Më pak se 1 minutë i duhet grabitësve minorenë të boshatisin bizneset dhe lokalet të cilat pas orës 22:00 mbyllen prej orës policore si masë anti-covid. Janë këto pamjet që ka siguruar ReportTv nga vjedhjet me dhunë të ndodhura përgjatë muajit nëntor në qendër të kryeqytetit në rrugën e Barrikadave.
Me kapuç, veshje sportive dhe maska anticovid ata thyejnë hyrjen kryesore të verandave të lokalit më pas pjesën e derës së brendshme dhe lëshohen për tek arka ku mbahet xhiro e ditës.
Në këto pamje ekskluzive edhe pse bie alarmi që sinjalizon thyerjen e lokalit ata vazhdojnë të pa shqetësuar kontrollin e tyre deri sa të gjejnë paratë apo sendet me vlerë.
Kur ora shënon 02:46 min e 27 sekonda e datës 22 nëntor dy minorenët hajdutë futen në pjesën e banakut dhe nisin kontrollin për të gjetur paratë.
Por kjo nuk është vjedhja e vetme me dhunë e tyre në të njëjtën zonë. Më 14 nëntor ata kanë bastisur edhe dy biznese të tjera siç dhe shihet në këtë video teksa të dielën në orën 20:00 ata futen në një tjetër bar kafe.
Mësohet se policia e Tiranës dhe komisariati 3 tashmë i ka identifikuar autorët por ata rezultojnë minorenë nën 15 vjeç, çka ka bërë që policia të jetë e pafuqishme pasi arresti me burg ndaj tyre është rrëzuar nga prokuroria dhe gjykata.