Gara për përzgjedhjen e 60 hetuesve të BKH-së është në fazën e saj të tretë, ku komisioni i ngritur për të zgjedhur më të mirët nuk ka përfunduar ende korigjimin e eseve të kandidatëve, Gjykata Administrative ka vendosur se kallëzimin e një prej aplikantëve do ta shqyrtojë në datë 11 nëntor.
Kandidatët ankohen për një sërë parregullsishë gjatë testimit dhe çështja do të shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Nga Elvis Myrta
Padia në Gjykatën Administrative për testin e BKH-së, lidhur me pretendimin për mungesë transparence dhe manipulim në fazën e testimit fizik do të shqyrtohet më datë 11 nëntor. Gazeta “Fjala”, nëpërmjet burimeve të saj, ka mësuar se në këtë gjykatë janë depoituar 4 padi.
Aplikantët e skualifikuar në këtë teste kanë në paditë drejtuar në administrative kanë kërkuar sigurim padie dhe pezullim të procesit.
Tashmë do jënë togat e zeza që do vendosin nëse do i marrin në konsideratë kërkesat e të skualifikuara apo jo. Nëse kjo gjë do ndodhë atëherë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit do presim edhe disa muaj dhe me shumë gjasa për këtë vit ajo nuk do jetë gati.
Kjo për faktin, që nëse do pranohet kallëzimi i 300 aplikantëve të skualifikuar, organeve kompetente do t’u duhet kohë për shqyrtimin e pretendimeve të tyre.
Sipas informacioneve që gazeta ka siguruar përveç 4 padive që janë depozituar në Gjykatën Administrative nga të skualifikuarit, disa padi të tjera janë depozituar edhe në Prokurorinë e Tiranës, por edhe në SPAK.
Por, tek ky institucion kallëzuesit nuk kanë besim, pasi sipas tyre SPAK-u, është në konflikt interesi. Sipas kallëzimit, të skualifikuarit pretendojnë se organizatorët gjatë testit fizik nuk kanë pasur matës, kronometër apo pajisje elektronike.
Gjithashtu ata pretendojnë se, gara është zhvilluar me pajisje të vjetra, siç është kronometri mekanik. Një tjetër pretendim është se atyre nuk u është komunikuar në asnjë moment numri i pikëve që kanë marrë në secilën garë.
Një tjetër pretendim i tyre është se në testin e arsyetimit logjik ata kanë marrë pikët maksimale, ndryshe nga disa të tjerë që, edhe pse gjatë këtij testi kanë kaluar me pikë minimale ata kanë arritur t’i kalojnë testet fizike.
Ndërkohë, 103 kandidatët që arritën të kalojnë testet fizike janë ende në pritje të përgjigjeve të provimit me shkrim, për të parë se kush do kalojë në fazat e tjera.
Burime pranë BKH-së, bënë me dije për gazetën “Fjala” se komisioni i ngritur për përzgjedhjen e 60 hetuesve që do të hetojnë bosët e krimit të organizuar dhe zyrtarët e lartë, është nuk e ka përfunduar ende korigjimin e 103 tezave të këtij testi.
Sipas informacioneve korigjimi i këtij testi mund dhe përgjigjet se kush ka kaluar këtë fazë pritet të dalin në mes të javës.
Kanidatët që do kalojnë testin e esesë do intervistohen, do të kalojnë në vetting, si dhe në makinën e së vërtetës (poligrafi).
Mesatarisht në tri fazat e mbetura që BKH-ja të bëhet funksionale, duhet të kalojnë minimalisht 60% e kandidatëve. Por a do mundet pjesa më e madhe e kandidatëve t’i kalojë këto filtra, dhe a do ta kalojnë vetingun të gjithë kandidatët fitues?
Kjo mbetet për t’u parë, por nga një vëzhgim që gazeta u ka bërë 103 emrave që janë në garë për 60 vende në BKH, disa prej tyre rezultojnë se janë pjesë edhe të partive politike, kur depolitizimi i aplikantëve ishte një nga kriteret bazë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pra, me shumë gjasa deri në përfundim të këtij procesi, do të mbeten më pak se 60 persona, çka do të bënte që gara të rihapej edhe një herë nga e para dhe ta shtynte për disa muaj ngritjen e plotë të BKH-së.
Megjithëse sipas burimeve që gazeta “Fjala” ka siguruar, kjo strukturë do ta nisë punën me ata aplikantë që arrijnë të kualifikohen në të gjitha fazat.
Hetuesit e BKH-së kanë përgjegjësinë të kryejnë hetime penale nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm dhe kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore.
