Zgjedhjet e 2021-shit, fati i gjashtë partive të reja 6 muaj para votimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kur kanë mbetur gjashtë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, në horizontin politik po shfaqen gjashtë subjekte të reja politike, katër prej të cilave vijnë nga boshti i djathtë, ose një “fraksion” i PD-së. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, deputetja Rudina Hajdari, Myslym Murrizi dhe Astrit Patozi kanë krijuar ose pritet të krijojnë subjektet e reja politike. Në lojë edhe Nisma Thurje e Kreshnik Spahiu.

 Nga Fernada Cenko

Politika në Shqipëri e ka kthyer në modë faktin se të pakënaqurit guxojnë që të dalin jashtë partisë nënë për të marrë kosto të tjera dhe të përballen me elektoratin nën një sigël të tyre politike. Edhe tani 6 muaj para zgjedhjeve pritet të ngjizen 6 apo më shumë parti të reja nga kampi i djathtë politik. Eksperiencat na kanë treguar se kush ka dalë më vete nuk e ka parë shkëlqimin që kanë pasur kur kanë qenë brenda një force politike.

Megjithatë, rasti rastit nuk i ngjan. Shembujt ndër vite kanë dhënë mesazhin se kush del jashtë, është vështirë të futet sërish brenda subjektit ku ka milituar, cilido të jetë kontributi. Dhe këto figura të cilat kanë marrë iniciativën për të hedhur një hap të ri në politikë nuk janë shumë të sigurta për atë çfarë do të ndodhë.

Këto kohë po flitet që Jozefina Topalli, ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, në kohën e qeverisë Berisha, e prekur nga sjelljet në politikë të Lulzim Bashës, ka deklaruar se do të hapë një parti të re politike, që do të tërheqë demokratët e pakënaqur ose elektoratin gri. Por a do të mundë Topalli të ketë më shumë se një deputetet në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo mbetet për t’u parë…

Lëvizjet për krijimin e forcës së re politike, me protagonistë Halit Valterin dhe Myslim Murrizin, kanë nisur pas ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave, ndryshime të cilat zbehin fuqinë e kryetarëve dhe rrisin rolin e kandidatëve. Votimi me lista të hapura i krijon mundësi zgjedhësit të shprehë preferencën e tij për kandidatin që dëshiron ta përfaqësojë në Kuvend.

Ndërkaq, krijimin e një partie të re politike e kanë paralajmëruar publikisht edhe deputeti Ralf Gjoni, pjesë e listës së LSI-së, por që u sulmua nga partia e tij, pas vendimit për të marrë mandatin e deputetit. Rudina Hajdari, vajza e të ndjerit Azem Hadari, hyri në politikë për të ecur në gjurmët e të atit. U votua nën siglën e Partisë Demokratike, por nuk pranoi të dorëzonte mandatin e deputetit me urdhër të Bashës dhe Kryesisë së PD-së.

Sot do të jetë kandidate nën një sigël tjetër partie që ende nuk është zyrtarizuar, por edhe në një intervistë për gazetën “Fjala”, Hajdari tha që shumë shpejt partia në të cilën do të kandidojë do të regjistrohet zyrtarisht. Astrit Patozi, ish-kryetar grupi në Partinë Demokratike, një personazh politik me kredenciale, ka hedhur hapin që më shumë se do ta “rifutë” në politikë, do ta nxjerrë jashtë sistemit fare. Patozi, për shkak të hatër mbetjeve me kreun Lulzim Basha, krijoi një parti të re politike. Ndërkaq, në rrethet politike dhe mediatike përflitet që edhe ‘Nisma Thurje’, mund të shndërrohet në një lëvizje politike. Nuk përjashtohet mundësia që Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni të bëhen pjesë e lëvizjes së ‘Nismës Thurje’. Hajdari dhe Gjoni kanë marrë pjesë në disa aktivitete të ‘Nismës Thurje’.

