Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili jep dakordësinë në garën e kandidatëve për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, ka sqaruar se shpejtësia e këtij procesi varet jo vetëm prej tyre.
Sipas KED, gjithçka varet edhe nga ritmet e vetingut, apo përgjigjet e institucioneve si tatim-taksat, autoriteti i dosjeve dhe subjetket private.
Nga Elvis Myrta
Teksa koha kalon, askush nuk mund të përgjigjet nëse deri në fund të këtij viti do kemi apo jo një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për plotësimin me 9 anëtarë të gjykatës më të rëndësishme, duket se edhe ky vit do mbyllet pa “Rojen e Kushtetuetshmërisë”.
Me vetëm 4 anëtarë që ka në dispozicion, Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur të marrë vendime duke lënë pa përgjigje shumë nga ligjet apo çështjet që kanë shkaktuar konflikt në këto vite.
Deklarata e djeshme e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, se procesi varet jo vetëm prej tyre, të lë të kuptosh se edhe ky institucion ka “ngritur duart lart”, duke u “dorëzuar”, për të emëruar kandidatët e rinj që do jenë pjesë e kësaj gjykate.
Edhe pse janë duke u bërë përpjekje maksimale që kërkesat e ndërkombëtarëve të plotësohen që kjo gjykatë të bëhet funksionale brenda këtij viti, duket se një gjë e tillë do jetë e pamundur.
Sipas KED-së, vonesat e krijuara për verfikimin e kandidatëve në garë për Gjykatën Kushtetuese nuk rrjedhin vetëm nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në një njoftim zyrtar thotë se gjithçka varet edhe nga ritmet e vetinut, apo përgjigjet e institucioneve si tatim taksat, autoriteti i dosjeve dhe subjektet private.
“Angazhimi i KED mbetet maksimal për të përfunduar në kohë të shpejtë verifikimin e çdo kandidati, por puna varet nga përgjigjet se thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve”, thuhet në njoftim.
Aktorë të tjerë sipas KED nga e cila kushttëzohet ecuria e verifikimit janë edhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e mbyll reagimin duke shprehur angazhim dhe gatishmërinë maksimale të të gjithë anëtarëve, për të realizuar me sukses përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta, në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Por kjo situatë bëhet edhe më e ndërlikuar pasi vetë Këshill i Emërimeve në Drejtësi ka afat deri në fund të këtij viti për të mbyllur të gjitha procedurat që nuk i bëri në 9 muaj pasi ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon se KED është me mandat një vjeçar, ku çdo vit përpara 5 dhjetorit, hidhet shorit për përbërjen e tij.
Aktualisht ky këshill ka çertifikuar për të vazhduar garën në kushtetuese dy kandidatë prokurorin Altin Binaj dhe jursiten me profesion notere e avokate Sonila Bejtja. Nga ana tjetër kjo garë ka përfunduar në gjykatë pasi dy të skualifikuarit Sinan Tafaj dhe Eugen Papandile kërkojn që apeli të anulojë vendimin e KED që i la ata jashtë gare. Padi e cila shtyn në kohë garën ndërsa nga ana tjetër vettingu në shkallë të parë po punon me ritme të reduktuara për shkak të infektimit me COVID të një anëtari.
Pra, në këtë mënyrë pavarsisht presionit të ndërkombëtarëve dhe përpjekjes së institucioneve për plotësimin e vendeve vakante në këtë gjykatë, duket se rruga për të parë dritë në fund të këtij tuneli do jetë e gjatë.
Problemi kryesor që duket se do ta bëjë edhe këtë raund të vështirë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, është mungesa e kandidatëve.
Nga vështrimi i bërë listave të kandidatëve për 3 vendet, ato përsëriten, të njëjtët kandidatë kanë shprehur interes për dy ose edhe tri vende vakante, ndërsa një pjesë e tyre janë përjashtuar më herët në garat e KED-së. Ngritja e Kushtetueses është kërkuar dhe kërkohet me ngulm edhe nga ndërkombëtarët, por ata do të duhet të presin për ngritjen e Gjykatës së Lartë, për një Kushtetuese të plotësuar me 9 anëtarë.
Tre anëtarët e fundit duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë, që aktualisht është me 3 anëtarë dhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të tjerë është duke marrë kohë në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Duket se ringritja e dy gjykatave më të larta në vend, manifeston kaosin që shkakton mungesa e tyre, ndërsa proceset gjyqësore që presin të trajtohen në këto gjykata janë të shumta.
Gjashtë anëtarë në Kushtetuese do të ishin të mjaftueshëm për marrjen në shqyrtim të ankimeve dhe dosjeve të nxehta.