Ata do t’i bashkohen një skuadre elitë që do të mbështesë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar
Fazat që kanë kaluar deri më tani aplikantët
Numri i aplikantëve për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë, ishte mjaft i lartë, ku thirrjes së për t’u bërë pjesë Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte 653 persona. Në fazën e parë aplikantët plotësuan një formular online, ku komisioni i vlersimit mori për bazë vetëm kriteret bazë.
Në fazën e parë kandidatët u vlerësuan në bazë të dosjes, nëse i kishin dorëzuar të gjitha dokumentet apo jo. Në këtë fazën e parë përveç atyre që kishin mangësi në dokumentacion, u skualfikuan edhe ata kandidatë që nuk kishin eksperiencë dhe përbojë në polici dhe drejtësi penale.
Kujtojmë që nga 653 persona që shfaqën interes për t’u bërë hetues të BKH-së, vetëm 424 prej tyre arritën të kalonin në fazën tjetër. Në fazën e dytë kandidatët iu nënshtruan testit të arsyetimit logjik. Këtë provim kandidatët e zhvilluan më 14 tetor.
Për shkak edhe të situatës së pandemisë provimi u zhvillua në dy orare të ndryshme. Në orën 09:00 të mëngjesit, në provim hynë 200 kandidatët e parë, ku vetëm 7 prej tyre nuk mundën ta kalonin me sukses atë.
Ndërsa në orën 14:00 për t’iu përgjigjur pyetjeve të këtij testi hynë 224 kandidatët e tjerë. Edhe ky grup iu përgjigj saktë pyetjeve, dhe vetëm 14 prej tyre nuk arritën të merrnin pikët minimale të këtij testi.
Për kalimin në fazën tjetër çdo kandidati i nevojiteshin të paktën 12 pikë. Pra, nga 424 aplikantë që kaluan fazën e parë 403 kandidatë arritën ti përgjigjeshin saktë pyetjeve, ndërsa 21 prej tyre nuk mundën të merrnin pikët maksiomale për të kaluar në fazën tjetër. Faza e tretë ishte ajo e testeve fizike.
Në këtë fazë, kandidatët u testuan për aftësitë fizike që përfshin testim në palosje, sprint 300 m, pompa dhe vrapim 2.4 km. Pas fazës së tretë nga 424 kandidatë që garuan për tu bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, vetëm 103 arritën të kualifikohen për në fazën tjetër. Por për t’u zgjedhur 60 emrat më të mirë që do të jenë pjesë e FBI shqiptare, kandidatët do të kalojnë edhe faza të tjera vlerësimi.
Pas testimit për shkrimin e eseve që do të zhvillohet sot, kandidatët do të vlerësohen për pasurinë. Ata do t’i nënshtrohen një vetingu, ku do të deklarojnë çdo pasuri që kanë ata dhe të afërmit e tyre.
Pas kësaj, kandidatët që do të përzgjidhen do t’i nënshtrohen testit të poligrafit ose makina e së vërtetës. Plani është që në fund të këtij muaji të jetë mbyllur vlerësimi i kandidatëve dhe BKH të dalë më një listë të plotë të emrave që janë përzgjedhur.
Çfarë tha SPAK-u, pas pakënaqësive që shfaqën të skualifikuarit
Pas akuzave dhe padisë së ngritur nga kandidatët e skualifikuar për hetues reagoi edhe vetë Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila siguroi se procesi monitorohet nga një komision prej tre prokurorësh, por edhe nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
SPAK-u tha se monitorimi nga ndërkombëtarët është bërë për t’u siguruar transparenca dhe mënyra e drejtë e përzgjedhjes së kandidatëve për hetues të BKH-së. “Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej të cilëve të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një komisioni ndërkombëtar, për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.
Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe të figurës.
Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej komisionit ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Pra këto reagime, hedhin poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat që janë hedhur gjatë ditëve të fundit në drejtim të shefes së BKH-së, Aida Hajnaj. Ndërsa përmes një postimi ku ka shpërndarë edhe postimin e SPAK-ut, ambasada e SHBA-së u shpreh se rekrutimi i hetuesve është bazuar në kriterin e meritës, duke shtuar se mbështesin procesin objektiv që po zhvillohet. Për amerikanët, aftësitë intelektuale dhe fizike janë kryesore për të përmbushur më së miri mandatin e saj.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto standarde ligjzbatimi të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.
Uashingtoni ka shprehur mbështetjen e tij për reformën në drejtësi në vendin tonë. Edhe ambasadorja Yuri Kim ka monitoruar nga afër organet e reja të drejtësisë. Në përfundim, 60 hetuesit e zgjedhur do të ikin në SHBA ku do të trajnohen nga FBI-ja për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
BKH rishikon rezultatet e testit fizik, rikthehet një prej kandidatëve
Pas katër padive të depozituara në Gjykatën Administrative, Byroja Kombëtare e Hetimit ka pranuar se ka gabuar mne llogaritjetjen e pikëve të njërrit prej kandidatëve. Institucioni më i ri i drejtësisë, pas ankesave të shumta të mbërritura në dyert e këtij institucioni gjatë kësaj jave, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike.
