Më 28 nëntor 1938 mbreti Zog përmes një ceremonie inauguroi stacionin e parë radiofonik në Shqipëri
Radio Tirana filloi transmetimin e emisioneve 82 vite më parë më 28 nëntor të vitit 1938. Mbreti Zog përmes një ceremonie inauguroi stacionin e parë radiofonik në Shqipëri me fuqi 3 kilovat dhe me valë të shkurtra 40 metra e pagëzuar me emrin Radio-Tirana.
Fillimet
Transmetimi i parë në Radio Tirana në atë kohe është përshkruar nga një entuziasëm i madh në tërë Shqipërinë. Në një botim që mban datën 30 nëntor 1938 shkruhej se: “Transmetimet e emisioneve radiofonike do të jepen në sallën e Bashkisë ku ishte instaluar në një dhomë të posaçme aparati marrës i stacionit të Romës. Kurse stacioni kryesor dhënës është instaluar, siç dihet, në Laprakë ku ka qënë dhe stacioni i vjeter i Radios.
Stacioni kishte një aparat madhështor që zë një sallë prej afër 8 metrash gjatësi. Atje përmblidhen të gjitha veglat dhe instalimet për transmetimin e emisioneve në çdo orë. Stacioni radiofonik kishte një fuqi në antenë prej 3 kw dhe transmetimi do te bëhej me valë të shkurtra”.
Në mikrofonin e kësaj radioje kanë kaluar zëra nga më të njohurit në artin dhe kulturën shqiptare si soprano Marije Kraja, pianisti Tonin Guraziu, sopranot Tefta Tashko Koço, Merita Sakoli e Lola Gjoka, Dhora Leka si redaktorja e parë, Kaliopi Plasari si folësja e parë, Haki Bejleri si folësi i parë, Viktori Xhaçka, Kristaq Andoniu, Sterio Spase, Mihal Popi, Besim Lubonja, Kadri Roshi, Reshat Arbana, Vera Zheji, Piro Naçe, Hamdi Sulçebej e mjaft të tjerë. Radio Tirana ka qenë “Akademia” e parë e gjuhës letrare shqipe duke e ruajtur dhe kultivuar atë.
Përmes emisioneve të saj informative njohëse, edukative dhe kulturore, ajo ka luajtur një rol të pa zëvëndësueshëm në përçimin e vlerave kulturore të popullit shqiptar. Veç vlerave të saja artistike dhe kulturore, kjo radio përmban një vlerë kombëtare, arkivin në të cilën ndodhen zëra unike siç është një fjalim i poliedrikut shqiptar Fan Stilian Noli si dhe zëri i Aleksandër Moisiu.
Nën pushtim
Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939 nga fashizmi italian, “fshiu” çdo gjë nga administrata e qeverisja e mbretërisë të A. Zogut. Të vetmin institucion, që jo vetëm nuk e eliminoi, por e mori në mbrojtje e në kujdestari të veçantë, ishte Radio Tirana.. Nënteksti i këtij qëndrimi ishte i qartë: ne s’kemi asgjë kundër shqiptarëve, kundër kulturës, kundër institucioneve të vendit. Me subvencione nga Italia, Radioja u zgjerua jo vetëm me shtimin e programeve dhe emisioneve në gjuhën shqipe, por nisën rrugën edhe mjaft emisione në gjuhët e huaja, e kryesisht në gjuhët e vendeve të Ballkanit, ku synohej propagandimi i gjerë i ideologjisë nazifashiste të boshtit Romë-Berlin, si qendër gjoja e civilizimit dhe përparimit për të gjithë vendet e tjera.
Pas lufte
Pas Luftës II Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë, në vitet e para gjatë konsolidimit të pushtetit autoritar të një partie, Radio-Tirana ka pasur një përkujdesje të veçantë. Pa humbur kohë është hartuar legjislacioni, ku përcaktonin rolin e Radios në informimin e mobilizimin e masave për forcimin e pushtetit popullor. U ngritën redaksitë e para, u morën masa për ngritjen e forcimin e sistemit teknik të funksionimit të transmetimit, derisa erdhi në vitin 1951, inaugurimi i stacionit të Kasharit, me fuqi transmetuese 50 KV, çka do të thoshte se një pjesë e madhe e Shqipërisë, sidomos qytetet kryesore bregdetare, ishin tanimë nën kryqëzimin e valëve dhe Radio Tiranës.
Programacioni
Programet e para të Radio Tiranës qenë të shkurtra dhe nuk i kalonin më shumë se tri orë. Por, sidoqoftë, qenë të larmishme, e në qoftë se do të marrim parasysh kushtet e kohës dhe natyrisht plotësonin shumë më mirë programin në gjuhën shqipe që transmetohej nga Radio Bari i cili vazhdonte vetem një orë në ditë. Fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qyteteruar, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Vasfi Samimi, Marie Paluca, Tefta Tashko, Merita Sakoli, Mihal Ciko, Anton Mazreku.
