Për shkak të uljes së numrit të popullsisë, qarkut Dibër dhe Gjirokastër i hiqet nga një deputet dhe i kalojnë Tiranës. Përfaqësuesi i LSI-së ngre dyshime mbi metodologjinë e Gjendjes Civile.
Nga Fernada Cenko
Gjirokastra dhe Dibra do të kenë në zgjedhjet parlamentare në 2021 nga një deputet më pak.
Me lëvizjet e reja të popullsisë, deputetët që do të kishin aspiratë për të kandiduar në këto qarqe, duke njohur edhe elektoratin se nga voton do të synojnë të kapin radhën të jenë në listë “i pari” ose “i dyti”.
Kjo do ti japë avantazh kandidatëve të Tiranës, që do të shtohet me dy deputetë. Tirana mbetet qarku me më shumë mandate, plot 36, ndërsa pas saj vijnë Fieri me 16 dhe Durrësi e Elbasani me nga 14 ulëse në parlament.
Pra në zgjedhjet parlamentare të 2021-ish do të ndryshohet harta elektorale. Dibranët do të zgjedhin 5 dhe jo më 6 deputetë, ndërsa gjirokastritët, do të votojnë për 4, e jo më për 5 deputetë. Parashikimet e partive zyrtarizohen nga Drejtoria e Gjendjes Civile, e cila ka informuar zyrtarisht KQZ-në për shtetasit me të drejtë vote.
Nga formula e përllogaritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si në Dibër, ashtu edhe në Gjirokastër, do të hiqet një mandat deputeti. Në këtë projektvendim të KQZ-së, të dy këto mandate që bien për shkak të lëvizjes së popullsisë, i shtohen Qarkut Tiranë. Banorët këtu do të zgjedhin tashmë jo 34, por 36 ligjvënës.
“Referuar informacionit të ardhur nga DPGJC për numrin e shtetasve me të drejtë vote dhe kritereve për ngritjen e ZAZ-ve, lindi nevoja për ndryshimin e Zonave të Administrimit Zgjedhor, pasi numri i shtetasve me të drejtë vote në ZAZ nr. 58 të Bashkisë Fier si dhe në ZAZ nr. 64 të Bashkisë Berat, e kalon kufirin e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Komisioni Rregullator në unanimitet miratoi ngritjen e 92 (nëntëdhjetë e dy) Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021. Për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, 50 bashki që kanë më pak se 80 mijë shtetas me të drejtë vote përbëhen nga një (1) ZAZ, ndërsa 11 bashki që kanë më shumë se 80 mijës shtetas me të drejtë vote përbëhen nga më shumë se një (1) ZAZ”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Referuar trendit të votave sipas rezultateve të 2017-ës, mandati i djegur në Dibër i ikën Partisë Demokratike, ndërsa ai në Gjirokastër i rrëzohet Partisë Socialiste. Në Tiranë, sipas parashikimeve, dy mandatet e shtuara ndahen në mënyrë të barabartë, një PD e një PS. Por lëvizjet e popullsisë dhe ndryshimet në gjendjen civile janë parë me dyshim në Komisionin Rregullator.
Muharrem Çakaj, përfaqësues i LSI-së, kërkon llogaridhënie nga Ministria e Brendshme. “A impakton kjo në ditën e votimit një zgjedhës që figuron i regjistruar në Tiranë por nuk shkon dot në qendër votimi pasi i duhet të marrë letër njoftimin në Tropojë, Lushnje apo ku e ka. Në një mbledhje sa më të afërt të kishim prezent person atë nivelit drejtues të gjendjes civile që të na orienton drejt një fakti të tillë”, është shprehur ai.
Zonat e Administrimit Zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Regjistri përfundimtar i zgjedhësve pritet të botohet në mes të muajit mars.
