Tërmeti, pandemia, kriza, papunësia, varfëria – 2020 i mallkuar për shqiptarët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Halit Valterti

Vitin e kaluar, me plot të drejtë, ne shqiptarët quajtëm fundin e 2019-ës si mallkim, vit i mbrapshtë për ne, pas 2 tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën vendin, në 21 shtator dhe 26 nëntor, më shkatërrimtari i regjistruar prej të paktën 4 dekadash. Por e keqja për ne s’kishte fund. Në një kohë kur mijëra familje shqiptare ndodheshin në qiell të hapur, të braktisura dhe të pashpresa për atë që i priste në të ardhmen, bota mbarë po kapej nga ethet e një sëmundje misterioze. Nga Azia e largët shumë shpejt do të trokiste edhe në dyert tona, pasi një pjesë e mirë e shteteve po lëngonin tashmë nga pasojat e para. Zona të tëra në Durrës, Lezhë, Krujë dhe Tiranë i ngjanin dhe i ngjasojnë ende edhe sot që ka kaluar më shumë se një vit nga tërmeti, një arene lufte, me shtëpi të shkatërruara, pallate të shembura dhe inerte të kundodndodhura. Tërmeti dhe pandemia, dy të këqijat që na përndoqën njëra pas tjetrës.

Jemi në vitin 2020!

Moria e problemeve sa vinte e bëhej më akute, papunësia rritej, varfëria shtohej – e ardhmja dukej gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa në horizont nuk shfaqej asnjë dritë shprese. Dhe efektet u ndjenë shpejt edhe në vendin tonë, kur në ditët e para të muajit mars do të konfirmoheshin rastet e para me të infektuar me koronavirus e më pas edhe ato fatale. Sot kemi arritur në shifra tragjike kur numërohen 54,827 raste pozitive me COVID-19 nga të cilët kanë humbur jetën  1 125 qytetarë. Për popullin tonë, po luhej akti i dytë i një drame me plot të papritura, tërmeti apokaliptik 6.4 ballë i mëngjesit të 26 nëntorit dhe përhapja e pandemisë me shpejtësinë e lëvizjes së njerëzve të lirë nga njëri kontinent në tjetrin. Masa strikte, izolime dhe kufizime nga më të ndryshmet të cilat sot janë ende në fuqi.

Sigurisht, çdo popull në këtë planet ka sikletet e veta, vuajtjet dhe stërmundimet për të përballuar përditshmërinë. Por të pakta janë vendet që në pak muaj të jenë goditur nga fatkeqësitë kaq rëndë dhe kaq fort sa shqiptarët. Si të mos mungojnë goditjet e pamëshirshme të natyrës si një formë shpagimi për padrejtësitë që i janë kryer asaj nga njerëzimi, mbi shqiptarët pasojat rëndojnë me kosto dyfishe, duke ditur se nga çfarë qeverie dhe çfarë politike udhëhiqen.

Në vend që qeveria në detyrë ta bëntë natën ditë dhe të punonte papushim për t’i sistemuar në shtëpi të reja familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, ka bërë krejt të kundërtën. Në vend të punës ka bërë propagandë. Në vend të ndihmës ka dhënë lëmoshë. Në vend të kujdesit dhe zemërgjërësisë ka demonstruar arrogancë dhe shpërfillje. Më shumë se njëherë kam denoncuar në Parlament, në foltore, në emisione televizive, në rrjetet sociale, në përballje të drejtpërdrejta me kryeministrin dhe ministrat se kanë braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit 13 mijë qytetarët që humbën shtëpi e katandi nën rrënojat e apokalipsit shqiptar. Edhe sot e kësaj dite bilanci është i trishtë. Shumë pak, për të mos thënë aspak kanë sot shtëpi të reja, edhe këto të rindërtuara nga donacione private, ndërsa puna e qeverisë – u pa dukshëm jo më larg se tre ditë më parë në transmetim live nga kryeministri, ndodhet ende te themelet…

E njëjta praktikë po ndiqet edhe sa i takon pasojave të pandemisë. Nuk ka përkrahje për qytetarët, paketa e parë ekonomike nuk mbylli asnjë plagë në ekonomi, ndërsa vendet e tjera të rajonit, ndër to edhe Kosova e Maqedonia e Veriut, ndodhen te paketa e tretë dhe e katërt ekonomike për qytetarët dhe bizneset e prekura nga efektet e virusit. Shqiptarët sot ende nuk e dinë se kur do të vijë vaksina anti-COVID, në një kohë kur Serbia nisi dje (24 dhjetor) vaksinimin e popullsisë së riskuar, krahas 27 vendeve të BE. Kryeministri nuk jep asnjë shpresë, teksa vizita e tij në Neë York rezultoi se ishte bërë jo për vaksinën Pfizer, por për një ekspozitë të tijën, krejtësisht personale.