“Komisioni i Përzgjedhjes me qëllim përmbushjen në mënyrë të saktë, të drejtë dhe transparente të detyrave që vijnë me rolin e tij në procesin e rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe pasi mori disa ankesa prej kandidatëve, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike”, tha zyrtarisht dje BKH-ja.
Gjithashtu në njoftim thuhet se nga rishikimi që është bërë ka rezultuar se një prej kandidatëve është skualifikuar padrejtësisht dhe për këtë ky kandidatët do ti nështrohet testit me shkrim.
“Prej këtij rishikimi të dytë të proces-verbaleve rezultoi se, si pasojë e një gabimi njerëzor, një kandidat i vlerësuar me pikë të mjaftueshme kualifikuese është vendosur gabimisht në listën e të skualifikuarve në programin Excel gjatë përpunimit të të dhënave prej Sekretarisë Teknike.
Si pasojë, kandidati nuk është ftuar në fazën tjetër të rekrutimit. Në këto kushte, dhe në përputhje me parashikimet e Rregullores, kandidati i përmëndur më lart i nënshtrohet Testit të Shkrimit të Esesë. Të gjitha rezultatet e tjera janë konfirmuar të sakta”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas institucionit më të ri të drejtësisë për vlerësimin e kandidatëve janë rregulla të qarta dhe procesi është i drejtë dhe transparent. “Rregullorja në fuqi, e miratuar prej BKH-së, parashikon rregulla të qarta dhe të detajuara për vlerësimin e kandidatëve për hetues në BKH.
Komisioni i Përzgjedhjes është tërësisht i angazhuar të zbatojë kërkesat e Rregullores nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Të gjithë hapat e procesit të rekrutimit po monitorohen prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar ruajtjen e standardeve me të larta”, e mbylli njoftimin e saj BKH-ja.
Kush janë 103 konkurrentët që arritën të kalojnë testet fizike
Aplikantët që kaluan me sukses testet fizike, vijnë nga profesione të ndryshme. Nisur nga emrat që BKH-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare, shumica e aplikantëve që janë kualifikuar në fazën tjetër vijnë nga shoqërie civile.
Por nuk mungojnë edhe emra të njohur nga rradhët e policisë, shumica e të cilëve kanë një eksperiencë disavjeçare në radhët e Policisë së Shtetit. Mes uniformave blu që janë bërë pjesë e kësaj gare ka edhe nga ata që janë me gradën komisar apo që kanë mbajtur pozicione drejtuese në polici.
Ndër efektivët që janë ende në garë për t’u bërë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë mund të përmendim Elton Kerlukun, i cili mban detyrën e shefit të zyrës kundër krimit kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu ende në garë është edhe Lindita Nushi, e cila ka qenë drejtoreshë e kufirit dhe migracionit. Por nuk mbeten pas as Bledar Halilaj, zv shef policise kriminale; Julian Malaj, specilalist antiterrori; Fatbardh Kuliçi, zv komondant i Njësisë Speciale Antieksploziv në Policinë e Shtetit; nënkomisari Venetik Zhuli; Ervin Ballaci, që ka mbajtur detyrën e shefit kundër krimit në Elbasan apo edhe Fatbardha Menalla, Uskana Lleshi, Bledi Gjonaj, Sokol Xhibija e Altin Zeqiraj që janë efektive policie në qytete të ndryshme të vendit. Gjithashtu në garë janë edhe Bilbil Sulo e Algert Çekrezi nga Akademia e Policise. Por, përveç fushave të lartpërmendura, në garë janë edhe disa juristë.
Por pretendentë për tu bërë hetues i BKH-së ka edhe nga rradhët e gardës dhe policia ushtarake. Në garë për 60 vende janë edhe disa sekretare të gjykatave të rretheve. Në këtë mënyrë testet fizike mundi t’i kalojë, Olivia Myftiu, e cila aktualisht punon si sekretare në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Një tjetër kandidate është edhe Esmeralda Geca, sekretare në gjykatën e Kukësit dhe Anisa Duka e cila punon si sekretare në gjykatën e Gjirokastrës.
Të gjithë fituesit që do bëhen pjesë e institucioni më të ri të drejtësisë do të hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa do të ketë një sërë sektorësh që do merren me krimin financiar, deklarimet e pasurive, gjurmimin e parave etj.
Për këtë arsye në BKH do të merren specialistë të fushave nga më të ndryshmet. Një tjetër element është se shumica janë të rinj e të reja, me ambicie që të bëhen pjesë e organit më të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit.
la.mi/Fjala.al