Nga Fernada Cenko
Për të shtatën herë radhazi, Bashkimi Evropian refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Cilat janë arsyet dhe përse është rritur euroskepticizmi nga vendet anëtare të BE-së. Sjellja e politikës shqiptare për çështjen e integrimit dhe a do të ndikojë mos hapja e negociatave në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Flasin për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Leonard Karaj dhe Plator Nesturi.
Për të shtatën herë radhazi, BE na ka lënë në “pritje” te dera e madhe që është paradhoma për anëtarësimin. Disa herë kemi qenë më pranë kapërcimit të atij pragu, por në çdo rast është mbyllur për të mos u hapur lehtë. Këtë tregoi Brukseli zyrtar edhe me vendimin e fundit, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do e marrin hapjen e negociatave në dhjetor të këtij viti siç ishte parashikuar, por do ketë një mbledhje në marsin e vitit të ardhshëm, vendimi i së cilës ende mbetet mister. Ndërsa tentojmë të futemi qoftë edhe duke bërtitur me të madhe se e meritojmë, nga BE ka ardhur gjithnjë një përgjigje e prerë:
“Keni bërë përparime, por nuk jeni ende gati”. Nga kjo përgjigje e kahershme, prej më shumë se katër vitesh, politika zyrtare në Tiranë e interpreton sipas dëshirës së saj. Mazhoranca këmbëngul se i ka plotësuar kushtet, por sipas saj “është opozita këtu dhe disa parti euroskeptike në evropë që na pengojnë”… Madje në dy raste qeveria jonë hapi shampanjën për “hapjen e negociatave”, por i mbeti në grykë dollia. Kundërpërgjigja është e përflaktë nga ana e opozitës: “qeveria nuk ka plotësuar kushtet dhe vendi ka probleme me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kapjen e institucioneve të pavarura”.
Këto deklarata dhe “lojë e riparë” nuk shërbejnë për asgjë, por edhe vetë Evropa është e dyzuar ku grupimet politike që janë kundër zgjerimit po shtohen dita-ditës. Gjithashtu koha kur duam të “festojmë integrimin” nuk është në favorin e dy vendeve si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Situata me pandeminë dhe përqëndrimi i të gjithë forcave politike dhe monetare në përballimin e saj kanë lënë tërësisht pasdore një “temë periferike” për Evropës ciç është hapja ose jo e negociatave për anëtarësimin në BE të dy vendeve ballkanike.
Po a duhet t’ia vëmë fajin vetëm euroskeptikëve, apo edhe dy shtetet nuk janë gati për të marrë hapjen e negociatave dhe më pas të jenë kandidate për anëtarësimin në BE? Në një analizë më të detajuar duket se të dyja qëndrojnë, pasi steka e kritereve është ngritur aq lart sa politika në Tiranë dhe Shkup e ka të vështirë ta shohë me sy të lirë. Për aq kohë sa mbesin sërish si ishuj të izoluar, dy vendet do të mjaftohen me përplasjet e përhershme politike në lidhje me integrimin.
Leonard Karaj: “Me Ramën s’ka Europë, qeveri PS-PD, shkatërrim për vendin”
-Në Evropë ka një skepticizëm të theksuar kundër zgjerimit. Ne dhe Maqedonia e Veriut jemi “peng” i politikave të brendshme të BE-së, apo nuk kemi plotësuar kriteret?
Është krejt normale që një pjesë e mirë e vendeve europiane të jenë skeptike ndaj Shqipërisë në veçanti. E thënë troç dhe qartë: Shqipëria e Ramës nuk e meriton të jetë pjesë e Europës. Po cili vend i kësaj Europe ka korrupsion në përmasa biblike sikundër qeverisja aktuale(!?) Cili vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë dhe një sistem gjyqësor thuajse të rrënuar, kjo për shkak të politikës në tërësi dhe qeverisjes aktuale në veçanti(!?) Cili vend i Europës është mbjellë me kanabis në më shumë se 20 përqind të sipërfaqes së vet sikundër ndodhi gjatë viteve 2015-2017 dhe jo vetëm ata që na qeverisnin atëherë dhe tani, por edhe ndërkombëtarët “e infektuar” mbyllën sy dhe gojë(!?)