Eksperiencat që lindën dhe u mbyllën pa sukses

Pak para zgjedhjeve të 2013, Fryma e Re Demokratike doli nga përplasja që Topi pati me Berishën. Por pas tetë vitesh, Bamir Topi, president në kohën e Berishës dhe Gazmend Oketa zv.kryeministër e ministër i Mbrojtjes, dy eksponentët e saj pothuaj nuk janë më aktivë në jetën politike. Kreshnik Spahiu pati shkëlqimin e tij kur drejtoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të konflikteve që pati me Berishën, edhe pse nuk kishte një jetë politike në Parlament Spahiu zyratarizoi “Alencën Kuq e Zi” që fitoi zemrën e shumë emigrantëve për shkak të logos dhe afroi shumë të rinj që u elektrizuan për një kohë të shkurtër.

Sot, Kreshnik Spahiu ka dalë me tjetër hap, do të krijojë një parti tjetër. Ben Blushi ishte një zë kritik në Partinë Socialiste dhe me peshë, ishte anëtar kryesie. Pasi pati përplasje me Ramën, Blushi bashkë me një ish-deputete të Partisë Sociaslite, pedagogen Mimoza Hafizi hapën një parti të re që e quajtën “Libra”, që vetëm shkëlqim nuk pati. Pra, janë gjithë këta emra që e kanë pasur një peshë politike në forcën ku kanë aderuar dhe sot dalin jashtë saj me synim se do të prishin ekuilibrat dhe themelin të Partisë Demokratike.

Por është e shumë e vështirë, ndoshta e pamundur që një forcë e lindur vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të korrë sukses në elektorat, por jo vetëm kjo është në dizavanatazh. Partitë e vogla kanë edhe fatin e keq se janë të persekutuara nga Kodit Elektoral.

Pra një forcë e re politike nuk mund ta kapë dot pragun e votave për të zënë një vend në Parlament, por këto vota shkojnë për të nxjerrë një deputet nga partitë e mëdha. Pra disa personazhe që janë apo kanë qenë të rëndësishme brenda një force politike, jo detyrimisht do të kenë të njëjtin shkëlqim dhe simpati në elektorat.

Megjithatë, hapja e këtyre partive të vogla prish disi ekuilibra të njërës apo të tjetrës forcë politike, por qëndrojnë deri këtu. Faktikisht ka qenë Lëvizja Socialasite për Integerim që si pjellë e Partisë Socialiste arriti të bëhej faktor në jetën politike, aq sa të ndryshonte në tavolinë pushtetin. Apo edhe PDIU me Shpëtim Idrizin, që kanë arritur që të marrin më shumë se një deputet në Parlament. Por ky ngelet vetëm një këndvështrim, janë zgjedhjet e 25 prillit që do të qartësojnë të gjithë hapat e ish-demokratëve.

“Nuk do të krijoj parti, por do të jem kandidate në një lëvizje të re politike”

Flet Rudina Hajdari: Ne nuk i shërbejmë Ramës, Basha ia bëri dhuratë Ramës bashkitë dhe rehatinë në Parlament

Rudina Hajdari, deputetja e cila nuk vendosi të dorëzonte në KQZ “vullnetin e popullit” me urdhër të PD-së, së shpejti do të jetë pjesë e një lëvizjeje të re politike. Hajdari nuk përcakton se cila do të jetë partia dhe nga kush do të drejtohet, por referuar përgjigjes, ajo me gjasë do të jetë kandidate për deputete, por jo kryetare e kësaj lëvizjeje. Deputetja e re në Kuvendin e Shqipërisë, pinjolle e njërit prej demokratëve të zjarrtë, kërkon largimin e kësaj politike, e cila, sipas saj, vetëm se e ka vjedhur Shqipërinë.

Lidhur me zërat se krijimi i partive të reja i shkon për shtat politikës së Ramës, Hajdari tha se për shtat Ramës i shkon Lulzim Basha me dorëzimin e mandateve dhe me dorëzimin në dorë të Ramës të kryetarëve të bashkive. Hajdari insiston se ndërhyrja në kodin zgjedhor duhet të bëhet urgjentisht, sidomos korrigjimi për sa u takon listave të hapura të kandidatëve.

Lexo edhe :  Shqiptari që ka ‘tërbuar’ Anglinë!/ Jeta e të dënuarit që i kalon ditët duke luajtur golf

Zonja Hajdari, ju keni kërkuar rimbledhjen e Këshillit Politik, pas kthimit të Kodit Zgjedhor nga presidenti. Përse mendoni se palët duhet të ulen sërish në atë tryezë? Çfarë duhet rinegociuar?

