Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur Covid-19.
“Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t’i zëvendësojë ato”, tha Ghebreyesus në një takim të Këshillit Ekzekutiv të OBSH-së.
Kur bëhet fjalë për vaksinën, shefi i OBSH-së, por edhe zyrtarët tjerë të organizatës, janë munduar të ulin optimizmin e ngjallur në ditët e fundit, pasi laboratorët e kompanive Pfizer dhe BioNTech njoftuan se vaksina e tyre, e cila është në fazën e tretë të testimit, është 90% efektive.
“Fillimisht, sasitë do të jenë të kufizuara dhe për këtë arsye personeli mjekësor, të moshuarit dhe personat në rrezik do të kenë përparësi dhe ne shpresojmë që kjo të zvogëlojë numrin e vdekjeve dhe të lejojë që sistemet shëndetësore të mbijetojnë. Por do të ketë akoma shumë hapësirë për përhapjen e virusit”., tha Ghebreyesus.
Tedros bëri thirrje që masat e marra për të mbajtur nën kontroll Covid-19 të mos shfuqizohen para kohe./r.g/Fjala.al