Në cilin vend të Europës nga njëra anë minimumi jetik është 5 dollarë në ditë për familje dhe nga ana tjetër nuk kanë fund rritjet e çmimeve për troje dhe pallate (si është e mundur që çmimet për metër/katror janë si të blesh mes Parisit dhe Lodrës)? Në cilin vend të Europës falsifikon firmën e sekretarit të shtetit amerikan për 20 milionë euro tender publik dhe gjoja “pas hetimesh të detajuara”, dënohet me punë vullnetare një 26 vjeçar dhe gjithë zinxhirit administrativo-politik nuk i hyn gjemb në këmbë(!?).
Në cilin vend të Europës një nga mediat më të mëdha sikundër “Bild”, publikon përgjime për shitblerje të votës dhe Kryeministri bën sikur nuk kupton, ndërsa koordinatori i zgjedhjeve vihet në krye të komisionit për ndryshimet në kodin zgjedhor(!?) Çmenduri…. Në cilin vend të Europës parlamenti bën enkas ligj për dekriminalizimin sepse pikërisht ai që na drejton (kryeministri) jo vetëm që rezulton se ka ardhur në pushtet me banda, por vijon ti mbrojë publikisht me zë dhe figurë këto banda(!?) Në cilin vend të Europës gdhihesh i varfër dhe ngrysesh i pasur(!?) Në cilin vend të Europës organi më i lartë i akuzës, SPAK-u, i ngritur posaçërisht për të hetuar dhe çuar para drejtësisë, kryeministra, ministra, drejtorë dhe “ish”-ë të tillë, ndërkohë që herë u dërgon fletë-thirrje për gjyq të vdekurve dhe herë dënon me burg një të vobektë që i dha 100 lekë të reja policit për t’i shpëtuar gjobës(!?), etj, etj. Pra, pyetja retorike është: a e meriton një vend i tillë të jetë pjesë e Bashkimit Europian?
Si përfundim nuk është Europa dhe gjoja, sikundër thotë Rama, problemet e brendshme të disa shteteve, arsyeja pse Shqipërisë nuk i hapen dyert. Unë them se neve Europa na ka duruar dhe pritur ca si shumë… Madje, për shkak të llumit ku është zhytur ky vend, kemi marrë në qafë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila është shumë hapa para nesh në të gjitha drejtimet. Shqipëria është larg Europës pasi qeveriset përgjithësisht një klasë e korruptuar politike dhe veçanërisht me Ramën dhe “Rilindjen”, ka zero shanse që të futet në BE. Nëse një ditë, Brukseli do të caktojë edhe një datë startuese për këtë rrugëtim, jam i bindur se më së shumti do të jetë për mëshirë apo për pozicion strategjiko-politik, por asesi sepse do ta meritonim.
Përfaqësues të BE-së i konsiderojnë si tri pika kryesore, kusht për vendin tonë: krijimin e Gjykatës Kushtetuese, luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjet politike për çështjen e zgjedhjeve. A mund ti plotësojë vendi ynë deri në marsin e vitit të ardhshëm kur është lënë vendimi?
Teorikisht po, por praktikisht nuk shoh vullnet për t’i realizuar. Gjykata Kushtetuese do duhej të ishte ngritur që para dy vitesh, por lojërat politike, më së shumti të mazhorancës për “ta kapur” këtë institucion, ndër më të rëndësishmit në vend, kanë bërë që sot Shqipëria të jetë i vetmi vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese.
