Presidenti Meta ka dekoruar ditën e sotme me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, autoren e teksteve të këngëve, Zhuljana Jorganxhi.
Kreu i shtetit ka shkruar në facebook që falë kontributit të jashtëzakonshëm në fushën e teksteve të këngës shqipe, me të drejtë Jorganxhi quhet edhe si “Mbretëresha e këngës shqiptare”.
“Personaliteti njerëzor, thjeshtësia, ngrohtësia shpirtërore dhe humanizmi i saj transmetohen si në krijimtarinë poetike dhe në veprimtarinë e saj si aktiviste e shoqërisë civile, duke na dhënë figurën jo vetëm të një artisti të jashtëzakonshëm, por edhe të një gruaje të jashtëzakonshme” ka shkruar presidenti Meta për Zhuljana Jorganxhinë në facebook.
Zhuljana Jorganxhi është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në RTVSH dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e RTVSH si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera.
Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTVSH më 2001, ju dha “Çmimi i Karrierës”.
Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: “Jon”, “Se kënduam Let it bi“, “Jeto dhe jetën time”,”Bashkëmoshatarët”, “Në duart e nënës”, “Jemi emri i vet jetës”, “Kthehu për vete, për mua!” , “Ne, bijtë e lirisë”./Jo.Be/Fjala.al