Intervistoi: Reldar Dedaj
Abuzimi i një 15-vjeçarje muaj më parë nga roja i shkollës ku ajo studionte në Tiranë tronditi opinionin dhe rivuri në dukje një problem shqetësues në shoqërinë shqiptare: pedofilinë.
Rastet e abuzimeve në kryeqytet e po ashtu në qytetet e tjera të vendit janë, por shqetësues është fakti se Policia e Shtetit e ka shumë të vështirë që t’i luftojë.
Dr Elvin Luku, drejtori i Qendrës Shqiptare “MediaLook”, e cila e ka studiuar problemin e abuzimit me të mitur në vend, thotë se fëmijët shqiptarë janë shumë të ekspozuar ndaj ngacmimeve seksuale, qofshin fizike, e po ashtu edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.
Ai ngre shqetësimin se efektiviteti i dhjetëra institucioneve shqiptare për mbrojtjen e fëmijëve është ekstremisht i ulët.
Në botën virtuale, ajo që bën të bien kambanat e alarmit është se kapacitetet e autoriteteve shtetërore janë të limituara për të gjetur pedofilët.
Në një intervistë për “Fjala.al”, Luku jep këshilla për prindërit se si duhet të shmangin një abuzim të mundshëm, e po ashtu bën një pasqyrim të situatës në Shqipëri.
A është një fenomen i përhapur ose tepër problematik pedofilia në vendin tonë?
Nuk di të them në është i përhapur apo jo. Ajo që mund të konfirmoj është se në dhjetë vitet e fundit, numri i krimeve seksuale me të mitur në shqipëri për periudhën 2010-2019 që kanë përfunduar me një vendim gjykate, pra ku abuzimi është i konfirmuar dhe dënuar, është rreth 300. Nga ana tjetër, ajo që kemi evidentuar si trend është fakti që ka një hezitim nga familjarët për të denoncuar raste të abuzimit brenda familjes, pasi mendohet që denoncimi do të sjellë prishjen e kësaj familje. Nga ana tjetër zbulueshmëria e autoriteteve është jashtëzakonisht e ulët. Vetëm në 3% nga 151 raste identifikimi i abuzimit seksual me të mirut nën 14-vjec kanë ardhur nga strukturat shtetërore. Kjo tregon që institucionet parandaluese kanë dështuar në mbrojtjen e fëmijëve.
Sa të mbrojtur janë fëmijët aktualisht në kohën e mediave sociale?
Aspak, perkundrazi, janë shumë më të ekspozuar tashmë në periudhen e masave të marra për distancim social. Tashmë shkollimi dhe shumë shërbime po ofrohen online, pa llogaritur këtu mediat sociale Instagram, Facebook e Tik Tok që i bën fëmijët shumë të ekspozuar.
Nga ana tjetër, në vendin tonë ka dhe një problematikë që lidhet me pikasjen e ngacmimeve online nga ana e autoriteteve shqiptare.
Sipas të dhënave që unë disponoj vetëm 1.56% e çështjeve të nisura për nenin 117 “Pornografia” kanë rezultuar me identifikimin dhe dënimin e autorit, një shifër tepër e ulët kjo që dëshmon vështirësitë që agjencitë e krimeve online po hasin përballe këtyre krimeve në linjë.
Ky numër i ulët i hetimeve të nisura lidhet me faktin se shpesh herë materiali i referuar nga ana e policisë nuk ka të dhëna dhe prova të mjaftueshme për të filluar një procedim penal.
Arsyet se pse uniformat blu hasin vështirësi në këto lloj krimesh online lidhen se pari, për shkak se Sektori i Krimit Kompjuterik ka burime njerëzore të kualifikuara tepër të kufizuara përballë një fluksi të madh rastesh, dhe, së dyti, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e referimeve në sistemin ICSE të Interpolit janë dhe foto apo video me të mitur që ngarkohen në rrjetet sociale në Shqipëri nga familjarët e tyre. Ky volum përmbajtjesh me të mitur që postohen vetë online vështirëson punën e ekspertëve.
A ka një numër personash që kanë kryer krime seksuale në Shqipëri që kanë rifituar lirinë, por që s’janë identifikuar nga drejtësia si pedofilë? A ka shifra të abuzimeve, rasteve të denoncuara?
Po, ne fakt nga të dhënat e nje investigimi të Qendrës Shqiptare MediaLook ka kryer mbi krimet me fëmijët nën moshën 14-vjecare, për një periudhën 2010-2019 rezulton se “të paktën 98 persona të cilët kanë kryer krime seksuale me të miturit kanë rifituar lirinë, por asnjë prej tyre nuk është identifikuar nga drejtësia si pedofilë e s’është trajtuar me mjekime përgjatë apo pas dënimit të kryer në dhjetë vitet e fundit, duke u kthyer sërish në një kërcënim për fëmijët përreth vendbanimeve të tyre në gjithë territorin e Shqipërisë”. Sipas ketij hulumtimi qytetet më të rrezikuara janë Tirana, Durrësi, Elbasani e Korça ku banojnë 61 pedofilë që kanë shlyer dënimin.
Nga këta, 41 kanë konsumuar veprën e marrëdhënieve seksuale me të mitur, tetë prej të cilëve me dhunë.
A mund të na jepni disa këshilla për prindërit?
Prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe vëmendshëm për fëmijët e tyre, jo vetëm ndaj personave të panjohur por edhe rrethit të tyre të të njohurve, pra brenda familjes. Drama e madhe e pedofilisë është se ata që presupozohet që duhet të jenë protektorët e fëmijës në fakt janë abuzuesit më të mëdhej të tyre.
Nga të dhënat e investigimit të Qendrës MediaLook rezulton se nga 151 vendime, 60 raste ose 40.5% e abuzimeve vijnë prej komshinjve dhe miqve të familjes. Më së shumti, krimet që kjo kategori kryen lidhet me veprat e turpshme me të miturit me 21 raste, por dhe me marrëdhëniet seksuale me 12 raste, nga të cilat 7 me dhunë. Ndërkaq kategoria e dytë ku më së shumti ndodhin abuzimet seksuale është brenda rrethit familjar, me 38 vepra penale gjithsej, nga të cilët 16 prej tyre janë kryer mes prindit dhe fëmijës. Sa i takon tipologjisë së krimeve të kryera, mbizotërojnë veprimet e turpshme me 12 raste të ndjekura nga incesti me të mitur me 11 raste, prej të cilave 5 me dhunë./Re.D/Fjala.al