Nuk duhet harruar se nga gara për në këtë gjykatë janë larguar personalitete të drejtësisë shqiptare (kujtoj këtu Ledi Biankun apo Kristaq Trajën), vetëm e vetëm sepse “nuk i shkonin përshtat” disave. Tani, unë e kam të vështirë të konceptoj sesi emrat e mësipërm paskëshin qenë “të mirë” për të përfaqësuar Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut (ndër më elitaret në botë), por jo edhe aq për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese(!?). E tmerrshme, vetëm ta mendosh… Pra, nuk ka pasur vullnet për ta ndërtuar GJK-në, jo se nuk kemi mjaftueshëm personalitete për të qenë në ajkën e drejtësisë shqiptare (dhe sigurisht nuk mund të jenë të tillë, lloj-lloj pehlivanësh që betohen tek Lana, apo shitës noterialë që “rilndasit” duan ti vënë në kupolën e drejtësisë për të mbrojtur më pas vehten nga plaçkitja që i kanë bërë këtij vendi).
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, ky ka qenë, është dhe do të mbetet një koncept i huaj për klasën politike shqiptare. E vetmja periudhë disi pozitive që Shqipëria ka pasur në këtë aspekt ka qenë në vitet 2005-2008. Më pas korrupsioni ka udhëtuar krahë për krah me çdo qeveri që ka drejtuar këtë vend, sidomos në 3-4 vitet e fundit (për mendimin tim, qeverisja më e keqe që ka pasur ndonjëherë ky vend që nga 1912-ta). Ndërsa marrëveshjet për çështjet zgjedhore, edhe kur janë realizuar nga “të mëdhenjtë” si për shembull në 2008-ën, por edhe kur janë bërë sikundër ka dashur njëri (kupto Rama), si në verën e këtij viti, ato thjesht kanë qenë antidemokratike, përderisa kanë treguar se me ndërhyrjet në kod, kanë deformuar vullnetin e votuesit dhe asgjë më shumë.
Për një Shqipëri në BE, a mendoni se do të ketë ose duhet të ketë, një bashkëpunim politik mes dy forcave të mëdha për të ngritur institucionet e rëndësishme, apo politikës s’i intereson ky integrim?
Për një Shqipëri në BE-në unë mendoj se duhet shkrirë totalisht klasa aktuale politike. Ndaj të mendosh se e mira e këtij vendi mund të vijë nga një pakt mes më mëdhenjve do ishte pazar i mirëfilltë në kurriz të shqiptarëve. Afrimi dhe negociatat me BE-në janë më shumtë retorikë politike sesa synim i qartë i politikës shqiptare. Kjo e fundit e di fort mirë se futja në “ullukun e BE-së” do të thotë: më shumë rend, ligj, drejtësi, kontroll rigoroz financash, më pak tendera të dyshimtë, thuajse zero PPP dhe një administratë publike e adresuar drejt meritokracisë.
Këtë gjë, të paktën “Rilindja” e ka treguar qartë se nuk e dëshiron. Nuk kanë qenë të pakta herët kur FMN-ja dhe Banka Botërore kanë theksuar rrezikun eminent që vjen nga PPP-të. Mos harroni: sot janë mbi 3 miliardë euro punë publike apo shërbime të dhëna nga Rama në xhepat e oligarkëve, duke zhytur çdo shqiptar në një borxh kilometrik (çdo njeri që frymon sot dhe që do lindë nesër ka mbi kurriz rreth 1400 €uro borxh vetëm për shkak të PPP-ve të Ramës, pa futur këtu borxhin publik, i cili është kusur edhe nga qeveritë e mëparshme).
Nëse Shqipëria do të hynte në Europë, sigurisht që qeveria aktuale, po e ppo, por edhe ajo e mëpasmja nuk do të kishin mundësi që të firmosnin më të tilla kontrata thelbësisht korruptive. Nëse do të ishim në dyert e BE-së, sigurisht që nuk do të kishim bashki (kampione ajo që drejtohet nga Erjon Veliaj) apo pushtet qendror që bëjnë tendera herë pa garë fare dhe herë me fitues me “çmim në kokë”, pa harruar këtu preventiva super të fryrë, aq sa kosto janë disafish më të larta sesa në Europë, madje edhe Amerikë. Kësisoj, një bashkëpunim politik mes partive të mëdha thjesht do të vijonte këtë lukuni zullumi dhe do varfëronte edhe më shumë vendin, por asesi nuk do na sillte më afër Europës.
Refuzimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, mendoni se do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 2021-it?
Sado paradoksale që duket, fatkeqësisht jo. Përgjithësisht çështjet e lidhura me integrimin, NATO-n, apo edhe deri me liberalizimin e vizave, nuk kanë ndikuar thuajse fare në elektorat. Nuk fitoi asgjë qeveria e PD-së në 2009-ën, pavarësisht se një vit më parë Shqipëria pat hyrë zyrtarisht në NATO. E njëjta gjë edhe në 2013-ën, paçka se shqiptarët lëviznin pa viza drejt BE-së dhe ishin bërë hapa të rëndësishëm edhe në nisjen e negociatave (kujto nënshkrimin e marrëveshjes në 2013-ën gjatë presidencës çeke). Në këtë kontekst, fatkeqësisht, edhe refuzimi për të disatën herë i Evropës ndaj qeverisë Rama, zor se do të ketë ndonjë impakt tek zgjedhësit, një pjesë e mirë e të cilëve janë rreshtuar që tani përkrah njërës apo tjetrës forcë politike.
Duhet kuptuar qartë se hapja e negociatave me BE-në do të niste realisht një epokë të re për Shqipërinë, por fakti se të paktën gjatë këtyre viteve të fundit, thelbësisht dhe qartësisht vetëm për fajin tonë, jemi refuzuar plot shtatë herë (paçka se për Ramën dhe “rilindasit” e tij negociatat i kemi hapur prej kohësh; madje para tre vitesh dekoruam edhe ca ambasadorë dhe shpampanja u derdh rrëke), kjo e ka bërë thuajse të pandjeshëm qytetarin shqiptar, i cili për shkak të të keq qeverisurit, ka humbur edhe interesin ndaj Bashkimit Europian.
Lorenc Vangjeli: Shqiptarët në Evropë, Shqipëria jashtë!
-Refuzimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, a do të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve në vend?
Ende duhet pritur, ende duhet shpresuar që të shmanget ajo çfarë është një kontradiktë mes dy skajesh që duhet se nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin: shqiptarët janë në Evropë, Shqipëria është ende jashtë saj. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rreth një të tretën e popullsisë së vendit që jeton prej vitesh jashtë dhe ka jo vetëm qytetarinë, por edhe mendësinë e një evropiani. Jo thjesht për brezin e dytë të emigracionit modern shqiptar, që madje flet gjuhën e huaj, më mirë se gjuhën e vendit të nënës, që është lindur, shkolluar dhe ka dashuruar në gjuhë të huaj, që njeh më mirë këngëtarët, artistët, sportistët apo edhe politikanët e atdheut të dytë sesa ata që vijnë nga dheu i babës.
Është shumë më shumë se kaq. Është edhe një shtresë e mesme, kryesisht në Tiranë dhe në ca pak nga qytetet e mëdha, që fitojnë mirë, që jetojnë mirë, që i acaron zhurma e sherri në ekranet e televizorit, që përpara se të merren me dramat e politikës në lajmet politike të vendit, zgjedhin dramat e Netflix-it. Janë edhe ata që pak ju intereson ngjyra e kravatës së Ramës apo teritali korrekt i Bashës, që janë gjithashtu evropianë. Të jesh qytetar i kontinentit, sado cinike të duket, nuk duhet të jesh i varfër. Kjo është një e vërtetë që askush nuk e thotë në Tiranë edhe kur bën festë për integrimin, edhe kur mban zi se integrimi është një kapele që nuk po vjen në Tiranë.
Shqipëria nuk është Evropë de facto. Ajo ka një klasë politike tragjikomike, një mulli absurd që rreket të bluajë dhe të ribluajë jo drithin e dobishëm, por vetëm ujin që i hyn dhe del nga lart-poshtë, ka zhurmë që rreket të shitet si muzikë. Po kështu, nuk është Evropë Shqipëria e njerëzve me mendësi komuniste, që pretendojnë të takohen me “shtetin” vetëm një herë në katër vjet, kur në këmbim të votës, pretendojnë se nuk duhet të paguajnë as drita dhe as ujë. Gjithashtu nuk është shtet evropian Shqipëria, drejtuesit e të cilës që dalin nga kjo marrëdhënie me votën, për hir të pushtetit falin edhe pagesa dritash, edhe detyrimet për ujë të pijshëm.
