Zgjedhje me pjesëmarrje rekord. Fituesi duhet të sigurojë 270 vota elektorale, ndërsa betejat po bëhet për ato shtete me numër të konsiderueshëm votash elektorale, që do përcaktojnë cili do jetë presidenti i SHBA-ve.
Biden vijon të udhëheqë ngushtësisht, ndërsa Trump ankohet për parregullsi dhe mund t’i drejtohet Gjykatës Supreme.
Gara mes Presidentit Trump dhe rivalit Biden mbetet ende e paqartë se kush do të jetë fitues. Në disa shtete kyçe mund të duhet disa ditë për të numëruar të gjitha votat. Janë 9 shtete që ende është vështirë të përcaktohet fituesi, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Pensilvania, Miçigan, Uiskonsin, Mejn, Arizona, Nevada dhe Alaska.
Presidenti ka siguruar tashmë fitore në Ohajo, Ajova, Teksas dhe në shtetin e rëndësishëm të Floridës me 29 vota elektorale, ndërsa zoti Biden kryeson në shtetin e Arizonës.
Shtetet kyçe që pritet të përcaktojnë garën, janë ato të Pensilvanisë, Miçiganit dhe Uiskonsinit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, një numër rekord votash u hodhën me postë dhe numërmi i tyre ka bërë që procesi të zgjatet në kohë.
Trump: Është mashtrim, do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë
Presidenti Trump bëri një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi fitore në zgjedhje edhe pse numërimi i votave është ende në proces. Ai tha se “një grup njerëzish mjaft të trishtuar po përpiqen t’u heqin të drejtën e votimit një grupi tjetër dhe ne nuk do të pranojmë këtë.”
Presidenti përmendi një numër shtetesh ku ai tha se kishte fituar, por ku organizatat mediatike nuk kanë shpallur ende një fitues. “Ky është mashtrim ndaj publikut amerikan, është një turp për vendin tonë,” tha Presidenti Trump.
“Ne po përgatiteshim t’i fitonim këto zgjedhje, sinqerisht ne i fituam këto zgjedhje. Prandaj synimi ynë tani është të sigurojmë integritetin për të mirën e këtij vendi.
Ky është një moment i madh, është një mashtrim i madh ndaj vendit tonë. Ne duam që ligji të përdoret në mënyrën e duhur. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës së Lartë.”
Stafi i Biden: Do të jetë presidenti i ardhshëm
Ndërkohë stafi i Biden është shprehur i sigurt që Biden do të fitojë zgjedhjet dhe do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së. “Ne kemi besim se Joe Biden do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara”- tha Jen O’Malley Dillon, menaxheri i fushatës. “Ne nuk do të kemi paqe derisa të numërohet çdo votë”- shkroi Joe Biden në Tëitter.
Evropa në pritje të rezultateve
Evropa, sikurse edhe pjesa tjetër e botës, duket se po mban frymën në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ne reagimet e para pas votimeve të martës një pjesë e zyrtarëve evropianë thanë se do të punojnë me cilindo që fiton zgjedhjet.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se blloku 27 vendesh është i gatshëm që të ndërtojë partneritet të fortë transatlantik. “Populli amerikan foli. Derisa presim për rezultatin, BE-ja është e gatshme të vazhdojë ndërtimin e partneritetit të fuqishëm transatlantik, të mbështetur në historinë dhe vlerat tonë të përbashkëta”, shkroi ai ne rrjetin social tëitter.
Zëvendës kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se “çdo qytetar amerikan duhet të ketë mundësinë të ndikojë rezultatin me votën e tij, ndërsa shprehu bindjen në vazhdimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara edhe pas zgjedhjeve.
“Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i rëndësishëm pavarësisht përfundimit të zgjedhjeve, por është e rëndësishme që gjithçka të numërohet dhe në fund të fundit të kemi një rezultat të qartë që del nga zgjedhjet demokratike në procedura demokratike”, tha Scholz.
Ndërsa Bashkimi Evropian po pret rezultatin, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha shkroi në tëitter: “është e qartë që qytetarët amerikanë zgjodhën Donald Trumpin.”
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer, refuzoi të komentojë qëndrimin e kryeministrit slloven por paralajmëroi rreth ndërhyrjes në procesin që po vazhdon. “Pritjet tona janë që autoritetet përgjegjëse për procesin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të jenë ata që shpallin rezultatet,” tha ai.
Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab, shprehu besimin në institucionet amerikane, ndërsa Britania po pret me interes përmbylljen e procesit të zgjedhjeve. “Pra, ne thjesht do të duhet të jemi të durueshëm, por do të jemi të gatshëm, të zotë dhe entuziastë për të punuar me miqtë dhe partnerët tanë amerikanë, pavarësisht nga rezultati i garës”, tha sekretari Raab.
Pavarësisht ankthit, zgjedhjet ishin të qeta
Pavarësisht nga ankthi i konsiderueshëm parazgjedhor, miliona amerikanë shkuan në votime të martën për të zgjedhur presidentin e tyre në një proces të qetë dhe normal. Kishte pak raporte të frikësimit të votuesve dhe nuk kishte akte të mëdha dhune, sipas zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe aktivistëve të mbrojtjes së votës.
Duke marrë parasysh se rezultatet e një fushate të ashpër elektorale midis Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden ende janë të paqarta, zyrtarët mbetën në gatishmëri për mundësinë e trazirave dhe dhunës së mundshme.
Megjithatë, aktivistët e mbrojtjes së të drejtës së votës thanë se procesi ishte kryesisht i suksesshëm dhe pa probleme. Kristen Clarke, presidente e Komitetit të Avokatëve për të Drejtat Civile sipas Ligjit, tha se raportet e frikësimit të votuesve ishin “më sporadike dhe shumë më të rralla” sesa kishte parashikuar organizata e saj.
“Ne ishim të përgatitur për t’i parë këto përpjekje [të frikësimit të votuesve] në komunitetet e afrikano-amerikanëve dhe atyre të njerëzve me ngjyrë në veçanti“, tha zonja Clarke gjatë një konference për shtyp pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve në pjesën më të madhe të vendit.
Komiteti i Avokatëve ka marrë rreth 30,000 thirrje telefonike nga i gjithë vendi me ankesa, kryesisht rreth kërkesave të lidhura me kartat e identitetit dhe ato të regjistrimit të votuesve, të ndjekura nga zgjedhjet dhe kërcënimet e votuesve, tha zonja Clarke. Kërcënimi i votuesve përfaqësonte një numër të vogël ankesash.
Si rezultat, raportet e frikësimit dhe ngacmimit ishin të pakta. Në Luiziana, një burrë që valëviste një flamur me mbishkrimin Trump dhe mbante haptazi një armë të madhe u paraqit jashtë një qendre votimi.
Në Karolinën e Veriut, një mbështetës i armatosur i Presidentit Trump u arrestua pranë një vendvotimi pasi iu kërkua të largohej. Dhe në Florida, dy burra u shfaqën jashtë një zone duke u paraqitur si sherifë policie. Por këto incidente, tha zonja Clarke, “kanë qenë shumë të izoluara dhe sporadike”. Në vend që të përbëjnë një kërcënim për votuesit, këta individë kanë qenë një “bezdisje”, tha zonja Clarke.
Sarah McBride senatorja e parë transgjinore
Sarah McBride është senatorja e parë transgjinore që fitoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. McBride u shpall fituese në shtetin e saj të lindjes, Delaëare në zgjedhjet e 2020-ës.
30-vjeçarja nuk është thjeshtë një fasadë, pasi ka një karrierë të gjatë politike, e cila është e mbushur me histori suksesi. Në vitin 2012, kur ishte një djalë i quajtur Tim, ndërmori hapat e parë në politikë, duke punuar për ish-guvernatorin e Delaëare, Jack Markell.
Vite më pas punoi edhe për fushatën e Prokurorit të Përgjithshëm Beau Biden, babai i të cilit, ndoshta mund të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës në SHBA.
Pasi përfundoi studimet, ajo ishte e para stazhiere transgjinore në Shtëpinë e Bardhë, gjatë administratës së Obamës, duke punuar për çështjet e LGBTQI në Zyrën e Angazhimit Publik dhe Çështjeve Ndërqeveritare, para se të ndiqte karrierën si sekretare e medias ndërkombëtare për fushatat mediatike mbi të drejtat e njeriut.
Por avancimi i vërtetë i Sarës në politikë erdhi në vitin 2016, kur ajo iu drejtua demokratëve si personi i parë trans që foli hapur në kongresin e tyre. “Pavarësisht përparimit tonë, ka ende shumë punë për të bërë”, tha ajo në fjalën e saj, duke rrëfyer se si çështja LGBTQI, duhet të ishte një çështje kryesore në zgjedhjet presidenciale të atij viti.
la.mi/Fjala.al