Më 24 dhjetor 1924 Ahmet Zogu hyri triumfalisht në Tiranë pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit.
Më 24 dhjetor 1924, trupat e Ahmet Zogut hynë në Tiranë nga ana e veriut, vetëm pak orë pasi Kryeministri Fan Noli la qytetin nga ana e jugut. Qeverisja 6-mujore revolucionare kishte marrë fund dhe Zogu trumbetoi me të madhe rikthimin në fuqi të Qeverisë Legale, duke e quajtur edhe “Triumf të Legalitetit”. Vetëm një muaj më pas do të shpallej Republika dhe ai vetë Kryetar i Republikës. Deri atëherë Shqipëria ishte principatë….
Po ç’kishte ndodhur më parë se kaq?
Më 27 dhjetor 1923 zhvillohen zgjedhjet parlamentare ku fitoi grupi qeveritar i Ahmet Zogut. Opozita akuzon për manipulime të krye zgjedhjeve. Në Peqin u vranë Adem Gjinishi dhe Sheh Isuf Kazazi. Më 24 shkurt 1924, Ahmet Zogut i bëhet një atentat në hyrje të Parlamentit ndërsa po shkonte për tu betuar si Kryeministër i vendit. Autori ishte një djalë nga Mati i quajtur Beqir Valteri, të cilin opozitarët e kishin bindur se po të vriste Zogun do të mbahej mend si Hero Kombëtar. Zogu ja lë drejtimin e qeverisë Shefqet Verlacit, beu më i madh i vendit.
Në kushtet e acarimit të situatës politike, më 20 prill 1924, Avni Rustemi, njëri prej liderëve të opozitës vritet në një atentat. Atentatori Isuf Keçi arrin të largohet nga vendi i ngjarjes. Vrasja ngjall zemërimin e opozitës. Më 1 maj 1924, në Vlorë bëhet varrimi i Avni Rustemit. Varrimi i tij kthehet në një manifestim të opozitës kundër Ahmet Zogut. Nga aty Fan Noli bën thirrje për gjetjen e vrasësve të tij.
Një ditë më par një grup ushtarakësh të quajtur “Klika” dhe deputetët e opozitës organizojnë një mbledhje në kinemanë e Vlorës, ku marrin pjesë 300 përfaqësues nga krahinat e vendit dhe anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” që ishte krijuar nga Avni Rustemi. Mbledhja i dërgoi dy ultimatume qeverisë: Në të parin dënohej vrasja e avni Rustemit dhe kërkohej gjetja e vrasësve të tij. Në të dytin protestohej kundër Ceno Bej Kryeziut (kunat i Ahmet Zogut), i cili konsiderohej nga opozitarët si agjent serb që u shërbente Beogradit dhe forcave të brendshme të djathta.
Më 5 maj 1924, shoqëria “Bashkimi” e krijuar nga Avni Rustemi i bën rinisë shqiptare një thirrje për kryengritje të armatosur ndaj qeverisë. Deputetët e opozitës braktisin parlamentin dhe deklarojnë se do të rikthehen vetëm nëse seancat do të zhvillohen në Vlorë! Ata e justifikonin këtë gjë duke thënë se Tirana ishte bërë e pasigurtë nga mercenarët e Zogut.
Më 16 qershor 1924, revolucionaret formojnë qeverinë e re. Pas bisedimeve të dështuara midis palëve (Fan Noli dhe Sami Vrioni ishin dy kandidatët, pak më herët Sulejman Delvina ishte tërhequr) vendoset me short që në krye të qeverisë të jetë peshkopi Fan Noli. Ministrat e qeverisë janë: Ministër i Financave: Luigj Gurakuqi, Ministër i Punëve të Jashtme: Sulejman Delvina, Ministër i Mbrojtjes: Kasem Qafëzezi, Ministër i Brendshëm: Rexhep Shala, Ministër i Arsimit: Stavro Vinjau dhe Ministër i Punëve Publike: Qazim Koculi.
