Tregues fiskalë të Projekt-buxhetit 2021

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

Buxheti 2021 që parashikohet të përcillet për diskutim në Komisionet Parlamentare, si dhe në datën 3 Dhjetor 2020 do të kalojë për miratim nga deputetët vjen pas një niveli problematikash fiskale dhe ekonomike që kanë diktuar në hartimin e tij.

Ndër treguesit kryesorë që lidhen me disa specifika janë:

Sipas Ministrisë së Financave, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2020 vlerësohet të ulet me – 6.1 përqind duke arritur në nivelin e 1.58 triliard lekë. Ndërsa parashikimi për tendencën e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2021 parashikohet të rritet me 5.5%. Nga krahasimi mes tyre, natyrshëm që edhe sikur të konsiderojmë se parashikimi optimist i rritjes së PBB-së për 2021 të jetë në nivelet e parashikuara përsëri ekonomia nuk do të arrijë të kapërcejë përtej PBB-së së vitit 2018 – 2019. Por, duke qenë se ky parashikim më së shumti bazohet mbi konsumin e brendshëm dhe kërkesën agregate, atëherë është një ekuacion i vështirë për tu zhvilluar. Aq më tepër që parashikimet për rritjen ekonomike kanë të panjohur zhvillimet e ardhme të pandemisë. E vetmja tendencë zhvillimi më e sigurt është fillimi dhe vijimësia e rindërtimeve, të cilat mundet të ndikojnë në rritjen e sektorit të ndërtimit, të tregtisë së matërialeve të dnërtimit, si dhe shërbime të lidhura me këtë sektor, të tilla si: transporti, shërbimet inxhinierike, si dhe tregu i punës i lidhur me të.

Në krahun e të ardhurave të buxhetit parashikohet një nivel realizimi sa 28.5% e PBB-së, ku përfshihen edhe të ardhurat tatimore. Në vitin 2021, parashikohet se të ardhurat do të realizohen në nivelin e 437 miliard lekëve, me një rritje krahasuar me vitin 2020 me 12.2 përqind. Kurse të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen të mblidhen deri në nivelin e 311 miliard lekëve. Nëse krahasojmë të ardhurat tatimore të pritshme për 2020 me ato që janë arkëtuar në vitin 2019 rezulton një ndryshim me – 10.6 përqind më pak. Ndërsa, nëse brenda këtij grupi bëjmë krahasimin vetëm të të ardhurave nga tatimet dhe doganat (pa pushtetin vendor dhe kontributet) rezulton një ndryshim me – 13.3 përqind më pak. Në bazë të këtyre treguesve, krahasimi midis arkëtimeve të të ardhurave tatimore të vitit 2020 me parashikimin e të ardhurave tatimore në vitin 2021, në rastin më të mirë do të ndodheshim në pozitat e vitit 2017 – 2018. Pra aktualisht efekti i tërmetit dhe pandemisë në të ardhurat tatimore është me të paktën 4 vite kthim prapa në kohë. Por, nëse menaxhimi i të ardhurave tatimore në gjithë këto vite të fundit do të ishte më efektiv, atëherë të ardhurat tatimore mundet të kishin arritur nivele më të larta në vite duke ndikuar në krahasimin si më lart në një kthim prapa në kohë për më pak vite. Menaxhimi të ardhurave tatimore nuk ka qenë optimal, pasi është shoqëruar me probleme të reja dhe adresime pjesore të problemeve të mbartura. Tatimi mbi të ardhurat personale parashikohet që në 2021 të arrijë të paktën nivelin e arkëtimeve të pritshme të vitit 2020 me një kontribut në buxhet që llogaritet sa 2.4 përqind e PBB-së (në vitin 2020 është sa 2.6 përqind e PBB-së). Ky parashikim për 2021 është 12.2% më i ulët se arkëtimet e vitit 2019. Nisur nga fakti se ulja e peshës së këtij tatimi është ndikuar nga dalja e përkohshme jashtë skemës të punonjësve me paga të ulta dhe të mesme duket se me rritjen e pragut minimal në 2021, si dhe me efektin shtytës që kjo do të japë te paga mesatare, ky tatim do të vijojë të mbahet nga kategoria e ulët dhe e mesme e punëmarrësve.