Mandatet e shpërndarë në Shqipëri me ndryshimet e reja
Qarku Berat – 7 (shtatë) mandate
Qarku Dibër– 5 (pesë) mandate
Qarku Durrës – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Elbasan – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Fier – 16 (gjashtëmbëdhjetë) mandate
Qarku Gjirokastër – 4 (katër) mandate
Qarku Korçë – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Kukës – 3 (tre) mandate
Qarku Lezhë – 7 (shtatë) mandate
Qarku Shkodër – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Tiranë – 36 (tridhjetegjashtë) mandate
Qarku Vlorë – 12 (dymbëdhjetë) mandate
Përgatitjet për 25 prillin, ende pezull identifikimi biometrik dhe vota e emigrantëve
Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik në 20% të zgjedhësve në të gjithë territorin e vendit do të kryhet nga KQZ, në veçanti nga nënkomisionerja Lealba Pelingu. Kjo vjen si rezultat i mungesës së zgjedhjes së një kompanie, ku 6 prej 20 të cilave KQZ u ka dërguar një letër për ofertën se sa do të kushtojë teknologjia për zgjedhjet e 25 prillit. Mësohet se çmimi i tyre ka qenë më i lartë se sa kishin parashikuar ekspertët e KQZ dhe ekspertët e partive, ndërkohë që ende nuk është zgjedhur fituesja e tenderit me anë të një procedure të shpejtuar. Nëse një proces i tillë nuk përfundon deri në fund të javë, teknologjia rrezikon të dështojë.
Gjithashtu edhe vota e emigrantëve është një tjetër sfidë, pasi Këshilli Politik ia ka lënë në dorë vendimin KQZ, e cila ka ngritur një grup pune dhe ende nuk është arritur në një produkt final. Ky proces pritet t’u japë mundësinë të gjithë emigrantëve shqiptarë që të votojnë më 25 prill, pas thirrjeve të qeverisë ndaj këtyre individëve për t’u regjistruar në portalin e-albania. Ende nuk është vendosur nëse do të shërbejë e-albania si një regjistër përfundimtar për regjistrimin e votuesve.
LSI-ja “dyshon”/Cakaj: Të na shpjegojnë metodologjinë si kanë arritur në këtë përfundim
Muharrem Cakaj, anëtar i KQZ, në një intervistë për Gazetën “Fjala” ka kërkuar që përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile të raportojnë mbi metodologjinë dhe argumentet se ku janë mbështetur për këto përfundime që kanë arritur.
Sa i takon lëvizjeve të bëra nga një zonë në zonën tjetër pa ndryshuar vendbanimin “qytet”, Cakaj tha se janë në pritje të auditit që KQZ-ja ka ka dërguar në Gjendje Civile. Kjo sipas tij lidhet edhe me dekurajimin e qytetarëve për të nxjerrë kartën e re ID për të votuar më 25 prill. “Pra, kemi cënim të drejtpërdrejtë të një nga të drejtave themelore siç është e drejta e votës të parashikuara dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”, u shpreh ai gjatë intervistës për gazetën Fjala.
Çfarë do i kërkoni ministrisë së Brendshme në lidhje me banorët e Dibrës dhe të Gjirojastrës?
Në momentin që Komisioni rregullator do të ketë për shqyrtim ndarjen e mandateve sipas zonave zgjedhore, së pari duhet të vinë pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe sigurisht do ti kërkojmë metodologjinë dhe argumentet se ku janë mbështetur për këto përfundime që kanë arritur.
Ka pas një problem me regjisitrimin e popullsisë ku janë kostatuar lëvizje të gjendjes civile nga një zonë në zonën tjetër pa ndryshuar vendbanim. A ndikon në procesin zgjedhor?