Kodi Zgjedhor është kushtetuta e zgjedhjeve, janë rregullat e lojës për të gjithë ata që përballen në tregun politik, por edhe përcakton mbi të gjitha se cili është roli dhe fuqia që kanë qytetarët në raport me partitë politike dhe ofertat e tyre.

Në këtë kontekst, Kodi Zgjedhor, i miratuar në Parlament, vetëm me vullnetin e Partisë Socialiste, ose më saktë të Edi Ramës, është një dokument, të cilit i mungon si konsesusi politik, ashtu edhe pëlqimi i qytetarëve shqiptarë. Qytetarët shqiptarë nëpërmjet peticioneve, sondazheve etj., kanë shprehur qartë se dëshironin nga ky proces që në fund të fuqizohej vota e tyre, duke u mundësuar hapjen reale të listave, ku vendimmarrjen për përcaktimin e deputetëve në Kuvend të mos ta kishte më kryetari, por qytetari.

Fatkeqësisht, Edi Rama i shkoi kundër këtij vullneti popullor, duke e lënë pothuajse siç ishte Kodin dhe duke i dhënë përparësi vullnetit të tij personal, përpara vullnetit popullor. Praktikisht, i është kundërvënë shumicës së qytetarëve shqiptarë. Ndaj unë mendoj se do të ishte një mundësi e mirë edhe për të, që të shfrytëzonte kthimin e Kodit në Kuvend nga presidenti dhe të korrigjonte së pari këtë pozicionim kundër shumicës popullore, duke pranuar amendimet tona për hapjen e listave 100%, duke i dhënë përparësi votës popullore e jo preferencave të kryetarit.

Thirrja ime për mbledhjen e Këshillit pra ishte një thirrje për reflektim ndaj të gjithë aktorëve politikë e, mbi të gjitha, ndaj mazhorancës. Ata kanë zgjedhur të jenë kundër qytetarëve, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarit dhe përfaqësues të interesave të tyre dhe jo të një grushti njerëzish.

 A do t’ju shohim si kandidate për deputete pranë “Nismës Thurje”, në zgjedhjet e 25 prillit, pasi një nga drejtuesit e kësaj nisme, Pano Soko, la të kuptohet në një prej mediave, se pas fjalës të mbajtur në Parlament, “Nisma Thurje” nuk do të vazhdojë më bashkëpunimin me ju?

“Nisma Thurje” është një organizatë e shoqërisë civile me një aktivitet të pasur, ndër të cilat edhe lobimi për ndryshimin e sistemit ku ata mblodhën mbi 50 mijë firma në të gjithë vendin dhe më pas i dorëzuan në Kuvend, duke më kërkuar që t’i përfaqësoja.

E kam kryer me përgjegjësi këtë angazhim që kemi marrë së bashku edhe publikisht, sepse kemi organizuar edhe disa konferenca të përbashkëta dhe jam përpjekur të bëj maksimumin që zëri i atyre 50 mijë qytetarëve të dëgjohej dhe të përfaqësohej. Sigurisht që unë as kam qenë e as mund të jem pjesë e një organizate të shoqërisë civile, sepse jam deputete e Kuvendit, por i kam mbështetur për këtë pjesë. Ky bashkëpunim me realizimin e Kodit Zgjedhor u përmbyll dhe tani ne jemi në një fazë të krijimit të një lëvizjeje të re politike me shumë të rinj e të reja, intelektualë e punëtorë, njerëz të profesioneve të ndryshme apo përfaqësues të diasporës, një lëvizje e cila i ka dyert e hapura për këdo që nuk ka frikë të angazhohet kundër kësaj klase politike apo nuk aspiron t’i shërbejë asaj.

Lëvizja do të ketë një lançim publik së shpejti, ku edhe do të zbardhen të gjitha detajet dhe unë do të jem kandidate për deputete me këtë lëvizje të re, ku pjesë e saj mund të jenë edhe eksponentë nga Thurje apo organizata të tjera të shoqërisë civile apo të botës akademike.

 Si e shihni lëvizjen e re që pritet të bëjë publike ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli?

