Ruçi mesazh për 65-vjetorin e Adem Jasharit: Asgjë nuk mund ta errësojë luftën për liri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka dhënë sot një mesazh me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Heroit të Kosovës, Adem Jashari. Ruçi shprehet në mesazhin e tij se ditëlindja e Bacës dhe ditëlindja e Shqipërisë së Pavarur janë një përkim dhe simbolikë e fuqishme.

Kryetari i Kuvendit kujton betejën heroike të Jasharajve që humbën 55 pjesëtarë dhe të mbijetuarën e vetme, Besartën, duke i kujtuar se nuk është vetëm dhe se me të është Kosova e Shqipëria dhe të gjithë njerëzit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën.

Më tej Kreu i Kuvendit thekson se kjo ngjarje filloi t’i dëshmojë komunitetit ndërkombëtar të vërtetën e luftës çlirimtare të popullit kosovar, të udhëhequr nga Ushtria e tij Çlirimtare.

Adem Jashari, Heroi i Kosovës, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot do të ishte 65 vjeç. Por prej 22 vjetësh, nga 7 marsi i vitit 1998, ai, familja, miqtë e të afërmit, Kosova, Shqipëria, të gjithë ne, e kremtojmë ditëlindjen e Adem Jasharit pa Adem Jasharin. Dhe pa pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari, pesëdhjetë e pesë prej të cilëve u vranë bashkë me të, pas një beteje treditore me mijëra forca, tanke e automjete të armatosura të policisë serbe, në ngjarjen që ka hyrë në histori si masakra e Prekazit.

Jo vetëm ne, bashkëkombasit e Ademit, por të gjithë njerëzit e drejtë e të ndershëm anembanë globit, në ndeshjen midis tankeve e dhunës policore dhe njerëzve që luftojnë për liri, janë me njerëzit, me luftëtarët.

Nga trashëgimtarët e Adem Jasharit ka mbetur vetëm Besarta, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së tij, dhe që në atë ditë të masakrës ishte vetëm 11 vjeç.

Më dhemb dhimbja e Besartës, që nuk uron dot Bacën në këtë përvjetor. Më ther plaga e saj, e pashëruar dhe e pashërueshme, që në këtë përvjetor, në ata që kaluan dhe në ata që do të vijnë, do të jetë pa motrat, vëllezërit, prindët, pa familjarët e saj të dashur. Por Besartës i them se nuk është vetëm. Me të është Kosova e Shqipëria dhe të gjithë njerëzit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën.

Masakra e Prekazit ishte jo vetëm rënia e Adem Jasharit dhe familjës së tij, por një thirrje për burrat dhe gratë e Kosovës, për t’u bashkuar dhe për t’i shkuar deri në fund misionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, ku të gjithë qytetarët e saj të jetojnë të lirë e të barabartë.

Ditëlindja e Adem Jasharit përkon me ditëlindjen e Shqipërisë së Pavarur. Natyrisht, kjo është një rastësi kohore. Por ky përkim, që bashkon Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me ditëlindjen e heroit që ra për Kosovën e lirë e të pavarur, bëhet një simbolikë e fuqishme.
‘Bac u kry’, ishte shprehja që, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 7 shkurt 2008, sintetizoi mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve për veprën e nisur nga Adem Jashari dhe të përmbushur nga Ushtria Çlirimtare, populli dhe institucionet e Kosovës.

Ditëlindja e Adem Jasharit është një moment reflektimi, për të vlerësuar e respektuar veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, të arritur me mbështetjen e në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Në 65-vjetorin e tij të lindjes është dita të kujtojmë se Adem Jashari dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë, drejtësi të cilën e ka vërtetuar koha.

Sot është dita të kujtojmë se populli, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta.

Sot është dita të besojmë se asgjë nuk mund ta errësojë luftën për liri, barazi, drejtësi e dinjitet të Adem Jasharit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit kosovar.”, shkruan Ruçi./r.g/fjala.al

Të fundit

Gabimi që shumëkush e bën/ Këto fruta nuk duhen konsumuar kurrë në mëngjes

Edhe pse frutat shpesh rekomandohen si mënyra ideale për të filluar ditën, disa prej tyre nuk janë zgjedhja më...

Mundësi egjiptian vendos rekord botëror duke tërhequr 20 automjete

Mundësi egjiptian Ashraf Mahrous (43) vendosi një rekord të ri botëror duke tërhequr 20 automjete të lidhura në Al-Sharkia të Egjiptit, duke kaluar rekordin...

Trump sërish fajëson Bidenin: Lufta në Ukrainë është e tij, nuk është e imja

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar sërish pasardhësin e tij, Joe Biden, duke e fajësuar drejtpërdrejt për luftën në Ukrainë dhe për mënyrën si...

“E dua jetën shumë”/ Dua Lipa feston gjatë gjithë natës marrjen e shtetësisë së Kosovës

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë zyrtarisht shtetësinë e Kosovës dhe emocionin e ka ndarë me ndjekësit e saj. Ajo është shprehur e...

Dy turistë rrëzohen në malet e Komanit/ Zjarrfikësit dhe ambulanca nisen për ndihmë

Dy turistë të huaj që po eksploronin malet rreth bigjeve të liqenit të Komanit, në zonën e Pukës, kanë humbur orientimin. Turistët kanë kerkuar ndihmë...

Lajme të tjera

Web TV