Rajoni jugor i Campania-s, që përfshin Napolin, do të bllokohet, tha dje presidenti i saj, Vincenzo De Luca, pasi njoftoi për një tjetër rritje të madhe të infektimeve me COVID-19.
“Campania regjistroi 2 280 raste ditore sot, nga 1 541 të enjten”, tha ai në një ngjarje të drejtpërdrejtë në Facebook.
“Ne do të vazhdojmë drejt mbylljes së gjithçkaje. Ndodhemi në një situatë të vështirë, por jo në një tragjedi, megjithatë tragjedia është një hap larg”, shtoi De Luca, duke propozuar një bllokim njëmujor.
Ai e nxiti qeverinë kombëtare të planifikojë, gjithashtu, një bllokim mbarëkombëtar, duke theksuar se duhet vepruar si në mars, as më shumë dhe as më pak.
Italia në 24 orët e fundit ka pësuar një rritje të rasteve të reja me Covid-19. Vendi ka regjistruar 19.143 të infektuar përgjatë kësaj kohe, ndërsa janë shënuar plot 91 viktima.
Shifra e personave të shëruar ka shkuar në 2352. Italia është njëri prej vendeve më të prekura me 484 869 të infektuar që nga nisja e pandemisë dhe me 37 059 viktima.
Vendi po përballet sërish me një mbyllje të dytë, ku vetëm ditët e fundit më shumë se 5 qytete kanë ndaluar qarkullimin./Bl.Ba/Fjala.al