Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta kanë replikuar dje në distancë në lidhje me Kodin Zgjedhor. Rama, i vendosur për ta kaluar në Parlament Kodin pa asnjë ndryshim. Reagojnë ndërkombëtarët: Merrni opinionin e Venecies.
Nga Fernada Cenko
Dyshja Meta-Rama vazhdon me përplasjen e deklaratave në distancë. Presidenti Ilir Meta, pas dërgimit të ligjit për Kodin Zgjedhor në Komisionin e Venecies, duket se ka sjellë një lloj parehatie te kryeministri Rama. Pavarësisht që ky i fundit u tregua i vendosur në reagimin e tij në twitter edhe pas reagimit të dy eurodeputetëve në Parlamentin Evropian.
“Një barrë” i bie mazhorancës qeverisëse dhe “as as nën mëngë” për opozitën. Kryeministri Edi Rama tha se “Refuzimi i presidentit pranohet ose rrëzohet nga Parlamenti! Parlamenti do të rishprehet, pa humbur asnjë ditë”, duke treguar se ligji do të kalojë pa asnjë ndryshim. Këtë nismë kryeministri e ka paralajmëruar se do ta ndërmarrë pa pritur opnionin e Komisionit të Venecies. Nëse ky Komision do të shprehet dakord me ligjin, siç është miratuar, për Ramën është “gjithçka perfekte”, por nëse Komisioni i Venecies mbështet mosdekretimin e ligjit nga presidenti, kjo nuk do t’i qëndronte mirë qeverisë dhe mazhorancës, por do të ishte një përkëdhelje për Metën dhe për opozitën. Nëse Komisioni do të jetë kundër miratimit të këtij ligji vetëm me votat e mazhorancës dhe pa konsesuns, Basha do të jetë në kushte komode për ta goditur Ramën për zgjedhjet e 25 prillit, por vetëm duke e përdorur si “argument politik”, pasi opinioni i Venecies nuk ka asnjë vlerë juridike. Por kjo nuk dëmton dhe favorizon vetëm partitë politike, por edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me listat dhe me koalicionet.
Pra, nëse puna do të stopojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mund të rrezikohen edhe zgjdhjet e 25 prillit, për shkak të procedurave që duhet të ndjekë Komisioni dhe sa mund të vonohej shprehja e opinionit nga Venecia. Megjithatë, është herët për të folur, deri më sot kanë reaguar komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, eurodeputeti David Lega, si dhe nënkryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane, Andrey Kovatchev.
Ende është shpejt për të folur se si do të sillet politika shqiptare. Nëse Rama do ta votojë Kodin pa ndryshim, apo Venecia do të premtojë se do ta përfundojë shpejt opinionin për t’i lënë kohë të mjaftueshme Shqipërisë të shkojë në zgjedhjet e 25 prillit.
Rama, i prerë: Refuzimi i presidentit pranohet, ose rrëzohet!
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim që përveç se shkon kundër presidentit, shkon edhe kundër dy eurodeputetëve që kanë reaguar në lidhje me dërgimin e ligjit për oponion në Komisionin e Venecies. Përmes një postimi në twitter, kreu i qeverisë tha se mendimi i ‘Venecies’ është i mirëserardhur, por nënvizoi faktin se presidenti pranohet ose rrëzohet nga Parlamenti. Rama e përsëriti se Parlamenti do të rishprehet, pa humbur asnjë ditë në lidhje me Kodin.
“Mendimi i Venecies është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i presidentit pranohet ose rrëzohet nga Parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë! Ky president i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe qeverisë shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venezias mirë se të vijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, ka shkruar kryeministri Rama në twitter.
Meta: Palët politike duhet të bien dakord mbi reformën
Po dje, Ilir Meta ka zbardhur nëpërmjet një deklarate tetë pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecies. Meta kërkon një ‘opinion urgjent’ mbi procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
“Më 25 Prill 2021, Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. Palët e interesuara politike duhet të binin dakord mbi reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe shumë kohë përpara këtyre zgjedhjeve. Si president i Republikës, unë kisha një pritshmëri legjitime që reforma zgjedhore do t’i nënshtrohej një debati gjithëpërfshirës dhe konstruktiv që të reflektonte konsensusin politik ndërpartiak.