Lexo edhe :  Rriten çmimet e derivateve të naftës

Ndërkohë, në analizën e investimeve publike vërehen se niveli i parashikuar për projekte sa 7.2 përqind e PBB-së është mjaft ambicioz. Nga këto parashikime, veçohen pagesat për kontrata Partneriteti Publik Privat në proces në një nivel sa 0.3 përqind e PBB-së (44-45 milion Euro). Ndërsa investimet direkte në infrastrukturën rrugore parashikohen sa 0.5 përqind e PBB-së (64 milion Euro). E gjithë fatura e buxhetit 2021 parashikohet të ketë një rezultat negativ (deficiti buxhetor) sa 6.5% e PBB-së (108.7 miliard lekë). E gjithë kjo shumë do ti shtohet nivelit aktual të borxhit publik, i cili ka arritur në Korrik 2020 sa 80.02 përqind e PBB-së. Nëse llogaritim pagesat e interesave dhe kësteve, si dhe shtesën e deficitit buxhetor 2020 që ende nuk dihet sa do të arrijë deri në fund të vitit llogaritet që viti 2021 të fillojë mbi 84përqind borxh publik. Ndërkohë, nëse i shtohet edhe deficiti buxhetor i buxhetit 2021 barra aktuale e taksave nuk do të ketë ndikim përtej nivelit sa 1-2 përqind e PBB-së. Por, tashmë struktura e borxhit është shumë më me rrisk se përpara 6-7 vitesh, pasi borxhi I jashtëm është bërë njësoj në peshë sa borxhi i brendshëm. Kështu, pesha e borxhit të brendshëm ndaj totalit të borxhit publik (70.03 % e PBB-së) në 2014 ishte 40.47% e tij, ndërsa pesha e borxhit të jashtëm ndaj totalit të borxhit publik (70.03 % e PBB-së) në 2014 ishte 29.56% e tij. Në Korrik 2020, pesha e borxhit të brendshëm ndaj totalit të borxhit publik (80.02 % e PBB-së) ështe sa 40.39% e tij, ndërsa pesha e borxhit të jashtëm ndaj totalit të borxhit publik (80.02 % e PBB-së) në 2014 është sa 39.63% e tij. Nga krahasimi midis dy periudhave vërehet se pesha e borxhit të brendshëm në periudhën 2014 – 6-mujori parë 2020 është ulur me 0.08 % të PBB-së, ndërsa pesha e borxhit të jashtëm për të njëjtën periudhë është rritur me 10.07% të PBB-së. Pra, rritja e borxhit publik në tërësi është ndikuar nga rritja e borxhit të jashtëm si pasojë kryesisht të daljes në tregun ndërkombëtar me Eurobondin.

Rritja e borxhit të jashtëm është problem për çdo buxhet, i madh apo i vogël.

Nga studimet e kryera për vendet afrikane, si dhe vende të tjera është konkluduar se borxhi i jashtëm pengon rritjen ekonomike [1]. Nisur nga mundësia e mirëmenaxhimit të të hyrave fiskale që përmendet në çdo buxhet si një ndihmë kryesore për uljen e borxhit publik, studimet tregojnë se efektet e tyre kanë ndikim që tejkalon periudhat afatmesme, aq sa është mandati qeverisës 4-vjeçar. Ndërkohë, nëse borxhi publik do të ishte më shumë i bazuar te borxhi i brendshëm (borxhi ndaj bankave vendase dhe bankës qendrore) kjo barrë do të ishte më pak ndikuese. Shembull për këtë modelim borxhi është borxhi publik i Japonisë, e cila deklaron se ka një borxh publik në Shtator 2020 sa 214.4% e PBB-së dhe me tendencë rritje të mëtejshme. Gjithsesi, duke qenë se borxhi i saj financohet nga Banka e Japonisë nuk është një shqetësim që del përtej Japonisë. Ndërkohë, nese duhet rritur borxhi më tej një qasje buxhetore e preferueshme dhe që të merrte “vulën” e të ardhmes do të ishte financimi i sektorit të arsimit shumë më tepër se është aktualisht (sa 2.6% e PBB-së), për arsye të ndikimit të këtij sektori më shumë nga gjithë sektorët e tjerë publikë nga pasojat e Covid-19, por edhe për arsye të krijimit të një armate punonjësish dhe shkencëtarësh që mund të sfidojnë të ardhmen.

Të fundit

“Mos më picko”/ Plas sherri në kuzhinë, Egla e spërkat me ujë, ja si reagon Ilnisa

Një situatë mjaft e pakëndshme ka ndodhur në kuzhinën e BBV3, ku Ilnisa dhe Egla zihen keq me njëra-tjetrën. Ilnisa...

Kandidimi i Belerit në Himarë/Minxhozi:Qëllimi për të prishur marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Analisti Skënder Minxhozi foli për marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Minxhozi deklaroi në emisionin “Real Story” në ABC News, se kandidimi i Fredi Belerit si...

Natasha e TikTok dhe djali i saj rikthehen në burg, akuzohen për keqtrajtim të të miturit

Gjykata e Apelit të Kuçovës ka vendosur të lërë në fuqi masën arrest në burg ndaj, Armando Kumarakut dhe Natasha Romblas, e njohur edhe...

Më shumë para në pleqëri? Shumë e thjeshtë

Nëse je i ri dhe sapo ke nisur të punosh, me shumë gjasa periudha e pensionit të duket shumë e largët. Të kesh disa mijëra...

I dënuar për shpërdorim detyre, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit

Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar me shpërdorim detyre së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij Durim Margjekaj dhe...

Lajme të tjera

Web TV