Leonard Karaj: Parti falso, duan humbjen e Bashës, jo rënien e Ramës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Si shihet krijimi i partive të reja politike dhe fraksionet brenda së djathtës që pas tetë vitesh opozitë nuk arrin dot bashkimin.

Sa i favorizon Kodi Elektoral subjekte e reja dhe rreziku që të shërbejnë vetëm si “hambar” për partitë e mëdha.

Ndikimi i katër partive të reja që dolën nga “fronti i djathtë”. Komenton për gazetën “Fjala” analisti Leonard Karaj.

Nga Fernada Cenko

Priten 6 parti të reja politike të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, ku katër prej tyre janë djathtas (vijnë nga PD). Cilin elektorat pritet të tërheqin?

Historia e pluraluzmit ka treguar se partitë e reja të krijuara si derivat i binomit PD-PS, nuk kanë mbijetuar as sa manushaqja e shkurtit. Përjashtim përbën vetëm LSI-ja e Ilir Metës dhe deri diku PDIU-ja, parti kjo më së shumti lokaliste.

Arsyeja e dështimit ka ardhur jo vetëm për shkak të Kodit Zgjedhor, i cili të paktën që nga 2008-ta e më pas ka qenë ngshtësisht kundër forcave të reja politike, por edhe bipolarizimit të shoqërisë shqiptare. Dy partitë e mëdha, PS dhe PD kanë mbizotëruar në “tregun elektoral” duke kthyer idealizmin e votuesit në interes të mirfilltë.

Qytetari i varfër është gënjyer me një kuti ushqimesh, nënpunësi i shtresës së mesme i është nënshtruar një vendi pune, ndërsa, i pasuri është pasuruar falë interesave të drejtëpërdrejtë politikë që merrte pikërisht nga binomi qeverisës.

Ndaj ka qenë e pamundur që një forcë e re, qoftë edhe me ideale të forta qytetare të mund të mbijetonte. Në këtë kontekst, e shikoj si shumë të vështirë që edhe partitë e reja të proklamuara rishtazi, të prishin këtë rregull të pashkruar.

Dhe që të kuptohemi: nuk është se për shembull, “Nisma Thurje”, apo “Bindja” e Patozit, janë më pak demokratike, përkundrazi. Madje, pa u munduar që të futemi në doktrinat e tyre statutore, mjaft të vëresh qasjen ndaj problematikave që trajtojnë, që ti votosh symbyllazi.

Por, pikërisht ky trend i tyre europianist nuk gjen treg në një elektorat kaq të doktrinuar dhe të robëruar nga PD-PS. Ndaj, ashtu sidikur PDr e Pollos, FRPD e Bamir Topit, SFIDA e Bojaxhiut, apo edhe LIBRA e Ben Blushit, edhe forcat e reja të krijuara së fundmi, për mendimin tim janë të destinuara të dështojnë me sukses të plotë.

Pas tetë viteve në opozitë, me gjithë hapjen e PD-së, Basha nuk arriti të afronte personazhet e rëndësishëm të kësaj force politike. A do të ndikojë kjo në rezulatatin përfundimtar të PD-së?

Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë hapje konkrete që nga momenti kur në krye të saj erdhi Lulzim Basha. Procesi i hapjes së një partie është shumë më shumë sesa afrimi i një apo dy personazheve, qofshin këta edhe me influencë mediatike apo akademike. E vetmja herë kur një gjë e tillë u mor seriozisht ishte në vitin 2004, me krijimin e KOP-it dhe lënien pas të të gjitha mërive brenda dhe jashtë kësaj force politike.

Nga ai moment, PD-ja ka ardhur gjithnjë e në mbyllje aq sa kohët e fundit, të yshtur edhe nga “ëndërra për pushtet”, kryesisht në bazë, kjo forcë gati është privatizuar. Madje, pjesa më e madhe e drejtuesve kanë injoruar edhe udhëzimet e Lulzim Bashës, i cili kalimthi apo jo, ka artikuluar disa herë hapjen e partisë ndaj çdo individi që e sheh veten jo thjesht opozitar me “Rilindjen”, por pse jo edhe demokrat.

Lexo edhe :  Mëngjesi i Lutjeve, Bardhi: SHBA mbetet aleat i përjetshëm i Shqipërisë

Kjo lloj ndasie u pa qartazi edhe gjatë të ashtuqaujatura “primare”, me votimin kokëposhtë (unikal në llojin e vet), të cilat vunë në pah më së miri përplasjet brenda kësaj force politike. Problem tjetër që ndikoi në dështimin e afrimin e disa figurave të PD-së ndër vite ka qenë edhe diferenca e madhe krahasimore mes lidershipit të PD-së.

Nëse deri në 2013-ën kur këtë forcë e drejtonte Berisha, një lider karizmatik, gati-gati i pakundërshtueshëm dhe që impononte sa frikë dhe respekt, tjetër gjë është Basha. Kreu aktual, ka marrë si trashëgimi jo vetëm “hijen” e Berishës; jo vetëm xhelozinë e ish-kolegëve në parti, disa prej të cilëve e kanë parë vazhdimisht si “të përkëdhelurin e kryetarit”, por edhe dyshimet e forta për mënyrën sesi u zgjodh në përballjen fillimisht me Sokol Olldashin dhe më pas kundër Eduart Selamit.

Në këtë kontekst, duket sikur Basha nuk e ka fituar asnjëherë respektin e qejfmbeturve dhe që meriton si lider i partisë më të madhe opozitare në vend. Nga ana tjetër edhe të larguarit, gjatë tre viteve të fundit kanë mbajtur qëndrime refraktare ndaj Bashës, sa edhe “Rilindja” do ti kishte pasur zili.

Është totalisht e pamoralshme, të paktën për personazhe si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, etj, që kanë pasur poste të larta në PD dhe qeveri, që vetëm se nuk ishin në listat për deputetë në 2017-ën (gabim i rëndë që edhe vetë Basha e ka pranuar), kanë lëshuar gjithë arsenalin e tyre duke i bërë opozitë, opozitës. Duket sikur (dhe me gjasë është fiks kështu), për këta të fundit, më shumë sesa rrëzimi i Ramës nga pushteti, është humbja e Bashës dhe PD-së në zgjedhje. Pra, egoizëm i tejskajshëm dhe i pamoralshëm politik.

Partitë e reja, edhe nëse nuk arrijnë të përfaqësohen me deputetë në qarqe të ndryshme ku mandatet lëvizin me pak vota, a do të ndikojnë në përllogatitjen përfundimtare të rezultatit zgjedhor?

Partitë e reja, sidomos ato të dala nga PD-ja, duket qartazi se janë gatuar në “tryezën e Ramës”. Nëse në 10 fjalë, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari, nëntë i kanë kundër Bashës, atëherë këto parti vetëm elektoratin e djathtë nuk kanë sesi ta përfaqësojnë.

Ato mund të pretendojnë të jenë ç’të duan, por vetëm opozitarë nuk mund të quhen. Kësisoj, paçka e shoh si shumë irealist entuziazmin e tyre; pavarësisht qokave që morën edhe nga kryeministri me Kodin Zgjedhor, duke u dhënë mundësi kryetarëve që të kandidojnë në më shumë se 1 qark dhe duke ulur edhe pragun elektoral, përsëri dyshoj fort se Topalli & CO do jenë parlamentarë pas 25 prillit 2021.

Nuk duhet harruar një fakt domethënës, që votuesi është bërë shumë pragmatist, duke u zhveshur nga idealizmi partiak, dhe duke parë ngushtësisht interesin momental. Ndaj, 99& e tyre ndjekin “trendin e të fortëve” (kupto, partive të mëdha), pafarësisht joshjes spektakolare, bindëse dhe qoftë edhe reale të partive të reja.

Pra, elektorati shqiptar është i prirur të shkojë drejt votës së sigurt (PS, PD, LSI), sesa një eksperimenti që historikisht ka treguar se është i dështuar. Ndaj, me gjasë, forcat e reja politike mund ti heqin një grusht vota, kryesisht opozitës, por jo aq sa të ndikojnë në rezultatain përfundimtar.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

PSG shkatërron Monacon në derbin francez, Kvaratskhelia gjen golin e parë me parizienët

PSG-ja vijon serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Monakon me rezultatin 4 me 1...

Pesë gola në tre ndeshje, Kolo Muani “fluturon” tek Juventus

Kolo Muani është ylli i ri i Juventusit. Sulmuesi francez ka arritur të përshtatet në mënyrën më të mirë të mundshme me skuadrën e...

Së shpejti drejt altarit? Ish-banorja e BBV 3: Nuk e di çfarë plani ka ai, por që…

Ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Dea Vieri, ka qenë një ditë më parë e ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Ajo...

Shqipëria mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale kundër sanksioneve të Trump

Shqipëria iu bashkua të premten një deklarate ndërkombëtare në të cilën shprehet “mbështetje e plotë” për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pak ditë pasi presidenti i...

Tërmetet në Santorini, sizmiologu tregon zonat me risk në Shqipëri!

Ishulli i Santorinit në Greqi po përballet me lëvizje të forta sizmike prej disa ditësh. Por a duhet të kemi frikë se mund të...

Lajme të tjera

Web TV