Pas denoncimit që kreu i PD-së Lulzim Basha bëri mbi shifrat e vdekjeve nga “Covid-19”, duke pretenduar se numri i pacientëve që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje është disa herë më e lartë ngase raportohet nga Ministria e Shëndetësisë, kanë reaguar mjekët e Spitalit Infektiv: “Nuk kemi fshehur shifra, Bashën do e çojmë në prokurori”. Rama pritet të mbajë qëndrim publik ditën e sotme, ndërsa kryedomokrati bën thirrje që prokuroria të nisë hetimet pasi qeveria po fshin provat.
Nga Fernada Cenko
Kreu i PD-së Lulzim Basha dencoi dy ditë më parë një skandal që sipas tij vjen nga manipulimi i qëllimtë i qeverisë për të fshehur numrin e të ndekurve nga koronavirusi. Duke iu referuar disa të dhënave që pretendon se janë siguruar nga Morgu i QSUT-së, Basha tha se duhet të hetojë urgjentisht SPAK dhe personat përgjegjës të përballen me drejtësinë. Kjo deklaratë u bë shkak që ditën e djeshme të ketë kundërshtime nga të gjitha palët, ndërsa e varteta mbetet ende pezull.
Të dyja palët politike nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre, duke e kthyer problemin e pandemisë në një “bonus” për zgjedhjet e ardhshme Parlamentare që do të mbahen më 25 prill të vitit të ardhshëm. “Për fat të keq ka bërë politikë me vdekjen. Ai ka fshehur numrin e të vdekurve nga Covid në morg. Ndryshe ka raportuar qeveria numrin e të vdekurve nga Covid, dhe ndryshe janë shifrat reale të vdekjeve nga Covid”, tha Basha, duke iu referuar Ramës dhe qeverisë së tij.
Sipas të dhënave që bëri publike kryedemokrati, të vdekurit nga Covidi në spital është gati dyfishi i vdekjeve të raportuara. Basha deklaroi se numri i viktimave është fshehur dhe ky nuk është një denoncim i PD, por i personelit shëndetësor. Sipas tij, Prokuroria duhet të veprojë menjëherë, pasi Rama po merr kohë për të manipuluar provat.
“Gjatë ditës së djeshme kam bërë thirrje që prokuroria të sekuestrojë urgjent provat nga morgu i Tiranës. Lajmi është shokues. Denoncimi është i ardhur nga personeli me integritet shëndetësor, jo nga PD. Të dhënat janë aty. Çfarë pret prokuroria? Pret që t’i manipulojë Edi Rama? Po merr të dhëna që të manipulojë të dhënat. Ky është një lajm shokues. Fshehja e numrit të viktimave është lajm tronditës. Ky është krim i shumëfishtë. Krimi i parë është se ka ulur në sy të publikut rrezikun. Së dyti, duke fshehur numrin e viktimave, ke fshehur marrjen e përgjegjësisë. Ky moment nga denoncimi deri te konferenca që do bëjë kryeministri nesër, do të jetë vetëm manipulimi i provave. Prokuroria të shkojë të marrë provat. Lajmi tronditës është që është bërë politikë me vdekjen, duke fshehur numrin e vërtetë të viktimave”, është shprehur Basha.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka heshtur para kësaj akuze, duke reaguar nëpërmjet zëvendësministrit Albert Nikolla i është përgjigjur kreut të PD, Lulzim Basha se qeveria dhe spitali Infektiv nuk kanë fshehur rreth gjysmën e viktimave nga COVID-19 në Shqipëri.
Nikolla thotë se deklarata e Bashës është e rrezikshme dhe cënon dinjitetin e mjekëve. Po ashtu ai e fton Bashën që për çdo hamendje të ballafaqohet me autoritetet shëndetësore ndërkohë që MSH do të vijojë komunikimet me korrektësi dhe transparencë.
“Akuza e lëshuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha, për fshehje të qëllimshme të numrave të qytetarëve që kanë ndërruar jetë, cënon rëndë dinjitetin e mjekëve tanë dhe nxit agresivitetin ndaj tyre, në një kohë kur ata janë aseti më i paçmueshëm që Shqipëria ka në përballjen me pandeminë.
Është e paimagjinueshme që ndërkohë që qeveria ka bërë gjithçka për paralizimin e burimeve të dhunës fizike ndaj mjekëve në këto vite, sot opozita ta stimulojë këtë dhunë me një akuzë të tillë e cila fajëson direkt ata, sepse janë mjekët dhe askush tjetër që përcaktojnë shkaqet e fataliteteve në kartelat mjekësore të pacientëve.
Si mund të imagjinohet që të gjithë mjekët tanë të jenë të përfshirë në një manipulim që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore?!”, deklaroi zëvendësministri.
Shefja e Infektivit-Bashës: Do të të çojmë në Prokurori
Deklarata e kreut të PD-së, se numri i të vdekurit nga Covid është dyfishi i atyre të raportuarve nga ministria ka irrituar bluzat e bardha. Edhe pse deklarata nuk është se cënon mjekët, që kësaj here janë në vijën e parë të pandemisë, ata kanë reaguar në ekip. Ka qenë shefja e Infektivit Najada Çomo, shefja e Spitalit Infektiv, e cila i është përgjigjur akuzave të Bashës nga ambinetet e infektivit.
“Shprehim publikisht habinë për akuzat e bërë nga Basha dje në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vënë në goditje profesionalizimin tonë si mjekë por dhe janë goditje të befasishme të përpjekjeve tona në luftën kundër covid. Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga covid, është praktikisht e pamundur, pasi çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes , e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit”, tha mjekja Çomo.
Ajo më tej vijoi në deklaratën e saj duke thënë se janë të gatshëm ndaj hetimeve për çdo kartelë mjekësore. Ajo thote se nëse akuza përsëritet do ftoj organet kompetente të hetojnë dhe bëjnë verifikimin e çdo kartele mjekësore.
Si regjistrohen viktimat e Covid?
Në bazë të protokollit mjekësor, çdo pacient i cili është diagnostikuar si i prtekur nga Covid-19 dhe ndërron jetë në spital, dergohet në Morg dhe regjistrohet si: “vdekje nga Covid”. Mjekët përcjellin kartelën mjekësore për çdo humbje jete dhe praktikisht Morgu konsiderohet si institucioni i cili përfundimisht përcakton shkakun e vdekjes së një pacienti.
Kreu i PD-së Basha pretendon se ka listën e plotë me të gjithë emrat e pacientëve që kanë ndërruar jetë me diagnozën “Covid-19”, një listë e cila sipas tij ka dalë nga Morgu i QSUT-së në Tiranë. Nga ana tjetër, dyshohet se Ministria e Shëndetësisë ka manipuluar shifrat, duke raportuar gati dyfish më pak se numri real i qytetarëve që janë ndarë nga jeta për shkak të koronavirusit.
Në kartelat mjekësore mjekët janë të detyruar të japin edhe shkakun e vdekjes dhe në jo pak raste pacientët kanë pësuar arrest kardiak, isufiçensë respiratore, apo edhe trmpozë dhe ndonëse kanë qenë me covid, sipas specialistëve mjekë, shkaku i vdekjes ka ardhur nga rrethana të tjera. Kjo mund të jetë një nga arsyet që mund të mos ketë rakordim të plotë mes raportimeve nga Morgu dhe ato që ka bërë zyrtarisht publike Ministria e Shëndetësisë./Bl.Ba/Fjala.al