Policia e Elbasanit jep të dhënat zyrtare mbi operacionin antidrogë të zhvilluar pak orë më parë në Elbasan.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të drogave të forta, pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Elbasan, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kështjella”.
Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, në një furgon që transportonte lëndë drusore, që drejtohej nga shtetasi G. B., 46 vjeç, banues në Elbasan, i cili është arrestuar në flagrancë, Policia gjeti dhe sekuestroi 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 4 kilogramë e 215 gramë heroinë dhe një sasi kanabisi.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit janë arrestuar edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me këtë veprimtari kriminale./Bl.Ba/Fjala.al