Nga LEONARD KARAJ
“Edi Rama, tashmë kryetari i sektit të spiunëve të Shqipërisë. Kjo fundërrinë e pashembullt. Ky njeri i pander, i pa familje. Ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq. Që akuzoi babin e tij si babain e djalit të tij. Ky njeri që është akuzuar si përdorues kokaine”.
Ishte 23 janari 2011-ës, kur Ilir Meta atëçast ende zv.kryeministër në qeverinë “Berisha 2”, sulmonte kryen e atëhershëm të opozitës, Edi Rama. Dy vite e dy muaj më vonë, më 1 prill 2013, në Shkodër, amoraliteti politik bëhej institucion, teksa për interes “vetëm të shqiptarëve”, dyshja Rama-Meta shpallnin “fejesën”. Ndërsa në zgjedhjet e qershorit “dasma” e dy V.I.P.-ve të së majtës shqiptare kurorëzohej me megalomaninë e 1 milion shuplakave.
Ajo çka ndodhi nga janari 2011 deri në prill 2013 është një faqe e turpshme e historisë së politikës shqiptare. U fol për një darkë me ngjala, por që në fakt kanë qenë shumë më shumë sesa kaq. Pas humbjes edhe të bashkisë më 8 maj, i bindur thellësisht se nuk do mund të bëhej kurrë kryeministër pa mbështetjen e atij që e kishte sharë dhe ofenduar më keq sesa edhe një gangester rruge, “gojët e liga” thonë se Rama iu lut gati në gjunjë Metës që ta falte dhe që të bënin bashkë koalicion për të fituar zgjedhjet. Ashtu ndodhi: dyshja e urryer u bënë bashkë “për të mirën” e shqiptarëve dhe Rama u bë kryeministër. Pas kësaj, si një kameleon atipik, lideri i PS-së nisi të nxjerrë në pah pragmatizmin e tij politik, duke treguar një fakt tejet domethënës se për të ardhur në krye të vendit, duhet bërë pakt edhe me djallin. Sot, Rama është Kryeministër edhe falë Metës, por më së shumti falë aftësisë pragmatiste të tij, duke përdorur çdo mjet për të mbajtur pushtetin.
Dhe në një kohë kur vendi po kalon një nga periudhat më të këqija në qeverisje, me korrupsion galopant, me PPP kriminale për xhepat e shqiptarëve, sistem gjyqësor të rrënuar, me krimin që pas mbështetjes që ka gjetur tek pushteti ka sofistikuar ndjeshëm vetveten, me një shtet brenda shtetit, ku të pasurit janë stër-pasuruar, të mesmit janë varfëruar dhe këta të fundit janë zhytur në mjerim, Rama vijon ende të besojë tek një mandat i tretë, kjo edhe për shkak të një opozite të dobët dhe të përçarë. Sot “Rilindja” po josh çdo ish-funskionar, apo ish-deputet të LSI apo edhe të lëkundurit të PD-së, duke u afruar vende pune dhe mundësi në kërkim të votës. Që nga Lefter Koka në Durrës tek Nasip Naço e Gledion Rehovica në qarkun e Beratit. Që nga Eduart Kapri i PD-së në Pogradec tek “çamët e Peqinit”. Të gjithë janë vënë në shënjestër të funksionarëve të PS-së, me qëllim marrjen e mandatit të 3-të.
Tjetër gjë opozita. Aty më shumë sesa për fitimin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 flitet për “ndarjen e pushtetit”, që në fakt jo vetëm që nuk e kanë por me kësilloj insinuatash, zor edhe sesa do ta marrin.
Edhe pse opozita në përgjithësi dhe PD-ja në veçanti do duhej ta kishin kaluar tashmë ciklin e zënkave të brendshme, situata këto gati të pashmangshme, kur një forcë humbet pushtetin, ajo çka të bën përshtypje është se vetë eksponentë të rëndësishëm kontribuojnë (me dashje ose me naivitet) në këtë përçarje të madhe. Kur na ndajnë gati 4 muaj nga zgjedhjet, Basha nuk po arrin dot të bashkojë më e pakta të djathtët, ish-kolegë në parti dhe qeverisje.
Po, është e vërtetë se Astrit Patozi (BD), Jozefina Topalli (LN), Bamir Topi (FRD), ashtu edhe Rudina Hajdari (NISMA) dhe Myslim Murrizi (LDSH) kanë bërë pak ose aspak për të rregulluar këtë marrëdhënie të acaruar me liderin e PD-së, por edhe ky i fundit, thuajse nuk ka zgjatur as gishtin e vogël drejt tyre. Është e vërtetë se të gjithë këta, në 10 fjalë, 9 i kanë kundër Bashës, por po aq e pakuptimtë duket qasja injoruese e liderit të opozitës ndaj një pjese të historisë së partisë që ai tashmë drejton. Është e vërtetë se sot opozita ka më shumë se 20 parti të cilat kërkojnë “kokën e Ramës në tepsi”, por po aq domethënëse është frika nga humbja e mandatave si rezultat i ndryshimeve që Rama i bëri Kodit Zgjedhor.
Në këto kushte, dalja më vehte ose më disa sigla të opozitës veçse do të shtonte mundësinë reale të Ramës për të qëndruar në pushtet. Opozita në përgjithësi dhe PD-ja në veçanti, jo vetëm që duhet “të zgjojnë” votuesin dhe të krijojnë besueshmëri tek ky i fundit; jo vetëm që duhet të ushtrojnë presion për një pjesëmarrje sa më të lartë në votime; jo vetëm që duhet të kërkojnë me ngulm një votim të sigurt dhe mundësisht të pakontestueshëm të emigrantëve dhe disporës; por të jetë edhe pragmatiste deri kockë, duke lënë mënjanë çdo inat të brendshëm. Nëse qëllimi i vetëm dhe më i madh i kësaj opozite është rrëzimi i Ramës, atëherë, Basha në fillim du duhet të “shtrijë dorën” e bashkëpunimit, duke bashkuar kësisoj çdo zë, qoftë edhe periferik në një bllok të madh kundër “Rilindjes” së Ramës.
Është fakt se deklaratat e ndërsjellta mes “PD-istve të zemëruar” dhe Bashës asqë i afrohen piskamave të janarit 2011 mes Ramës dhe Metës. Ndaj, kur Rama për hir të ardhjes në pushtet, “përtypi” fjalorin gati rrugaçëror të Metës, është e pakuptueshme sesi Basha nuk bëhet paksa pragmatist dhe për të sjellë PD në qeverisje, të bashkojë të paktën ish-demokratët. Kësisoj, sot ajo që shihet si një diveregjencë e sponsorizuar nga Rama në frontin opozitar, nesër të mos përkthehet si një naivitet atipik politik i Bashës.