Lexo edhe :  Pasojat që ka lënë Covidi në arsim dhe kulturë

Arroganca dhe shpërfillja ditën për diell përligjen nga institucionet e brishta të shtetit shqiptar, motivohen nga një politikë nevrastenike që nuk e ka fare në laps e kalem hallin e përditshëm të qytetarëve, por sheh interesin e vet dhe të një grupi të vogël oligarkësh të cilët herë i shërbejnë të majtës dhe herë të djathtës. Po këtij kursi i shërbeu edhe kyçja e Gjykatës Kushtetuese për tre vite me radhë. Po kësaj qasje i përket edhe ndryshimi i Kushtetutës sa herë i intereson politikës. Po të njëjtës klikë i intereson edhe ndërhyrja në sistemin zgjedhor dhe imponimi i formulave që iu shkon më për shtat, pra, e njëjta lojë mashtruese që u bë me listat nga “të mbyllura”, në sërish “të mbyllura”, ndërsa propaganda, kujt i kujtohet, u bë për të kundërtën, për lista të hapura dhe në çastin e fundit gjithçka u përmbys.

Por përtej të gjithave, ajo që dhemb gjithnjë e më shumë është rritja e papunësisë dhe pllakosja e varfërisë në të katër anët e vendit. Shifrat e INSTAT, pra ato të qeverisë flasin për 50 mijë të papunë vetëm prej pasojave direkte të pandemisë, shifër e cila në tre muajt e fundit të 2020-ës është rritur edhe më shumë. Por, ajo që frikëson është se shifra e vërtetë e të papunëve është disa herë më e lartë se shifrat që referon ekzekutivi. Më e trishtueshme akoma është mungesa e planit nga qeveria për t’iu përgjigjur kësaj emergjence

2020-a do të hyjë në histori si viti i rënies më të madhe ekonomike që prej vitit të mbrapshtë 1997. Pagat dhe pensionet janë zhvlerësuar në raport me indeksin e çmimeve. Pensionet vijojnë të jenë në nivele qesharake, teksa të moshuarve ato para nuk iu dalin as për ilaçe, e jo më për të mbajtur frymën gjallë. Asistenca sociale është një tjetër aspekt drithërues që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë dhe të kthejmë sytë nga njerëzit pasi jo pak, por mijëra prej tyre jetojnë nën kufirin e minimumit jetik.

Nga ana tjetër, ajo që duket ashiqare është se qeveria dhe ministritë e linjës nuk e kanë ndalur për asnjë moment punën e tyre në dhënien e tenderëve dhe koncesioneve PPP për kompani dhe biznesmenë të dyshimtë. Skema është e kuptueshme, milionat e buxhetit të shtetit pasi bëjnë xhiron e koncesioneve, dihet se ku përfundojnë… Qeveria ka miliona për të dhënë me PPP, por jo për të ndihmuar ekonominë e shqiptarëve.

Gjykimin për të gjitha këto do ta bëjnë vetë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, të lënë në harresë, të braktisur dhe të shpërfillur, duke tejkaluar çdo limit durimi. Dhe dita e gjykimit po vjen, 25 prill 2021. Kjo politikë që nuk ka në axhendë qytetarin e thjeshtë të këtij vendi, duhet të zhbëhet.

Deri atëherë, të dalim nga kjo 2020-të e mbrapshtë në të gjitha drejtimet dhe të lutemi e të shpresojmë se viti i ri do të jetë i mbarë dhe të na prijë drejt ndryshimeve të shumëpritura, në mënyrë që fatet e vendit t’i marrin në dorë njerëzit e thjeshtë, ata më punëtorët, që duan progresin, drejtësinë, arsimin dhe ekonominë e zhvilluar.

Të fundit

Euro në greminë, mësoni me sa këmbehen monedhat e huaja sot

Sot, më 30 dhjetor 2024, dollari amerikan blihet me 93.3 lekë dhe shitet me 94.4 lekë. Euro blihet me 97.4...

Nga gjeli i detit te bakllavaja, sa kushton darka e Vitit të Ri?

Darka e Vitit të Ri është një nga traditat më të dashura për shqiptarët, ku familjet mblidhen për të festuar dhe për të shijuar...

E trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë ish-presidenti i njohur (Emri+Foto)

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqen, ka vdekur në moshën 100-vjeçare, njoftoi të dielën Atlanta Journal-Constitution. Carter ishte presidenti më...

Pesë sfidat kryesore të ekonomisë botërore në vitin 2025

Timothy Rooks/DW   Donald Trump 2.0 fillon në janar Mënyra se si do të shkojë viti 2025 për ekonominë botërore varet kryesisht nga një njeri:...

“Liria, besimi dhe pajtimi” – qëndrimet e serbëve dhe shqiptarëve nga veriu i Kosovës

Sandra Cvetkoviq "Liria dhe besimi". Kjo është ajo që momentalisht i mungon më së shumti Dragisha Llakiqeviqit nga fshati Kutnje, në komunën e Leposaviqit, ku jetojnë...

Lajme të tjera

Web TV