Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të heqin Sudanin nga lista e zezë e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin.
Presidenti Donald Trump e bëri këtë deklaratë, pasi qeveria e Khartoum ra dakord të paguante 335 milionë dollarë për shtetasit amerikanë që ranë viktimë e sulmeve terroriste në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani nga Al-Kaida në vitin 1998.
Sapo pagesa të kryhet plotësisht, Sudani do të dalë nga lista.
“Më në fund drejtësi për popullin Amerikan dhe një hap i madh për Sudanin”, shkruajti kreu i Shtëpisë së Bardhë në Twitter.
Një lëvizje historike që shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Qeveria kalimtare e Sudanit, e cila mori pushtetin vitin e kaluar pas përmbysjes së diktatorit Omar al-Bashir, i rrëzuar nga një kryengritje popullore është vënë nën presion nga zyrtarët amerikanë gjatë muajve të fundit për të paguar dëmshpërblimin.
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo diskutoi në lidhje me heqjen e sanksioneve me kryeministrin sudanez, Abdalla Hamdok në muajin gusht gjatë një vizite në Khartoum.
“Faleminiderit shumë, presidenti Trump. Ne shpresojmë që njoftimi i tij zyrtar në Kongres ta heqë Sudanin nga lista e zezë e vendeve që sponsorizojnë terrorizmin, një fakt që i kushtoi vendit shumë”, shkruajti të hënën kryeministri Hamdok.
“Ne jemi të gatshëm të zhdukim çdo shenjë të regjimit të më parshëm sudanez, pasi ne jemi paqedashës dhe kurrë nuk kemi mbështetur terrorizmin”.
Vendimi i Trump i shpallur të hënën me datë 19 tetor, përforcon zërat se një marrëveshje e re po vjen mes Sudanit dhe armikut të tij historik Izraelit për normalizimin e marrëdhënieve, veçanërisht pas marrëveshjeve të nënshkruara nga vendet e tjera arabe si Emiratet e Bashkuara dhe Bahreini.
Statusi, si një “sponsor i terrorizmit”, i ka mohuar Sudanit mundësinë e ndihmës së huaj për të cilën sot ka shumë nevojë.
Ekonomia e vendit, në fakt, është penalizuar rëndë për vite të tëra nga qeverisja e keqe e Omar al-Bashir, gjithashtu edhe nga konfliktet e brendshme të vazhdueshme, trazirat politike dhe së fundmi nga pandemia Covid-19.
Mallrat ushqimore, karburanti dhe ilaçet janë shumë të shtrenjta.
Më shumë se 224 persona humbën jetën dhe 4 mijë të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit të dyfishtë të ambasadave në Tanzani dhe Kenia me datë 7 gusht të vitit 1998 nga Al-Kaeda, e cila në atë kohë drejtohej nga Osama bin Laden.
SHBA, e shpalli fajtor Sudanin për ofrimin e mbështetjes së tij Al-Kaedës, atëherë kur Bin Laden jetonte atje në vitet 1991 dhe 1996.
Sudani hyri në listën e zezë në vitin 1993. Ai është pjesë e kësaj liste së bashku me tre vende të tjera: Irani, Koreja e Veriut dhe Siria.
Presidenti amerikan e ka fuqinë për të hequr një vend nga lista e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin, por Kongresi ende nuk e ka shqyrtuar marrëveshjen, i cili ka 45 ditë kohë për ta kundërshtuar./Re.D/Fjala.al