Pa kuptuar se Evropa nuk është porta ku hyjmë siç dalin në tufë delet nga shpella e Polifemit, por është pragu ku trokitet së pari individualisht, atëherë torba e shpresës do të mbetet bosh. Aq më shumë kur në këto kushte, kur edhe sikur Tirana të ishte si Berlini, do ta kishte shumë të vështirë të bindtte Brukselin se vlen si yll i verdhë në flamur blu. Për fajin e saj, Shqipëria ka humbur shumë kohë në rrugëtimin e saj kaotik e shpesh edhe qesharak e dramatik drejt Evropës. Sot, i vetmi ngushëllim është që mëkati për këtë martesë të dëshiruar, por gjithherë të dështuar, nuk është vetëm shqiptar. Për t’ju kthyer mullirit që nuk bluan drithë, edhe nëse ekziston vullneti i mirë, prej tij nuk mund të kërkohet të hyjë në pistën e Formula 1.
Parë nga kjo pikpamje, pak përkitje duket se do të ketë raporti i Tiranës me Brukselin në fatin e 25 prillit. Për fatin tonë të keq dhe për fatin e mirë të një grushti njerëzish që shkëmbehen me njëri-tjetrin, për ta vlen më shumë ta kenë mirë me “Kavajën, Shijakun e rrethinat sesa me Berlinin dhe Parisin, qoftë dhe pa rrethoinat e tjera të Evropës”. Ndikimi pozitiv apo negativ në zgjedhjet e ardhshme, varësisht vendimit që do të merret për Shqipërinë, do të jetë afër zeros. Në mos qoftë zero vetëm fakti që të gjithë, pavarësisht faktit, do të brohorasin fitoren në studio televizive.
Për një Shqipëri në BE a do të ketë një bashkëpunim politik mes dy forcave të mëdha për të ngritur institucionet e rëndësishme, apo politikës nuk i intereson fare ky integrim?
Edhe nëse supozohet se forcat kryesore politike do të bëhen bashkë një ditë, së paku në këtë çështje madhore; edhe nëse shmanget realisht gëzimi i lig i opozitës – të njëjtin gaz e kanë pasur dje edhe socialistët – për çdo dështim të qeverisjes; edhe nëse, nëse, nëse… e kështu pafund, pra, edhe nëse vjen një qeveri gjermane në Tiranë, siç ka qejf të supozojë shpesh Rama, situata pak do të ndryshojë. Madje edhe aspak.
Një palë këpucë që kanë shkuar shumë shpesh tek këpucari, vlen më mirë të hidhen sesa t’u jepet shansi që të riqepen sërish. Ka një proverb të pabesueshëm në shqip që e demonstron dramatikisht një gjë të tillë dhe “promovon” dëshirën lokale: atë që zgjedh më mirë të jetë i parë katundi se i fundit në qytet. Me disa përjashtime fare të rralla, ata që paguhen për politikë në Tiranë, as ja kanë idenë Evropës dhe as kanë dëshirë e nevojë për Evropën. Janë bretkosa që jetojnë vetëm në moçalin që ngrohet vetvetiu në diell dhe që i sëmur uji që rrjedh. Janë si personazhe telenovelash turke që edhe një shikues i vëmendshëm nuk e kupton se pse janë dhe çfarë roli ka në jetën publike të vendit ajo shumicë dëshpëruese tipash që firmosin në bordero’ shtetërore dhe kapin ç’të mundin nga sisët e financave publike.
Përfaqësues të BE-së e konsiderojnë si tre pika kryesore, kusht për vendin tonë: krijimin e Gjykatës Kushtetuese; luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjet politike për çështjen e zgjedhjeve. A mund ti plotësojë vendi ynë deri në marsin e vitit të ardhshëm kur është lënë vendimi?