Ndërkohë, për shkak të nevojës së plotësimit me gjyqtarë dhe rikthimit në funksion të Gjykatës Kushtetuese, së fundmi kanë reaguar të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, duke u bërë thirrje publike të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të kandidojnë për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.
Si mbeti vendi pa Gjykatë Kushtetuese?
Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në botë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. E konceptuar si gjykata më e rëndësishme në një vend, pasi vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve apo dekreteve, funksionimi i saj është një gur themeli për funksionimin e demokracisë.
Por që prej vitit 2015 Gjykata Kushtetuese në vendin tonë nuk ka mundësi të marrë vendime, pasi nuk janë plotësuar vendet e anëtarëve të saj. Problemi u shfaq me fillimin e reformës në drejtësi, pasi disa gjyqtarë të saj dhanë dorëheqjen, për shkak të vetingut ose u mbaroi mandati dhe nuk u zëvendësuan.
Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati. Në prill të vitit 2016 gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati dhe ai u tërhoq, edhe pse mund të qëndronte deri në zëvendësimin e tij. Tërheqja e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut.
Po ashtu, anëtari tjetër, Sokol Berberi, vendosi të tërhiqej nga pozicioni, pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Të njëjtën rrugë zgjodhi dhe Besnik Imeraj, në vitin 2018, duke u dorëhequr “për arsye personale dhe shëndetësore”.
Imeraj tentoi t’i shpëtonte procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori. Kur kishin mbetur vetëm 6 anëtarë, anëtari Fatos Lulo, iu nënshtrua procesit të vetingut.
Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara. Vetingu më pas rrëzoi Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën dhe Gani Dizdarin.
Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, u konfirmua në hallkën e parë të vetingut, por u shkarkua më vonë për mospërputhje të pasurisë. Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u konfirmua nga vetingu dhe vijon detyrën, edhe pse i ka mbaruar mandati.
200 dosje për tu shqyrtuar
Në 5 vitet e fundit Gjykata Kushtetuese ka qenë në ditët më të vështira të saj. Pas shkarkimit të 8 nga 9 anëtarët e kësaj gjykate, dyert e saj janë kyçur ku gjatë kësaj periudhe nuk është zhvilluar asnjë seancë.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është me vetëm 4 anëtarë dhe e ka të pamundur që të merrë vendime, duke lënë pa përgjigje shumë nga ligjet apo çështjet që kanë shkaktuar konflikt vitet e fundit.
Në mungesë të një kuorumi për të dalë në seancë plenare, ku duhen minimalisht 6 gjyqtarë, 4 anëtarët gjatë kësaj periudhe shqyrtojnë dosjet vetëm në dhoma këshillimi, ku mjaftojnë tre anëtarë.
Pas shqyrtimit të dosjeve trupa vendos kalimin ose moskalimin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji.
Numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese ka shkuar rreth 200, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi, për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen.
Nga këto 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë. Ndërkohë pjesa tjetër e kërkesave janë kundër gjykatave për proces të parregullt.
Por shumica e kërkesave të shqyrtuara në dhomë këshillimi janë refuzuar, ndërsa deri tani janë pranuar të kalojnë në seancë rreth 30 çështje.
Por, sipas gjasave, këto çështje do të mbeten edhe për një kohë pa u shqyrtuar, pasi do të duhet kohë për plotësimin e vendeve vakante me anëtarët e rinj, për shkak të mungesës së kandidaturave.
Situatë alarmante dhe për 6 gjykatat e apelit të vendit
Prej më shumë se katër vitesh u bllokuan dy gjykatat më të rëndësishme në vend. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë të bllokuara që prej fundit të vitit 2015.
Shkak i bllokimit të këtyre gjykatave u bë Reforma në Drejtësi, ku shumica e gjyqtarëve që ushtronin funksionet e tyre nuk mundën ta kalojnë procesin e vetingut. Por, duket se tashmë rradha për tu futur në kolaps i ka ardhur gjashtë gjykatave të apelit në vend, kjo pasi puna e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit që prej muajit maj u fokusua te gjyqtarët e këtyre gjykatave, ku shumica prej tyre nuk mundën t’i kalojnë filtrat e vetingut.
Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, pasi në Apel nuk mund të shkojnë gjyqtarë të rinj që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, sepse duhet të kenë një karrierë pune më parë si gjyqtarë të Shkallës së Parë.
Futja në kolaps e gjykatave të apelit u paralajmërua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që në fillim të këtij viti. Në atë kohë “qeveria e drejtësisë”, kërkoi nga Parlamenti të ndryshohet ligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, në mënyrë që të bëhet plotësimi i vendeve vakante. Por, kur kanë kaluar 7 muaj nga kjo kërkesë, ajo ende nuk është marrë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve.
