“S’ka normalitet gjatë dimrit”/ Ministri gjerman: Do të na shoqërojë maska

Vala e dytë e koronavirusit ka sjellë një shtim rekord të rasteve të reja, por fatkeqësisht edhe të viktimave.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spann i tha sot transmetuesit shtetëror RBB se ai priste që kufizimet e vendosura për të ndaluar përhapjen e pandemisë të vazhdonin gjatë gjithë dimrit.

Ai shtoi se nuk besonte se jeta do të kthehej në normalitet në dhjetor ose janar, edhe nëse numri i rasteve zvogëlohet.

Si shumë vende të tjera edhe Gjermania po përballet me një shtim të rasteve, ndërsa po aplikohet bllokimi i pjesshëm që prej 4 nëntorit.

Prej fillimit të pandemisë Covid-19, sipas të dhënave nga faqja e specializuar “Worldometer” 52,479,614 qytetarë janë infektuar, ndërsa 1,290,465 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me pandeminë.

Lajm i vetëm ngushëllues është numri i të shëruarve. Deri tani 36,706,773 qytetarë kanë triumfuar përballë Covid-19.

Vendi më i prekur nga koronavirusi i ri në terma absolutë mbeten Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 10 milionë raste dhe pothuajse 241,000 viktima, të ndjekura nga India dhe Brazili.

Sa i përket Europës, shteti më i goditur është Franca, e cila javët e fundit ka njohur një rritje të frikshme të infektimeve dhe vdekjeve duke detyruar qeverinë e Parisit të rifusë vendin në karantinë./Bl.Ba/Fjala.al