Nga Leonard Veizi
Kombinati Mekanik prodhonte fishekë, bomba dore, difensive e ofensive, predha mortajash, mina kundërtank dhe fishekzjarrë
Shqipëria ka prodhuar shumë produkte dhe ndër të tjera edhe armatime e municione. Në dy kombinate mekanikë ose që njiheshin si “uzina sekrete” që ishin njëri në Poliçan të Skraparit dhe tjetri në Gramsh, prodhoheshin pushkë e automatik të tipit Kallashnikovë, si dhe municione luftarake nga fishekët e armëve të gjahut, deri tek predhat e kalibrave të ndryshëm për topa e tanke.
Ish-Kombinati Mekanik Poliçan ishte një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim e municion. Kombinati ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në Jug të qytetit të Beratit. E quajtur ndryshe edhe “Uzina e Prodhimit të Municioneve”, Kombinati Mekanik Poliçan, pasi u ndërtua dhe filloi aktivitetin e tij në mesin e viteve ‘60–të. Më saktë, uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë, linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe defensive, minave kundërtank e kundër këmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatorë KD 8, fishekzjarrëve 180 mm etj.
Kombinati ishte ndërtuar në tri zona të veçanta, futur në gryka, që nuk e shikonin njëra-tjetrën, të emërtuara: zona A, B, C. Këto tri zona, ishin zonat më kryesore të prodhimit. Kishte dhe dy zona të tjera sekondare. Zona F, një zonë balistike, matjesh dhe provash eksperimentale, ndërtuar në anën perëndimore të kodrës, midis zonave B dhe C, mu në buzë të lumit Osum, dhe Zona D, shumë larg prej këtyre në Poliçan. Zona D është ndërtuar në një grykë në afërsi të Kapinovës. Në këtë zonë ishin ndërtuar depo për barut e municion. Çdo ndërtesë e tillë, rrethohej me diga dheu deri në nivelin e çatisë. I gjithë ky kompleks ndërtimesh, shërbente për prodhimin e municioneve luftarake. Aty prodhoheshin fishekë, bomba dore, difensive e ofensive, predha mortajash, mina kundërtank dhe fishekzjarrë.
Me kalimin e viteve dhe me fitimin e përvojës, krahas prodhimit të municioneve, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë proces eksperimentimi u përfshinë dhjetëra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vendi. Si rezultat i kësaj pune, në vitet ‘80–të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e gamës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndërruan nga Uzinë në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake.
Në atë periudhë, në Kombinatin Mekanik Poliçan u instaluan 12 linja kryesore për prodhimin e artikujve të lartpërmendur. Cikli i punës ishte i mbyllur duke realizuar në Kombinat prodhimet ushtarake, instrumentet dhe veglat e punës, deri në ambalazhimin e prodhimit të gatshëm. Linjat e prodhimit ishin të përbëra nga makineri speciale, si torno, freza, makineri metalprerëse etj., të destinuara për prodhimin e municioneve. Vetëm 5- 10% e kapaciteteve prodhuese kishin karakter universal dhe mund të përdoreshin për prodhime civile.
Ne vitin 1986 ky kombinat numëronte 3200 punonjës.
Mbas vitit 1992, si rrjedhojë e ristrukturimit të Ushtrisë dhe mungesës së fondeve, porositë për ushtrinë në Kombinatin Mekanik Poliçan u ulën në mënyrë drastike, duke sjellë si pasojë reduktimin e fuqisë punëtore nga 3200 në 1700 persona. Gjatë viteve 1994 –1997, prodhimi u ndërpre plotësisht. Nga korriku 2006 e deri sot ndërmarrja funksionon pjesërisht, me pavarësi financiare nga shteti. Aktiviteti kryesor i saj për disa kohë ka qenë, demilitarizimi i municioneve të tepërta të Forcave të Armatosura Shqiptare. Vetëm dy programe çmilitarizimi rimorën në punë për disa vite rreth 400 persona.
Sasia e municioneve të asgjësuara në Kombinat që prej vitit 2001 e deri tani, ka qenë rreth 26000 ton (municione të shtimeve të topave 57 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, bomba aviacioni 100 kg, 150 kg, 250 kg, predha mortaje 107 mm dhe 82 mm). Aktualisht po demilitarizohen municione mortaje 82 mm prodhim importi (rus, kinez), granatat e dorës dhe fishekë 7.62 mm.
Kombinati Mekanik i Poliçanit ose Uzina e Municioneve, siç u quajt fillimisht, zhvillonte aktivitetin e saj industrial pjesërisht në fushë hapur dhe pjesërisht në tunele (për arsye sigurie dhe sekreti). Kombinati përbëhej nga zonat “A”, “B”, “C”, “D”, “E” dhe “F”. Secila zonë kishte disa linja apo reparte prodhimi të ndryshme. Zona “D” ishte me magazina, ndërsa zonat “E” dhe “F” ishin poligone. Tunelet për një pjesë të Kombinatit u ndërtuan në vitet 1972-75 dhe në to u futën linjat e prodhimit dhe montimit të fishekëve dhe kapsollave 7.62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm, e po ashtu edhe të disa aktiviteteve të tjera.
Tunelet kryesisht u hapën poshtë rrugës nacionale Poliçan- Çorovodë, ndërsa godinat e tjera shtrihen edhe sot në luginën poshtë rrugës në distancë nga qyteti i Poliçanit. Ndërkohë në zonat “B” dhe “C” punohej me lëndë plasëse dhe kishte rrezikshmëri të lartë. Objektet ishin të vendosur në distancë sigurie nga njëri-tjetri.
Në zonën “B” përfundoheshin predhat 60, 82, 107 dhe 120 mm të mortajave, ndërsa te zona “C”, aty ku ishte dhe lënda plasëse me ndjeshmëri më të lartë, prodhoheshin fishekët bazë të predhave (kallam i formuar me disa shtresa letre), ndezëset detonatorë dhe fishkët e gjuetisë (për pushkë gjahu çifte ose teke). Reparti mekanik kishte sasi të madhe makinerish metalprerëse ku numëroheshin rreth 25 torno, 17 retifika, 9 freza etj.
Aty prodhoheshin stampa, shabllonë, puansonë dhe instrumente metalprerës. Prodhoheshin gjithashtu punto, xhunto meshkuj, matravida, kalizvarë, disqe prerës, si dhe shumë pajisje e vegla të tjera edhe për ekonominë civile. Aty ishte punësuar numri dërmues i forcës punëtore të të gjithë Poliçanit, madje punëtorë vinin dhe nga zonat përreth.
Në shumë raste kishte edhe familje të tëra që punonin në reparte të ndryshme dhe niseshin familjarisht në punë, duke zbritur shkallët e formuara në pjerrësinë e kodrës, ku në një skaj të territorit ishte edhe një godinë që shërbente si çerdhe dhe kopsht për fëmijët e punëtorëve. Nuk lejohej kalimi i punëtorëve nga njëra zonë te tjetra. Hyrja e atyre që shkonin për punë në uzinë, bëhej vetëm me miratim me shkrim të Zv.ministrit që mbulonte industrinë ushtarake, pavarësisht se kush ishte i interesuari dhe ku punonte.
Kombinati Mekanik i Poliçanit, fillimisht u projektua për këtë kapacitet prodhues vjetor:
Fishekë të kalibrit 7.62 mm: 21.000.000 copë
Predha mortaje 82 dhe 120 mm: 600.000 copë
Granata dore ofensive: 150.000 copë
Granata dore defensive: 150.000 copë
Mina kundër këmbësorisë: 200.000 copë
Mina kundërtanke: 50.000 copë
r.g/fjala.al