Certifikimi i vaksinave të BioNTech dhe Pfizer fut në garë botën për sigurimin e tyre në sasi dhe kohë për popullatën e tyre. Britania e Madhe nisi dje vaksinimet e para për qytetarët, ndërsa vendi ynë duket se do të tentojë të sigurojë sasinë e duhur në SHBA dhe Evropë.
Nga Fernada Cenko
Vaksina e si dhe një tjetër që po zhvillohet nga firma amerikane Moderna kanë marrë kryesimin në zhvillimin vaksinës, pasi të dhënat e provave në shkallë të gjerë treguan se vaksinat e tyre ishin rreth 95 për qind të efektshme kundër COVID-19. Në Britaninë e Madhe ditën e djeshme janë injektuar dozat e para të vaksinës për qytetarët. Shtetet si Amerika, Britania, Kina dhe Rusia e kanë të zgjidhur pjesën e vaksinën me cilësi, apo që kanë efekshmëri të lartë, por Europa është ende në pikëpyetje nëse do të marrë vaksinën e këtyre firmave apo do të presin një tjetër vaksinë që do të jetë për vaksinimin masiv të popullatës. Shqipëria ende nuk dihet. Por lajmi që duhet të ngrohë shqiptarët është vizita e Kryeministrit Edi Rama në Amerikë, i cili që në nisje informoi se do të fliste për vaksinën. E ndoshta qeveria do të mund që ti vaksinojë popullatën e vet me një vaksinë efikase. Kryeministri Edi Rama tha që është nisur drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të takohet, sipas tij, me prodhues të vaksinës kundër koronavirusit.
“Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri! Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Rama në një postim në Twitter.
Përtej SHBA-së dhe BE-së, më shumë se 30 vende janë në faza të ndryshme të negociatave për të siguruar vaksinën e BioNTech dhe Pfizer, tha profesor Ugur Sahin, duke i dhënë një lajm të mirë shqiptarëve se mund të sigurojnë edhe këtë vaksinë. Me shqetësimet në rritje që kombet e varfra mund të liheshin pas dore, Sahin tha BioNTech është duke folur me organizata si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondacioni Bill dhe Melinda Gates për shpërndarjen e vaksinës “në të gjithë botën” dhe gjetjen e mënyrave për të ulur koston e saj.
Çmimi i vaksinës BioNTech dhe Pfizer pritet të jetë rreth 20 dollarë (17 euro) për dozë, me një dozë tjetër përforcuese që do të merret 28 ditë pas së parës. Në SHBA, janë dy kompani që kanë deklaruar deri tani rezultate shpresëdhënëse për vaksinën e tyre anti-Covid, Pfizer dhe Moderna. Të dyja kanë kërkuar miratim të shpejtë për shpërndarjen e vaksinave të tyre. Por Kryeministri nuk bëri të ditur se me kë do të takohet specifikisht. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu bëri me dije se Shqipëria ka bërë tashmë një parapagim prej 3,9 milionë dollarësh, në kuadër të Covax për të siguruar vaksinën kundër koronavirusit sapo ajo të jetë e gatshme.
Një burrë 81 vjeç dhe një grua 90 vjeç ishin personat e parë në botë që bënë vaskinën antiCovid
Në Britani, por edhe në botë, kanë qenë dy të moshuar që janë ulur të parët në karigen e vaksinimit. Një burrë dhë një grua mbi 80 vjeç pranuan të vaksinoheshin të parët në Britani. Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock nuk mundi të mbajë lotët kur pa 90-vjeçaren Maggie Keenan të bënte vaksinën e parë Pfizer për koronavirusin në botë. 90-vjeçarja i shkaktoi emocione të mëdha Ministrit të Shëndetësisë, i cili së bashku me 81-vjeçarin Ëilliam u bënë gruaja dhe burri i parë në botë që u vaksinuan jo në provat klinike, por normalisht. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë po përdor sot si armën e Britanisë në luftën kundër koronavirusit vaksinën Pfizer, që ruhet si “bebja e syrit” në 50 spitale. 5,000 njerëz pritet të vaksinohen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Matt Hancock, i ngazëllyer, tha se në një vit 2020 të zi ai pa shpresë përmes fillimit të vaksinimeve që do të fillojnë të ndryshojnë jetën tonë për mirë.
Britani e Madhe, Hancock: Autorizimi i vaksinës antiCOVID-19 i mundur në sajë të Brexit
Qeveria britanike siguroi dje se Brexit kishte bërë të mundur që BM të ishte vendi i parë perëndimor që autorizon një vaksinë kundër koronavirusit të ri, një pretendim që tërhoqi kritika nga nacionalizmi farmaceutik.
“Ndërsa deri në fillim të këtij viti ishim në Agjencinë Europiane të Barnave, falë Brexit ne qemë në gjendje të merrnim një vendim duke u bazuar në rregullatorin britanik dhe jo me ritmin e evropianëve, të cilët po lëvizin pak më ngadalë”, tha ministri i Shëndetësisë Matt Hancock, pas miratimit që iu dha vaksinës të aleancës gjermano-amerikane Pfizer/ BioNTech. “Ne të gjithë bëjmë të njëjtat kontrolle sigurie dhe ndjekim të njëjtat procedura, por kemi qenë në gjendje të përshpejtojmë mënyrën si bëhen falë Brexit-it”, shtoi ai.