Pak ndryshim do të ketë edhe nëse qofshi tre apo tridhjetë e tre pikat e kushteve evropiane për Shqipërinë. Na kërkohet të ndryshojmë, në kohën kur vetë Evropa është në dinamikë ndryshimi për arsye e shkaqe shumë më madhore se halli që vjen nga vende të vogla, por që shkaktojnë telashe të mëdha siç është gjithë Ballkani. Pavarësisht megalomanisë që prodhon Gadishulli i trazuar, mendjemadh e vanitoz, i gjithë ky rajon në Berlin, për shembull, projektohet e zvogëlohet thjesht tek fraza: sa Mercedesë mund të shesim aty? Kurse në Paris, pyetja këmbehet me llogarinë sesa vota mund të fitojnë populistët në presidencialet e radhës, po të bëhet hapi i radhës drejt rajonit.
Gjithë Ballkani në përgjithësi, por edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në veçanti, duhet të heqin dorë nga iluzioni i deri djeshëm se mund të hyjnë në Evropë me gjithë dhembjen e kokës që ato shkaktojnë. Ka disa vjet që po bëhet e qartë se nëse kjo gjë ndodh, duhet të qasen me modesti dhe krenarinë e kokuljes. Edhe pa to, ka shumë zhgënjim në Perëndim dhe në qendrën tradicionale të Evropës për demokracitë postkomuniste që edhe mbas tre dekadash pluralizëm, kanë demonstruar se dinë të gjejnë defekte, të çara dhe dobësi të sistemit për hir të pushtetit.
Po kështu, këto demokraci të korruptuara, me politikanë vulnerabël ndaj dëshirës për të qenë në pushtet dhe vetë pushteti në vijimësi, kanë dëshmuar aftësi të pamenduar më parë deri edhe në lëvizjen e koordinatave gjeopolitike të vendeve të tyre. Lojërat me yjet e Evropës përballë yllit komunist kinez, ariut pa gjumë rus apo edhe mëdyshjeve euroaziatike turke, janë një dhembje reale koke nga brigjet e Atlantikut, në zemër të Evropës dhe në skajin verior të saj. Më shumë se ngushëllim për dy vendet tona, duhet kuptuar edhe sesa e rëndësishme është tradita për demokracinë si sistem. Çfarë do të lemeriste një gjerman, për shembull, për një hungarez apo polak do të ishte një akt normal.
Gjithashtu edhe për një çek, sllovak apo dhe grek, t’ia hedhësh ligjit të shkruar, shpesh është zotësi dhe jo krim; të ndash të mirat publike sipas dëshirave private është një gjë e keqe vetëm nëse nuk mbulohet dot dhe se mes të thënës dhe të bërës, edhe në Tiranë e Shkup, ka më shumë se një det në mes përtej Qafës së Thanës. Fiks aty nga ku thonë se erdhi, por u rikthye sërish në Anadoll mbi gomar Nastradini i vjetër, duke na lënë të qajmë Nastradinët tanë modernë bredna Benz-ash.
Nga ana tjetër në Evropë ka një skepticizëm të theksuar kundër zgjerimit. Ne dhe Maqedonia e veriut jemi “peng” i politikave të brendshme të BE-së, apo nuk kemi plotësuar kriteret?
Pak nga të gjitha. Për fat të keq!
Plator Nesturi: “Momenti që po trokasim në derën e BE nuk është më i përshtatshmi”
Refuzimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, a do të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve në vend?