Megjithëse një paketë konsensuale e reformës zgjedhore u kodifikua në Parlamentin shqiptar më 23 korrik 2020, shumica socialiste e vrau këtë reformë me ndryshimet pasuese të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, përkatësisht më 30 korrik dhe 5 tetor 2020. Rrethana të tilla më detyrojnë mua të kërkoj një opinion urgjent të Komisionit të Venecies, duke adresuar 8 (tetë) pyetje në lidhje me këtë proces. Unë jam i sigurt që zyra juaj e mirë do të na sigurojë një udhërrëfyes në funksion të sigurimit të garancive minimale dhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme” shkruan Meta në kërkesën drejtuar Gianni Buquicchio-s, president i Komisionit të Venecies.
Oliver Varhelyi: Prisni Venecien, do të përgjigjemi shpejt
Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i kërkon Kuvendit të presë opinionin e Komisionit të Venecies para se të rivotojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u kthyen nga presidenti i Republikës Ilir Meta. Varhelyi shkruan në twitter se Komisioni i Venecies do të sigurojë këshilla të shpejta për palët rreth Kodit dhe se Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen për të rivotuar.
“Unë besoj se Komisioni i Venecies do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare, mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen e rivotimit, për të marrë parasysh këtë këshillë. Duke pritur për zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan Varhelyi.
Lega: Parlamenti dhe kryeministri Rama duhet të presin për opinionin e Komisionit të Venecies
Eurodeputeti David Lega i ka bërë thirrje Ramës të presë opinionin e Komisionit të Venecies për kërkesën e Metës për Kodin Zgjedhor. Sipas Legës, i cili është i dyti që reagon nga BE-ja, pas komisionerit Oliver Varhelyi, pritja e opinionit do të ishte një qasje demokratike nga Parlamenti dhe qeveria shqiptare.
Po ashtu, edhe Oliver Varhelyi kërkoi nga Parlamenti shqiptar që të marrë në konsideratë kërkesën për opinion të Metës në Komisionin e Venecies dhe të presë derisa ta japë atë. Nga ana tjetër, Edi Rama është shprehur se Parlamenti do të votojë pa humbur kohë, për ta rrëzuar ose pranuar dekretin e presidentit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Pajtohem me komisionerin Oliver Varhelyi. Parlamenti dhe kryeministri Rama duhet të presin për opinionin e Komisionit të Venecies, që do të ishte qasje demokratike. Zgjedhje të lira dhe të drejta në prill 2021, në Shqipëri”, shkruan Lega.
Kovatchev: Kodi Zgjedhor duhet të jetë në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecies
Nënkryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane, Andrey Kovatchev, mbështet qëndrimin e komisionerit për Zgjerim në BE, i cili apeloi Kuvendin e Shqipërisë të presë opinionin e Komisionit të Venecies për votimin e dekretit të presidentit për Kodin Zgjedhor. Në një postim në twitter, ai i bën thirrje kryeministrit Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë ta respektojnë atë.
“Unë mbështes qëndrimin e komisionerit Oliver Varhelyi! Kodi Zgjedhor duhet të jetë në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecies në çdo rast, pasi do të ishte në favor të demokracisë në Shqipëri. Unë i bëj thirrje kryeministrit Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë që ta respektojnë këtë”, u shpreh Kovatchev .
Rama dërgon me urgjencë te ligjet Kodin Zgjedhor
Me gjithë paralajmërimet nga komisionerët për të pritur vendimin e Komisionit të Venecies, kryeministri Edi Rama ka dërguar në Kuvend ndryshimet për Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor është futur me urgjencë në diskutimet e rendit të ditës së nesërme të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në orën 12:00. Këto ndryshime pritet të kalojnë në seancën e së enjtes në Kuvend.
Më herët komisioneri evropian, Oliver Varhelyi, i kërkoi kryeministrit Rama që të priste vendimin e Komisionit të Venecies, për të miratuar ndryshimet, një thirrje që u refuzua nga kreu i qeverisë.
Re.Gu/Fjala.al