Çdo lëvizje e re është një lajm i mirë në Shqipërinë e kapur peng nga 3 parti që funksionojnë si sh.p.k dhe taksat apo pasuritë publike i trajtojnë si plaçkë për familjet e tyre apo për militantët. Vendi ka nevojë për më shumë alternativa dhe askush nuk duhet të ketë frikë nga gara. Në fund, është populli që vendos me votë se kush vlen e kush nuk vlen dhe dita e gjykimit për të gjithë ne do të jetë 25 prilli.

Si e komentoni mosdekretimin e ligjit për Kodin nga presidenti dhe dërgimin për opinion te Komisioni i Venecies?

Mendoj se ishte vendimi i duhur dhe uroj të ketë reflektim nga ana e mazhorancës, edhe pse nuk e shoh që ata të lëvizin në këtë drejtim. Për sa i përket Venecies, kam frikë se përgjigjja e tyre do të vijë vonë dhe nuk do të na japë mundësinë për ta amenduar kodin sipas sugjerimeve të tyre. Por zgjedhje ka edhe mbas 25 prillit dhe është e rëndësishme që reformat të bëhen të plota e të sakta që vendi të ecë përpara.

 Qarkullojnë zëra në rang opinionistësh apo nga njerëz të cilët kanë një lloj peshe në oponionin publik se partitë që po krijohen nga ju, Topalli, Murrizi apo ndonjë tjetër i shërbejnë Edi Ramës…

Çfarë do të thotë t’i shërbesh Edi Ramës? Në kuptimin tim, do të thotë që t’i japësh atij pushtet të pakufizuar si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal, t’i japësh mundësinë të zotërojë legjislativin, si edhe të kontrollojë gjyqësorin.

Shihini pak vendimet e opozitës jashtëparlamentare. I lanë të gjitha bashkitë në dorën e Edi Ramës, i lanë mandatet dhe Parlamentin në dorën e Edi Ramës, duke i dhënë mundësi të bëjë çfarë të dojë me Kushtetutën dhe ligjet, i dhanë mundësi të kontrollojë edhe më shumë gjyqësorin, si edhe i dhanë mundësinë të krijojë idenë në popull se është i pamposhtur, për shkak të dështimeve të të gjitha kauzave të përfaqësuara nga opozita. Thanë se do të mbronin Teatrin, Teatri u prish dhe sot askush prej tyre nuk flet për këtë. Thanë se do të mbronin kuksianët, i lanë të dergjeshin në burg dhe trau u vendos, siç ishte planifikuar.

Thanë se do të mbronin banorët e Astirit, shtëpitë e tyre u bënë pluhur. E, mbi të gjitha, janë sot në koalicion me ata që kanë qeverisur me Edi Ramën. Kaq mjafton të kuptosh se kush i ka shërbyer dhe i shërben Edi Ramës. Ne duam të përfaqësojmë në Kuvendin e ardhshëm të gjithë ata shqiptarë që janë të lodhur me pikturën e mësipërme politike, ku njëri qeveris e vjedh dhe tjetri bën pazar me revoltën e pasurohet. Boll më me këta!

re.gu/Fjala.al

Të fundit

5 arsyet pse mosha nuk llogaritet në një marrëdhënie

Ne të gjithë kemi dëgjuar shumë herë gjatë jetës sonë se mosha nuk ka rëndësi, “mosha është vetëm një...

U nominua për çmimin “Oscar” si aktorja më e mirë! Reagon Ariana Grande

Ariana Grande është nominuar për një çmim Oscar për aktoren më të mirë në rol dytësor, për interpretimin e saj në filmin Wicked, i...

Në PD ka nisur beteja e brëndshme

Nga ARTUR  AJAZI Lista e deputetëve të rinj, mbetet shkaku kryesor i mërzive dhe qejfmbetjeve në PD. Realisht ka nisur beteja e madhe brënda asaj...

4 mënyra të thjeshta si të rrisni aftësitë e të menduarit

Nëse mendoni se të menduarit është një proces që ndodh në mënyrë ideale tek të gjithë njerëzit, në fakt gaboheni! Neuroshkencëtarja Emily McDonald ka...

Çmimet e banesave, ekspertët: Do ketë rritje, periferia e Tiranës ka kërkesat më të larta

Tirana ka vijuar zhvillimin e saj galopant gjatë viteve të fundit, duke u shndërruar në një metropol me ritme të shpejta urbanizimi. Ndërsa çmimet e...

Lajme të tjera

Web TV