të kaluar në fazën tjetër. Për shkak edhe të situatës së pandemisë provimi u zhvillua në dy orare të ndryshme. Në orën 09:00 të mëngjesit, në provim hynë 200 kandidatët e parë, ku vetëm 7 prej tyre nuk mundën ta kalonin me sukses atë.

Në orën 14:00 për t’iu përgjigjur pyetjeve të këtij testi hynë 224 kandidatët e tjerë. Edhe ky grup iu përgjigj saktë pyetjeve, dhe vetëm 14 prej tyre nuk arritën të merrnin pikët minimale të këtij testi. Për kalimin në fazën tjetër çdo kandidati i nevojiteshin të paktën 12 pikë. Prova e ardhshme për ta do të jetë testimi i aftësive fizike. Aplikantët që kaluan me sukses provimin e djeshëm tashmë do të intervistohen nga komisioni që është ngritur posaçërisht për përzgjedhjen e tyre.

Anëtarët e këtij komisioni do të masin aftësitë e komunikimit verbal të 403 kandidatëve që kaluan me sukses provimin me shkrim. Pas përfundimit të kësaj faze, kandidatët fitues do të kalojnë në 2 teste të tjera, atë të aftësive fizike dhe në makinën e së vërtetës. Përmbyllja e këtyre fazave do të nxjerrë dhe 60 kandidatët fitues që do t’i bashkohen Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ky proces pritet të përmbyllet në fund të viti. Pas përzgjedhjes, 60 oficerët e BKH-së, pasi të marrin detyrën zyrtarisht, do të dërgohen për trajnim 1-mujor në SHBA, për t’iu bashkuar më pas SPAK-ut. I gjithë procesi për përzgjedhjen e 60 më të mirëve është duke u monitoruar edhe nga ndërkombëtarët.

Për sa i përket strukturës, BKH-ja përveç drejtoreshës, Aida Hajnaj, do të ketë edhe zëvendësdrejtorin e saj, që do të emërohet nga vetë ajo. Zëvendësdrejtori do të ketë një madat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Emri i tij duhet të marrë edhe pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja do të ketë edhe një njësi operacionale, si dhe staf administrativ.

Kush janë 403 kandidatët 

Aplikantët që kaluan me sukses edhe fazën e dytë për të qenë hetues të BKH-së, vijnë nga profesione të ndryshme. Nisur nga emrat që BKH-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare, shumica e aplikantëve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e kësaj strukture vijnë nga radhët e policisë, shumica e të cilëve kanë një eksperiencë disavjeçare në radhët e Policisë së Shtetit. Mes uniformave blu që janë bërë pjesë e kësaj gare ka edhe nga ata që janë me gradën komisar apo që kanë mbajtur pozicione drejtuese në polici.

Gjithashtu, të shumtë janë edhe oficerët e Policisë Gjyqësore, ku 15 prej tyre vijnë nga radhët e SPAK-ut. Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, këta të fundit kanë marrë më shumë se 12 pikë duke kaluar automatikisht në raundin tjetër, që do të jenë testet fizike. Mes kandidatëve që kanë kaluar dy fazat e para ka edhe nga Garda.

Lexo edhe :  Fluks në Morinë, dhjetëra qytetarë drejt Brezovicës për të kaluar fundjavën

Por, përveç fushave të lartpërmendura, janë edhe disa juristë apo dhe persona që vijnë nga shoqëria civile, të cilët garojnë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në garë për 60 vende në këtë institucion ka edhe shumë femra. Janë 103 të tilla që aspirojnë për t’u bërë pjesë e kësaj strukture. Institucioni më i ri i drejtësisë do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa do të ketë një sërë sektorësh që do merren me krimin financiar, deklarimet e pasurive, gjurmimin e parave etj.

Për këtë arsye në BKH do të merren specialistë të fushave nga më të ndryshmet. Një tjetër element është se shumica janë të rinj e të reja, me ambicie që të bëhen pjesë e organit më të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. Po ashtu, ka dhe ekspertë kriminalistë, ish-inspektorë të ILDKPI-së, juristë të ndryshëm dhe kontabilistë. Sinjalet janë se do të kemi një organ që do t’i godasë fort të korruptuarit e, sidomos, në nivel politik.

Ja se si do të funksionjë BKH-ja 

Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK-ut (Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion dhe Krimit të Oreganizuar), një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar, dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.

Në shumë mënyra BKH-ja është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un, po ashtu, kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH-së. Përbërja e tyre është një drejtor dhe ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të larta.

Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK-ut dhe dy prokurorë të tjerë të posaçëm do të zgjedhin drejtorin e BKH-së. Ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve, pasi të jenë përzgjedhur për këtë organ të rëndësishëm kombëtar. Drejtorit dhe drejtuesve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare për t’u siguruar që e kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.

Juridiksioni i i Byrosë Kombëtare të Hetimit shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë. BKH-ja do të ketë fillimisht një zyrë të vetme në Tiranë, por në varësi të punës dhe ushtrimit të detyrave, kjo Byro mund të hapë zyra të përkohshme nëpër rrethe. Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar.

Prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministra, deputetë, e deri te drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera, në varësi të qeverisë ose jo. Ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojë te prokurorët e SPAK-ut. Më pas, çështja është në dorë të kësaj prokurorie, nëse ka vepër penale apo jo.

Por, veç kësaj, ka raste kur prokurorët e SPAK-ut mund t’u marrin dosjet hetimore prokurorëve të tjerë, nëse vërejnë se dosja në fjalë është kompetencë e tyre. Gjithashtu, prokurorët e SPAK-ut mund të hetojnë kolegët e tyre në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe të përfaqësojnë akuzën në proceset gjyqësore në gjykatat e posaçme deri në Gjykatën e Lartë, duke mënjanuar prokurorin e përgjithshëm./Jo.Be/Fjala.al

 

Të fundit

Trump “hakmerret”!Morën pjesë në çështjet penale kundër tij,presidenti i pushon nga puna

Presidentit Donald Trump ka shkarkuar disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë që drejtuan hetimet për çështjet penale kundër tij. Një...

Mos i gënjeni kurë këto shenja të horoskopit, sepse hakmarrja e tyre mund t’iu lëndojë

Ka disa shenja të horoskopit që kanë instinkt veçanërisht të fortë që i mbron nga gënjeshtrat dhe surprizat e pakëndshme. Qoftë çështje miqësie apo biznesi,...

Pesë mënyrat si ta mbani zemrën tuaj të shëndetshme ndërsa plakeni

Sëmundjet e zemrës janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve, por mjekët thonë se disa zakone të shëndetshme mund të bëjnë një ndryshim të madh. Këto...

Nga pasaporta tek simbolet! Si do të funksionojë shteti bektashi

Gazetari Ferdinant Samarxhi zbuloi në “Top Story” detajet në lidhje me krijimin e një shteti bektashi. Ai foli për mënyrën se si do të funksionojë...

Përplasjet me Berishën, vjen përgjigjja e Ballës:Gjarprin e kam kapur që i vogël në ferra

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kthen një përgjigje epike Berishës pas akuzave të shumta drejtuar atij. Pyetjes së moderators së...

Lajme të tjera

Web TV