Komiteti i Ekspertëve: Tirana, Gjirokastra dhe Lezha më të prekurat nga COVID-19
Rakacolli: Kjo javë do jetë vendimtare nëse do të ndryshojnë masat antiCovid
Tre qytete në vendin tonë kapin shifrat më të larta të të prekurve nga Covid 19. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë Tirana, Gjirokastra dhe Lezha janë qytetet që kanë numrin më të lartë të të infektuarve. Komiteti i Ekspertëve duke informuar për situatën në vend nga COVID-19 thanë se në Shqipëri janë shënuar shifrat më të ulta krahasuar me vendet e rajonit. Drejtoresha e ISHP Albana Fico tha se incidenca dy javore 356 raste për 100 mijë banorë, shifër më e ulët se vendet e rajonit dhe më e ulët se mesatarja e vendeve të BE. “Dy prefekturat që kanë incidencë më të lartë, vijojnë të jenë Tirana, e ndjekur nga gjiro dhe Lezha. Grupmoshat e prekura 55-64 vjeç, ndjekur nga 65-75 vjeç.
Vihet re një qëndrueshmëri e pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Ka një rritje të lehtë të rasteve që kanë nevojë për terapi intensive. Përqindja e nr të humbjes së jetëve në raport me numrin e të infektuarve mbetet në 2.1 %”, deklaroi Fico. Ndërkohë kryetarja e komitetit Mira Rakacolli tha se do të shihet për një javë nëse do duhet të merren masa të tjera për pandeminë.
“Gjendja mbetet e qëndrueshme dhe do na duhet dhe një javë tjetër për të parë nëse ka këtë qëndrueshmëri dhe do shikojmë nëse do kemi nevojë për masa të tjera”, tha ajo.
Lidhur me fshehjen e numrave të të vdekurve nga Covid, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli mohoi kategorish faktin se autoritetet shëndetësore fshehin numrin e viktimave të shkaktuara nga COVID-19. Duke bërë një krahasim të shifrave që nxjerr ministria me shifrat që raportonë agjencitë funerale në Tiranë për vdekjet nga COVID, të cilat nuk korrespondojnë me ato që jem MSH, Rakacolli tha se bilanci i kësaj lufte do të bëhet në fund të përfundimit të kësaj beteje.
“Nga MSH, siç e kemi theksuar me shumë përgjegjësi, raportohen ato raste kur strukturat tona shëndetësore i cilësojnë si raste të vdekjeve nga COVID, Nuk ka asnjë lloj shifre. Nuk ka një paralelizëm mes atyre që janë nga agjencitë funerale dhe nga strukturat shëndetësore, pasi gjerat mund të ndryshojnë. Jemi në mes të një lufte dhe bilancet behën në fund. Shifrat rregullohen shikohen. Asnjë vdekje nuk është e fshehur. Çdo gjë është e thënë me përgjegjësi dhe vazhdojmë ta mbajmë. Shkaku i vdekjes përcaktohet nga mjeku, në kohë reale. Pastaj problemet e agjencive funerale, ato s’do të rregullohen dhe kanë një numër të saktë. Mos të fokusohemi tek vdekjet, por tek jetët e fituara. Është një debat që nuk ka asnjë person që të ketë humbur jetën dhe në letra të rezultoi i gjallë. Jetët kanë humbur jetën në vazhdimësi dhe nga sëmundje të tjera. Është një problem që duhet parë në përgjithësi. Le ta tregojmë me vepra që jemi europianë, pasi është një bilanc që do të bëhet me rigorozitet dhe do të bëhet në fund të luftës dhe jo në mes.”, tha ajo.
Kurba e Covid 19 s’njeh rënie, 14 humbje jete dhe 753 raste të reja në 24 orët e fundit
Në raportimin e përditshëm Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 14 humbje jete dhe 753 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit. Sipas të dhënave, viktimat janë 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Fieri, 2 qytetarë nga Berati, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Hasi, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetare nga Gramshi të moshave 53-86 vjeç.
Sipas ministrisë në 24 orë janë kryer 2532 testime, duke përfshirë këtu edhe testet e shpejta që kanë nisur të përdoren në 24 orët e fundit dhe kanë rezultuar pozitivë 753 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 431 raste në Tiranë, 49 në Berat, 48 në Durrës, 46 në Lezhë, nga 23 raste në Shkodër, Sarandë, 18 në Kavajë, 17 në Fier, 15 në Krujë, 13 në Kurbin, 11 në Pogradec, 8 në Bulqizë, nga 7 raste në Lushnje, Tropojë, Mallakastër, nga 6 raste në Skrapar, Vlorë, nga 5 raste në Kukës, Mat, 4 në Elbasan, nga 1 rast në Mirditë, Gjirokastër, Përmet, Kuçovë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 347 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 22.527 që nga fillimi i epidemisë.
COVID-19 – Statistika (08 Dhjetor 2020)
Raste të reja ditore 753
Të shëruar ne 24 orë 347
Të shtruar në spitale 450
Humbje jete në 24 orë 14
Testime ditore 2.532
Testime totale 208.503
Raste pozitive 44.436
Raste të shëruara 22.527
Raste Aktive 20.973
Humbje jete 936
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 11364
Fier 1620
Durrës 1374
Korçë 1119
Vlorë 1053
Shkodër 899
Elbasan 835
Lezhë 775
Berat 742
Gjirokastër 489
Kukës 438
Dibër 265