Gjykata e Apelit më problematike në vendin tonë është ajo e Korçës. Kjo gjykatë nuk mund të formojë dot as edhe një trupë gjykuese, pasi ajo aktualisht ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë, duke e bërë të pamundur gjykimin e çështjeve.
Pasojat për daljen jashtë funksionit të kësaj gjykate janë duke i vuajtur qytetarët korçarë, kjo pasi shqyrtimi i çështjeve të themelit has vonesa të gjata.
Kohëzgjatja e një procesi normal, kur kjo gjykatë ka qenë e plotë, ishte 4-5 muaj, ndërsa sot proceset zgjasin 9 muaj deri në 1 vit, pasi gjyqtarët delegohen nga rrethet e tjera për çdo çështje. Kjo situatë, përveç të tjerave, shkel edhe të drejtat themelore të njeriut për një proces të rregullt ligjor, veçanërisht të atyre që mbahen të arrestuar.
Gjithashtu, situata paraqitet problematike edhe në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Kjo gjykatë, e cila mbulon edhe çështjet gjyqësore të qarkut të Elbasanit, është e përbërë vetëm nga 4 gjyqtarë, një numër shumë i vogël në krahasim me numrin e dosjeve që duhet të shqyrtojnë këta gjyqtarë.
Ndërsa, gjykatat e apelit të Shkodrës dhe Gjirokastrës përbëhen nga 5 gjyqtarë. Numrin më të lartë të gjyqtarëve e ka Gjykata e Apelit të Vlorës, gjykatë e cila është e përbërë nga 7 gjyqtarë.
Qarku i Vlorës është i vetmi në vendin tonë që e bën disi të pjesshëm funksionimin e gjykatës së apelit. Problemet në drejtësi mund të thellohen akoma më shumë, kjo pasi numri i gjyqtarëve të apelit mund të reduktohet edhe më tej, për shkak të procesit të vetingut, nisur kjo nga një deklarim publik i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurisë, ku kanë dalë me rezultate negative të kontrollit të pasurisë dhe interesave privatë, rreth gjysma e gjyqtarëve.
Pra, nëse shkarkimet e gjyqtarëve të apelit vazhdojnë me këtë ritëm, atëherë gjykatat do të bëhen jofunksionale, duke e futur drejtësinë në një “ngërç” që mund të zgjasë me vite.
Gjykata e Lartë me 3 gjyqtarë, puna ka nisur prej tre muajsh
Në korrik të këtij viti pas largimit të Ardian Dvoranit nga posti i drejtuesit të Gjykatës së Lartë, anëtarët e kësaj gjykate, të zgjedhur e komanduar vendosën të zgjidhnin si nënkryetar Sokol Sadushin.
Zgjedhja e Sadushit, nxorri nga “koma”, tri vjeçare institucionin elitë të gjyqësorit, i cili nisi menjëherë të marrë në shqyrtim stivën e dosjeve që prej kohësh kanë mbetur pezull. Edhe pse me një numër minimal gjyqtarësh, Gjykata e Lartë pas emërimit të tre anëtarëve të saj të rinj dy muaj më parë, rinisi vlerësimin fillestar të rekurseve.
Burime nga ky institucion bëjnë me dije se në shqyrtim janë marrë çështje emergjente që lidhen me kompetencën apo edhe me kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve. Gjithashtu, prioritet i është dhënë edhe kërkesave për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve dhe shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit.
Burime për “Fjalën” bëjnë me dije se gjyqtarët Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda që prej nisjes së punës së tyre në këtë gjykatë deri tani kanë shpallur rreth 50-60 vendime në Dhomën e Këshillimit.
Shifër kjo shumë e vogël në krahasim me dosjet që presin për t’u shqyrtuar. Shifër kjo shumë e vogël krahasuar me numrin e dosjeve që janë për t’u shqyrtuar, e që kap shifrën në mbi 35 mijë.
Numri minimal i gjyqtarëve në këtë gjykatë nuk garanton ritëm të lartë, pa llogaritur këtu që numri i dosjeve shtohet, për shkak edhe të rekurseve të reja. Shqyrtimi i dosjeve në themel ka ngecur pasi, trupa e gjyqësore duhet të ketë së paku 5 anëtarë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka vetëm 3 anëtarë.
Por me emërimet e reja që pritet të bëhen gjatë kësaj jave dhe kjo gjykatë të bëhet me 5 anëtarë, atëherë pritet që të nisë në mënyrë të përshpejtuar gjykimi i të gjitha dosjeve, të cilat kanë ngecur që prej vitit 2016, periudhë kur nisi edhe reforma në drejtësi.
la.mi/Fjala.al