Nga 16 prilli i vitit 1940 programet e Radio Tiranës nisën të jepeshin dhe në valë të shkurtra. Nga kolektivi i vogël i Radio Tiranës bëheshin përpjekje për pasurimin e programeve me rubrika të reja. Programet muzikore zinin vënd kryesor. 9 janari i vitit 1946 shënon fillimin e programeve të Radio Tiranës në orën 18.00. Një nga programet e reja me të cilat u pasurua Radio Tirana ishte dhe lidhja me Shtëpinë e Oficerave dhe më pas me hotel “Dajtin” për të transmetuar muzikë. Janari i vitit 1947 do të sillte ndryshime të tjera në programet e Radio Tiranës. Pjesët muzikore, fjalimet e madje reportazhet deri atëhere regjistroheshin në disqe të buta (deciliter). Përgjatë gjithë vitit 1950 programet e Radio Tiranës nuk patën ndonjë ndryshim të ndjeshëm. Ndryshimet në programin e Radio Tiranës janë të vogla gjatë periudhës mars 1949-mars 1951. Më 15 qershor 1952 Radio Tirana bëri një hap të dukshëm cilësor.
Nisi të transmetonte katër emisione në javë për fëmijë. Ngjarje me rëndësi gjatë vitit 1957 ishte dhe fillimi i programit të dytë të Radio Tiranës, një nevojë e domosdoshme për t’i dhënë më shumë hapesirë dëgjuesit. Në vitet 50-60 sipas një relacioni që ndodhet në Arkivin e RTSH raporti ishte 40% programe e emisione të folura e 60% muzikë. Muzika shqiptare e kultivuar e regjistruar nga Radio Tirana ishte ende në hapat e saj të parë. Në vitin 1962 një ngjarje tjeter e rëndësishme për Radio Tiranën ishte krijimi i Orkestres Sinfonike. Qëllimi i krijimit të saj ishte të mbulonte me orë transmetimi muzikore duke bërë të mundur realizimin e shumë aktiviteteve artistike që ideonte dhe realizonte ky institucion. Dhjetori i këtij viti do të shënonte një ngjarje të madhe jo vetëm për Radio Tiranën por në përgjithësi për jetën artistike në vendin tonë. Nga 24-26 dhjetor u zhvillua Festivali i parë i këngës. Nismëtarë ishin përgjegjësi i redaksisë së muzikës, Abdulla Grimci dhe redaktori i po kësaj redaksie Vath Çangu, në të njëjten kohë kompozitor dhe autor këngësh.
Infrastruktura
Më 6.12.1965 Radio Tirana nis emisionet në godinën e re. Gjatë kësaj periudhe Radio Tirana kishte marrë në të vërtetë pamjen e një radioje moderne në kuptimin e plotë të fjalës. Në përgjithësi emisionet e Radios të kësaj periudhe ashtu si dhe i gjithë shtypi ynë i shërbente propagandës së Partisë së Punës, Megjithse nga ana profesionale po i përshtateshin natyrës së radios ku duhet të tingëllojë sa më natyrshëm fjala e gjallë, e lirë dhe e zhdërvjellët. Gjatë vitit 1966 në Radio Tirana nisën të punonin dy gazetarë të rinj të cilët i dhanë një hov të dukshëm radiokronikës. Këta ishin, Alfons Gurashi e Agron Çobani të cilët filluan si radiokronistë për probleme politike, ekonomike e sociale në redaksinë e informacionit.Kështu më 1966, falë këtyre dy gazetarëve, u krijua shkolla e radiokronikës shqiptare. Viti 1970 sjell ne duart e lexuesit shqiptar revisten “Radiopërhapja” e cila nisi të botonte programin e radios e televizionit. Në vitin 1972, me fillimin e liberalizimit të jetës në vend, në kohën kur dukej se po frynte një fllad ndryshimesh, Radio Tirana filloi “Anketën muzikore” si dhe provoi futjen e muzikës së huaj, siç ishin “Beatles”. Ishte koha e pas Festivalit të 11-të, prandaj edhe kontestimet, reagimet dhe kundërshtimet ishin të ndjeshme. Ne vitet 80 filloi transmetimet kanali i dytë. Ai mbahet mend për kënget e bukura të Hulio Iglesias apo Modern Talking, Mireille Matie, Demis Rusos e shume yje te muzikes, që transmetonte në ditët e verës.
Aktualitet
Era e ndryshimeve, solli më shumë liri për gazetarët, por edhe më shumë hapësirë dhe vërtetësi për dëgjuesit, të cilët e shihnin RTSH, si të vetmin mjet informimi për ngjarjet e vrullshme që shoqëronin Shqipërinë. Vitet ’90, e gjetën Radio Tiranën pothuajse me të njëjtin personel. Nisën transmetimet e drejtperdrejta fillimisht me emisionin “Diapazon” në mesditë e më pas në emisionet e mëngjesit, komenti i shtypit e lidhjet telefonike me qytetarët. Gazetarët krijues të Radio Tiranës nga Redaksia e Kulturës si Valdete Antoni, Jani Duri, Vangjel Kozma, Rezarta Reçi dhe Syzheta Malaj nga Fono Arkiva e Radios, e cila ridimensionoi akademinë muzikore; ishin të parët që ditën të përcjellin vlera në të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipërine e asaj kohe. Kjo gjeneratë gazetarësh vizionarë e ndodhur në kapërcyell mes dy epokave; hapi dyert edhe për të rinjtë e gjeneratës të mëvonshme duke i afruar pa egoizëm, pranuar e moderuar mendimin. Tanimë Radio Tirana është një kompleks i organizuar që trasmeton programe për dy kanale, si dhe bën mbulim ndërkombëtar në valë të mesme dhe të shkurtëra. Radio Tirana prodhon tërësisht programet që ajo transmeton, si lajmet, kulturën, shkencën, ekonominë, muzikën, dramatizimet për të rritur dhe fëmijë, sportin, etj. Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare.