Komiteti Teknik i Ekspertëve, nisur nga situata epidemiologjike ka vendosur që t’i rekomandojë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë kryerjen e mësimit të alternuar me prani fizike me atë në distancë.
Vendimin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim online me publikun, duke theksuar se prioritet absolut mbetet mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë.
“Për të minimizuar çdo risk gjatë kësaj periudhe që rriten dhe infeksionet e tjera respiratore dhe për të qenë sa më të kujdesshëm, edhe pse fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-Cov2, edhe pse protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar edhe në shifra, kemi peshuar rëndësinë e këtij ekuilibri dhe kemi vendosur: T’i rekomandojmë MASR që nga data 1 dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, në formë tradicionale, pra me prani fizike duke e kombinuar me mësimin në distancë (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”, ka bërë të ditur Manastirliu.
Më tej ajo ka theksuar se “Përpara kemi një dimër të vështirë, por sot shpresa që do të dalim të fituar në këtë luftë është e madhe, më e madhe se përpara. Sepse lajmet për efikasitetin e vaksinës janë inkurajuese. Në fund kam 2 fjalë edhe një lutje, e kuptojmë fare mire dëshirën për të festuar, por këtë vit këto festa na gjejnë përballë një sfide që ndodh një herë në shekull. Patriot sot është kush qëndron në shtëpi”./Bl.Ba/Fjala.al