Nga Aurenc Bebja
“Paris-presse” ka botuar, të enjten e 29 gushtit 1946, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me Sotir Martinin, ministrin e Oborrit Mbretëror të Shqipërisë, në Egjipt.
Aleksandri, … gusht. Na ishte dikur në brigjet e Adriatikut, një vend i vogël malor i quajtur Shqipëri. Kishte vetëm një minimum grindjesh të fqinjësisë së keqe atje, vetëm sa për të ruajtur para botës reputacionin e mjerueshëm të Ballkanit. Një mbret i vogël, mbreti Zog, udhëhiqte popullin e tij të mirë, vështirë më i emancipuar sesa ai i kohës së Wisigoths-ëve. Mbret shumë parisien, martesa e të cilit ishte festë e revistave ndërkombëtare, sepse nusja e re ishte kontesha e bukur Geraldinë Apponyi, mbretëresha e mbretëreshave të të gjitha Rivierave.
Heshtja ra në lumturinë e çiftit, pastaj më 6 Prill 1939, në Tiranën me diell, këmbanat e kishave dhe hoxhallarët e xhamive i njoftuan botës lindjen e një princi. Me nxitim ambasadorët dhe ministrat e plotfuqishëm nxituan në pallatin mbretëror për të sjellë urimet e kombeve të huaja. Urime, buzeqeshje, gëzim. E ardhmja rrezatonte me qartësi kur një zotëri solemn hyri për tu përzier me turmën e personazheve shumëngjyrësh.
… Është Aleksandri, trashëgimtari i Shqipërisë për të cilin fati dhe gjithashtu OKB-ja. qëndrojnë akoma të heshtur. Ashtu si të tjerët, ai i ledhatoi fytyrën rozë të porsalindurit, pastaj iu afrua mbretit dhe, i përulur sipas rregullave të protokollit, i dha një mesazh. Telegram nga Viktor-Emanueli, menduan, sepse e kishin njohur ambasadorin italian. Mbreti shpalosi letrën, fytyra e tij u zbeh, duart e tij u drodhën, mesazhi ra në djepin e fëmijës, sepse historia ndonjëherë di të kursejë efektet e makiavelizmit dhe ky mesazh, dhuratë e ngjarjes së gëzuar nga Musolini, ishte një ultimatum.
Të nesërmen, më 7 prill 1939, në agimin e së Premtes së Madhe (Shenjtë), flota dhe forca ajrore italiane bombarduan Tiranën, trupat zbarkuan, duke shtypur në 24 orë rezistencën e dëshpëruar të një grushti burrash dhe familja mbretërore mori nëpërmjet malit rrugën e mërgimit. Kanë kaluar shtatë vjet. Në plazhin e Ramlech, afër Aleksandrisë, një djalë i nxirë, i bukur si vajzë, përshkon ujin e ngrohtë: Aleksandri, trashëgimtari i fronit të Shqipërisë.
Një vilë në periferi
“Kush e di?”, duket se pëshpërit me vete, duke parë fëmijën. Z. Sotir Martini, Ministër i Oborrit Mbretëror të Shqipërisë, i cili më solli këtu. “— E shihni, tha ai, mbretërinë e princit të vogël: një vilë në periferi, një kopsht, një roje egjiptiane nën një ombrellë. Qesharake, apo jo? Vetëm, përpara nesh, prapa këtij horizonti detar, gjendet Shqipëria dhe njerëzit e saj.” Unë raportoj këtu në mënyrë të paanshme fjalimin e ministrit, natyrisht duke i lënë atij karakterin personal që i jep: “— E kush po na pengon të kthehemi në shtëpi? Një farë gjenerali Hoxha, agjent i njëfarë zotit Tito. Z. Tito është një hero legjendash, dhe mbreti Zog tani është vetëm një mbret qesharak, mund të thoni.
Pra, është mjaft e komplikuar: paqja me Triesten, Hungarinë, Poloninë, Besarabinë dhe pjesën tjetër: nuk do ta shtojnë edhe Shqipërinë në të. Eh po! Por kur, më 7 prill 1939, bota e indinjuar protestoi kundër agresionit italian, ne besuam në drejtësinë e kombeve. Mbreti Zog, në mërgim në Greqi, Turqi, Rumani, Poloni, Angli, u prit kudo si një mbret martir viktimë e shtypësit. Lufta ndoqi rrjedhën e saj, pastaj u arrit fitorja, dhe bashkë me të edhe shenjtërimi i mbretërimit të Titos në Ballkan nga Rusia. Mbreti Zog kërkoi, në të drejtë të tij, mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në Konferencën e San Francisco-s. Askush as nuk iu përgjigj. Pretendonin se në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet. Sikur zgjedhjet e lira mund të ndodhnin nën kujdesin e një Tito-je, i cili, pasi ishte udhëheqësi i partizanëve të një lufte të veçantë, do të mbahet mend si heroi i trishtë (i keq) i gjyqit Mihajloviç.”
“Duan të copëtojnë Shqipërinë”
“Dhe tani duan të ndajnë (copëtojnë) Shqipërinë. Greqia po kërkon tashmë pjesën e saj, por askujt nuk i intereson se çfarë mendojnë njerëzit (të interesuarit). Sidoqoftë, në emër të tyre, Mbreti Zog do të vazhdojë t’u drejtohet Kombeve të Bashkuara, sepse një mbret nuk mund të heqë dorë nga froni, edhe pas largimit nga vendi i tij si arsye e pushtuesit, pa u dëbuar nga populli i tij. Para se të ishte lajmëtari i keq i ultimatumit të zotit të tij, ambasadori italian e pyeti një ditë Mbretin Zog se çfarë mendonte për të ardhmen e irredentizmit fashist:
“Duhen tre gjëra për të bërë një perandori, iu përgjigj mbreti. Një popull i denjë për të, shumë para, shumë gjak.” Një perandori tjetër, e re në Evropë, tani po kërkon të konsolidojë irredentizmin e saj. Nuk e di nëse këta njerëz janë të denjë dhe nëse kanë shumë para, por një gjë është e sigurt, se ata që janë afër tyre nesër do të shohin të derdhet ende shumë gjak.” Ministri thirri fëmijën mbretëror që të ktheheshin në shtëpi ndërsa po qeshte me fatin e tij duke luajtur, i vetëm dhe i zhveshur, ende duke mos e kuptuar fjalën “megrim”, kuptimi i së cilës do t’i shpjegohet më vonë, kur të mësojë ta shqiptojë shkronjë për shkronjë.
Pa.Va/Fjala.al