Ndërsa më 19 qershor 1924, Qeveria e re shpall programin e saj, program që në parim ka reformën agrare. Por në kushtet e Shqipërisë është i parealizueshëm. Qeveria e re ka ministra impresionues në vlerat e tyre individuale por ata kanë shumë divergjenca midis tyre dhe s’mund të punojnë si grup. Fan Noli, kryeministri është një idealist por jo njeri praktik, Qafëzezi dhe Shala janë diktatorë ushtarakë, kurse Gurakuqi me shokë i japin qeverisë ngjyra fetare. Administrata që Noli donte të reformonte ishte plot me besnikë të Zogut dhe Verlacit të cilët filluan të punonin kundër tij dhe qeverisë së revolucionit.
Nga fundi i qershorit deri në fillim të dhjetorit 1924, Qeveria e re mundohet të njihet nga shtetet e huaja. Por asnjë shtet nuk e njeh për shkak se ka ardhur në pushtet në mënyrë të jashtëligjshme. Fan Noli i kërkon një hua Lidhjes së Kombeve, por ajo refuzohet. Lidhen për 4 ditë marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Shtetet perëndimore alarmohen pasi Shqipëria u bë vendi i parë që lidhte marrëdhënie me B.S., dhe një portë e sigurtë e komunizmit në Europë. Kjo nxit Ahmet Zogun të rikthehet në fuqi. Qeveria provon të zbatojë programin e saj por i dalin shumë pengesa dhe programi bëhet i pazbatueshëm. Zhvillohen gjyqe politike ku dënohen me vdekje në mungesë Ahmet Zogu dhe bashkëpunëtorët e tij. Vendi zhytet në anarki për shkak të përçarjeve midis anëtarëve të kabinetit. Rritet pakënaqësia në popull ndaj kësaj qeverie.
Më 10-13 dhjetor 1924, nisin veprimet ushtarake të forcave të Zogut në Dibër dhe Lumë. Ahmet Zogu lajmëron Anglinë, Francën dhe Jugosllavinë për veprimet e tij të cilat miratohen në mënyrë unanime nga këto shtete.
Ahmet Zogu rikthehet në fuqi me ndihmën e trupave të tij besnike dhe rreth 50 ish-ushtarëve të Ushtrisë së Bardhë Ruse, duke rrëzuar Fan Nolin, i cili gjithashtu kishte ardhur në fuqi me dhunë.
Zona e Lëvizjes ishte në zonat e Hasit, Kukësit, Dibrës e Tiranës.
Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyn në Shqipëri së bashku me shokët e tij: Ceno Bej Kryeziun, Muharrem Bajraktarin, Prenk Pervizi, Hysen Selmanin, Koço Kotën, Myfid Libohovën dhe rrëzojnë qeverinë shumë të kontestuar të Fan Nolit, qeveri që nuk u njoh nga jashtë dhe që nuk i mbajti premtimet e bëra. Rikthimi i Zogut në pushtet u quajt “Triumfi i Legalitetit”.
Zogu i kërkoi parlamentin për të përcaktuar një sistem qeverisës. Parlamenti miratoi shpejt një kushtetutë të re, shpalli Shqipërinë republikë, dhe i dha Zogut kompetenca të pakufizuara (diktatoriale). Kushtetuta parashikonte një republikë parlamentare me një president të fuqishëm si në krye të shtetit edhe të qeverisë. Asambleja Kombëtare e zgjodhi Ahmet Zogun president për një mandat shtatë-vjeçar, dhe po kjo Asamble, me pak ndryshime kushtetore, e shpalli Zogun mbret më 1 shtator 1928. Deri në vitin 1991, Zogu ishte i vetmi shqiptar që kishte mbajtur titullin “President i Repubikës”. Gjatë viteve të komunizmit Shqipëria kishte Kryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor./fjala.al