A jemi larguar ne nga Evropa apo është vetë Evropa që e cila ka një qasje tjetër ndaj vendeve që tentojnë të shkojnë drejt saj, si Shqipëria dhe Maqedonia? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje përcakton se çfarë ka ndodhur në këto katër vite, pra që nga viti 2016 kur u vendos që Shqipëria të jetë vend kandidat pa kushte dhe që procesi i negocimit do të niste me ngritjen e Tryezës Ndërqeveritare. Ndërsa e kemi tapinë e vendit kandidat, a mund të quhet refuzim pra nëse po zvarritet ndër vite thërritja e Tryezës nga ana e vendeve të BE? Apo diçka ka ndryshuar tek këto vende që tashmë i kanë kthyer sytë nga problemet e brendshme dhe kanë shumë më pak interes për zgjerimin e familjes së BE. Momentum që po trokasim në derën e BE nuk është më i përshtatshmi. Është si të trokasësh në një derë e të kërkosh mikpritje në kohën kur djemtë e familjes janë duke u grindur me njëri tjetrin dhe kur i zoti i shtëpisë ka halle të tjera. Shqipëria humbi kohë në vitin 2013 me shtyrjen e procesit gjë që po ndikon tashmë në shtyrjen e përfundimeve të pritshme. Deri në 2014 çështja e integrimit në BE ishte më e thjeshtë. Por ndryshimi i raporteve politike, ngritja e partive populiste dhe që janë euroskeptikë, shoqëruar kjo dhe me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, natyrshëm që prishi atë klimë favorizuese të zgjerimit.
Kështu nisi të prishej skema e deriatëhershme kur nëse rekomandonte Komisioni Evropian një propozim, ajo aprovohej totalisht nga shtetet anëtare. Rasti i procesit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është dhe një nga shembujt se ndërsa Komisioni Evropian raporton se janë përmbushur kushtet dhe të dyja vendet rekomandohen të jenë pjesë e procedurave për union, kjo gjë has pengesë nga vende të caktuara, të cilat më së shumti skepticizmin e kanë si rezultat i presionit të brendshëm politik sesa mbi çështje thelbësore. Dëshmi për këtë është fakti që këto dy vende prej mëse 4 vitesh bëjnë një raportim çdo tremujor, që u përcillet çdo kancelarie të vendeve të BE, dhe realisht nuk ka patur vërejtje mbi këto raportime të kryera. Çështja ndryshon papritur në samitet kur do të vendoset vijimi I procedurave, çka dëshmon se më së shumti janë qëndrime politike për të shmangur procesin e zgjerimit sesa probleme qenësore për pengesë.
Në këto kushte, ndërsa ka përfunduar puna më e vështirë për përafrimin legjislacionit, ndërsa janë ndëramrrë reforma të kërkuara e madje nën monitorim të vetë vendeve të BE e të SHBA, është e qartë se kjo shtyrje nuk është rezultat i mos përmbushjes së angazhimeve, por i shkaqeve të brendshme në BE. Mjafton të kujtojmë se dy ditë më parë, Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit, Z. Palmer deklaroi se SHBA vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në angazhimet e saj dhe në realizimin e reformave dhe madje i bëri thirrje BE që të ndërmarrë një vendim pozitiv për Shqipërinë në thirrjen e Tryezës Ndërqeveritare Brenda periudhës së presidencës gjermane. E parë në këtë kontekst, çfarëdo vendimi do të merret deri në datën 11 dhjetor nga ana e BE, kjo nuk ka të bëjë as me qeverisjen dhe as më çështje reformash, ndaj nuk ka si të ketë ndonjë ndikim për zgjedhjet e 25 prillit. Për më tepër që në këtë çështje vetë opozita nuk ka si t’ia lerë “barrën e fajit” vetëm maxhorancës, kur vetë ajo me braktisjen e parlamentit dhe stimulimin e krizës politike nëpërmjet rrugëve jashtëparlamentare, hapi kapituj shtesë e që mund të shmangeshin nga detyrimet e deriatëhershme.
Për një Shqipëri në BE a do të ketë një bashkëpunim politik mes dy forcave të mëdha për të ngritur institucionet e rëndësishme, apo politikës nuk i intereson fare ky integrim?
Deri më tani marrëdhëniet midis aktorëve politikë shqiptarë kanë qenë thembra e Akilit në imazhin e demokracisë në vend. Jemi dëshmitarë që tensionet midis palëve marrin shpesh trajta ekstreme çka ka treguar një papjekuri të theksuar të klasës politike në Shqipëri. Është dëshmuar se për çdo lloj krize në vend është thirrur apo është dashur ndërhyrja e aktorëve ndërkombëtarë, të BE dhe SHBA, për të ulur gjakrat e për të vendosur paqe. Në këtë mënyrë vetë klasa politike i ka dhënë një imazh të keq vendit. Në këtë kontekst, bashkërendimi e bashkëpunimi për çështje të integrimit ka qenë me hope, i mangët dhe shpesh kur ka qenë dhe i imponuar nga faktori ndërkombëtar. Më kollaj partitë në opozitë ia kanë futur shkopinj nën rrota reformave apo çështjeve të integrimit dhe kjo është përsëritur dhe kur partitë që ishin në pushtet kanë kaluar në opozitë duke përdorur të njëjtat formula pengimi.
Përfaqësues të BE-së e konsiderojnë si tre pika kryesore, kusht për vendin tonë: krijimin e Gjykatës Kushtetuese; luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjet politike për çështjen e zgjedhjeve. A mund ti plotësojë vendi ynë deri në marsin e vitit të ardhshëm kur është lënë vendimi?
Ju keni përmbledhur këtu tre kushte dhe nëse i sheh këto vëren se realizimi i tyre janë jo vetëm të arritshëm por që dëshmon se vendimi në këtë rast është një shtyrje thjesht për të kapur kohë e për të kënaqur momentalisht euroskeptikët. Këtë e them se ndërsa këto kushte janë mëse të realizueshme, natyrshëm mund të veprohej të merrej vendim pozitiv me caktimin e Tryezës Ndërqeveritare dhe të përcaktohej që ndërkohë, pra deri në hapjen e tryezës, Shqipëria të kish realizuar dhe këto tre kërkesa. Pasi duke i marrë me radhë, Gjykata Kushtetuese është afër plotësimit të numrave të anëtarëve për ta bërë funksionale dhe kjo dihet tashmë. Po ashtu për luftën ndaj korrupsionit është vënia në eficëncë e organeve që merren me këtë si SPAK apo BKH dhe në këtë drejtim tashmë pritet thjesht që ato të japin produkt. Ndërkohë çështja e zgjedhjeve tashmë mbetet thjesht për zbatim nga autoritetet që merren me to, pasi në këndvështrimin e BE kanë qenë marrëveshjet politike ato që shpesh herë prishin e dëmtojnë balancat e ligjit.
Nga ana tjetër në Evropë ka një skepticizëm të theksuar kundër zgjerimit. Ne dhe Maqedonia e veriut jemi “peng” i politikave të brendshme të BE-së, apo nuk kemi plotësuar kriteret?
Kriza ekonomike, kriza sociale që e shoqëroi dhe që solli shtimin e peshës së partive populiste e euroskeptikë, por edhe pandemia që ka goditur ekonomitë e vendeve të BE këtë vit, natyrisht nuk është një moment i mirë për të synuar procesin e anëtarësimit. Shumë prej qeverive të vendeve të BE gjenden nën një presion të fortë si ndaj çështjeve të emigracionit e natyrshëm edhe ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE. Po ashtu dhe midis vendeve të BE ka patur kontradikta të ndryshme. Mjafton të kujtojmë debatet e ashpra dhe pakënaqësitë e vendeve të caktuara ndërsa po shpërndaheshin fontet e ndihmave për ekonomitë e vendeve që ishin dëmtuar nga pandemia. Është një perish plot vështirësi dhe kjo e vështirëson dhe një vendim të ftohtë e që shkon thjesht mbi perspektivat e të ardhmes së BE. Qeveritë evropiane më së shumti po mendojnë të tashmen dhe përballimin e saj. Në këtë aspekt dhe ne si vend duhet të kuptojmë situatën çfarë po ndodh në arenën evropiane por gjithsesi kjo nuk ka pse të na stepë të modernizojmë veten dhe demokracinë në vend për të qenë më të denjë për familjen evropiane.