Siç besoj ju jeni në dijeni në fillim të tetorit janë caktuar dy auditë nga KQZ, të cilët referuar kodit zgjedhor kanë akses në regjistrin e gjendjes civile jo më pak se drejtori i përgjithshëm. Sigurisht do presim dhe raportin e këtyre auditëve teknicienë nga njëra anë dhe nga ana tjetër konstatojmë raste të përditshme të ndryshimit të adresave të banimit të zgjedhësve të ndryshëm. Sigurisht që kjo ndikon në procesin zgjedhor sepse pavarësisht se këta shtetas mund të kenë të njëjtën qendër votimi apo të njëjtin kod votuesi, nga informacioni që rezulton nga kompania “Aleat” dhe nga informacioni që figuron në rastin e rinovimit të dokumentave të identifikimit biometrik, siç janë karta e identitetit apo pasaporta, sigurisht kjo anomali do të dekurajojë zgjedhësit për të rinovuar dokumentat e tyre, pasi në një situatë hipotetike që një zgjedhës ka qenë i regjistruar në Tiranë dhe sipas ndryshimeve që janë bërë nga një njësi administrative e Tiranës rezulton që të jetë banues në Sarandë apo në Vlorë apo në Tropojë, sigurisht ai mund të aplikojë për rinovimin e dokumentit vetëm në ato njësi ku figuron që ai ka të drejtë të marrë certifikatën apo vërtetimin e banimit.
Kjo e dekurajon zgjedhësin dhe automatikisht i heq mundësinë atij për të votuar. Pra, kemi cënim të drejtpërdrejtë të një nga të drejtave themelore siç është e drejta e votës të parashikuara dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Nëse konstatoni probleme çfarë hapash do merrni si opozitë?
Gjykoj se nuk i takon një anëtari të KQZ se çfarë hapa do të marrë opozita. Mund të pyesni partitë politike.
Kreu i “Nisma Thurrje”: Rudina Hajdari kandidon në Shkodër
Endri Shabani i lëvizjes “Nisma Thurje” ka bërë dy zbulime shumë të rëndësishme sa i takon kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Shabani ka treguar për herë të parë se ai është zgjedhur kryetar i partisë nga grupi nismëtar dhe se Rudina Hajdari do të drejtojë fushatën në Shkodër. “Për shkak të formalizmit grupi nismëtar më ka zgjedhur mua si kryetar.
Hajdari do të jetë kryesuese e fushatës në Shkodër dhe do të jetë kandidate atje”, tha ai, duke shtuar se ai vetë nuk të kandidojë i pari në asnjë zonë zgjedhore. Duke folur për mënyrën se si ka lindur bashkëpunimi me Hajdarin, Shabani deklaroi se bashkëpunimi ka nisur kur deputetja ka qenë bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
“Znj. Hajdari nuk ka qenë pjesë e Nismës Thurje, ka qenë bashkëkryetare e komisionit për reformën zgjedhore. Aty ka nisur edhe bashkëpunimi ynë. Ka pasur një periudhë diskutimi për ta vazhduar apo jo dhe u mor vendimi për të vazhduar me bashkëpunimin. Ne kemi një grup themeltar, që e kemi që prej krijimit të organizatës. Kemi bërë një diskutim me aktivistë. Kemi bërë edhe një sondazh për të parë se çfarë duhet të bënim për tu futur apo jo në zgjedhje. Propozimi i qytetarëve ka qenë që duhet të futemi”, tha ai.
Partia ‘Nisma Thurje’ u zyrtarizua ditën e shtunë përmes një aktiviteti online. Lëvizja politike u prezantua nga deputetja e Endri Shabani, deputetja Rudina Hajdari dhe anëtarët e tjerë të “Thurjes”. Hajdari u shpreh se shqiptarët janë të pasur, por të vjedhur nga politika. Pas 30 vitesh sipas saj më në fund ka shpresë por ajo që duhet është bashkimi. Ndërkohë që drejtuesi Shabani prezantoi idetë dhe projektet e kësaj lëvizjeje. Kjo është partia e tretë që krijohet javët e fundit pas partisë së Jozefina Topallit dhe Myslim Murrizit.